Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Melankolia e ndrydhur në muzgun e jetës angleze

Është një përjetim i rrallë dhe i veçantë kur rastis të lexosh një roman mbresëlënës, dhe pastaj të njëjtin e sheh si film. Për të njëjtin rrëfim përjetimi vjen i dyfishtë, i përçuar tek audienca nëpërmjet dy mediumeve të ndryshme. Filmi e përmbush romanin dhe anasjelltas, gjë që i ndihmon audiencës të krijojë një tablo sa më të plotë mbi narracionin. Pra, aty ku romani nuk është kuptuar plotësisht, apo aty ku lexuesi nuk ka qartësi mbi narracionin, filmi i ndihmon të mbushë boshllëqet. Dhe, në përgjithësi, filmi është zhanër më lehtë i kapërdishëm, se është ndoshta edhe më zbavitës. Filmin e shikon për një orë e gjysmë, romanin e lexon për tetë orë, ndoshta. Kjo e bën edhe transmetimin e mesazhit nga filmi tek audienca më efektiv dhe mbase më të prekshëm. Ndërsa leximi i romanit është gjithsesi kënaqësi shpirtërore, është mësim, por si akt mbase kërkon më shumë punë se filmi. Kështu, filmi mund të ndihmojë në të kuptuarit sa më të plotë të ngjarjes së romanit, dhe anasjelltas. Pra, e plotësojnë njëri tjetrin.

Në anën tjetër, përjetimi i të njëjtës storie në formën e romanit dhe pastaj të filmit (apo e kundërta) ka rrezik të sjellë konflikte të ndërlikuara tek audienca. Në vend se ta përmbushin njëra tjetrën, këto dy zhanre mund të ndërhyjnë si shemra në imagjinatën e lexues-shikuesit, dhe të mbjellin kundërshti tek ai. Ne, kur lexojmë roman, përfshihemi në një akt të njëanshëm, pra lexojmë atë që na kumtohet nga shkrimtari. Shkrimtari shkruan, kurse ne jemi receptorët: pranojmë atë shkrim nëpërmjet leximit. Megjithatë, leximi është edhe akt i dyanshëm, është bashkëbisedim. Ne si lexues nuk është që veç lexojmë. Ne bashkëbisedojmë me veprën që lexojmë. Duke përdorur imagjinatën tonë ne i mveshim ngjarjet, vendndodhitë, personazhet me tipare të ngjizura nga imagjinata jonë dhe nga përjetimi ynë subjektiv. P.sh. një storie që përshkruan një ditë të zymtë me shi, në një fshat piktoresk anglez në vitet ’50, ku një burrë dhe një grua takohen dhe pijnë çaj së bashku në hotelin te sheshi, formësohet subjektivisht në imagjinatën e lexuesit. Duke qenë subjektiv, përjetimi im dallon nga përjetimi yt, anipse ne të dy kemi lexuar të njëjtin roman. Madje mund të them se çdo përjetim mbi të njëjtin roman nuk është identik me tjetrin, edhe nëse të njëjtën vepër e kanë lexuar me miliona njerëz. Për çdo lexues, pra, leximi është një përjetim personal, intim. Çdo lexues përjeton katarzën e vet.

Rrjedhimisht, nuk është çudi që pasi të kemi krijuar një përjetim tejet personal mbi romanin e lexuar, filmi i bazuar mbi atë roman të na krijojë huti dhe kundërthënie. Kjo sepse filmi do të ketë një interpretim të vetin mbi atë roman, e që nuk do të përkojë me atë të krijuar në imagjinatën tonë. Dhe këtu lind konflikti personal. Pashmangshmërisht, filmi do të ndërhyjë vrazhdë brenda përjetimit të krijuar në imagjinatën intime, dhe do të modifikojë atë përjetim. Personazhet të cilëve ne u kemi dhënë fytyra të caktuara, nuk do të duken më ashtu. Fytyrat e tyre tani do të interferohen nga ato të aktorëve që i luajnë ato role në film. E kështu me radhë, derisa katarza jonë individuale të pësojë ndryshim, duke u bërë produkt i bashkëdyzimit roman dhe film, që sigurisht do të jetë ndryshe nga përjetimi ynë fillestar. Pra, me film ne humbim diçka nga përjetimi fillestar nga romani, për ta modifikuar atë me përshtypjet nga filmi.

Ditët që na kanë mbetur – romani

Libri i shkrimtarit britanik me prejardhje japoneze Kazuo Ishiguro ”The remains of the day” (ndoshta më së miri i përkthyer si “Ditët që na kanë mbetur”) është një rrëfim prekës dhe heshturazi dramatik, i shkruar me një gjuhë fine dhe elegante. Libri, me të cilin nobelisti Ishiguro fitoi edhe shpërblimin Booker Prize në Britani, tregohet nga këndvështrimi i një Butleri anglez, apo kryeshërbëtor, specie e veçantë në kulturën angleze që buron prej ditëve të hershme të perandorisë së saj, e që zakonisht punonte për familje të pasura aristokrate. Butleri në fjalë – Z. Stevens – kishte shërbyer në kështjellën e Lordit Darlington përgjatë viteve ’30 e deri në fillim të viteve ’50 të shekullit XX. Ky libër na përkujton se Butleri ishte hiç më pak se një institucion, dhe madje shumë i veçantë në traditën angleze. Butleri nuk ishte vetëm shërbëtor; ai ishte personifikim i elegancës, dinjitetit, lojalitetit, profesionalizmit dhe vetëmohimit. Butleri ishte kryepunëtori i kështjellës dhe pronave të Lordit, ai ishte menaxher i stafit, dora e djathtë e shefit të tij. Kur Lordi kishte nevojë për të, Butleri ishte gjithmonë aty; kur Lordi kishte nevojë për privatësi Butleri dinte të bëhej sikur s’ekzistonte. Lordi ishte Lord, por pa ndihmën e përditshme të Butlerit ai do të ndihej i humbur në shtëpinë e vet (ose, në këtë rast, kështjellën e vet). Të dytë – Lordi dhe Butleri – ishin xhentëllmenë tipik të kohërave të vjetra të një perandorie në perëndim e sipër. Mirëpo, diferenca në mes atyre dyve ishte më se e qartë dhe madje e parapërcaktuar që në lindje dhe gjenealogji: Lordi ishte pjesëtar i shtresave të larta, aristokratike, me një pedigre mbresëlënës lordësh mbrapa tij, ndërsa Butleri ishte lindur dhe do të vdiste pjesëtar i shtresës punëtore, aniçka që zotëronte me diturinë dhe elegancën e një aristokrati të vërtetë. Megjithatë, ndarja ishte e qartë dhe rolet e tyre poashtu: Lordi mbetej Lord, gjersa Butleri mbetej shërbëtor.

Butleri është dëshmitar okular i shumë festave, pritjeve madhështore e konferencave private që Lord Darlington organizonte në kështjellën e tij. Sidomos gjatë pjesës së fundit të viteve ’30, duke parë acarimin e raporteve të Gjermanisë naziste me pjesën tjetër të Evropës, Lordi bën çmos që të parandalojë shpërthimin e konfliktit duke ndërmjetësuar në mes tyre. Mirëpo edhe pse kishte qëllime të mira e bujare, Lordi dëshmohet të ketë qenë naiv në orvatjet e tij në politikëbërje. Rezulton që nazistët e kishin shfrytëzuar atë për të neutralizuar Anglinë derisa ata bëhen gati të pushtojnë Evropën. Shih për këtë, pas luftës Lordi thuaja se shpallet tradhtar në Angli, dhe pas ca viteve vdes i dëshpëruar dhe në vetmi. Është Z. Stevens, Butleri, ai që i rri lojal deri në fund.

Në kështjellë kishte shërbyer edhe zonjusha Kenton, e cila ishte përgjegjëse për amvisërinë në kështjellë. Raporti në mes saj dhe Z. Stevens kishte qenë i bazuar në respekt të ndërsjellë dhe etikë profesionale. Megjithatë, nën petkun e profesionalizmit rigjid nganjëherë gëlonte një ndjenjë simpatie e ndërsjellë e cila, kushedi, një ditë do të mund të harlisej në dashuri të mirëfilltë. Është zonjusha Kenton ajo që disa herë orvatet të zbusë zemrën e ftohtë të Z. Stevens, duke shkrepur ndonjë batutë, apo duke iu kundërvënë atij nga frustrimi. Por Z. Stevens mbetet një Butler perfeksionist që, për hir të besnikërisë ndaj punës dhe Lordit të tij, arrin të ndrydhë deri në fund ndjenjat e tij ndaj zonjushës Kenton. Deri kur një ditë ajo e lë punën, martohet me dikë tjetër dhe shpërngulet në jug-perëndim të Anglisë. Romani në fakt përqendrohet në fillim-vitet ’50, kur Z. Stevens vendosë të vizitojë zonjushën Kenton në shtëpinë e saj dhe t’ia ofrojë mundësinë që të kthehet në punën e saj të vjetër në kështjellë. Në të vërtetë ai dëshiron që kështu ta korrigjojë gabimin e bërë shumë vite më herët dhe të bëhet bashkë me të. Mirëpo kanë kaluar plot njëzet vite, dhe zonjusha Kenton është tashmë një grua në prag të pleqërisë, paksa e lodhur dhe e pikëlluar nga jeta. Edhe Z. Stevens është tashmë në muzg të jetës së tij, i ndërgjegjësuar si asnjëherë më parë se qenia e tij po shkonte drejt perëndimit, ashtu siç kishte perënduar edhe koha e perandorisë angleze me doket e zakonet e saj.

Ditët që na kanë mbetur – filmi

Bazuar në njohuritë personale mbi jetën në Angli, doket dhe zakonet e saj, hitorinë e saj gjatë viteve para Luftës së Dytë Botërore, unë krijoj imazhet e rrëfimit teksa lexoj veprën. Imagjinata ndërton një Z. Stevens, që sipas meje ishte një burrë i drejtë dhe thatuk, dhe ndoshta me pak mustaqe te holla e elegante. Veshja e tij ishte gjithmonë dendi e me kravatë, madje edhe në ditë pushimi. Ndërsa zonjusha Kenton ishte paksa e druajtur por edhe e vendosur në qëllimet e saj. Kishte një bukuri të njomë e të çiltër. Figura e Lordit Darlington për mua u bë një me atë të një profesori tim të vjetër që kishte ligjëruar lëndën “States and Power since 1945” gjatë studimeve të mia në Angli. Edhe ky profesori im kishte atë të folurën aristokrate, ishte i shkolluar në Oxford, dhe në përgjithësi mbushte kriteret për të qenë stereotip i një pjesëtari të shtresave të larta angleze.

Mirëpo pastaj ndodhi diçka e paparashikuar: pasi lexova romanin, papritur zbulova që vepra ishte përshtatur në film me të njëjtin emër. Në filmin e realizuar më 1993 luajnë hiç më pak se Anthony Hopkins në rolin e Z. Stevens dhe Emma Thompson si zonjusha Kempton. Edhe pse shikimi i filmit ishte kënaqësi, më duhet të them se përjetimi fillestar mbi romanin e lexuar pësoi modifikime ndër më të ndryshmet e më të papriturat. Në një mënyrë, do të ishte më lehtë po të ishte realizimi i filmit i dobët, pasi që në atë rast romani do ta mbizotëronte atë. Mirëpo, siç pritej nga ky duo i kinematografisë botërore, Hopkins dhe Thompson ishin të jashtëzakonshëm. Ata të dytë kishin arritur që të personifikoheshin aq mirë me Z. Stevens dhe zonjushën Kempton respektivisht saqë druaj se në mendjen time personazhet e romanit nuk mund të jetojnë më pa këta aktorë, dhe anasjelltas. Madje edhe e folura teatrale e Anthony Hopkins u bë e folura e Z. Stevens. Buzëqeshja enigmatike e Emma Thompson u bë buzëqeshje e zonjushës Kempton.

Tani mua si lexues/shikues i romanit/filmit ”Ditët që na kanë mbetur” nuk më mbetet tjetër veçse të rropatem me rikalibrimin e ndjesive mbi këtë rrëfim, të përçuar tek unë nëpërmjet dy mediumeve. Imazhet e emocionet e përjetuara gjatë leximit të romanit u desh të riadaptohen me ndjesitë e reja nga filmi. Është proces pasurues por edhe mjaft frustrues. Ky përjetim i dyfishtë madje nxitë njëfarë beteje të brendshme katartike, derisa eventualisht përjetimi me të cilin del nga kjo përvojë i bashkëdyzon romanin dhe filmin në një, dhe ashtu gjen paqen. Të paktën në teori!

Author

  • Armend Bekaj

    Armend Bekaj është Ligjërues në Departamentin për Kërkime të Paqes dhe Konfliktit në Universitetin e Uppsala-s, Suedi. Ka punuar për një sërë organizatash ndërkombëtare, përfshirë International IDEA në Suedi. Ka të kryer doktoratën në shkenca politike në Universitetin e Sheffield, Britani të Madhe.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.