Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Mesihi, poeti prishtinas në sarajet e Sulltanit

Kohë më parë Prishtinën e vizitoi shkrimtari francez Mathias Énard, ku disa nga libra e të cilët janë përkthyer e botuar nga Sh.B. Buzuku. Në takimin që një mbrëmje Énard pati me lexuesit e tij në kryeqytet, atyre u foli për një poet prishtinas të shek. 15-të, të quajtur Prishtineli Mesihu (Mesih prishtinasi), e që për pjesën dërmuese të të pranishëmeve dukej i panjohur. Mathias Énard në romanin “Tregoju për betejat, mbretërit dhe elefantët” në sarajet e Sulltanit në Stamboll i përpuq piktorin humanist Mikelanxhelo me poetin Mesihi nga Prishtina. Por shkrimi nuk synon ndonjë analizë a kritikë të romanit në fjalë, por më tepër të japë disa të dhëna për poezinë e poetit prishtinas Mesihi. Megjithëse duhet theksuar se nuk është edhe aq i panjohur për studieusit e Orientalistikës.

Poeti e biografi prizrenas i shek. 16-të, Ashik Çelebiu në veprën Mesairu’s-Suara shkruan “Rrëfehet se kur fëmija lind në Prizren, para se t’ia lënë një emër, ia vejnë pseudonimin poetik (mahlasin). Fëmija që lind në Jenicen e Vardarit, bukës ‘mama’ i thotë në gjuhën perse. Ndërsa fëmija që lind në Prishtinë, në shokë mban një vulë. Andaj e gjithë kjo do të thotë se Prizreni është vend i poetëve, Jenice e Vardarit vend i persishtes, kurse Prishtina vend i administratës”. Kjo thënie e Ashik Çelebiut dëfton për krijimtarinë poetike dhe rëndësinë që i kushtohej asaj në vendin tonë, edhe pse kjo letërsi krijohej brenda një poetike, estetike e filozofie krejt tjetër nga ajo e mëvonshmja. Edhe Mesihi nga Prishtina duhet lexuar brenda këtij botëkuptimi të poezisë orientale.

Pra, edhe pse Prishtina ishte vend i administratës – sipas Ashik Çelebiut – nga ky qytet doli njëri nga poetët më të mëdhenj të poezisë klasike turke. Të dhënat e pakta rreth jetës tij na pamundësojnë të kemi një biografi të kompletuar për të, megjithatë Mesihi njihet si njëri nga poetët më të mëdhenj të letërsisë klasike turke, si themelues i “kullës së poetëve” në Ballkan (Ahmed Pasha), si dhe poeti i vetëm nga letërsia turke, poezia “Baharije” (pranverore) e të cilit zuri vend në Antologjinë e poezisë aziatike të Sir William Jones në vitin 1774.

Ajo që dihet, sipas kronistëve dhe biografëve, Mesihi kishte jetuar në gjysmën e dytë të shek. 15-të dhe kishte vdekur në vitin 1512 në Bosnjë. Rininë e kishte kaluar në Prishtinë, kurse për t’i ndjekur studimet kishte shkuar në Stamboll. Të dhënat nuk rrëfejnë shumë për shkollimin e tij, por thuhet se ka mësuar artin e kaligrafisë dhe poezisë, dhe se ka punuar si sekretar (qatip) në administratën turke të kohës. Biografët e përshkruajnë si karakter boem, të panënshtruar, qefli dhe të dhënë pas femrave e pijes, që shpesh e pësonte me përjashtim nga detyra dhe mbetej pa mbështetës dhe donatorë. Madje, shpesh kur nuk e gjenin në vendin e punës, e dinin se gjendej ose në mejhane (pijetore/tavernë) ose në kishë, ku shkonte për t’i parë bukuroshet e krishtera.

Studiuesit dhe kritikët e letërsisë klasike turke e vlerësojnë për disa novacione dhe prurje në letërsinë e kohës. Veprat e Mesihit nga Prishtina janë Divani (Përmbledhje poetike), Shehrengiz dhe Gyl-i Sadberk (Trëndafili njëqindgjethësh). Veprat e tij gjithashtu për herë të parë janë botuar në një vëllim nga prof. Irfan Morina, në Prishtinë në vitin 1987.

Përmbledhja me poezi, pra Divani, përmban një lutje, 21 kaside, një elegji, një shehrengiz, 290 gazele, dhe gjithsej ka rreth 1.800 dyvargjëshe (bejte). Përveç gjuhës që karakterizohet nga disa fjalë lokale turke të kohës, Divani i tij ka disa poezi shumë të bukura, ndër to poezia Baharijje, (e përkthyer në latinisht nga Sir Wiliam James dhe më pas e përkthyer në gjuhët kryesore evropiane). Poezia mbi Pranverën përshkohet nga një botëkuptim lirik e hedonist për jetën, jo i panjohur për poezinë e Orientit. Gjithashtu edhe elegjia për vdekjen e Hadim Ali Pashës është një poezi shumë e bukur, përmes së cilës Mesihi shpreh dhimbjen dhe dëshpërimin e tij për humbjen e mikut dhe mbrojtësit të tij më të madh.

Por Mesihi më origjinal duket se është në veprën Shehrengiz, e cila më pas u imitua nga shumë poetë turq. Në shehrengiz përmenden 46 emra të djemve/bukuroshave të qytetit të Edirnes/Edrenes. Poeti, secilit nga këta djem i kushton nga dyvargjesha, përpos dyve prej tyre, ku njërit ia kushton tre, e tjetrit katër dyvargjesha. Djelmoshat e Edirnes në këtë vepër përmenden me emrat e tyre dhe të etërve, dhe në mënyrë figurative e me një humor tepër elegant përshkruhen profesionet dhe bëmat e tyre në qytet. Në vepër gjithashtu përshkruhen edhe disa nga traditat lokale të qytetit. Edhe pse thuhet se Mesihi është themeluesi i zhanrit Shahrangiz në letërsinë turke, por duhet vënë theksi se një krijimtari e tillë ishte trashëgim nga letërsia klasike arabe e perse e cila quhej “Shahr Ashub” (Harmoniprishësi i qytetit). Por mund të thuhet se poeti prishtinas ishte prej të parëve në letësrinë turke që shkroi diçka të tillë. Krijimtari të ngjashme ka dhe poeti tjetër shqiptar, Jahja Bej Dukagjini, i cili ka shkruar për të rinjtë e qyteteve të Stambollit dhe Edirnes.

Ndërsa vepra tjetër e Mesihit është Gyli Sadberk (Trëndafili njëqindgjethësh), që ngërthen njëqind letra të shkruara për shkaqe dhe në raste të ndryshme nga Mesihi. Duhet përmendur se edhe në këtë vepër në prozë, nuk reflektohet ndonjë realitet nga Prishtina apo kultura e saj në atë kohë. Mesihi në lidhje me poezinë ka patur polemika (në vargje) të shumta me poetët turq të kohës.

Sipas kritikëve, poezia e Mesihit kishte arritur të shkoqitet nga botëkuptimet abstrakte e metafizike, por që reflekton dashurinë njerëzore (profane), verën, madje në një pjesë të madhe të saj kundrohen impulse pesimiste e hedoniste si të Omer Khajamit dhe Hafiz Shirazit. Por edhe në poezinë e Mesihit, njëjtë si në poezinë klasike të Orientit, nuk vërehet koha historike e kalendarike, prandaj dhe një pjesë e madhe e poezive të tij mund të lexohen e shijohen edhe në ditët e sotme. Sepse, poezia klasike nuk reflektonte jetën e vërtetë të njeriut, por më tepër ishte rezultat i transformimit jetësor në kujtesë, kështu dhe ajo s’kishte nevojë për fjalë të vërteta që reflektojnë gjendjen e përditshme të njeriut.

Veprat e tij akoma nuk janë përkthyer në shqip, përveç ndonjë poezie aty-këtu, dhe duke pasur parasysh se Mesihi ishte njëri prej poetëve më të hershëm të Prishtinës, rëndësia e tij bëhet edhe më e madhe, pa harruar vlerën e krijimtarisë së tij poetike dhe intelektuale.

Krijimtaria artistike e Mesihit u bë shkak që Mathias Énard ta shoqërojë atë me humanistin e madh evropian, Mikelanxhelo, madje në romanin e tij ta prezantojë shumë më mendjehapur e më jodogmat se miku i tij evropian.

Padyshim se poezia më e njohur e tij është Baharije, e cila është përkthyer në shumë gjuhë të botës që nga shekulli 18-të e këndej. Disa vargje të kësaj poezie mund të përkthehen kështu:

Bilbil, dëgjoje rrëfimin e ardhjes së ditës së pranverës

Çdo qosh i kopshtit lulëzon në stinën e pranverës  

Bukuria vërshon çdo gjë në kohën e pranverës

Kënaqu e pi, se s’i mbesin kujt këto ditë të pranverës

 

Sërish lulëzuan e u gjelbëruan kopshtet

Zambakët çelën për t’na bërë këtë bahçe të qefit

Kush e di se “kush është gjallë e kush i vdekur” deri në pranverën tjetër

Kënaqu e pi, se s’i mbesin kujt këto ditë të pranverës

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.