Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Migrimi studentor dhe formësimi i strategjive transnacionale (I)

Ilustrimi nga: BigEye

Në mënyrë që t’i përvishemi shpjegimit të asaj se çka konstituon migrimin studentor dhe strategjitë transnacionale të studentëve në mbarë botën, duhet që shqyrtimi të bëhet nga dy kënde: nga pikëpamjet objektive dhe ato subjektive. Pra, është i pamundur anashkalimi i strukturës së përgjithshme shoqërore, si dhe arsyetimet individuale. Ky shqyrtim do të përfshijë teori dhe modele të ndryshme për të shpjeguar migrimin dhe strategjitë transnacionale përmes këndvështrimeve deduktive dhe induktive. Do të fillojmë duke u përpjekur të kuptojmë se çfarë shtyn migrimin studentor. Kjo pyetje pastaj do të na çojë të një seri tjetër e pyetjeve. Migrimi studentor është i lidhur ngushtë me globalizimin dhe për t’i kuptuar flukset e këtij migrimi, ku studentët zgjedhin të shkojnë, pse zgjedhin atë vend dhe si arrijnë te një vendim i caktuar, kërkohet analizimi i disa komponentëve.

Këta variojnë nga perspektivat ekonomike të shteteve-kombe, mënyra se si sistemet e tyre arsimore (përkatësisht arsimi i lartë) janë të organizuara, si dhe prapavija socio-ekonomike e atyre që zgjedhin të shkojnë jashtë vendit për të studiuar. [1] Një shembull që Brooks dhe Waters marrin është konkurrenca e lartë në institucionet lokale të Azisë Lindore si arsye që shtyn studentët të kërkojnë arsim jashtë vendit. [2] Po ashtu shohim strategjitë e vendeve të ndryshme që ‘strehojnë’ studentë, si Australia, e cila inkurajon studentët të qëndrojnë aty pas studimeve, përkundër Britanisë së Madhe dhe SHBA-së që detyrojnë studentët ndërkombëtarë të largohen nga vendi pasi t’i kenë përfunduar studimet. 

[3] Globalizimi ka mundësuar lehtësimin e kufizimeve të fluksit të kapitalit dhe shërbimeve në mbarë botën. Ky fenomen ka prekur shumicën e sferave shoqërore, duke përfshirë edhe arsimin. Imponimi i shteteve të fuqishme dhe të pasura ka krijuar një hartë të re të fluksit studentor dhe gjeografitë e pabarabarta të këtyre flukseve mund të përshkruhen në shumë mënyra. Në njërën anë kemi kërkesën e studentëve potencialë që synojnë të studiojnë jashtë vendit si rezultat i konkurrencës së lartë në tregun e punës e cila ‘vlerëson’ kredencialet ndërkombëtare, si dhe ofertat që shtynë universitetet e shteteve tashme të fuqishme të krijojë hapësirë për studentët e rinj ndërkombëtarë.

Sipas Allan Findlay, gjatë vlerësimit të migrimit studentor, përkatësisht rastin e Britanisë së Madhe si shembull kryesor, mund të vërehen ndryshimet rigoroze të politikave arsimore. Narrativa mbi arsimin e lartë nuk është më e njëjta. Kjo ka ardhur si rezultat i popullarizimit të institucioneve të arsimit të lartë të stilit perëndimor globalisht, duke u dhënë studentëve që vinin prej vendeve në zhvillim një mundësi për ta lënë ‘shtëpinë’ e tyre. Të qenët i diferencuar nga universitetet e tjera në botë është kruciale dhe kjo ka ndodhur përmes riafirmimit të traditës së gjatë arsimore në Britani të Madhe. [4] Siç është cekur nga Findlay, ana e ‘kërkesës’ është mjaft e rëndësishme në formësimin e migrimit studentor. [5] Një nga imponimet, ndër të tjerash, është dominimi i gjuhës angleze. Vendet anglishtfolëse përbëjnë shumicën e ‘importit’ të studentëve, si SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Australia.

Anglishtja, si lingua franca, ka përcaktuar (ndër të tjerash) mobilitetin studentor dhe ka arritur t’i ndryshojë politikat e brendshme arsimore të vendeve në mënyrë që t’u përshtaten këtij fenomeni. [6] Brooks dhe Waters përpiqen të teorizojnë migrimin studentor duke provuar t’i kuptojnë motivet prapa asaj se pse studentët migrojnë për studime, duke marrë parasysh qëllimet personale dhe jo vetëm aspektin strukturor. [7] Nga njëra anë shohim transformimin e ekonomisë e cila tani bazohet në dije, e cila kërkon set të shkathtësive dhe ndarje të mëtutjeshme të punës e cila shkon paralelisht me ndryshimin e paternit të migrimit studentor dhe karshi shohim hapjen e dyerve prej universiteteve, duke qenë së është shndërruar në një aktivitet fitimprurës që përbën më shumë se 25% të të ardhurave totale të disa universiteteve. [8]

Migrimi studentor duhet parë po ashtu nga këndvështrimi klasor për t’i kuptuar faktorët shtytës e tërheqës. Përgjithësisht, shohim tendencën e studentëve të klasës së mesme të jenë më rehat me idenë e të studiuarit jashtë vendit përkundër studentëve që vijnë nga klasa punëtore që ngurron ta bëjë një gjë të tillë. [9] Është veçanërisht e rëndësishme të përmendet se familjet e klasës së mesme shohin arsimin ndryshe nga ata që vijnë nga klasa më pak të privilegjuara. Luks i të zgjedhurit në mes shkollave të ndryshme dhe konstruktimit të strategjive të riprodhimit të kapitalit social apo ekonomik vjen nga familjet e klasës së mesme që e shohin arsimin si strategji për ta mundësuar të lartpërmendurën. Këto strategji natyrisht se nuk janë me vetëdije të plotë. [10]

Po ashtu është e rëndësishme t’i referohemi artikullit të Raghuram “Theorizing Spaces of Student Migration, Population and Space”, për të konceptuar lëvizshmërinë e studentëve dhe për t’i kuptuar dallimet midis asaj që përbën një student mobil përkundër identiteteve të shumëfishta që mbartin studentët kur migrojnë; si p.sh., të qenët punëtor apo familjar etj. [11] Kjo përmendet gjithashtu nga Olwig dhe Valentin, ku studentët shpesh detyrohen të punojnë për të mbijetuar dhe t’i vijojnë mësimet njëkohësisht. [12] Kjo dukuri ku studentët kanë plot identitete ka turbulluar linjat, gjë që e vështirëson studimin e saktë të studentëve si kategori e dallueshme e migrantit. Në këtë drejtim, Raghuram përpiqet ta ndërrojë mënyrën me të cilën i qasemi migrimit studentor, duke e vendosur dijen në qendër për ta krijuar një kornizë ku mund t’i hartojmë format e ndryshme të migrimit, duke bërë studentin migrant kategori në vete.

Ky fenomen përmendet si nga Brooks dhe Waters, por edhe nga Carlson në esenë e tij “Becoming a Mobile Student – A Processual Perspective on Germand Degree Student Mobility”. Ky i fundit shpjegon se si procesi i vendimmarrjes është proces dhe jo një vendim që merret vetëm njëherë, por një trajektore vendimesh. Një nga konceptet që ai përmend është “kapitali i mobilitetit”, që mund të shpjegohet si: përvojat e grumbulluara që dikush ka nga udhëtimet, ose të jetuarit jashtë vendit dhe si kjo mund ta ndikojë procesin e vendimmarrjes. 

[13] Përveç kësaj, Carlson arsyeton se si mobiliteti studentor nuk mund të analizohet vetëm nga një pozicion i vendimeve të ngurta, porse trajektorja është po ashtu shumë e rëndësishme. [14] Përpjekja për të teorizuar migrimin studentor është një punë komplekse, duke marrë parasysh numrin e faktorëve që duhen shqyrtuar. Nuk mund të flitet për migrimin studentor vetëm në mënyrë deduktive, duke shqyrtuar vetëm strukturën e gjerë shoqërore. Nga ana tjetër, është a pamundur të analizohet migrimi studentor vetëm nga aspekti individual dhe nga pikëpamjet personale të atyre studentëve. Kombinimi i të dyjave dhe sintetizimi i dy këndvështrimeve mund të japë një përgjigje më të saktë rreth asaj se çka përbën një migrant-student dhe si lidhet kjo me rendin social e ekonomik.

[1] Raghuram P (2013) Theorising the Spaces of Student Migration. Population, Space and Place 19(2), p. 147 

[2] Brooks, Rachel, Waters Johanna: Student Mobilities, Migration and the Internationalization of Higher Education, Basingstoke: Palgrave Macmillan, 2011, p. 65  

[3] Ibid. p. 166

[4] Findlay, Allan M.: An Assessment of Supply and Demand-side. Theorization of International Student Mobility. In: International Migration, vol. 49 (2011) nr. 2 p. 184  

[5] Findlay, Allan M.: An Assessment of Supply and Demand-side. Theorization of International Student Mobility. In: International Migration, vol. 49 (2011) nr. 2 p. 184  

[6] Brooks, Rachel, Waters Johanna: Student Mobilities, Migration and the Internationalization of Higher Education, Basingstoke: Palgrave Macmillan, 2011, pp. 16-17, p. 164, pp. 168-169  

[7] Ibid. p. 163

[8] Ibid. p. 160

[9] Ibid. p. 10

[10] Ibid. p. 168

[11] Raghuram P (2013) Theorising the Spaces of Student Migration. Population, Space and Place 19(2), p.  12

[12] Olwig KF and Valentin K (2015) Mobility, education and life trajectories: new and old migratory pathways. Identities 22(3),  

[13] Carlson S (2013) Becoming a Mobile Student – a Processual Perspective on German Degree Student Mobility: Becoming a Mobile Student – a Processual Perspective. Population, Space and Place 19(2), p. 172  

[14] Ibid. p. 168

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.