Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Mikeshat gjeniale dhe muzat letrare

Në letërsi e art, muza asociohet më së pasi me një grua. Qofshin reale apo mistike, muzat kanë shërbyer si mjet frymëzimi për shkrimtarët burra në portretizimin e personazheve apo heroinave letrare. Arsyeja pse pak është folur e shkruar për një muzë burrë, apo për muzat gra si frymëzim për vet gratë, është vet fakti se letërsinë (ashtu sikurse shumë sfera të tjera) kanë pasur mundësi ta kultivojnë kryesisht burrat. Prandaj, edhe shkrimi dhe leximi janë bërë përmes ‘këndvështrimit mashkullor’ (ang. male gaze) ku gratë janë përshkruar, përkufizuar dhe ‘shpjeguar’ nga burrat.

Kjo është kundërshtuar me zërin feminist të grave sikurse Helene Cixous dhe bashkë-mendimtareve të saja, të cilat përmes ‘ecriture feminine’ (shkrimi i grave) sugjeruan që gratë të flasin për veten, të shkruajnë për vetën dhe të ndihmojnë në çlirimin e njëra-tjetrës. Në këtë mënyrë, ato e ridefinojnë se çka do të thotë të jesh grua dhe ‘femërore’, koncept ky i definuar strikt e ngushtë nga perspektiva patriarkale.

Me të njëjtin parim, unë sugjeroj që të lexojmë dhe të flasim për protagonistet apo heroinat letrare përmes zërit apo pikëpamjes feministe. Kjo sidomos pasi që jetojmë në një kohë ku ende preferojmë imazhe të heshtura të vajzave, të sjellshme e pasive; kur ende i edukojmë se si të ulen e si të mos vishen; kur kultura macho e djemve ende dominon; kur politika të mirëfillta arsimimi mungojnë dhe perceptimet kategorike mbi ‘mashkulloren’ dhe ‘femëroren’ përforcohen më shumë se kudo në çerdhe e shkolla.

Edhe pse si e vogël kam qenë mjaft perceptuese ndaj padrejtësive shoqërore të cilat nuk kam hezituar t’i kundërshtoj haptas në ambiente familjare e shoqërore, në të njëjtën kohë jam ndjerë e keqkuptuar, e përjashtuar dhe e irrituar. Por një mllef i tillë është shndërruar në emocion konstruktiv me leximin feminist gjatë studimeve në Gjuhë dhe Letërsi Angleze. Romani klasik Jane Eyre i Charlotte Brontë shkruar më 1847, ka qenë libri i parë që ka luajtur rolin kyç në këtë tranzicion timin intelektual dhe emocional. Protagonistja Jane më kthente në kohën kur edhe vet isha 10 vjeçare dhe ndaja me të natyrën e rebeluar ndaj autoritetit të pakushtëzuar. Edhe pse me të u njoha si e rritur gjatë studimeve, ishte mu në atë kohë që fillova ta vëreja rëndësinë e letërsisë së angazhuar – pra letërsisë që synon vlera njerëzore dhe ndryshime të thella shoqërore.

Një libër i rëndësishëm në këtë aspekt, dhe në linjë me kontekstin patriarkal kosovar dhe ballkanas është  libri ‘Mikesha gjeniale’ e shkrimtares italiane e njohur me emrin e penës Elena Ferrante, i përkthyer dhe botuar nga shtëpia botuese Pegi. Libri përqendrohet në miqësinë e dy vajzave të vogla, Lenu dhe Lila dhe jetën e tyre në një lagje të varfër në Napoli të Sicilisë në vitet 1950ta. Fëmijëria, varfëria, dhuna, shkollimi, rolet gjinore dhe adoleshenca janë disa nga tematikat që Ferrante i elaboron me mjeshtëri prej perspektivës së Lenus, e cila miken Lila e konsideron një muzë të vërtetë, por gjithnjë e më të paparashikueshme. Përmes Lilos ne mund të kuptojmë relevancën e këtyre tematikave sot, dhe ironinë prapa rrethanave që e bëjnë një vajzë si Lila t’i humb ëndrrat pavarësisht përpjekjeve për ta shmangur një gjë të tillë.

Sipas Lenus, Lila është gjeniale, e zgjuar dhe e guximshme. Ajo fillon të mësojë shkrim e lexim ende pa filluar klasën e parë; garon me djem e vajza njëjtë në përleshje në lojëra të egra të lagjes, por edhe në gara edukative në shkollë. Ajo është më e artikuluara në gjuhë dhe më e shkathta në kalkulime të ndërlikuara. E njëkohësisht sipas Lenus, Lila është mjaft e ligë; ajo e sfidon, e largon dhe e mbush mëri. Kështu Ferrante prezanton një miqësi vajzash të fuqishme, komplekse dhe në kontekst të pritshmërive shoqërore për përmbushjen e roleve gjinore.

Edhe pse Lila nuk mund ta vazhdojë as përfundimin e tetëvjeçares sepse prindërit e saj vendosin ashtu, Lila mëson vet. Pasioni dhe interesimi për shkollim në kombinim me xhelozinë dhe mllefin për mundësitë që Lenuja i gëzon, ngulmonjnë tek ajo. Frymëzuar nga romani “Gratë e vogla”, Lila shkruan “Zanën e kaltërt”: “sa ngazëllues ishte, e sa fjalë të vështira kishte – e kujton Lenu”. Çka do që Lenu e mëson në shkollë, Lila e mëson vet në shtëpi përmes librave që i huazonte nga biblioteka e lagjes; qoftë fjalorthin anglez apo gramatikën greke. Ajo lexon romanet që Lenu i kishte në planprogramin mësimor dhe e impresionon e sfidonte këtë të fundit me diskutimin pas leximit.  Sipas Lenus, jo vetëm që i mëson të gjitha vet, por i mëson edhe më mirë se ajo vet.

Lila nuk nguron ta sfidojë autoritetin mashkullor. Atë e bën si 6 vjeçare kur bashkë me Lenun ballafaqohen me don Akilin, burrin e vrazhdë të cilit ia kanë frikën, dhe i kërkon llogari për kukullat e humbura. Por pavarësisht se sa e guximshme dhe e zhurmshme ishte Lila, ajo ishte viktimë e shpeshtë e dhunës nga burrat. Si e vogël, trupi i saj fluturon jashtë dritares kur babit të saj i ‘kërcen damari’. Rino, vëllai i saj edhe pse e çmon për shkathtësinë dhe kreativitetin dhe i beson sepse Lila është ajo që e nxjerrë nga vështirësitë, prapë ai e gëzon të drejtën ta sulmojë dhe rrahë sa herë që edhe atij (sikurse të atit) i ‘kërcen damari’.

Ironia tek këto privilegje mashkullore që hasim në rolet patriarkale në familje e komunitet në këtë libër qëndron tek fakti që edhe pse Lila është LILA, ajo prapë e pranon dhunën e burrave të tjerë ndaj saj si të mirëqenë apo të natyrshme. Kjo vërehet sidomos kur ajo fillon procesin e pjekurisë dhe si 14-15 vjeçe e fiton edhe reputacionin e një vajze atraktive dhe joshëse, por vëmendja nga ky objektivizm i sjell kryesisht probleme të cilat Lila i barte me vet shpinën e saj.

Kultura maskuline, rrahjet dhe rivaliteti në mes grupe djemsh, mbrojtja e vajzave të afërta ndërsa objektivizmi i të tjerave, janë disa nga mënyrat se si Ferrante vë në pah maskulinitetin e dhunshëm patriarkal. Lila ishte pre direkte e këtij lloj maskuliniteti. Kur ajo refuzon ‘dashurinë’ e një djali me reputacion rrugaçi të lagjes, ai e kërcënon se do ta vrasë po që se ajo dashurohet me ndokë tjetër. Edhe vet familja e saj fillojnë ta trajtojnë Lilon si mjet të rëndësishëm për stabilitet financiar. Ata e pranojnë televizionin si dhuratë nga po ai djalë i cili më pas shkon çdo natë në shtëpi të tyre për ta parë dhe mbajtur Lilon nën kontroll.

Vajza e vogël, dikur gjeniale dhe trime që garonte pa frikë e pa mëdyshje me vajza e djem, martohet si 16 vjeçe me një djalë të lagjes i cili e shëtit me veturën e tij luksoze, i blen rroba të bukura, dhe ia siguron biznesin babait të saj. Pra një rol i tillë i gjinor ‘i përmbushur’ i Lilos dukej të kishte më shumë vlerë sesa dhjetat e Lenus të fituara me shumë mund gjatë shkollës së mesme. Izolimi në një lagje të vetme, me dhunë dhe mohim shkollimi, e bëjnë Lilon të dorëzohet nga ëndrrat e saj prej një gruaje të pavarur, të pasur dhe ndoshta shkrimtare, dhe të përshtatet në rrethin patriarkal që ia përkufizon qartë pozitën inferiore në familje dhe komunitet.

Në fund të librit, dhe për habinë e Lenus e cila e rrëfen ngjarjen, e kuptojmë që edhe Lila e sheh Lenun si muzë. Edhe pse kurrë nuk e pranoi, ajo në fund e pohon: “Çfarëdo që të ndodhë, ti vazhdo të studiosh. … Mos mbaro kurrë. … Ti je mikesha ime gjeniale. Duhet të bëhesh më e mira nga të gjithë ne, gra e burra bashkë.

Jo të gjitha heroinat letrare janë frymëzim i drejtpërdrejtë, model për të gjitha ne dhe simbol i rezistencës së pashoqe. Heroinat letrare mund të jenë komplekse dhe assesi të përsosura. Ndonjëherë ato thjeshtë na informojnë për kufizimet që mund t’i kenë pasur dhe na ndihmojnë t’i kuptojmë ato dhe format e shtypjes që kanë përjetuar. Muzat letrare përmes leximit feminist mund të na shërbejnë sot si frymëzim për ndryshime rrënjësore në literaturë shkollore dhe diskurse shoqërore. Në këtë mënyrë, letërsia si angazhim profesional dhe kënaqësi, pra si ‘lojë’ e ‘punë’ njëkohësisht, lehtë kthehet në aktivizim dhe avokim për barazi gjinore dhe drejtësi shoqërore, qoftë me shkrime, debate, protesta apo reagime.

____________

Shënim: Një variant i këtij shkrimi është prezantuar nga vet autorja në panelin “Çështja e Gruas dhe Letërsia”, organizuar  nga Botimet Pegi në mars 2017, Tiranë. 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.