Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Mini-shengeni si Makro Fantazmë

Një fantazmë po i vie vërdallë Kosovës – ajo e mini-shengenit. Të majtë e të djathtë, konzervatorë e liberal, etatist e nacionalist, gazetar e intelektual, militant e civil, pushtet (i djeshëm) e opozitë (e djeshme e e sotme) u ngritën në këmbë për ta sulmuar fantazmën. Sepse fantazma ishte vërtetë Serbia. Së paku në perceptimin tonë. Mini-shengeni është i papranueshëm sepse prapa tij fshihet hegjemonia ekonomike e politike e Serbisë. Pra, prapa kundërshtimit fshihet frika. Dhe kështu e kemi rastin e radhës të diskutimit të ideve politike nga pozicioni i frikës, jo i arsyes, jo i shpresës. Sikur që e diskutojmë gati se çdo gjë tjetër. Me frikë dhe nën frikë.

Por mbase këtu është koha të diskutojmë më racionalisht. Dhe mbase ta shohim dimensionin e shpresës. Dhe të fillojmë me pyetjen bazike. Cili ka qenë problem i vazhdueshëm tregtar që e kemi pasur me Serbinë? Fakti që ata eksportonin në Kosovë pakrahasimisht më shumë se ne atje. Pse ka ndodhur kjo? Sepse fuqia e potenciali industrial i Kosovës ka qenë i shkatërruar si pasojë e keqmenaxhimit të dhunshëm të të 90’tave, shkatërrimi i drejtpërdrejt e strategjik i luftës, dhe keqmenaxhimi-për-privatizim i pas luftës. Por edhe për shkak të pengesave të vazhdueshme jo-tarifore politike të Serbisë karshi cilitdo prodhim kosovar. Prandaj është insistuar në reciprocitet. Çfarëdo pengese që na bën Serbia në rrafshin tregtar të njëjtën duhet t’ia bëjmë edhe ne. Reciprociteti në këtë drejtim është barazi në trajtim (më shumë se sa barazi në rezultat). Dhe kjo masë ka për qëllim eliminimin e barrierave jo-tarifore më shumë se sa përjetësimin e tyre në të dyja anët e kufirit. Reciprociteti është masë në kuadër të parimit të tregtisë së lirë, sepse e mëton ta arrijë pikërisht atë në formën e saj të kulluar (pra që të dyja palët t’i zhdukin të gjitha barrierat). Duke qenë kështu të jesh për reciprocitet e kundër mini-shengenit është kontradiktë logjike. Sepse mini-shengeni si marrëveshje multilaterale që bazohet në etablimin e plotë të katër lirive (të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve) e arrinë pikërisht atë për të cilën lufton Reciprociteti – pra i heq barrierat nga të gjitha anët e të gjithë kufijve.

Përndryshe masa tjetër ekonomike (një prej masave të modelit të shtetit zhvillimor) do të kishte me qenë proteksionizmi (mbrojtja e tregut për industri të caktuara me qëllim zhvillimin e tyre). Po kjo si masë nuk mund të drejtohet ndaj një shteti të caktuar. Kjo i aplikohet produkteve/industrive të caktuara nga cilido shtet. Dhe për qëllim ka mbrojtjen e prodhimit/industrisë vendore deri në arritjen e shkallës së konkurrueshmërisë nga kjo e fundit. Pra të ekonomisë së shkallës. Proteksionizmi i pjesshëm nuk është masë reciprociteti ndaj një shteti por masë reciprociteti ndaj masave të shteteve që e shtrembërojnë parimin e tregtisë së lirë (p.sh. në rastin e subvencioneve në produktet bujqësore kur lejohen tarifat doganore ndaj produkteve përfituese të subvencioneve qeveritare). Megjithatë kjo është një prej masave të modelit të shtetit zhvillimor. Ka forma e mënyra tjera se si mund të ndihmohen ekonomia jonë për të arritur shkallë konkurrueshmërie, e krijuar përparësi krahasuese me vendet tjera të rajonit – potencialisht pjesë të mini-shengenit – në sektorë të caktuar të industrisë së prodhimit e shërbimit. Qasja më e lehtë e më e lirë në kapital është njëra prej tyre. Investimi në përmirësim të cilësisë dhe standardit të produktit por edhe në organizim më të mirë të procesit të prodhimit (që në anglishte quhet Research and Development). Investim në trajnimin e fuqisë punëtore për t’ju përshtatur nevojave e aftësive të kohës (mini-shengeni nuk besoj se na pengon në ngritjen e cilësisë në arsim).

Natyrisht që integrimi i menjëhershëm në një treg më të madh me agjent ekonomik më të fuqishëm e më të zhvilluar se sa ndërmarrjet afariste tonat bart me vete rreziqe e sfida. Por të njëjtat rreziqe e sfida ne tashmë i kemi. Me marrëveshjes e CEFTA-s, marrëveshjet tjera përcjellëse, ne tashmë kemi liri të plotë për mallrat. Po e përmendi këtë meqë frika më e madhe nga mini-shengeni duket të jetë vërshimi i tregut të Kosovës nga Serbia (thua ti deri tash kemi pasur ndonjë sukses në këtë drejtim). Por edhe kjo frikë, edhepse jo krejt e pabazë, duhet të shtrohet në një rrafsh më të gjerë diskutimi e analize. Njëra nga to është fakti që tregu i Kosovës sot vërshohet nga produktet e më shumë se një shteti. P.sh nga vendet e rajonit përveç Serbisë importojmë shumë edhe nga Maqedonia. Pastaj shuma e importit në rritje është edhe ajo nga Turqia e Kina. Pra ne e kemi një problem më të përgjithshëm në këtë drejtim të cilin duhet ta adresojmë. I tërë rajoni vërshohet nga mallrat e vendeve të treta, më së shumti nga vendet anëtare të BE-së. Në këtë drejtim të kundërshtosh integrimin në tregun e përbashkët rajonal e të kërkosh me ngulm integrimin në tregun e përbashkët evropian nuk ka sens ekonomik. Sepse gllabërimi nga një ekonomi e një shkalle shumë të madhe e më të zhvilluar është rrezik shumë më i madh në BE (nga ekonomia e Gjermanisë e ajo e Francës ta zëmë) se sa në rajon ku megjithatë kemi potencial konkurrues me ekonominë e Serbisë e të Maqedonisë.

Për më tepër se kaq nga statistikat shihet se Kosova eksportin më të madh e ka me vendet e rajonit krahasuar me ato të BE-së. Gjatë vitit 2018, viti i fundit taksës, realiteti tregtar me jashtë ka qenë kështu: kemi eksportuar 367.5 milionë euro prej të cilave në Shqipëri (18.6%), Maqedoni (11.9%), Serbi (9.1%), Mali të Zi (5.3%), Gjermani (6.8%), Holandë (4.0%), Slloveni (3.7%) dhe Britania e Madhe (2.7%); ndërkohë që kemi importuar 3 miliardë e 347 milionë prej të cilave nga Gjermania (11.8%), Serbia (11.6%), Shqipëria (6.2%), Italia (6.1%), Maqedonia (5.1%), Greqia (3.7%), Sllovenia (2.8%) dhe Polonia (2.6%). Nga këto statistika shihet se, veçanërisht kur flitet për eksport nga Kosova, vendet me përqindjen më të madhe janë vendet e rajonit.

Natyrisht problemi mbetet politik. Dhe ky është thelbi i këtij diskutimi. Prandaj gjëja e parë që duhet të sigurohemi është që integrimin në mini-shengen ta bëjmë si shtet i barabartë me të tjerët. Mundësi tjetër nuk duhet të ketë. E dyta pastaj është që në negociimin e marrëveshjes si palë e barabartë duhet të kemi bashkëpunim të ngushtë me Tiranën në mënyrë që t’i avansojmë interesit tona të përbashkëta karshi tregut të përbashkuar rajonal. Në këtë pikë veçanërisht, Prishtina e Tirana duhet të jenë NJË që ta shmangin secilën tendencë e secilin insistim të Serbisë të krijojë pozitë hegjemoni në ekonominë e politikën e rajonit.

Një gjë është e qartë: ideja e tashme e mini-shengenit është ide e interesave biznesore (të korporata ndërkombëtare, ndërmarrje e vendore qofshin ato), në interes të kapitalit. Si e tillë ajo edhe mund të na rrezikojë. Rajoni me treg të përbashkët e një dinamikë të re ekonomike mund ta pësojë në dy drejtime veçanërisht. Në njërën anë të rrëzohet çmimi i punës, dhe kështu ta rrisim punësimin me koston e lartë të pagave të ulëta e trajtimit gati se çnjerëzor të punëtorëve. Por ky është rrezik të cilin e bartim edhe sot. P.sh. shihe Kosovën dhe mungesën gati se absolute të sindikalizimit të sektorëve kryesor aktiv të ekonomisë sot (prej ndërtimtarisë e deri te hoteleria, e sektori financiar). Ose shihe Shqipërinë dhe trajtimin që i bëhet punëtorëve të fasonerive ose atyre të Bulqizës. Në anën tjetër zhvillimi i hovshëm industrial, si rezultat i mundshëm i përbashkimit të tregut dhe ardhjes së investimeve të huaja direkte, ka reperkusione të drejtpërdrejta në mjedisin në përgjithësi. Prej ujërave e te toka e ajri mund të ndoten përtej të menaxhueshmes, meqë rritja e shkallës së mundësisë së profitit bie ndesh me parimin e zhvillimit të qëndrueshëm e, shpesh, edhe me mirëqenien e qytetarëve. Raste të tilla kemi kudo nëpër rajonë, prej Kosovës në Shqipëri, në Maqedoni e në Serbi. Dhe së fundmi një zhvillim i tillë mund të shndërrohet në barrë serioze për resurset tona natyrore, minerare, ujore, etj. Përdorimi i tyre do të shumëfishohet ndërkohë që vlera e tyre në treg mund të ulet.

Por mini-shengeni paradoksalisht e shtron rrugën e një dinamike politike të re. Krahas qarkullimit të lirë të mallit e kapitalit mini-shengeni e garanton qarkullimin e lirë të njerëzve. Kjo është në dobi të qytetarëve, por edhe në dobi të bashkëpunimit ndërkufitar të sindikatave, e organizatave mjedisore të cilat kërkojnë një tjetër mundësi zhvillimi në rajon. Një qasje e tillë karshi integrimeve rajonale është domosdoja e kohës. Integrimi në vehte nuk është i dëmshëm. Lloji i tij mundet të jetë. Këtu duhet të fokusohemi. Nuk mund të jetojmë jashtë botës (në këtë rast rajonit). Por duhet të luftojmë që ta bëjmë jetën më të mirë brenda tij.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.