Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Mirësevjen në Kosovë, Alban K.

Në janar të vitit 2015, Alban K. është njëri prej 18.000 kosovarëve që emigrojnë në Gjermani. Një vit më parë, Kosova kishte mbajtur zgjedhje të parakohshme. Partitë politike kishin përgatitur një befasi për qytetarët e Kosovës: që të gjitha në qendër të platformës zgjedhore kishin zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës. PDK kishte përmbushur një mision të vjetër dhe i kishte vendosur vetes një ‘mision të ri’. LDK, si kundërshtare politike, kishte lansuar sllogainë se ‘vetëm ne mundemi’ ta mundim PDK-në. AAK-ja kishte marrë një drejtim të ri. Kurse, Lëvizja Vetëvendosje në slloganin e saj shtronte një pyetje publike: ‘A jeni lodh’? I lodhur, pa shpresë, durimit të Alban K. i kishte ardhur fundi. Që nga viti 2010 kur kishte marrë një diplomë të Fakultetit Juridik, ai nuk kishte arritur të fitonte një vend pune. Në qershor 2018, Alban K. vendos të kthehet. Fillimisht ai dëshiron të din se cilat janë mundësitë reale që ai, pasi që të kthehet, të fitoj një vend pune në Kosovë. Shoku i tij i studimeve, tani Drejtor i Departamentit për Nanoteknologji në Ministrinë e Ambientit, ja përshkruan fije-për-pe të gjitha zhvillimet etno-politiko-ekonomike për dhe rreth Kosovës. Letren e shkruan me ngjyrë të kuqe, e vendos në zarf dhe e dergon në adresen Borsigstr. 8 10175 Frankfurt. Kjo është letra e drejtorit të drejttuar shokut të tij në Frankfurt.

Sot është ditë e diel. 10 qershor 2018. Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi ka dekretuar zyrtarisht  zgjedhjet e rregullta në Kosovë. Për herë të parë që nga viti 2001, Kosova po organizon zgjedhje të rregullta. Pra, as të parakohshme dhe as të jashtëzakonshme. Kosova, fal përkushtimit të pashoq të partive politike në koalicion, ka shënuar progres të jashtëzakonshëm. Në këto zgjedhje platforma kryesore e partive politike është zhvillimi i teknologjisë për energji solare. PDK e z. Kadri Veseli dhe Vetëvendosja e z. Albin Kurti kanë nënshkruar një marrëveshje për koalicion parazgjedhor. Në anën tjetër, LDK e z. Isa Mustafa dhe AAK-ja e z. Ramash Haradinaj, tashmë kanë përpiluar një listë të përbashkët zgjedhore. Kësaj radhe, pavarësia, konsolidimi i sovranitetit dhe shtetësisë, integrimet evropiane dhe ndërkombëtare nuk janë pjesë e plaformës elektorale. Platoforma Është Energjia. Që të gjithë janë duke konkurruar me programe operacionale për energji solare.

Serbia e ka pranuar Kosovën. Veriu i Kosovës është integruar plotësisht. Ky vit mbahet mend edhe për një gjë.  Patrikana e Deçanit e ka organizuar një liturgji penduese dhe ka shuguruar deputetët e Kuvendit të Kosovës që përmes zërit të Perëndisë kishin shpallur Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Me 17 shkurt 2018, të gjithë komandatët e UCK-së shugurohet si luftëtarë të Krishtit. Ikona e tyre vendosen si afreska në Patrikanë. Kosova është bërë me ushtri. Një tog ushtarak i Kosovës për luftë kundër terrorizmit, i udhëhequr nga zëvëndëkomandti serb, Dragolub Sh. i është bashkuar aleatëve perëndimor në luftën kundër ISIS-it në Siri. Kosova është njohur nga të gjitha shtetet e BE-së. Është integruar në BE. Në OKB. NATO. Kësaj faze integruese i ka paraprirë integrimi në të gjitha mekanizmat e tjerë rajonal, përfshië këtu edhe Këshillin e Evropës. Meqenëse në fushën e politikës së jashtme, Kosova ka bërë hapa markant, ekonomia e Kosovës ende nuk ka arritur optimumin e saj.

Papunësia në Kosovë është zvogluar nga afër 40 përqind në 7 përqind, kurse bilanci tregtar është pozitiv për Kosovën, duke eksportuar mbi 60 përqind të produkte dhe shërbimeve në tregun e jashtëm. Një numër i pafund i ndërmarrjeve shumë të vogla dhe shumë të mesme janë krijuar në Kosovë. Nuk është lënë anash as industria e rëndë. Trepça funksionin në kapacitet të plotë. Minierat e Artanës poashtu. Kromi, hekuri, bakri dhe një pjesë e arit eksportohet drejtëpërdrejt në tregun e përbashkët evropian. Kosova jo vetëm që i ka përmbushur nevojat për energji elektrike vendore, por KEDS eksporton 15 përqind të energjisë në Serbi.  Që nga zgjedhjet e fundit të jashtëzakonshme të 2014, kurba e rritjes ekonomike të Kosovë ka shënuar progres për 18 përqind çdo vit. Kosova është shumë afër Sllovenisë në aspektin e zhvillimit ekonomik.

Në zgjedhjet e fundit të 2014, partitë politike në Kosovë kanë qenë shumë të kujdesshme me premtimet elektorale. Në qershor 2018, premtimet thuajse janë realizuara në plotni.  Janë hapur 200.000 vende të reja të punës të premtuar nga PDK, dhe 120.000 nga LDK ja. Pra, Koalicioni i Madh PDK – LDK ka realizuar 320.000 vende pune vetëm në gjysëm e parë të mandatit 4 vjeçar. Fondit për Zhvillim prej 1.5 milard euro i janë shtuar edhe 2.7 milard të tjerë duke e arritur këtë fond të zhvillimit në 4.2 milard euro. Kjo ka kontribuar që pos 320.000 vendeve të punës të hapen edhe 230.000 vende të reja. Bujqësia është subvencionuar me 6.5 milard euro.

Procedurat e prokurimit kanë ndryshuar. Transparenca është rritur. Korrupsioni është zvogluar. Kjo ka ndikuar që në Freedoom House ta shpall Kosovën vend plotësisht të lirë e demokratik, duke e radhitur atë përkah vendeve evropiane. Indeksi i Transparency International, për 2018, shpallë Kosovën si një prej tri modeleve më të mira për transparencë dhe mungesë të korrupsionit, duke e vlerësuar me notën 7. Raporti i Bankës Botërore ‘Të bërit biznes’ raporton se regjistrimi i biznesve dhe kushtet për investorët e huaj në Kosovë janë më të mira në rajonin e Evropën juglindore. Një bizens mund të regjistorhet për 1 ditë e gjysmë. Serbia ka vazhduar investimet e saja strategjike në Kosovë, sidomos në sektorin e energjisë dhe industrisë së rëndë. Statistikat tregojnë se momentalisht Serbia është invesitori i dytë më i madh në Kosovë.  Zhvillimi ekonomik ka ndikuar në rritjen e nivelit të besimit të qytetarëve për Kuvendin e Kosovës, Qeverinë dhe Presidencën. 75 përqind të qytetarëve shprehin mendimin pozitiv për punën e këtyre institucioneve. Këto janë të dhënat e fundit të Pulsit Publik të UNDP-së të qershorit 2018.

Edhe diçka interesante. Besoj se të intereson. Kosova është shpallë shtet i dijes dhe inovacionit, Qeveria e Kosovës ka vendosur që në planin makroekonomik t’i listoj prioritet strategjike që lidhen me dijen. Plani ekonomik 2018-2028 tregon se Kosova do të fokusohet në prodhimin e laps-kimikave ngjyrë të kuqe si avantazh krahasues. Në Kosovë, me fjalë të tjera, nuk mund të gjinden askund laps-kimika me ngjyrë të zezë, të kaltër, ose tjerë. Ngjyra e kuqe është avantazhi i ynë krahasues në raport me tregun rajonal dhe atë evropian. Ngjyra korrektuese, pra. Përmes kësaj ngjyre, do ta shkruhet historia e progresit ekonomik të Kosovës. Alban K. vendos të kthehet në Kosovë, gjithë optimizëm se do të punësohet si një jurist në njërën prej fabrikave të prodhimit të ngjyrës së kuqe për laps-kimikat Made in Kosova. Duke u kthyer, në ajroportin e Franfurtit, Alban K futet në një dyqan të hapur të librave dhe i bjen në sy një titull i një autori aspak të njohur për të. Alban K, futet në avion, dhe fillon të shfletoj faqen e parë të libërthit.

Sllavoj Zizek në libërthin ‘Welcome to the desert of the real’, tregon një shaka të moçme nga Republika Demokratike Gjermane. Një gjerman gjenë një punë në Siberi. Duke marrë për bazë faktin se cenzura komuniste nuk lejonte kurrëfarë shkëmbimi normal të informatave, ai krijon një kod komunikimi para se të shkoj në Siberi. Kodi është ky: nëse letrat që i dërgoj nga Siberia janë të shkruara me ngjyrë që kaltër, kjo do të thotë se letra është vërtetë, nëse letra është e shkruar me ngjyrë që kuqe, kjo të do të thotë se letra nuk është e vërtetë. Një muaj më pas, punëtori gjerman nga Siberia i dërgon letër shokut të tij të shkruar me ngjyrë të kaltër. Gjermani nga Siberia i shkruan shokut të tij se jeta është e mrekullueshme, dyqanet janë plotë, ushqimi me bollëk, kinematë shfaqin filma perëndimor,  por ‘e vetmja gjë që nuk mund të gjindet këtu është ngjyra e kuqe’. Alban K. krejt kalimthi, duke dal në faqen 2, i bie në mend se letra e marrë nga shoku i tij është shkruar në ngjyrën e kaltërt. Ngjyrën e me të cilën shkruhen letrat e vërteta.

 

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.