Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Miti i Lirisë

Artikulli origjinal në The Guardian

Qeveritë dhe korporatat së shpejti do t’iu njohin më mirë se sa e njihni veten. Besimi në idenë e ‘vullnetit të lirë’ është bërë i rrezikshëm

A duhet që akademikët t’i shërbejnë të vërtetës, edhe me koston e harmonisë shoqërore? A duhet të demaskosh një trillim edhe kur ai trillium mban rendin shoqëror? Më është dashur të mundohem me këtë dilemë për sa i përket liberalizmit, gjatë përgatitjes së librit tim të fundit 21 Mësime për Shekullin 21

Në njërën anë, besoj se tregimi liberal është me të meta, se nuk tregon të gjithë të vërtetën rreth njerëzimit dhe se po deshëm të mbijetojmë dhe lulëzojmë në shekullin e 21të, duhet të shkojmë përtej tij. Në anën tjetër, tregimi liberal tash për tash është ende fundamental për funksionimin e rendit global. Për më tepër, liberalizmi tash po sulmohet nga fanatikë fetarë e nacionalistë të cilët besojnë në fantazira nostalgjike që janë shumë më të rrezikshme dhe të dëmshme.

A duhet të flas hapur pra, me riskun që fjalët mund të më nxirren prej kontekstit dhe të keqpërdoren nga demagogë e autokratë për të sulmuar edhe më tej rendin liberal? Apo duhet që ta censuroj vetveten? Është shenjë e regjimeve joliberale ta bëjnë lirinë e shprehjes edhe më të vështirë, madje edhe jashtë kufijve të tyre. Për shkak të përhapjes së regjimeve të tilla, po bëhet gjithnjë e më e vështirë të mendosh kritikisht për të ardhmen e llojit tonë.

Në fund zgjodha diskutimin e lirë para vetëcensurës, falë besimit tim si në fuqinë e demokracisë liberale, ashtu edhe në domosdoshmërinë për ta ndrequr. Përparësia e madhe e liberalizmit mbi ideologjitë tjera është se është edhe fleksibile dhe jodogmatike. Mund të përballojë kritikën më shumë se cilido rend tjetër shoqëror. Ç’është e vërteta, është i vetmi rend shoqëror që i lejon njerëzve të vënë në pikëpyetje madje edhe vetë themelet e tij. Liberalizmi tashmë i ka mbijetuar tri kriza të mëdha – luftën e parë botërore, sfidën fashiste të viteve 1930 dhe sfidën komuniste në vitet 1950 -70. Nëse mendoni se liberalizmi është në telashe sot, vetëm kujtoni se sa më keq ishte puna më 1918, 1938, ose 1968.

Më 1968, demokracitë liberale dukeshin si specie në rrezik, ku edhe përbrenda kufijve të tyre ato u tronditën nga trazirat, vrasjet, sulmet terroriste dhe betejat e ashpra ideologjike. Në rast se do të ishit mes trazirave në Uashington në ditën kur u vra Martin Luther King-u, ose në Paris në maj 1968, ose në konventën e Partisë Demokratike në Çikago në gusht 1968, mund të kishit menduar se fundi është afër. Ndërkohë që Uashingtoni, Parisi e Çikago po katandiseshin në kaos, Moska de Leningradi ishin të qeta dhe sistemi sovjetik dukej si i destinuar të qëndronte përgjithnjë. 20 vjetë më pas, ishte megjithatë, sistemi sovjetik që u shemb. Përplasjet e viteve 1960 përforcuan demokracinë liberale, ndërkohë që klima mbytëse në bllokun sovjetik qe shenjë paralajmëruese për fundin e tij.

Le të shpresojmë që liberalizmi të ripërtërihet përsëri. Sido që të jetë, sfida kryesore përball së cilës gjendet sot, nuk vjen nga fashizmi apo komunizmi, e madje as nga demagogët e autokratët që po përhapen githkund si kërmijt pas shiut. Këtë here, sfida kryesore nxjerr kryet në laboratore.

Liberalizmi është themeluar mbi besimin në lirinë njerëzore. Ndryshe prej minjve e majmunëve, qeniet njerëzore supozohet të kenë “vullnet të lirë”. Kjo është ajo çfarë i bën ndjenjat njerëzore dhe zgjedhjet njerëzore autoritetin më të lartë moral e politik në botë. Liberalizmi na thotë se votuesi e di më së miri, se konsumatori gjithnjë ka të drejtë, dhe se duhet të mendojmë për vete dhe të ndjekim zemrat tona.

Fatkeqësisht, “vullneti i lirë” nuk është realitet shkencor. Është mit i trashëguar nga teologjia e krishterë. Teologët zhvilluan idenë e “vullnetit të lirë” që të shpjegojnë pse Zoti ka të drejtë të ndëshkojë mëkatarët për zgjedhjet e këqija dhe të shpërblejë shenjtët për zgjedhjet e tyre të mira. Nëse zgjedhjet tona nuk bëhen lirshëm, pse duhet që Zoti të na ndëshkojë a shpërblejë për to? Sipas teologëve, është e arsyeshme për Zotin që të bëjë ashtu, sepse zgjedhjet tona pasqyrojnë vullnetin e lirë të shpirtrave tanë të përjetshëm, që janë të pavarur prej të gjitha kufizimeve fizike e biologjike.

Ky mit nuk ka të bëjë shumë me atë çfarë na mëson sot shkenca rreth Homo sapiensëve  dhe kafshëve të tjera. Patjetër që njerëzit kanë vullnet – por ai nuk është i lirë. Nuk mund të vendosësh çfarë dëshirash ke. Nuk vendos të jesh introvert apo ekstrovert, i qetë a i ankthshëm, homo a heteroseksual. Njerëzit bëjnë zgjedhje – por ato kurrë nuk janë zgjedhje të pavarura. Çdo zgjedhje varet prej një mori kushtesh biologjike, shoqërore e personale, të cilat nuk mund t’i përcaktosh për vetveten. Mund të zgjedh çfarë të ha, me kë të martohem dhe për kë të votoj, por këto zgjedhje përcaktohen pjesërisht nga gjenet e mia, biokimia ime, gjinia ime, prapavija ime familjare, kultura ime kombëtare, etj. – po ashtu nuk zgjedh se çfarë gjenesh apo familje kam.

Kjo nuk është teori abstrakte. Mund ta vërtetoni këtë shumë lehtë. Studioni mendimin pasues që iu vjen në mendje. Prej nga erdhi? A zgjodhet lirshëm që ta mendoni? Natyrisht që jo. Po të studioni mendjen tuaj me kujdes, do të kuptoni se keni shumë pak kontroll mbi atë se çfarë ndodh aty brenda, dhe se nuk po zgjedhni lirshëm çfarë të mendon, dhe çfarë të dëshironi.

Ndonëse “vullneti i lirë” ka qenë gjithmonë mit, në shekujt e mëparshëm ishte i nevojshëm. I trimëroi njerëzit që duhej të luftonin kundër Kryqëzatës, të drejtës hyjnore të mbretërve, KGB-së e KKK-së. Miti gjithashtu përmbante disa rreziqe. Më 1776 ose më 1945 nuk do iu  bënte shumë dëm të besonit se ndjenjat dhe zgjedhjet tuaja ishin produkt i ndonjë “vullneti të lirë”, e jo rezultat i biokimisë dhe neurologjisë.

Por tash, besimi në “vullnetin e lirë” bëhet papritmas i rrezikshëm. Nëse qeveritë dhe korporatat ia arrijnë të hakojnë kafshën njerëzore, njerëzit të cilët do të manipulohen më së lehti, do të jenë ata që besojnë në vullnetin e lirë.

Në mënyrë që të njerëzit të hakohen me sukses, të duhen dy gjëra: dije e konsiderueshme e biologjisë, si dhe fuqi e madhe kompjuterike. Kryqëzatës dhe KGB-së i mungonte kjo dije dhe kjo fuqi. Por së shpejti, korporatat dhe qeveritë mund të kenë që të dyja, dhe sapo t’iu kenë hakuar, jo vetëm që do t’iu parashikojnë zgjedhjet, por edhe do t’iu risajojnë ndjenjat. Për ta bërë këtë, korporatave dhe qeverive do t’iu duhet t’iu njohin përsosshmërisht. Kjo është e pamundur. Do t’iu duhet t’iu njohin vetëm pak me mirë se ju vetveten. E kjo nuk është e pamundur, ngase shumica e njerëzve nuk e njohin vetveten shumë mirë.

Nëse besoni në tregimin tradicional liberal, do të jeni të prirur thjesht ta largoni nga mendja këtë sfidë. “Jo, s’do të ndodhë. Askush s’do të mund të hakojë ndonjëherë frymën njerëzore, sepse aty ka diçka që shkon larg e përtej gjeneve, neuroneve dhe algoritmeve. Askush s’mund t’ia dalë të parashikojë dhe manipulojë zgjedhjet e mia, sepse zgjedhjet e mia pasqyrojnë vullnetin tim të lirë.” Për fat të keq, ta largosh nga mendja këtë sfidë nuk do ta bëjë që të zhduket. Vetëm sa do t’iu bëjë më të cënueshëm ndaj saj.

Fillon me gjëra të thjeshta. Përderisa kërkoni në internet, iu bie në sy një kryetitull: “një bandë imigrantësh përdhunon gratë e vendit”. E klikoni. Në po të njejtin moment, fqinji juaj po kërkon në internet poashtu, ku një tjetër kryetitull i bie në sy: “Trump-i përgatit sulm nuklear mbi Iranin”. Ajo e klikon. Të dy kryetitujt janë lajme të rreme, ndoshta të prodhuara nga rusët, ose nga një uebfaqe e etur që të rrisë trafikun për të shtuar të ardhurat nga reklamat. Si ju, edhe fqinji ndiheni sikur keni klikuar këta kryetituj prej vullnetit tuaj të lirë. Por në fakt, jeni hakuar.

Natyrisht, propaganda dhe manipulimi s’janë gjë e re. Por përderisa në të kaluarën ato funksiononin si bombardim sistematik i një zone të tërë, tash ato janë bërë municione me precizion të lartë. Kur Hitleri jepte fjalim në radio, ai synonte emëruesin më të ulët të përbashkët, sepse nuk kishte mundësi t’i përshtaste porosinë dobësisë unike të mendjeve individuale. Tash është bërë e mundur që të bëhet mu ajo. Një algoritëm mund të tregojë se tashmë keni paragjykime ndaj imigrantëve, ndërsa fqinji tashmë ka mospëlqim për Trump-in, që është arsyeja pse shihni një kryetitull, ndërkohë që fqinji sheh një krejt tjetër. Në vitet e fundit, disa prej njerëzve më të zgjuar në botë kanë punuar për të hakuar trurin njerëzor në mënyrë që t’iu bëjnë të klikoni reklamat dhe t’iu shesin gjëra. Tash, këto metoda po përdoren gjithashtu për t’iu shitur politikanë e ideologji.

Ky është vetëm fillimi. Tash për tash, hakerët mbështeten në të analizuarit e sinjaleve dhe veprimeve në botën jashtme: produktet që blini, vendet që vizitoni, fjalët që kërkoni onlajn. Sidoqoftë, brenda disa vitesh, sensoret biometrikë do t’iu japin hakerëve qasje të drejtpërdrejtë në botën tuaj të brendshme, ku ata mund të vëzhgojnë se çfarë po ndodh në zemrën tuaj. Jo zemrën metaforike, aq të dashur për fantazitë liberale, por pompën muskulore që rregullon shtypjen tuaj të gjakut dhe shumëçka prej aktivitetit të trurit. Pastaj, hakerët mund të bëjnë lidhjen mes të rrahurave të zemrës dhe të dhënave të kartës tuaj të kreditit, si dhe shtypjes së gjakut me historinë tuaj të kërkimit në internet. Çfarë do të kishin bërë Kryqëzata dhe KGB-ja me byzylykët biometrikë që monitorojnë papushim disponimet dhe gjendjet tuaja emotive? Rrini në lidhje.

Liberalizmi ka zhvilluar një arsenal mbresëlënës argumentesh dhe institucionesh për të mbrojtur liritë individuale prej sulmeve të jashtme të qeverive shtypëse dhe feve fanatike, por është i papërgatitur për një situatë kur liria individuale përmbyset prej së brendshmi, dhe kur vet konceptet e “individit” dhe “lirisë” s’kanë më ndonjë kuptim. Që të mbijetojmë e të lulëzojmë në shekullin 21, duhet të lëmë pas pikëmapjen naive se njerëzit janë individë të lirë – pikëpamje kjo e trashëguar prej teologjisë së krishterë po aq sa edhe prej Iluminizmit modern – dhe të biem në ujdi me atë se çfarë janë njerëzit në të vërtetë: kafshë të hakueshme. Duhet të njohim vetveten më mirë.

Është posaçërisht e rëndësishme që të njohim dobësitë tona. Ato janë veglat kryesore të atyre që përpiqen t’iu hakojnë. Kompjuterët hakohen përmes kodeve me gabime paraekzistuese. Hakerët nuk mund të krijojnë frikë e urrejtje nga asgjëja. Por, kur zbulojnë se kujt i frikësohen e kë urrejnjë njerëzit, është më lehtë të shtypësh butonët e duhur emocionalë dhe të provokosh tërbim edhe më të madh.

Nëse njerëzit nuk mund të njohin më mirë vetveten me forcat e tyre, ndoshta e njejta teknologji që përdorin hakerët mund të kthehet përmbys dhe të shërbejë për të na mbrojtur. Sikur se kompjuteri juaj ka një program antivirusi që kërkon programe të dëmshme, mbase edhe neve na duhet një antivirus për trurin. Nidhmësi juaj me inteligjencë artificiale do të mësojë nga përvoja se keni një një dobësi të posaçme – si p.sh., për videot me mace të lezeçme apo për storiet mbi Trump-in – dhe do t’i bllokojë ato për ju.

Sido që jetë, e gjithë kjo është vërtet një çështje anësore. Nëse njerëzit janë kafshë të hakueshme dhe nëse zgjedhjet dhe opinionet tona nuk pasqyrojnë vullnetin tonë të lirë, cili do të duhej të ishte qëllimi i politikës? Për 300o vjetë, idealet liberale frymëzuan një projekt politik që synonte t’iu jepte aftësinë sa më shumë individëve që të ishte e mundur, për të ndjekur ëndërrat dhe për të plotësuar dëshirat e tyre. Tash jemi më afër se kurrë për të arritur këtë qëllim – por jemi gjithashtu më afër se kurrë për të kuptuar që e gjithë kjo ka qenë e ndërtuar mbi një iluzion. Të njejtat teknologji që kemi shpikur për të ndihmuar individin të ndjekë ëndrrat, bëjnë të mundur gjithashtu risajimin e atyre ëndrrave. Atëherë, a mund t’i besoj ëndrrave të mia?

Parë nga një perspektivë, ky zbulim i jep njerëzve një lloj tërësisht të ri lirie. Më parë, jemi identifikuar fuqishëm me dëshirat tona dhe kemi kërkuar lirinë për t’i realizuar ato. Kurdo që na është shfaqur një mendim, jemi ngutur ta çojmë në vend. Kemi kaluar ditët duke vrapuar si të marrë, të pushtuar nga një tren i furishëm mendimesh, ndjenjash e dëshirash, që gabimisht kishim besuar se pasqyronin vullnetin tonë të lirë. Çfarë ndodh nëse ndalemi së identifikuari me këtë tren? Çfarë ndodh kur vëzhgojmë me kujdes mendimin pasues që na shfaqet në mendje dhe pyesim: “Prej nga erdhi kjo?”

Sa për fillim, të kuptuarit se mendimet dhe dëshirat tonë nuk pasqyrojnë vullnetin tonë të lirë mund të na ndihmojë që të jemi më pak obsesivë ndaj tyre. Nëse e shoh vetveten si agjent tërësisht të lirë, që zgjedh dëshirat me pavarësi të plotë nga bota, kjo ngre një pengesë mes meje dhe realiteteve të tjera. Në fund të fundit, nuk më duhen fort këto realitetet tjera, – jam i pavarur. Në të njejtën kohë, kjo i jep rëndësi të jashtëzakonshme çdo tekeje time – zgjodha pikërisht këtë dëshirë,  nga të gjitha dëshirat e mundshme në univers. Sapo t’i kemi kushtuar aq shumë rëndësi dëshirave tona, natyrshëm do të provojmë të kontrollojmë dhe të përshtasim tërë botën sipas tyre. Bëjmë luftëra, presim pyje dhe çekuilibrojmë tërë ekosistemin në ndjekje të tekeve tona. Por nëse do të kutponim më mirë se dëshirat tona nuk janë rezultat i zgjedhjes së lirë, me shpresë do të ishim më pak të preokupuar me to dhe do të ndiheshim gjithashtu më të lidhur me pjesën tjetër të botës.

Ndonjëherë, njerëzit mendojnë se po të hiqnim dorë nga besimi në “vullnetin e lirë”, do të bëheshim tërësisht apatikë dhe do të mblidheshim kutullaç në ndonjë kënd dhe do të vdisnim urie. Në fakt, braktisja e këtij iluzioni mund të ketë dy efektë të kundërta: së pari, mund të krijojë lidhje shumë më të fortë me pjesën tjetër të botës, dhe t’iu bëjë më të vëmendshëm ndaj ambientit tuaj dhe ndaj nevojave e dëshirave të të tjerëve. Është sikur të bashkëbisedoni me dikë. Nëse përqendroheni në atë çfarë doni të thoni, vështirë se dëgjoni gjë. Vetëm sa prisni mundësinë për t’i dhënë tjetrit një copë të mendjes tuaj. Por kur lëni anash mendimet, papritmas dëgjoni të tjerët.

Së dyti, braktisja e mitit të vullnetit të lirë mund të zgjojë kureshtje të thellë. Nëse identifikoheni fuqishëm me mendimet dhe dëshirat që iu shfaqen në mendje, nuk ka nevojë të bëni përpjekje të mëdha që ta njihni vetveten. Mendoni se tashmë e dini saktësisht se kush jeni. Por sapo të keni kuptuar “Tung, ky s’jam unë. Ky është sall një fenomen biokimik i ndryshueshëm!” atëherë do të kuptoni gjithashtu se nuk ia keni idenë se kush – apo çfarë – jeni në të vërtetë. Ky mund të jetë fillimi i udhëtimit më interesant të zbulimit që mund ta fillojë një njeri.

Nuk ka asgjë të re me të dyshuarit e vulletit të lirë apo të eksploruarit e natyrës së vërtetë të njerëzimit. Ne njerëzit kemi pasur këtë diskutim me mijëra herë. Por kurrë më parë nuk e kemi pasur teknologjinë. Dhe teknologjia ndryshon gjithçka. Problemet e lashta të filozofisë po bëhen probleme praktike të inxhinierisë dhe politikës. E përderisa filozofët janë njerëz me shumë durim – mund të diskutojnë për diçka pa përfundim për 3000 vjetë – inxhinierët janë shumë më të padurueshëm. Politikanët kanë më së paku durim nga të gjithë.

Si funksionon demokracia liberale në një kohë kur qeveritë dhe korporata mund të hakojnë njerëzit? Çfarë mbetet prej besimeve se “votuesi di më së miri” dhe “konsumatori ka gjithnjë të drejtë”? Si jeton kur kupton se je kafshë e hakueshme, se zemra jote mund të jetë agjent i qeverisë, se lobi i trurit mund të jetë duke punuar për Putin-in dhe se mendimi vijues që të shfaqet në mendje mund të jetë rezultat i ndonjë algoritmi që iu njeh më mirë se sa që e njihni vetveten? Këto janë pyetjet më interesante me të cilat përballet sot njerëzimi.

Për fat të keq, këto nuk janë pyetjet që bëjnë shumica e njerëzve. Në vend se të eksplorojnë çfarë i pret përtej iluzionit të “vullnetit të lirë”, njerëzit në të gjithë botën tash po tërhiqen për të gjetur strehim në iluzione edhe më të vjetra. Në vend se të të ballafaqohen me sfidat e Inteligjencës Artificiale dhe bioinxhinierisë, shumë njerëz po i kthehen fantazive fetare e nacionaliste, që janë edhe më pak në rrjedha se liberalizmi me realitetet shkencore të kohës sonë. Në vend të modeleve të freskëta politike, ato çfarë ofrohen janë mbetjet e ripaketuara nga shekulli 20, e madje edhe nga mesjeta.

Kur provoni të merreni me këto fantazi nostalgjike, e gjeni veten duke debatuar gjëra të tilla si vërtetësia e Biblës dhe shenjtëria e kombit (posaçërisht nëse ngjan të jetoni, si unë, në një vend si Izraeli). Si akademik, ky është zhgënjim. Të debatosh rreth Biblës ishte temë e nxehtë në kohën e Voltair-it, të debatosh meritat e nacionalizmit ishte filozofi e mprehtë para një shekulli – por më 2018, duket si shpenzim i tmerrshëm i kohës. Inteligjenca Artificiale dhe bioinxhinieria janë duke e ndryshuar vet rrjedhën e evolucionit dhe ne kemi veç disa dekada për t’ia dalë në krye se çfarë të bëjmë me to. Nuk e di prej nga do të vijnë përgjigjet, por gjithsesi se jo prej një përmbledhje tregimesh të shkruajtura para dymijë vjetësh.

Atëherë, çfarë të bëjmë? Duhet të luftojmë në dy fronte njëkohësisht. Duhet të mbrojmë demokracinë liberale, jo vetëm sepse është dëshmuar si formë më e mbarë e qeverisjes se të gjitha alternativat tjera, por githashtu sepse vë më së paku kufizime në të debatuarit për të ardhmen e njerëzimit. Në të njejtën kohë, duhet të vëmë në pikëpyetje supozimet tradicionale të liberalizmit dhe të zhvillojmë një projekt të ri politik, i cili është më në rrjedha me realitetet shkencore dhe fuqitë teknologjike të shekullit 21.

Mitologjia greke tregon se Zeusi dhe Posejdoni, dy prej perëndive më të mëdhenj, bënë gara për të kërkuar dorën e perëndeshës Thetis. Por kur dëgjuan profecinë se Thetis-i do të lindte një fëmijë më të fuqishëm se i ati, të dy u tërhoqën të alarmuar. Duke qenë se perënditë planifikojnë të rrinë këndejpari përgjithmonë, ata nuk duan që të kenë pasardhës më të fuqishëm që të garojnë me ta. Kështu që Thetis-i u martua me një vdekatar, Mbretin Peleus, dhe lindi Akilin. Vdekatarët duan që të eklipsohen nga fëmijët e tyre. Ky mit mund të na mësojë diçka të rëndësishme. Autokratët që planifikojnë të sundojnë në përjetësi, nuk duan që të inkurajojnë lindjen e ideve që mund t’i heqin nga posti. Por demokracitë liberale frymëzojnë krijimin e vizioneve të reja, edhe me koston e vënies në pikëpyetje të vetë themeleve të saj.

******

Yuval Noah Harari është historian izraelit nga Universiteti Hebre në Jerusalem. Ai është autor i disa bestsellerëve ndërkombëtarë. Libri i tij i fundit është  21 Mësime për Shekullin 21.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.