Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Modestia si karakteristik?

Foto nga Neneqo Fotógrafo.

Artikull origjinal i shkruar nga Mehmet Kajtazi për Rilindjen.

Dihet se shumica e punëtorëve kosovar kanë të ardhura të ulëta personale, por në gjendje më të rëndë janë ata që  nuk kanë burime të tjera për jetesë, pra nuk kanë askënd në mardhënie pune nga familja, nuk kanë as tokë. Ndaj të tillëve, tha para pak ditësh Zvonimir Harabari, kryetar i KLS të Jugosllavisë, duhet të kemi kujdes më të madh.

Analizat e bëra tregojnë se të ardhurat personale në KSA të Kosovës janë më të ulëtat në vend. Analizat, pa të cilat shpesh nuk mund të fitojmë pasqyrë të qartë për një gjendje dhe dukuri të caktuar, e të shohim se si është standardi i punëtorit dhe i pensionistit kosovar. Llogaritet se mesatarja e të ardhurave personale në Krahinën tonë është rreth 220.000 dinarë, ndërsa pensionet janë dyfish më të vogla. Nje familje kosovare (gjashtë antarëshe), e cila ka pasur fatin dhe ka marrë banesë shoqërore, me të ardhurat personale që merr nuk është në gjendje të t’i paguajë shpenzimet e duhura për të jetuar në atë banesë. Është llogaritur se nëse një familje e tillë paguan me kohë qiranë e banesës, shpenzimet e rrymës elektrike (llogaritet se një familje e tillë shpenzon 30.000 dinarë rrymë elektrike në muaj), ujin, ngrohjen, i mbeten vetëm edhe 60.000 dinarë, sa kushton një thes miell. Kohëve te fundit, siç janë njoftuar qytetarët, parapagimi për televizor ka arritur në 6.000 dinarë, në muaj. Po kaq duhet të paguajë mesatarisht një familje e tillë nëse ka telefon, e atëherë mbetet të skuqet i zoti i shtëpisë para inkasantëve të tjerë të borxheve.

Burimet për të ardhura

Para pak ditësh biseduam me disa punëtorë të kombinatit << Ramiz Sadiku >> dhe me disa të tjerë që punojnë në minierën e Stari – Tërgeut . Ne që kemi qëlluar pa tokë, thanë ata, mezi po e sigurojmë bukën me të hollat që fitojmë si prodhues. Prodhuesit që jetojnë vetëm nga të ardhurat personale e nuk kanë pasuri tjetër janë  vërtet në gjendje shumë të vështirë në tërë Krahinën. Analizat e bëra tregojnë se nja 30 mijë punëtorë të komunës së Prishtinës me të ardhurat personale që marrin mezi sigurojnë kafshatën e gojës. Në një gjendje të tillë janë edhe mijëra punëtorë në komunat e tjera të Krahinës sonë. Gjendja ishte shumë e rëndë jo vetëm në mesin e prodhuesve, por edhe në arsim, por kohëve të fundit u morën masa të duhura në këtë lëmë dhe sot të ardhurat personale në arsim (që diku-diku u shtuan edhe deri 60%) janë shumë më të mira.

Para pak ditësh ishte në vizitë pune kryetari i KLS të Jugosllavisë, Zvonimir Harabar, i cili në bisedë me strukturat udhëheqëse të komunës së Prishtinës dhe të Krahinës tha se nuk duhet të presim presion nga ana e punëtorëve, por duhet të bëjmë vetë presion mbi organet që ngushtojnë frymëmarrjen e vetëqeverisjes, në mënyrë që të gjendet burimi për shtimin e të ardhurave  personale.

Djersa dhe shpenzimet

Sot komunikimi i punëtorëve brenda një qyteti, por edhe brenda tërë  Krahinës dhe më gjerë është më i mirë se kurrë më parë. Ata vazhdimisht po informohen se si në disa mjedise më shumë paguhet një referent i rëndomtë, i cili hall ka si ta kalojë orarin e punës duke qëndruar duarkryq mbi tavolinë, më shumë po paguhet një daktilografistë, ose një sekretareshë  se prodhuesi që orarin e punës e kalon në galeri, në ara, pranë makinës. Në mjediset e tilla kompetentët do të thonë se nuk kemi mjete më shumë për shtimin e të ardhurave, por kjo duhet demantohet, ngase, siç tha para pak mjediset e tilla sa shpejt i gjejnë për t’i shtruar tavolinat me hajë e pije. Tërë vetëqeverisja e një mjedisi të caktuar luhatet kur punëtori humb motivin për punë, andaj , siç tha para pak ditësh Sava Komadiniqi, kryetar i KLS të Kosovës, forca e organizuar socialiste nuk guxojnë të heshtin para kësaj çështjeje, por duhet t’i marrin të gjitha masat që punëtori t’ia nisë punës me vullnet. Vullnet kemi pasur dhe do të kishim edhe sot, na thanë minatorët e Goleshit, por e keqja është se krizën e përgjithshme nuk po e përjetojmë të gjithë njësojë: ata që po punojnë në zyrë marrin shumë më shumë para se ne që punojmë në  galeri, e do të duhej të merrnim njësojë, ose ne më shume se ata që nuk derdhin djersë fare në punë. Ne kurrë nuk kemi kërkuar të marrim më shumë se ata që punojnë në administratë.

Modestia është karakteristikë e tërë klasës punëtore në Kosovë. Gjatë bisedave me kategori të ndryshme të punëtorëve shënuam se aty kërkojnë së paku aq të ardhura personale sa me to do të mund t’i përthekojnë të paktën shpenzimet elementare të jetës.

—–

Ky tekst është pjesë e nismës RI-RILINDJA – një shfletim digjital i historisë përmes faqeve të Rilindjes, gazetës kryesore të Kosovës në shekullin e kaluar. Faza pilot e këtij projekti është zbatuar nga Free Libre Open Source Software Kosova në bashkëpunim me Sbunker dhe Bibliotekën Hivzi Sulejmani, si dhe me mbështetje nga Ipko Foundation dhe Presidenca e Republikës së Kosovës.

Fillimisht e kemi digjitalizuar vitin e parë të së përjavshmes ‘Rilindja e Javës’, që është botuar çdo të dielë nga 14 shkurti i vitit 1988. 30 vjet më vonë, Sbunker sjell artikuj të përzgjedhur nga kjo periudhë me synim të ndërtimit të urave lidhëse mes diskursit të sotëm dhe atij të dikurshëm.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.