Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

(Mos)njohja e fajësisë

Foto: whatishappeningnow

Ndër debatet më të mëdha të filozofisë, e sidomos të filozofisë ekzistencialiste, por edhe të letërsisë, është trajtimi i konceptit të Tjetrit. Prania e tij e kuptimëson gjendjen/kauzën tonë, kurse subversiviteti që ushtron Tjetri në ne, në një farë mënyre edhe e rikoncepton mendimin edhe për atë që na rrethon. Pra, Tjetri i pranishëm në jetën tonë, nuk është metaforë, e as fiksion, është ridimensionim i realitetit dhe të vërtetës sonë mbi të. Filozofia ekzistencialiste praninë e Tjetrit e analogjizon me ferrin (Jean-Paul Sartre). Prania e tjetrit e zvogëlon fushëveprimin tim, si rrjedhim Tjetri është cenues i lirisë time. Në këtë ballafaqim me kaq antagonizëm shfaqet nevoja për diçka që është përtej këtij raporti kaq të thjeshtëzuar, pra, kërkohet dalje në një stad tjetër të marrëdhënies ku Vetja and Tjetri bazë të marrëdhënieve të tyre nuk e kanë vetëpraninë/ekzistencën, por arsyen/esencën. Tentohet që Vetja and Tjetri mos të përjetohen në bazë të asaj se çfarë janë, por në bazë të asaj se çfarë përfaqësojnë (Vincent Descombes). Një kapërcim i marrëdhënieve nga instinktet te racionalja. Kjo gjendje e re e raporteve të Vetës me Tjetrin shpërfaq nevojën e një rikonfigurimi të raporteve.

Racionaliteti në këtë marrëdhënie do të prodhojë lindjen e Kontratës shoqërore (Thomas Hobbes), e konsideruar si një nga konceptet më të arrira në raportet ndërnjerëzore dhe shoqërore, po ashtu. Përmes një kontrate të tillë njeriu ka arritur të krijojë jo vetëm mirëqenie për vetën dhe rrethin. Gjithashtu, ka arritur që në raport me Tjetrin të konsolidojë marrëdhënien gati se deri në kufijtë e një gjithëpranie. Nuk ka më lidhje përkatësia ideologjike, religjioze, politike, etnike, ngjyra e gjuha, sepse tanimë marrëdhënia jonë menaxhohet nga një dimension supra, siç është Kontrata shoqërore, ku nëpërmes thjerrëzave të saj menaxhohet i gjithë spektri i relacioneve, e sidomos paqartësive tona. Nën ‘delirin’ e kësaj kontrate… ishin harruar apo anashkaluar shumë aspekte të cilat konsideroheshin si arkaike, por që në fakt ishin/janë aq shumë të shtresuara në shtratin e shpirtit njerëzor sa që arsyeshmëria e argumentit nuk mund ta shpojë cipën e atij primitivizmi. Kështu që, jo rrallë para syve tanë janë këputur vargonjtë e mirësisë, arsyes dhe dashurisë dhe të habitur nga ato veprime çoroditëse, të lemerisur kemi klithur në vlera të përbashkëta, shpesh pa e kuptuar se bashkarisht si agresori si viktima janë në të njëjtën anije që dikur përmes asaj Kontratës shoqërore kishin hipur të gëzuar në të, për t’i rënë kryq e tërthor oqeanit të lumturisë së paanë, tanimë në ‘paqen e përhershme’. Mirëpo, kur filluan të binin para këmbëve tona rrokaqiejt e dashurisë, mirëkuptimit, të arsyes, sikur një ndërtesë e bukur që shembet nën dridhjet e fuqisë së dinamitit, pamë se fuqia e egove vrastare është një përbindësh që ende jeton në skutat e njeriut modern perëndimor. Dy Luftërat Botërore ishin goditja më e madhe ku njeriu faktikisht i kthehet origjinës së tij arkaike edhe pse tani nën marshin e hovit iluminist dhe shkencor. Gjithashtu, shpërbërja e Jugosllavisë përmes luftërave të shkaktuara nga Republika e Serbisë rikonfirmoi ngërçin që bartte me vete bota moderne karshi frymës primitive nacionaliste. Vrasjet masive, zhdukja e kufomave, dhunimi i grave dhe burrave, djegia e vendbanimeve të tëra, shpronësimi si dhe spastrimet me bazë etnike, ishin rishfaqje, e në njëfarë forme edhe zgjatim i katrahurës së Luftës së Dytë Botërore. Normalisht që Lufta e Dytë Botërore dallon për nga përmasa me luftërat në ish-Jugosllavi, mirëpo, e përbashkëta është mizoria dhe çnjerëzorja. Po ashtu, ka edhe një dallim substancial mes këtyre dy ngjarjeve, është trajtimi i tyre që u është bërë nga faktorët relevant, e që për bindjen time ky është edhe çelësi i suksesit në rastin e parë, dhe rruga e dështimit në rastin e dytë.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore (edhe gjatë saj) fuqitë aleate qartësisht e kishin definuar se kush është agresori dhe kush është viktima. Me këtë akt definimi fillon edhe merr kuptim drama, por fillon edhe rruga drejt zgjidhjes. Pra, fajtori përveç që do të kërkojë falje do të marrë edhe përgjegjësi për shumë dëme që i ka shkaktuar viktimës. Kështu që, Gjermania pas kapitullimit cilësohet fajtore dhe detyrohet që ta pranojë fajësinë dhe kështu ajo do ta ndjejë peshën e atij faji. Denazifikimi i shoqërisë gjermane përveç që ishte i vështirë, ishte i domosdoshëm, sepse kjo jepte mundësi edhe për vetëreflektim dhe autokritikë (Kancelari i Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botrore, kërkon falje para memorialit të viktimave të Holokaustit). Në kuadër të kësaj ishin pashkoqitshëm edhe viktimat, të cilat pavarësisht pezmit, megjithatë kishin një ngushëllim, sepse fajtori po e pranon fajësinë dhe se bota po ua njeh pozicionin e viktimës dhe si rrjedhim dëmet e konsideruara të ‘kompenzueshme’ janë obligim i fajtorit. Gjithashtu, një nga gjërat më të rëndësishme në këtë rast është se pranimi i fajit nga ana e fajtorit i njeh dhe i pranon të gjitha të këqijat që ia ka shkaktuar viktimës dhe se më këtë rast viktimës ia njeh statusin prej viktime, dhe si rrjedhim edhe të drejtën që kjo e fundit të vendosë vetë për veten e saj. Pra, duke njohur se kush ishte fajtori e kush viktima, u krijua mundësia që shoqëria gjermane të përjetojë katarzë dhe të fillojë rikuperimin, kurse viktimat (në këtë rast populli hebre) ta rikonsolidojë vetën në një projekt konkret siç është Izraeli.

Mirëpo, siç e dimë tanimë, me Jugosllavinë nuk u përdor e njëjta mënyrë, konkretisht në rastin e Kosovës. Pse? Mund të ketë ndoshta shumë përgjigje në këtë rast, mirëpo ajo çka e vështirëson pamjen është fakti se nuk dihet se kush është fajtori e kush është viktima. Prandaj, duke marrë parasysh rrethanat, dihet qartë se ishin forcat ushtarake, policore dhe paramilitare që udhëhiqeshin nga aparati shtetëror serb përgjegjës për vrasjet, dhunimet, spastrimet etj., të shqiptarëve të Kosovës, si rrjedhim bota perëndimore që kishte intervenuar përmes aleancës veriatlantike, NATO-s, nën moton humanitare, në fund nuk e qartësoi se në gjithë këtë zallamahi kush ishte fajtori e kush viktima. Se për çfarë arsye u vendos kështu edhe sot e kësaj dite nuk dihet, mirëpo, ajo çka dimë sot është se fajtori nuk është krejt fajtor dhe se viktima nuk është bash viktimë. I tërë ky relativizim i fajit, kjo mosnjohje e fajtorit, ka krijuar dhe do të krijojë një parehati te palët ndërluftuese, gjithashtu edhe turbulenca të brendshme politike e sociale te palët veç e veç.

Mosidentifikimi i fajtorit nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, në luftën e Serbisë në Kosovë, ka bërë që të relativizohet krimi dhe, si rrjedhim, ndoshta ky është edhe një krim në vetvete që shkon në dy drejtime. E para: nuk i jep mundësi viktimës (në këtë rast Kosovës) që ta paraqesë veten ashtu siç është, pra, si dikush që ka të drejtë të kërkojë drejtësi për dëmet e shkaktuara, si dhe t’i mundësohet një ardhmëri normale dhe krejt në fund të kërkojë që të respektohet nga të gjithë edhe nga agresori për dramën që ka kaluar. Kurse, e dyta: duke mos e identifikuar fajtorin (në këtë rast Serbinë) ia pamundëson ndjenjën e fajësisë dhe si rrjedhim edhe marrjen e përgjegjësisë për krimet e bëra. Shoqërisë ia pamundëson zhvillimin normal, që do të thotë një lloj prerje me të kaluarën, e sidomos me strukturat politike dhe intelektuale që e kanë shkaktuar atë të keqe. Prandaj, kur fajtorit për krimet e shkaktuara nuk ia njeh fajin, atëherë e le të hapur mundësinë e një konflikti në rastin më të keq, kurse në rastin më të mirë krijon status quo. Pra, bashkësia ndërkombëtare, duke mos e cilësuar Serbinë si fajtore për luftën e shkaktuar në Kosovë, i ka dhënë mundësi asaj që pushtetin ta ushtrojnë politikanë që ishin pjesë e mekanizmit shtetëror që udhëhiqte luftën kundër popullatës shqiptare në Kosovë. Pasoja pse sot presidenti aktual serb, Vuçiç, dikur ministër i propagandës në qeverinë e S. Millosheviçit, nuk ndihet fajtorë për masakrën e Srebrenicës, apo kur pohonte se “masakra e Reçakut është një trillim i atij të çmendurit William Walker”, mund të jetë shkaku i mosdefinimit të fajësisë për këto krime. Kur Karl Jaspersi fliste për fajin gjerman për krimet e shkaktuara nga nazizmi thoshte se “ndjenja e fajit, na bën të pranojmë përgjegjësi; është fillimi i trazirave të brendshme që kërkon të realizojë lirinë politike”. Duke pohuar se krimeve të kryera në luftën e fundit në Kosovë nuk iu dihet fajtori (sepse kështu kanë vendosur), ia është pamundësuar Serbisë (dhe shoqërisë serbe po ashtu) që ta pranojë përgjegjësinë për krimet e bëra. Gjithashtu, në Serbi edhe në Kosovë, shoqërive të këtyre dy vendeve, nuk u është mundësuar zhvillimi i brendshëm i lirisë politike dhe i normalizimit social. Prandaj, në këtë rast hapi i parë i krijimit të një marrëdhënie normale është pranimi i fajit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.