Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Muhika mbi Drinë

Më 12 shkurt 2015, kur po largohej Pepe nga pozita, m’u shfaq një dëshirë për t’i shkuar në Montevideo për fjalim lamtumirës. M’u shfaq një dëshirë për ta përqafuar. Pra, kaq i madh është respekti i im ndaj këtij njeriu. Prandaj është pak të thuhet se u gëzova kur mësova që po na vika në vizitë.

Kush është Muhika?

Për Hose Muhikën [José Mujica] tetëdhjetëvjeç mësuam vetëm para disa vitesh, kur ishte kryetar i Uruguajit. Vëmendjen kah vetja e tërhoqi kur i bëri ligjore martesat njëgjinore, të drejtën për abort, dhe përdorimin e marihuanës. Edhe më interesant e bën rrjedha e jetës së tij. Për shkak të bindjeve politike i vuajti 15 vite në burg, prej tyre 11 në vetmi, 7 pa libra.

Si kryetar, në vend të aeroplanit zyrtar, Muhika bleu helikopter për transportim të pacientëve, se e konsideroi investim më të doemostë. Në pallat nuk u vendos—vazhdoi të jetonte në shtëpinë e tij modeste, t’i grahte folksvagenit breshkë të stërvjetër, t’i ngiste traktorit pasdite, të sillej si gjysh i rëndomtë uruguajas. Rrogën e jepte për bëmirësi. “Ajo e shoqes sime na mjafton.” Kur i thonë se është i varfër, thotë se nuk është, se është vetëm i përkorë, se ka shumë më tepër se ç’i duhet. Ky njeri i këndshëm i cili të gjithëve u drejtohet me “ti¹” shpjegon: “Nuk jetojmë në feudalizëm, që të sillet dhe të jetojë kryetari si mbret. Kryetari s’është gjë më tepër se një nënpunës i rëndomtë shtetëror në shërbim të popullit.”

Në shiqim të parë, ky stil i tij i përngjet një popullizmi, një mashtrimi. Të shumtë ishin ata që u përpoqën t’i gjejnë njollë në biografi. Nuk ia dolën gjetjes së asnjë skandali të korruptit, të asnjë rasti të keqpërdorimit të pushtetit. Vetëm të viteve të vetmisë në burg dhe të viteve të luftës për popull. Të asnjë gjëje tjetër.

Ashtu u bë Pepe, përmes mirësisë dhe moralit të tij, simbol i politikanit të mbarë. I kanë bërë pritje edhe Papa Françesk, edhe Barak Obama. Kusturica i njohur po xhiron film dokumentar mbi të. Bota e admiron për nderin, modestinë, e mbi të gjitha, për konsistencën e tij. I prirë prej tij, Uruguai përparoi në çdo kuptim.

Kush është mikpritësi i tij?

Sa i përket personalitetit dhe veprës së mikpritësit të tij, mendimet janë të ndarë. Ai është artist me qëndrim për shkak të të cilit në ish-Jugosllavi ose e duan, ose e përbuzin. Është interesante që më së paku popullaritet ka në Sarajevën e tij të lindjes, ku, siç thonë, nuk ka shkuar me dhjetëra vitesh. I pyeta shokët e mi sarajevas se pse është kështu. Të gjitha përgjegjet përngjajnë. Qe vetëm njëra nga tri prej tyre:

“Përrallë e gjatë është kjo. Pak para luftës iku prej qytetit për Beograd. Gjatë luftës deklarata publike nuk dha, por piu uiski me Sllobën. Ky është burimi i të gjithave. Ndërkohë ndryshojnë, edhe Sarajeva, edhe ky. Sarajeva e humbi lezetin kozmopolit dhe u bë e “lindjefërt” kurse personaliteti më i madh dhe legjendar i qytetit tash është nacionalist i urrejtur serb. Të gjithë që as gjer te gjuri nuk i vinin, mezi pritnin ta fyenin dhe ta pështynin e ai, si kapadai, të gjithëve ua kthente në masë të njejtë. Urrejtja ndërmjet tij dhe Sarajevës mund të pritet me thikë. Unë, për vete, nuk e urrej. Punë të tija, zgjedhje të tija. Regjisor i madh. Kjo është, shkurt, e tëra.”

Ndërkaq në botë është Kusturica artist i pranuar dhe, në saje të diskursit të tij, i njohur si luftëtar kundër globalizmit dhe kapitalizmit. Në Beograd, ku i përcjellin angazhimet e tij më ngusht, disa besojnë se është horr me dhunti, të tjerët se është barbarogjeni², por askush nuk e vë në pyetje madhështinë e tij të pranuar artistike. Vërejtja e vetme që i bëhet është se përherë i është lëpirë dhe vazhdon t’i lëpihet qeverisë serbe (të urrejtur gjithmonë nga njerëzit që janë me nder) sikurse edhe se i pëlqen t’i zgjidhë konfliktet personalë me të tjerët përmes ashpërsisë dhe dhunës, gjë që është jashtzakonisht e pazakontë për qarqet në të cilët sillet. Thuhet se din të grushtojë, të godasë me kokë, të pështyjë, të padisë.

Shumë njerëz në Sërbi gjithashtu e pyesin veten se a janë të tij Mokragora [Mokra Gora] dhe Andriqgradi [Andrićgrad] edhe, në qofshin, si dhe përse ashtu? Gjatë vizitës së shkurtër të kompleksit të Meqavnikut [Mećavnik] dhe parkut tematik në Vishegrad [Višegrad] nuk arrita të gjej përgjegje në këto pyetje por m’u bë e qartë shumë shpejt se Emiri atje sillet si kapedan në anije ose regjisor në film, me fjalë të tjera si padron absolut. Shenja të antikapitalizmit, modestisë, dhe opsedimit  me konsistencën nuk vërejta. Përkundrazi, ky antikapitalist posedon shumë më tepër pronë se që i duhet dhe as që i përngjet uruguajasit plak. Realisht, Emiri është pronar i helikopterit.

Në vigjilje të Vidovdanit të vitit 2016, mu para fillimit të shfaqjes e cila i paraprinte hapjes së panairit andriqgradas të librit, kryetarit më modest të botës iu nda dekorata republikoserbe. Pastaj Pepe shetiti nëpër sheshin e mermertë. Kamerat i shkonin prapa kudo. Ecte rëndësishëm dhe dinjitetshëm. Sikur ne mos të ishim në publik. Dukej se po bëhej xhirim i filmit në praninë tonë. (Sipas të gjitha gjasave, kjo edhe kishte pas ndodhur por unë nuk e kuptova gjer të nesërmen, kur i pashë fotografitë). Pastaj e ulën në krye të tryezës, ku ishin të ulur të ftuarit tjerë dhe përkthyesi.

Pas disa pikave muzikore folën dy të ftuar, një shkrimtar i shumëshpërblyer nga Bosna dhe akademiku Beqkoviq [Bećković], poeti më i madh serb i së sotmes. Njerëz të zgjedhur. Të shkathët përnga fjalët. E djathta qytetare. Që të dy fjalimet ishin të ngjyrosur me tone të nacionalizmit, megjithse jo në masë të njejtë. Pastaj para nesh doli Muhika. Ai paraqitjen e filloi me “¡Viva la vida!³” A s’kishte njohuri mbi ate që e kishin thënë paraprijsit e tij, apo deshti të ishte vetvetja, sidoqoftë, ai tha, “Jam mësuar ta dua jetën dhe njerëzit në tërë nduarsinë e tyre. Në orët e gjata të vetmisë mësova se dashuria duhet të kultivohet si një lule e njomë. Urrejtja është barojë, rritet vet dhe nuk duhet  të kultivohet po të shkulet.”

Sinqerisht, shpura e Muhikës në një anë, dhe pjesa tjetër e skuadrës në tjetrën, që nga fillimi nuk më përputheshin kursesi në fotografi të njejtë. Po të gjykohej sipas veprave, do të ishte vështirë të thuhej për të dhe mikpritësin e tij se kanë vlera të përbashkëta. Për këtë arësye, pamja më pengoi. Gjersa e shpjenin gjithkah, gjersa ia jepnin dekoratat që nuk i duheshin, gjersa mbanin para tij fjalime kundërthënës me bindjet e tij, në gjuhën të cilën ai nuk e kupton, nuk ia dola ikjes nga përshtypja se plaku faqebardhë ishte keqpërdorur. A s’pat mundësi të kalonte filmi pa këtë?

E unë pata hequr të vij gjer në Bosnje, vetëm për ta përqafuar gerileron⁴ e vjetër. U largova nga aty pa e patur këtë rast. Vërtet më vjen keq që ndodhi kështu, rusët thonë se “njerëzit nuk janë bjeshkë”, pra do të kemi prap raste të takohemi por nuk kisha më fuqi. Kam probleme me bark. Duhet të ruhem. Mezi shpëtova në vitin që shkoi.

E pyesja veten se a e kishte pyetur asketi i vjetër veten se i kujt ishte qyteti në të cilin ishte në konak. Pse me helikopterin me të cilin e endnin nuk transportoheshin pacientët? A ia kishin dhënë, para se ta sillnin në Vishegrad, librin “Ura mbi Drinë” për ta lexuar? Në qoftë se e ka lexuar, athua i ka interesuar se ku ishin tash pasardhësit e herojve të Andriqit? Pasardhësit e Alihoxhë Muteveliqit [Alihodža Mutevelić]? A e di ai se ata ndoshta kanë pësuar sepse në rrethinë janë mbytur mijëra njerëz për shkak të sërbizmit? Ose janë dëbuar… shumica janë dëbuar. A e di ai se nga Ura⁵ janë hedhur trupat në Drinë? Se rrjedhës teposhtë, kur është zbrazur liqeni i akumulimit, janë gjetur mbetjet e treqind shpirtërave? Për shkak të paudhësive vishegradase, disa krimilela të luftës janë dënuar me burg, disa prej tyre përjetë?

A i është thënë atij se në lagjen vishegradase Bikavac, nga e cila rrjedhin Osmanagiqët [Osmanagić], njerëzit janë djegur për së gjalli në shtëpitë e veta? A ka mbetur kush atje nga fisi i Avdagës [Avdaga]? Se sot në Sërpsken [republikën—v.p.] ka për një çerek milioni më pak boshnjakë se më parë? Tash ka 11,000 kasabalij më pak se para 25 vitesh. A ia shprehën mikpritësat qëndrimet e tyre mbi nacionalizmin i cili ishte përgjegjës për gjithkëtë tragjedi?  Çka mendojnë ata mbi rikthimin e të shpërngulurve? Mbi bashkëjetesën? Dhe athua çfarë domethënie ka për të “Viva la vida”? Mos është titull filmi? Dhe në fund, po t’i kishte ditur të gjitha këto, ose vetëm një pjesë, a do të kishte ardhur mysafir, dhe a do ta kishte pranuar dekoratën?

Unë, disi, nuk besoj.

Mbi keqpërdorimin e pleqve

I mbusha pesëdhjetë vite. Simbas të gjithë kritereve gjindem në gjysëmlojë të dytë të jetës dhe fenomeni i plakjes më kaplon gjithnjë e më shpesh. Brengosem rreth asaj që do të ndodhë me mua po të më lënë mendtë para se të shkoj. Kam filluar t’i lus me kohë shokët dhe djemtë, por më tepër djemtë, të më ndihmojnë, po të jetë nevoja, me këshillë, vërejtje. Të më dëgjojnë kur t’u flas, se po i pyes për këshillë. Të më ndihmojnë t’i rishqyrtoj qëndrimet që i kam dhe vendimet që i marr. Të ma rikujtojnë të veproj kështu përherë. Të kujdesen edhe ata që t’i mbes vehtes besnik gjer në fund.

*Botuar më 29 qershor 2016 në portalin 6yka

Përktheu, me leje personale të autorit, Florent Rizvanolli nga serbokroatishtja.

Shpjegime nga përkthyesi:

¹) në kulturën serbe, drejtimi me “ju”, pos për respekt ndaj të vjetrit, përdoret edhe për të vënë distancë me bashkbiseduesin, sidomos të panjohur. Pra, drejtimi me “ti” shprehë vullnet për afërsi me të panjohurin.

²) sërbokroatisht: barbarogenije është kuptim kompleks filozofik, i papërkufizuar sa duhet sakt por që e ngërthen njëfarë rebelizmi dhe barbarizmi kokëfortë ballkanas me vlerat oksidentale të cilat synon t’i ballkanizojë, gjoja për ta shëruar Evropën.

³) spanjisht: rroftë jeta

⁴) spanjisht: luftëtar.

⁵) ura me shkronja të mëdha, se bëhet fjalë për urën mbi lumin Drinë në Vishegrad, së cilës i dha famë botërore romani Ura mbi Drinë (në bazë të titullit të së cilit e ka titullin edhe artikulli) i Ivo Andriqit (në bazë të cilit e ka emrin Andriqradi i lartpërmendur).

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.