Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Mundësitë dhe sfidat e krijuara nga pandemia

Në shumë aspekte bota mund të jetë në pauzë (shtyrë nga pandemia), por efekti në marrëdhënie ndërkombëtare duket të jetë i kundërt. Lëkundjet globale, të cilat kam ilustruar në shkrimet e mëparshme vetëm po intensifikohen në mesin e krizës globale. Si rezultat kemi një ndeshje të përshpejtuar kryesisht mes SHBA-ve dhe Kinës, me rikonfigurim të shteteve tjera si pasojë. Në kombinim me këtë koktej ngjarjesh, rënia ekonomike mund të çimentojë ndryshimet në mënyrë edhe më drastike seç është pritur më parë.

Ndeshja e përshpejtuar 

Në nivelet shtetërore të Kinës, javë më parë filloi të qarkullojë lajmi i rrejshëm se ushtarët amerikanë kanë përhapur virusin. Si reagim, SHBA-të paralajmëruan Kinën se lajme të tilla do të kenë konsekuencë. Gjë që pasoi me Presidentin Trump duke e quajtur COVID-19 ,Virusi Kinez. Rrjedhimisht u bë edhe më e madhe kërkesa për investigim se virusi mund të ketë filluar në laborator të Kinës.

Përderisa bashkëpunimi në shumë sfera vazhdon, dhe në luftën tregtare kemi parë disa vendime nga Kina si shenjë se duan marrëveshje që kërkohet nga Amerika, (p. sh. anulimi i përkohshëm i shumë tarifave si shenjë armpushimi) e gjithë marrëveshja prap qëndron fragjile për shkak se pikat kyçe si vjedhja e pronës intelektuale, brengosja e SHBA-ve ndaj investimeve e kompanive kineze në sektorë strategjikë sikur 5G, dhe tani kërcënimet e reja nga Trump se Amerika mund të marrë masa te reja – të gjitha sinjalizojnë përçarje të mëtejshme.

Në afat të shkurtë, sa më afër zgjedhjeve në SHBA-të aq më shumë do të rriten mundësitë e intensifikimit të tensioneve, ngase ballafaqimi me Kinën dhe korrektimi i marrëdhënies ishte edhe një prej premisave të garimit të Presidentit Trump. Në çdo rast, edhe po të fitojë Biden, administrata e re gjithashtu pritet të karakterizohet me tensionet e ngjashme (edhe nëse me qasje më sistematike) ngase dilemat ndërshtetërore janë të njëjtat.

Në vend se kriza globale të vërë tensionet në një lloj pauze, ajo vetëm sa po ushqen mosbesimin mes dy shteteve.

Rikonfigurimi

Në kohën e pandemisë, Kina ka përshpejtuar iniciativat për të projektuar interesat e veta. Deri në fund të Janarit 2020 ajo kishte nënshkruar 200 dokumente për bashkëpunim në projektin e Rrugës së Mëndafshit, përfshirë 137 shtete. Vetëm në ditët e kaluara Presidenti Xi kishte kontaktuar liderët e shumë shteteve me mesazhin e njëjtë: Në këtë kohë pandemie, duhet më shumë bashkëpunim e solidaritet.

Bashkëpunimi ka një kuptim tjetër kur merr parasysh rivalitetin gjeopolitik në kombinim me gjendjen e rëndë ekonomike të krijuar në botë. Shumë kompani në Perëndim kanë deklaruar dhe do të vazhdojnë të deklarojnë bankroptim. Ditë më parë edhe NATO doli me deklarata paralajmëruese se për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike disa shtete mund të shfrytëzojnë rastin të blejnë kompani dhe asete të rëndësisë strategjike në vendet anëtare. Ky komunikim qartas lë të kuptohet si kërkesë për ruajtje nga influenca ekonomike Kineze.

Diplomacia kineze në e kohën e pandemisë po quhet Diplomaci e Maskës duke gjykuar nga aktivitetet e Pekinit për të dhuruar maska e ndihma tjera nëpër botë. Duhet të sigurohemi që ky term nuk keqkuptohet si akt i izoluar rreth pandemisë, dhe ia vlen të observohet edhe si fushatë oportuniste shtesë në luftën për influencë.

Në garën për të fituar aleatë, një tentim i orkestruar mund të vërehet nga Kina më shumë, ndërsa për SHBA-të ende shohim përqendrim në paralajmërime e më pak strategji të qartë për të fituar ose mirëmbajtur aleatët në anën e saj. P. sh. ato haptas po kërkojnë nga shtetet tjera që të refuzojnë investimet kineze në teknologjinë 5G – por shpesh pa iu ofruar një alternativë më të lirë. Gjithashtu, shtetet janë paralajmëruar se investimet kineze shkaktojnë kurthin e borxhit (debt trap), ku Kina investon me përmasa të mëdha duke ditur që ai shtet nuk mund të kthejë borxhet me kohë e ndoshta as investimi nuk do të ketë profit, por se kur dështon partneri që ka marrë borxh detyrohet t’i japë autoritet Kinës drejt aseteve (e mundësisht edhe ndikim në politikën e brendshme.) Kemi disa raste te tilla, e sa për ilustrim po përmendim investimet në portën e Hambantota në Sri Lanka, ku Kina ka financuar ndërtimin me rreth 1.1 miliardë dollarë. Porta filloi punën në humbje dhe duke mos pasur mundësi të paguajë borxhet, u detyrua që t’i jepet Kinës për 99 vite.

Xi në billbordet e Beogradit

Mbase nuk janë vetëm Amerikanët të shqetësuar me këtë fushatë, por edhe Evropianët dhe vendet tjera si Japonia, e cila po paguan kompanitë japoneze që të zhvendosen nga Kina, na intereson të shqyrtojmë se çfarë nënkupton kjo ndeshje dhe ky rikonfigurim në kombinim me pandeminë edhe përtej vendeve në rajon.

Para se të hynim në vitin 2020 pritej një ngadalësim i zhvillimit ekonomik kryesisht në vendet e zhvilluara, por globalisht me tempo pozitive me rritje rreth 3.3%. Me përhapjen e virusit dhe shokun në dy anët e zinxhirit ekonomik (supply and demand) tani projektohet tkurrje globale rreth -3% sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Rritja ekonomike e Serbisë për 2020 pritej të ishte 4% në raportin e Tetorit. Kosova gjithashtu figuronte me rritje 4%. Raporti i Prillit 2020 i sjell pritjet në negativ -3% për Serbinë dhe -5% për Kosovën.

Kjo tkurrje drastike paralajmëron dy gjëra. Të dy vendet (përfshirë tjerat në rajon) do të kenë nevojë për stimulim ekonomik në formën e ndihmave / kredive nga jashtë. Këtu ndërlidhet edhe paralajmërimi nga NATO. Dhe sa me keq ekonomia, më e lartë mundësia e rritjes së nacionalizmit e destabilizimit, që së bashku me politizimin e mëtejshëm të sistemit ndërkombëtar, e bën gjendjen edhe më sensitive e të papredikueshme.

Ky përshpejtim i ndryshimeve dhe rënia drastike ekonomike do e vënë Kosovën në pozitë të vështirë, por gjithashtu edhe Serbinë, e cila po tërheqë investime kineze krahasimisht më shumë se çdo vend tjetër në Ballkan. Beogradi, për çdo kredi, investim apo ndihmë që do ta marrë nga një fuqi apo institucion do t’i rriten obligimet ndërkombëtare. Tempo e “neutralitetit” apo “balancimit” mes fuqive globale nuk mund të zgjatë përjetësisht ose të paktën imazhi i neutralitetit rrezikohet. Ambicia për integrim në BE gjithashtu ose duhet të përmbushet ose të ndryshohet, me kohë.

Me këtë rënie të lirë të sistemit global, është në favor të Kosovës të durojë e mos të lëshojë pe, të lërë Serbinë të vendosë nën rrethanat e reja se çfarë të ardhme e do pa negociuar hise në Kosovë. Të hiqet mjegulla e Koronavirusit bashkë me konsekuencat ekonomike e politike para se të kthehen palët në tavolinë sepse nën depresion ekonomik vetëm sa rriten mundësitë e destabilizimit.

Me kohën e blerë, e kanë edhe një mundësi të konsolidohen qëndrimet e të gjitha partive në pika të njëjta kundër ndarjes apo bosnjezimit në mënyrën që të rikthehet ekipi negociues në pozitë shumë më të fuqishme. Mbase disa mund të kenë dhënë “premtime” ndaj aleatëve për të bërë një marrëveshje – tani kemi një realitet ndërkombëtar krejtësisht ndryshe e më fragjil, i cili doemos duhet të shkaktojë rishqyrtim të asaj se çfarë është diskutuar.

 

 

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.