Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Muti dhe njeriu i tij

Njerëzit neveriten nga muti megjithëse e bëjnë vetë një gjë të tillë. Por kjo sjellje nuk është e huaj: njeriu e ka ndarë veten shumë shpesh nga të bëmat e tij të neveritshme. Dhe kësisoj, përmes një pastërtie iluzore, përmes një estetike e etike heteronome, e ka konstruktuar fëlliqjen, poshtërimin e përuljen. Neveria është një ndër mjetet më të fuqishme politike. Pra, marrëdhënia e njeriut me mutin e tij nuk është aspak e thjeshtë. Dhe nuk përmbahet vetëm në rrafshin alegorik. Marrëdhënia reale me mutin është mjaft komplekse dhe ofron hapësirë për reflektim mbi mënyrën sesi janë kushtetutuar themelet e kulturës së një shoqërie, dhe mënyrës sesi variojnë dinamikat sociale, pushtetet e painstitucionalizuara etj.

Është evidente dëshira e madhe e njeriut modern për një shkëputje të plotë nga muti i tij. Thjeshtimi e ngushtimi në të konceptuarit e marrëdhënies së tij me mutin, e dëfton dëshirën në fjalë. Muti hiqet nga shtëpia krejt i padukshëm. Përmes tualetesh, ai kanalizohet e lidhet me mutin e lagjes e të qytetit. Në shoqëritë e atomizuara ose në atomizim e sipër, kjo lidhje mund të jetë e vetmja mes banorëve të një komuniteti. Pra, lidhje përmes mutit. Unë nuk i njoh shumicën e fqinjëve të mi. Por, mutët na lidhin me njëri-tjetrin. Sidoqoftë, edhe kjo lidhje, ashtu si edhe vetë muti, lihen jashtë skemave konceptuale. Jashtë të menduarit. Ashtu siç lihen edhe jashtë të perceptuarit. Kështu ndodh ekskomunikimi i mutit. Ai nuk ka se çka të thotë (e muti ka shumë për të thënë për ne).

Kontrolli mbi marrëdhënien në fjalë kryhet që në fëmijërinë e hershme kur fëmijës i tregohet se ku duhet të ulet që të bëjë mutin e tij. Kontrolli mbi vetëdijen e fëmijës fillon përmes vetëdijes për neverinë e ndalesën. Dhe, neveria nuk ndalet te muti. Pra, që në fillet e hershme vetëdijësore njeriut i bëhet e qartë se një pjesë brenda vetes është e neveritshme dhe e pështirë, e prandaj duhet larguar nga të parit, nga të menduarit e nga vetë gjuha. Kjo bën që njeriu ta kanalizojë neverinë e tij. Neveria nuk ka pikëprekje me veten, pavarësisht që muti del nga vetë ai. Dhe muti këtu mund të kuptohet si simbol për gjithçka që prezantohet si e neveritshme shoqërisht. Për mutin, shkaktar bëhet i neveritshmi i shoqërisë, ose i keqi e i papranueshmi. Kjo bën që muti i një individi megjithëse del nga prapanica e tij, heshturazi e pa fjalë, të bashkohet me mutin e komunitetit për t’u kanalizuar diskursivisht në ato grupe e ata individë që shoqëria i percepton si të neveritshëm.

Tualetet antike, p. sh. ato romake e greke, shumë prej të cilave ishin të përbashkëta, kishin funksion krejtësisht praktik. Të hiqej muti shkaku i erës, pamjes së neveritshme, dhe sëmundjeve. Tualetet moderne e kanë edhe një funksion shtesë: ato e troshisin çdo dromcë neverie të individit për veten përmes luksit që ofrojnë. Së fundi është vërtetuar se pozicionimi në guaskë 90 shkallësh mund të shkaktojë kancer. Që pakashumë i bjen se, guaska është e panevojshme, dhe se kurrizi me këmbët duhet të formojnë 35 shkallëshin[1]. Është e qartë se për shoqëritë moderne, më prioritare ishte ndarja e njeriut nga muti i tij, sesa vetë shëndeti. Njeriu modern kërkon që produktin e tij, as të mos e shohë, e as t’i marrë erë. Mutit i falsifikohet e i harrohet origjina. Dhe në këtë mënyrë, si anonim, ai është i lirë të futet në lojën politike, lojën për status shoqëror, për diskriminim e cenim. Si i paorigjinë, muti futet dhe merr pjesë aktivisht në skemën shoqërore. Në mënyrë që shoqëria të përdorte neverinë si një mjet disiplinues e pushtetues, duhej që vetë ta ndërtonte një imazh sa më të pastër.

Lëngimi i fshatrave dhe i qytezave kosovare pas lufte për sisteme kanalizimi, nuk besoj që ka pasë vetëm motive shëndetësore. Ata nuk mund ta duronin praninë e një gjëje neveritëse që e kishin bërë vetë, mes tyre. Shkaku i neverisë së dukshme, iu mohohej mundësia për ta kanalizuar neverinë për ata që e neverisnin. Një shembull edhe më domethënës është numri i serbëve që jetojnë në Prishtinë. Nga 300 mijë banorë, rezulton se në kryeqytetin tonë jetojnë vetëm 17 serbë. Mbaj mend se para luftës Prishtina ishte e mbushur me serbë. I hasje ngado. Por, 18 vjet pas lufte, serbët e Prishtinës janë zhdukur. Kryeqyteti duhej të ishte vendi i qarkullimit të vlerave, pranimit të tjetrit, i njerëzve më mendjehapur. Por, Prishtina jonë është edhe më provinciale e mospranuese se çdo qytet tjetër në Kosovë. Të krijosh ambient mospranues për një grup etnik që dikur e përbënte gati gjysmën e banorëve – nënkupton të kesh një marrëdhënie në themel të falsifikuar me mutin. Mospranimi është një element kyç në atë marrëdhënie. Dhe shqiptarët e Kosovës, po dështojnë tash e dy dekada të pranojnë se edhe ata e bënë mut gjatë luftës. Edhe ata vranë civilë të pafajshëm. Dhe se, brenda tyre nuk ka asgjë gjenetikisht më humane se te serbët. Askund më shumë se në Prishtinë nuk vërehet tendenca për falsifikimin e imazhit. Prishtinasit e dy dekadave të fundit lëngojnë të ndihen të neveritur. Gjë e cila transformohet pastaj në racizëm, e në përbaltje të tjera. Por, dëbimi i serbëve nuk është i lidhur vetëm me serbët. Këta të fundit nuk mund ta falsifikonin radikalisht imazhin e tyre, siç ndodhi me fshatarët e ardhur në Prishtinë. Në rastin e tyre, ky do të ishte asimilim etnik. Në rastin e shqiptarëve, kjo që ndodhi u kuptua si ‘urbanizim estetik’.

Pra, kjo shkëputje ose ky ekskomunikim i mutit, mësyn ravijëzimin e idesë së njeriut pa mut, e njeriut të pastër. Dhe, siç e thamë, në të qenët themelisht i pastër, qëndron e drejta e tij për neveritje. Nuk ka shoqëri më të rrezikshme politikisht se ato që neveriten. Se ato ku njerëzit nuk e durojnë njëri-tjetrin. Ku njerëzit shahen, tallen, përçmohen, shpërfillen – njësoj si vetë muti. Kjo neveri është rrjedhojë e konceptimeve të pastërtisë që shoqëria ushqen për veten. Ky është rreziku në të konceptuarit e shqiptarit – si një qenie nënëterezore, të butë e të urtë, e humane. Mes rreshtash, duke e kritikuar dënimin me vdekje, Albert Camus shkruan se “të pohosh se një njeri duhet absolutisht të zhduket nga shoqëria sepse është absolutisht i lig, do të thotë që kjo shoqëri është absolutisht e mirë, gjë që askush me dy dije mend në kokë nuk ka si ta pranojë në kohën e sotme.”[2] Neveria është vegël politike. Dhe pikërisht përmes konceptimesh të tilla për veten – fuqizohet e drejta për neveritje a shpërfillje të plotë (p. sh. dënimi me vdekje). Pikërisht kjo është rëndësia që paraqet ndarja me mutin, ligësinë, dhe fëlliqjen e vet.

Praktikisht, përmes simulimit të neverisë ndodh çpushtetimi i plotë i individëve dhe grupeve të caktuara. Nuk ka asgjë më të papeshë se një individ a një grup shoqëror që ndjell neveri. Shoqëria kosovare poashtu ka prirje për organizimin e një imazhi (të gjallë e prandaj organik) papërcaktueshëm të pëlqyeshëm për veten – me qëllim që të ketë një bazë për t’u ndjerë e neveritur. Dhe mbi atë neveri, pastaj mund të thuren ironi, cinizma, sarkazma, e madje edhe teori mbi ata që kanalizohen njësoj si muti.

Sepse, mos të harrojmë, shoqëria e harron mutin e saj, si një fëmijë të padashur. Kjo marrëdhënie me mutin e tij, ia qet në dritë njeriut falsifikimin fillestar të imazhit. Falsifikim që mund të zgjatohet pastaj në aspektin moral (i pamoralshmi), intelektual (injoranti), artistik (kiçi) e politik (idioti). Përcillet ideja që autoritetet morale, intelektuale, artistike e politike, nuk kanë asnjë lidhje me fëlliqjen.

Kanalizimi i mutit, edhe në shoqërinë tonë, më shumë lidhet me shtresat pushtetore të painstitucionalizuara. Kosova (në veçanti Prishtina) është vend i neverive të mëdha. I përqeshjeve, talljeve e sharjeve.  Pa një bazë të falsifikuar, asnjë nga këto evente sociale nuk do të ndodhte. Vetëvendosje, parti politike e dhënë krejtësisht pas këtij falsifikimi në imazh, e ka bërë pjesë të mekanizmit propagandues sarkazmën dhe përqeshjen. Pastaj, me perversitetin më mizor, shoqëria jonë i ka bërë figura publike disa individë veç sa për të kënaqur nevojën për përqeshje e tallje. P. sh. Linda Morinën. Shkëputja nga muti, ka krijuar praktika të përçudshme morale që merren edhe si të vetëkuptueshme. Gjysma e shoqërisë, meshkujt, vendosin standarde të dyfishta për marrëdhëniet seksuale në lidhje me gratë. Nëse gratë kanë përvojë të njëjtë seksuale me ta, neverisin dhe kanalizohen si kurva.

Neveria më e re me të cilën u ndesha së fundi, ishte ajo ndaj ‘viktimizimit’. Dhe mbase kjo hedh dritë mbi 17 serbët e Prishtinës. Ky shkrim u nis nga reagimet e çuditshme ndaj dy statuseve në Facebook të kryeministrit Mustafa. Ai shkroi me shumë të drejtë kundër dhunuesve të Kuvendit, kundër kapësve të shtetit, e kundër një opinioni publik që heshti kur po i dhunohej demokracia e saj. Isë Mustafa po viktimizohet – u tha. Shihni sesi, pjesë e mutit, pjesë e ekskomunikuar e shoqërisë sonë, është edhe fjala e një viktimë tashmë. Për viktimën nuk ka vend në shoqërinë tonë. Fjala i takon egërsirës, atij që sulmon e vret, atij që dhunon. Kjo përpjekje mund t’i duket dikujt niçeane, por nuk ka lidhje me të. Dhuna tregon pamjaftueshmërinë, dhe pamundësinë për të fituar brenda një loje të caktuar pushteti. Mbinjeriu i Niçes nuk lindet nga dhunues humbës e të frikësuar, por nga një komb vetmitarësh – siç shprehet Zarathustra. Çka ka lidhje kjo me serbët? Epo, para tyre ne mund të përftojmë ndjesinë e viktimës, dhe ky mund të jetë shkaku që kryeqyteti është bërë aq kërcënues dhe mospranues ndaj tyre.

Shoqëria kosovare dëshiron ta mendojë veten si represive. Sepse është ende brenda qarkut të mbyllur: dhunues–viktimë. Dhe viktimat po i shkojnë nerva. Nuk dëshiron të merret me të dhunuarat e luftës, të zhdukurit, të vrarët, e të dëbuarit. Nuk sheh matanë dhunës. Ka ose shkaktues ose pësues të dhunës. Jashtë dhunës, s’ka asgjë.

Shoqëria jonë i ka degdisë në fatin e mutit edhe mbetjet e saj kulturore. I prapambeturi, ashiqare është muti i kësaj shoqërie. Madje, edhe politikisht. Qe një kohë të gjatë shoqëria ka lënguar për një parti urbane. Me dukje të tillë. Epo, ja ku e ka një, me themele primitive e dukje urbane. Shkëputja e plotë nga gjërat neveritëse, ka bërë që të prodhohen tepër shumë imazhe të rreme, hije, prej të cilave rrezikojmë fatin që na e përcaktonte kanuni: atymbetjen e përhershme.

Se jemi në një falsifikim të përngutshëm tregon edhe neveria që pulson gjithandej për gjithçka të dikurshme e të këtushme. Fillimisht mund të përmendim ndarjen nga emrat: A nuk perceptohet përgjithësisht si neveritës emri Mahmut? Ndërkohë, një grumbull emrash të pakuptimtë, pa asnjë lidhje me diçka, e kanë pushtuar listën e ditarëve të shkollave. Edhe emri Mut tingëllon bukur, por ka qëlluar shenjues i diçkaje të neveritshme.

Pranimi i tjetrit, qoftë mysliman i devotshëm, qoftë serb, qoftë provincial a patriarkal – do të mund të ndodhte vetëm nëse do ta pranonim mutin, injorancën ontologjike, e të këqijat e tjera brenda nesh. Nëse e mendojmë veten si të përkryer – atëherë në një anë do t’i degdisim të gjithë në fatin e mutit – e në tjetrën, folur me termat e Ortega y Gasset, nuk do të ndiejmë nevojën për kurrfarë përparimi përmbajtjësor.

___________________________________

[1] http://www.sheknows.com/health-and- wellness/articles/1040269/have-you- adopted-the- proper-pooping-
position-yet

[2] Camus, Albert, Para Gijotinës, Tiranë, Iliria, 1999

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.