Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Muzika në shërbim të urrejtjes

“Në një restorant të vogël e të bukur në Stamboll po darkoja me miqtë nga vende të ndryshme të Ballkanit – një grek, një maqedonas, një turk, një serb dhe unë, një bullgare. Gjatë bisedës filloi një këngë, dhe sapo u dëgjua nga të gjithë, filluam ta këndonim, secili në gjuhën e tij. Kjo melodi muzikore ngjalli një debat mes nesh, ku secili pohonim me këmbëngulje se kënga i përkiste vendit të secilit prej nesh. Kështu u gjendëm të kapur në një polemikë të ashpër mes vete sa që diskutimet shkuan deri në atë pikë ku edhe i dhamë fund darkës. Secili ishim lënduar e prekur shumë. E kujt është kjo këngë?!, vazhdimisht ia shtroja vetes këtë pyetje, sepse ngjarja  e Stambollit nuk më la asnjëherë në qetësi. E kam ditur që nga fëmijëria se ajo këngë, ajo melodi ishte bullgare”. Kështu e nis filmin dokumentar “Whose is this song” të vitit 2003, regjisorja bullgare Adela Peeva.

Ajo përmes këtij filmi dokumentar fillon të hulumtojë origjinën kombëtare të një kënge të zakonshme e cila këndohet nëpër disa vende të Ballkanit dhe gjatë këtij rrugëtimi zbulon se përgjigja nuk është edhe aq e thjeshtë. Në secilin nga këto vende që shkon, kur fillon dhe i pyet njerëzit se e kujt është kjo këngë, pasi që ata ta kenë dëgjuar melodinë, secili nga ta pohon se është e vendit të tyre. Një këngë e zakonshme, një melodi që askujt nuk do t’i shkonte mendja se nuk u përket atyre, për një moment shndërrohet në diçka të jashtëzakonshme.

Kënga nëpër vende të ndryshme (në Turqi, Shqipëri, Bosnje, Serbi dhe Bullgari – vendet në të cilat shfaqet filmi dokumentar “Whose is this song”) shfaqet edhe në forma të ndryshme. Diku si një këngë dashurie, diku si një himn fetar, diku si një marsh ushtarak, e diku si këngë e muzikës së lehtë. Ajo çka shpërfaqet përmes këtij filmi dokumentar është urrejtja që këta popuj ballkanikë kanë për njëri-tjetrin. Edhepse filmin dokumentar regjisorja Peeva e bënë me qëllim që ta kuptojë origjinën e kësaj kënge, rrugës shfaqen pengesat, sepse hasmëria ka bërë që këta popuj të mos i bashkojë as muzika.

Ne zakonisht kur dëgjojmë një këngë, edhe atëherë kur tekstin e saj nuk e kuptojmë aspak, por thjesht tingulli i saj na bën që të buzëqeshim, të vallëzojmë ose edhe të qajmë, kjo ndodh, me gjasë, se neve na pëlqen dhe nuk na bën përshtypje se në çfarë gjuhe është. Mirëpo, kjo nuk i ndodh regjisores Peeva, dhe kështu nuk ndajnë të njëjtin mendim edhe të intervistuarit e saj në film. Ata mburren se kjo këngë u takon atyre dhe vetëm atyre, se popujt e tjerë mund ta këndojnë, por e kanë vjedhur prej tyre.

Siç e kemi të njohur edhe nga historia, edhe arti në përgjithësi dhe muzika në veçanti përvetësohet e bëhet mjet propagande në duar të politikës. Madje edhe kritika thelbësore që i bëhet artit është kur ai shpesh di të ‘vallzojë’ edhe me politikën. Kur arti ngjizet me politikën, ai romantizohet. Romantizimi i fsheh ndjenjat, thekson urrejtjen. Kjo lloj muzike nuk është pompë që ngop shpirtin, por në momente të caktuara ushqen urrejtjen. Kombet që mëtonin ta zhduknin njëri-tjetrin, mbusheshin me një emocion vëllazërisht identik tek dëgjonin zallamahinë e Marshit funebër të Shopenit, apo Simfoninë heroike të Bethovenit (M. Kundera). Duket se ngjashëm ndodh edhe me popujt e Ballkanit. Edhe këta popuj dëgjojnë të njëjtën muzikë, të njëjtin tingull para se të nisen për ta vrarë njëri-tjetrin. Në mes tyre gjithçka helmohet lehtësisht, madje edhe gjërat më normale sikurse është muzika.

Pra, ajo çka na paraqitet në filmin “Whose is this song” janë emocionet e fuqishme kundër tjetrit, një nacionalizëm kokëfortë që këta popuj kanë në mes vete. Madje, mbrapa idesë së e kujt është kjo këngë, pra mospranimi se i përket dikuj tjetër, (ri)thekson edhe tërë ngrehinën historike e cila konteston gjithçka që eventualisht mund t’i përkasë tjetrit. Këta popuj të Ballkanit nuk pajtohen as për të kaluarën, sepse aq shumë lavdi i kanë thurur vetes sa që është e vështirë t’i kthehen realitetit. Këta popuj po ashtu, nuk pajtohen se kush është më i vjetri ose se kujt i përket toka në të cilën jetojnë. Zhvillojnë një mendësi sikur nesër tjetri do të zhduket vetë ose do të na duhet ta zhdukim ne. Tjetri nuk përjetohet si mundësi, por si tmerr që një ditë duhet asgjësuar. Gjithçka që tjetri prodhon, cilësohet si e keqe edhe kur ajo është muzikë.

Pra, Ballkani është një rajon ku dominohet nga urrejtja dhe, edhe një nismë e padjallëzuar (sepse në Ballkan duket sikur gjithçka është e djallëzuar ose duhet besuar si e tillë), për të kuptuar se ku e ka origjinën një këngë që e këndojnë pothuajse të gjithë, duket se përfundon si një eksplorim sociolo-psikologjik dhe historiko-politik i keqkuptimeve të thella midis njerëzve.

Edhe pse ky dokumentar nuk ka ndonjë tendencë politike, kërkimi i identitetit të një kënge tregon krizën identitare të këtyre popujve. Tregon, gjithashtu, se sa e vështirë është të diskutojnë mbi trashëgiminë e tyre. Sensi i përvetësimit të gjithçkaje, duket sikur këtyre popujve ua ka pamundësuar edhe komunikimin normal. Kjo ka bërë që njerëzit mes vete të kenë një padurueshmëri të theksuar. Tjetri nuk mund të jetë i mirë në asnjë rrethanë, qoftë edhe në muzikë. Dhe në njëfarë forme, jo se ishte qëllimi, duket se këtë dokumentar e kuptimëson edhe fundi i tij, kur në një festë në një fshat bullgar, afër kufirit me Turqinë, pjesëmarrësit duke vallëzuar dhe duke kënduar edhe këtë këngë, hedhin fishekzjarre, dhe për një çast merr flakë lëndina dhe njerëzit detyrohen të ikin, sepse, siç e thekson edhe vetë regjisorja e këtij dokumentari: mjaftojnë disa shkëndija të vogla që ta ndezin një zjarr të madh.

Ngjashëm edhe në mes të popujve të Ballkanit janë bërë luftërat duke kënduar të njëjtat këngë dhe se shpeshherë përgjatë historisë kjo hapësirë është bërë e pajetueshme. Prandaj, edhe dokumentari duket se na i shpërfaqë raportet e vrazhda që kemi mes vete dhe sikur na thërret në komunikim. Të komunikojmë, kjo është rruga. Që të njihemi në mes vete, edhe të çlirohemi nga paragjykimet, por edhe të çlirohemi nga vetëkurthimi duhet ta pranojmë njërit-tjetrin. Përndryshe, nëse vazhdohet kështu, atëherë do të armiqësohemi edhe me muzikën.

Author

  • Dritan Dragusha

    Dritan Dragusha është i diplomuar në filozofi, në Universitetin e Prishtinës. Dritani është i fokusuar në teori të kulturës dhe gjithashtu në letërsi, kinema dhe muzikë. Po ashtu, merret edhe me gazetari. Është kolumnist i rregullt në platformën online "sbunker.net". Ka qenë edhe mësimdhënës i filozofisë dhe etikës në "The British School Kosova". Bashkautor në projektin kulturor televiziv "Filozofema", në Radio Televizionin e Kosovës. Aktualisht Dritani është autor dhe moderator i emisionit "Prizma", në televizionin T7.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.