Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Narracionet kundërshtuese dhe e vërteta e plotë

”Më duhet e vërteta dhe një aspirin”

Fernando Pessoa

Mbi atë se si ndërtohet e vërteta dhe si dekonstruktohet ajo. Për narracionet kundërshtuese që garojnë ndërmjet vete për të qenë gardiane të së vërtetës. Si dhe për copëzat e shpërndara të së vërtetës që, ashtu të ndara siç janë, paraqesin të vërteta subjektive, të mangëta dhe manipuluese.     

Më trego kush je dhe të tregoj se cila është e vërteta jote. Cilës parti i takon, pozitë apo opozitë, cilës organizatë a institucion, a je militant, OJQ, medium apo studiues, dhe jam goxha i sigurt se e di se cili është narracioni yt. Ky shkrim nuk e ka për fokus gënjeshtrën në diskursin publik, por vetëm të vërtetën. Mirëpo e vërteta rrallë jepet e plotë dhe pa ekuivoke, sidomos në politikë. Ky shkrim mëton të sqarojë se si e vërteta përbëhet nga dromca të saj, të shpërndara nëpër narracione përherë kundërshtuese dhe konfliktuoze me njëra tjetrën.

***

Diskursi publik mbi politikën është fushë me mina, sidomos në momente çarjesh e përplasjesh të mëdha. Gara për të vërtetën është e pamëshirshme, jo fer dhe e padrejtë. Ekzistojnë një sërë narracionesh që i bëjnë konkurrencë njëra tjetrës dhe si të tilla garojnë për monopolizim të të vërtetës. Është e vërteta e partisë në pushtet, ashtu siç ajo i sheh gjërat. Është e vërteta e partisë në opozitë që shpesh ka këndvështrim diametralisht të kundërt me pushtetin. Është e vërteta e medias, apo e mediave, më saktë të thuhet. Pastaj ajo e shoqërisë civile. Pastaj ajo e analistit, studiuesit. Në total, këto përfaqësojnë secila në mënyrën e vet pjesë përbërëse të atij mozaiku të larmishëm që do ta quaja e vërteta e plotë, totale.

Që të jem më konkret: ne përcjellim zhvillimet politike dhe jemi dëshmitarë të asaj se si diskursi publik ngarkohet me narracione kundërshtuese dhe përjashtuese. Nëse ti, lexues, je në zgripc të dëshpërimit sepse narracionet që të servohen nga mediat apo rrjetet sociale janë kontradiktore me njëra tjetrën dhe rrjedhimisht ti nuk di se çfarë të besosh, rri i qetë së fajtori s’je ti. Kjo ngase nuk është vetëm një e vërtetë. Ndoshta sepse e vërteta e plotë është marrë, është copëtuar shumëfish dhe është hedhur gjithandej debatit publik. Pra, bën mirë që ne të jemi të vëmendshëm për narracionet e ndryshme të diskursit publik, të burimeve të atyre narracioneve dhe motiveve të tyre. Kur të kemi bërë këtë atëherë mund ta zhveshim kakofoninë nga diskursi publik, dhe të shohim të qartë mozaikun e të vërtetës së përçarë.

***

Në këtë orvatje të shkurtër ontologjike dëshiroj të hedh dritë mbi atë se si ndërtohet e vërteta, por edhe se si çmontohet ajo. Pra, si ekziston e vërteta dhe prej nga origjinon ajo. Konkretisht, në Kosovë, qeveria e re e 14 shkurtit është ende brenda 100-ditëshit të qeverisjes së saj, mirëpo tashmë është e qartë tendenca e tyre që të baltoset çdo gjë që ka të bëjë me qeveritë paraprake, sidomos këtë të fundit. Kur merret një vendim p.sh. për ndryshim të skemës pensionale, fajësohet qeveria paraprake. Kur publikohen listat e përfituesve të bizneseve nga pakoja e rimëkëmbjes, qëllimi është të atakohet ish-qeveria për keqmenaxhim e keqeverisje. Mediat akuzohen për shpifje apo cënim të konfidencialitetit të marrëveshjes për vaksinat. Në anën tjetër, për partitë opozitare, ndryshimi i skemës pensionale është thikë pas shpine për pensionistët. Publikimi i listës së përfituesve është populizëm i pastër. Ndërsa për media, reagimi i qeverisë kundër tyre është atakim i drejtpërdrejtë ndaj fjalës së lirë. Këto pikëpamje të skajshme pastaj amplifikohen nga radhët e pambarim të militantëve që trumbetojnë nëpër rrjete sociale të vërtetat e zotërve të tyre politik. Mediat pastaj hyjnë në lojë, me debatet e pafundta politike, dhe në një shou grotesk marrin qëndrim karshi këtyre ekstremeve të diskursit publik.

Është e qartë që këto lloj qëndrimesh ekstreme janë atraktive për publikun sepse e vërteta që plasohet është e thjeshtë dhe pa komplikime (ne jemi të mirë, ata të këqij), gjë që ia lehtëson publikut të marrë anë pa telashe. Në situatë të problemeve të thella sociale, reagimi ynë refleksiv është të gjejmë fajtorin sa më shpejt dhe sa më thjeshtë.

Por kjo nuk përbën të vërtetën e plotë. Një diskurs i tillë publik mjaftohet me spektaklin momental, me shikim tejet sipërfaqësor të analizimit të gjërave. Narracioneve të tilla përjashtuese u mungon konteksti dhe perspektiva. Një nga përparësitë e të qenit jashtë politikës dhe, rrjedhimisht, edhe jo i influencuar apo kushtëzuar nga politika, është të ofrosh mendim më kritik dhe më gjithëpërfshirës në diskursin publik. Kështu, për një studiues të mirëfilltë, me rëndësi kapitale është e vërteta e plotë, sido që të jetë ajo, me plot ngjyrimet e saj, e pandikuar dhe e patrazuar nga militantizmi refleksiv apo interesi miopik partiak. Mirëpo për të arritur te kjo e vërtetë kërkohet analizë e detajshme e çështjeve të diskursit publik, si dhe baraspeshim i narracioneve të sipërpërmendura kundërshtuese. Kërkohet që t’i jemi besnik jo zotërave politik apo interesave të ngushta partiake a politike, por të tregojmë guxim dhe integritet intelektual, mbështetur në parim të paanshmërisë dhe objektivitetit.

***

E vërteta është e përçarë, e shpëndarë gjithandej fushës me mina të diskursit politik publik. Qeveria promovon të vërtetën e saj, të ndërtuar mbi narrativën e krijimit të politikës së re mbi rrënojat e regjimit të vjetër. Të luftimit të korrupsionit dhe zhvillimit ekonomik. Opozita lufton për të vërtetën e saj, duke mëtuar të na bindë për mashtrimin e madh të qeverisë së re, për joefikasitetin e tyre në qeverisje. Militantët e secilit krah u mëshojnë daulleve të militantizmit deri në shurdhim. Mediat, në anën tjetër, kanë kundërshtitë e tyre në mes vete, si dhe me qeverinë. E vërteta e tyre në përgjithësi është mbrojtja e fjalës së lirë, anipse për shumëkë në qeveri kjo shpesh përkon qëllimshëm me shpifje. Kurse për ne është me rëndësi të mbajmë në mend se asnjë nga këto narracione nuk e posedon të vërtetën e plotë. Ajo gjendet e shpërndarë anekënd diskursit publik. Neve na mbetet të kuptojmë kush është ai që plason të vërtetën e vet, cili është motivi i tij, dhe si kontribuojnë këto të vërteta kundërthënëse në plotësimin e mozaikut tonë mbi të vërtetën e plotë. Që pastaj ne vetë të determinojmë cila është e vërteta e përgjithshme, e distiliuar nga tërë ky mozaik i larmishëm e kundërshtues.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.