Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

NATO dhe Ushtria e Kosovës

Në kohën e paqartësive dhe një situate gjithnjë e më të pasigurt në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Kosova ka mbetur nën hijen e këtyre zhvillimeve dhe proceseve rajonale, veçanërisht nga dialogu me Serbinë dhe pengesat për anëtarësim në organizata rajonale e ndërkombëtare. Megjithatë, një dritë në fund të tunelit u vërejt në fund të vitit 2016 sa i përket marrëdhënieve komplekse të Kosovës me NATO-n. Ani pse pa u vënë re, mund të thuhet se Kosova shënoi një progres sado të vogël, meqë nga viti 2017 Kosova do të mund të marrë pjesë në disa prej programeve të NATO-s.

Kjo erdhi pas kërkesës së Qeverisë së Kosovës, e cila në vitin 2015, ndër të tjera, i kishte kërkuar NATO-s vendosjen e marrëdhënieve zyrtare e politike me Kosovën për t’i hapur rrugë integrimit të Kosovës në NATO. Megjithatë, përgjigja e NATO-s drejtuar institucioneve kosovare në dhjetor të vitit 2016 dëshmon se Kosova gjendet larg nga vendosja e marrëdhënieve kontraktuale e politike me NATO-n.

Aq larg është Kosova nga NATO-ja saqë edhe kur zyrtarë të lartë të NATO-s takohen me drejtuesit a zyrtarët e institucioneve të Kosovës, qoftë në Prishtinë apo Bruksel, atyre u referohen në kapacitetin privat, por jo edhe në atë zyrtar (si për shembull kryeministrit të Kosovës i adresohen si “Isa Mustafa i Kosovës”, por jo si” kryeministri i Kosovës”).

Pavarësisht kësaj, pengesat politike në NATO janë shmangur sa për t’i mundësuar institucioneve të Kosovës të hyjnë në një bashkëpunim minimal. Me një gjuhë tepër të kujdesshme, NATO-ja i ka ofruar Kosovës bashkëpunim në formën e “ndërveprimit”, por duke mos e trajtuar Kosovën si shtet, vend partner i NATO-s dhe as duke mos i dhënë dritë të gjelbër nisjes së dialogut politik Kosovë-NATO. Duke marrë parasysh vendimmarrjen e strukturave të NATO-s, duket që rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në programin e Partneritetit për Paqe dhe në NATO do të marrë më shumë kohë se që është menduar. Kjo po ndodh për shkak se katër vende anëtare të NATO-s nuk e kanë njohur Kosovën dhe për më tepër bllokojnë vendosjen e marrëdhënieve zyrtare me Kosovën. Si njëri nga zërat më kritikë shquhet Spanja, e cila vazhdon të kundërshtojë fuqishëm avancimin e raporteve të Kosovës me NATO-n në nivel politik, duke bllokuar kështu integrimin në NATO (më shumë lidhur me raportet Kosovë-NATO, shih analizën e fundit të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë

Por, Qeveria e Kosovës duhet të shfrytëzojë dobitë që do të sjell ky bashkëpunimi i ri, duke kërkuar përfshirje aktive dhe të plotë të institucioneve të vendit në programet e NATO-s me qëllim të avancimit të marrëdhënieve dhe thellimit të raporteve të ndërsjella. Kjo padyshim duhet të pasohet me një angazhim më konkret e serioz të qeverisë kosovare që në bashkëpunim me vendet përkrahëse në NATO të bëhen përpjekje për zbutjen e qëndrimeve të katër vendeve anëtare të NATO-s ndaj Kosovës. Ndërsa, institucionet e vendit duhet të veprojnë sa më shpejt lidhur me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK), gjë që do të përmbyllte njërin prej cikleve të shtet-ndërtimit në vend.

Ushtria e Kosovës – nevojë emergjente

Themelimi i ushtrisë së Kosovës, gjegjësisht transformimi i FSK-së në FAK do të shënonte kompletimin e strukturave të sigurisë dhe mbrojtjes së Kosovës. Sidoqoftë, që prej arritjes së kapaciteteve të plota operative të FSK-së në vitin 2013 dhe deri më tash institucionet e vendit nuk kanë treguar mbase as seriozitetin më të vogël për të bërë hapin e madh, atë të formimit të ushtrisë. Përfaqësues të institucioneve janë mjaftuar me deklarata dhe retorikë boshe se NATO mbështet transformimin e FSK-së në FAK, ndonëse kjo ka rezultuar të jetë e pavërtetë, meqë NATO nuk ofron përkrahje të tillë. Aq më pak në rastin e Kosovës kur dihet se shtetet anëtare të kësaj organizate janë të ndara sa i përket kësaj çështje. Prandaj, tema e transformimit të FSK-së në FAK më shumë ka shërbyer për konsum të brendshëm politik ndërmjet partive në pushtet (madje edhe tani kur ka kërcënime serioze nga Serbia ndaj integritetit territorial të Kosovës) sesa që ka pasur në të vërtetë ndonjë rezultat konkret të institucioneve kosovare për ndërtimin e komponentëve mbrojtëse dhe ushtarake në vend.

Në këtë drejtim, krahas thellimit të raporteve me NATO-n, Kosova duhet të fokusohet sa më shpejt për gjetjen e zgjidhjeve dhe modaliteteve për ndërtimin e kapaciteteve operative të mbrojtjes. Në pamundësi të transformimit të FSK-së në ushtri përmes ndryshimeve kushtetuese, Qeveria e vendit do të duhej që maksimalisht t’i përkushtohet punës për ndryshimin e legjislacionit aktual për FSK-në për ndryshimin e atyre dispozitave ligjore në lidhje me kufizimet sa i përket kompetencave, armatimit dhe numrit të personelit të FSK-së. Duke e marrë parasysh që në Kushtetutën e Kosovës nuk ekzistojnë kufizime sa i përket këtyre elementeve të FSK-së, atëherë nuk ka më kohë të pritet dhe të zvarritet kjo çështje. Për më tepër, institucionet përkatëse të vendit duhet të bëjnë ndryshimet e nevojshme në legjislacionin e FSK-në në mënyrë që ta bëjnë këtë të fundit forcë ushtarake për t’i marrë autorizimet përkatëse në fushën e mbrojtjes.

Për realizimin e këtij plani nuk ekzistojnë kurrfarë pengesash, gjegjësisht nuk kërkohet dy e treta e votave të deputetëve në Kuvendin e Kosovës nga komunitetet pakicë (sikurse është rasti me ndryshimet kushtetuese). Për ndërmarrjen e këtij hapi nevojitet vullnet politik dhe guxim i liderëve të institucioneve kosovare, gjë që nuk është dëshmuar deri më tani të paktën. Duke mos i përdorur si arsyetime “veton” e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës (për të cilën kanë kontribuar edhe vet institucionet) dhe pamundësinë e transformimit të FSK-së si pasojë e mos-unitetit të NATO-s, ekzekutivi i vendit duhet që në bashkëpunim me shtetet e NATO-s që kanë njohur pavarësinë e Kosovës t’i jepet mandat ushtarak FSK-së përmes ndryshimeve ligjore. Për më tepër, shtetet përkrahëse me peshë në NATO tashmë veçse kanë shprehur mbështetjen e tyre në favor të shndërrimit të FSK-në FAK, dhe janë të gatshme të ndihmojnë në konsolidimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.

Rëndësia e themelimit të ushtrisë së Kosovës duhet të shqyrtohet në disa plane. Sipas vlerësimit të ambientit të sigurisë në vend, Kosova, sikurse shtetet tjera sovrane, ka të drejtë t’i ketë Forcat e veta të Armatosura duke e ditur se forcat ushtarake të KFOR-it në Kosovë nuk do të qëndrojnë përgjithmonë.

Edhe pse mandati i KFOR-it në Kosovë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk është afatizuar në aspektin kohor, megjithatë Kosova duhet të zhvillojë komponentin e vet mbrojtës e ushtarak për t’i marrë përgjegjësitë nga KFOR-i, kur NATO-ja të vendosë për tërheqjen e trupave të veta nga territori i Kosovës.

Ndërkohë, duke marrë parasysh turbullirat gjeopolitike dhe tendencat për ri-formësimin e rendit botëror ku shtetet individualisht janë duke investuar në fushën e mbrojtjes (duke mos i varur shpresat aq shumë në organizatat ndërkombëtare, siç është NATO-ja), atëherë kjo shtron nevojën që Kosova urgjentisht të ketë ushtrinë në bazë të nevojave të veta për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, kërcënimi i sigurisë në Kosovë dhe rajon nga Serbia e bën më shumë se të domosdoshme krijimin e ushtrisë së Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit. Kjo do të parandalonte çfarëdo kërcënimi apo rreziku të sigurisë së territorit të Kosovës nga Serbia dhe do të ndryshonte qasjen aktuale ku nga të qenit konsumues, Kosova do të bëhej kontribuues i drejtpërdrejtë në fushën e sigurisë rajonale.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.