ENQA: Evropa Na Qiti prej Arsimit të lartë dhe padyshim që do të kemi pasoja në mësimdhënie dhe mësimnxënie kualitative në arsimin e lartë, rënie të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe mungesë të ekspertëve për akreditim të programeve. Për të shkuar në nivel edhe më lokal dhe të prekshëm për lexuesit, po bëj një ndërlidhje në mes të përjashtimit nga ENQA dhe raportit “Vlerësimi i Nevojave në Arsimin e Lartë në Kosovë”. Këtë raport hulumtues kam përpiluar për MASHT-in në suaza vullnetare për të treguar një gjendje momentale në UP duke kontaktuar direkt përmes intervistave të gjysmëstrukturuara me 62 profesorë respondentë; 3 dekanë dhe 56 studentë. Me fjalë të thjeshta, i kam pyetur studentët dhe profesorët e UP-së se për çfarë kanë nevojë nga MASHT që t’u përmirësohet eksperienca në UP.
Nevojat kryesore të identifikuara nga profesorët janë:
– Ambient i përshtatshëm për mësimdhënie;
– Literaturë në gjuhën shqipe dhe qasje në librari ndërkombëtare;
– Zgjerim dhe përmirësim i bashkëpunimit ndërkombëtar;
– Burime për përpilimin e temave akademike në nivelin master dhe doktoraturë;
– Përputhshmëria e ligjëratave me kërkesën e tregut;
– Mekanizëm për matjen e performancës së profesorëve;
– Mbështetje dhe avancim i profesoreshave në pozita udhëheqëse.
Nevojat kryesore të identifikuara nga studentët janë:
– Ngritja e cilësisë dhe standardit të përgatitjes së studentëve;
– Ambient i përshtatshëm për mësimnxënie;
– Qasje në më shumë materiale mësimore dhe hulumtuese;
– Takime ose komunikime më të shpeshta me profesorë pas ligjëratave;
– Zyre funksionale për zhvillimin në karrierë dhe tregun e punës.
Këto nevoja kryesore do të rregulloheshin dhe përmbusheshin nga standardet e përcaktuara nga ENQA sipas dokumentit “Standardet dhe Udhëzimet për Sigurimin e Cilësisë në Hapësirën Europiane të Arsimit të Lartë”. Këto standarde përfshijnë sigurimin i brendshëm të cilësisë, sigurimin e jashtëm të cilësisë, dhe agjencitë për sigurimin e cilësisë. Si shtesë, këto standarde evropiane për sigurim të brendshëm të cilësisë përfshijnë gjenerimin e politikave të qarta për sigurimin e cilësisë, qartësimin e hapave dhe objektivave për hartimin dhe miratimin e programeve, dhe mësimdhënie/mësimnxënie aktive e studentëve. Si shembull, njëra nga udhëzimet për sigurimin e cilësisë është që institucioni i arsimit të lartë “respekton dhe ndjek diversitetin e studentëve dhe nevojave të tyre, duke i mundësuar metoda mësimore fleksibël.” Në këtë dokument ka standarde të specifikuara për secilën komponentë të arsimit të lartë që pak a shumë do të thotë që kemi pasur mekanizmin për plotësimin e nevojave të studentëve dhe profesorëve në UP, por kemi humbur këtë mekanimzëm me përjashtimin nga ENQA.
Ndërkombëtarizimi i Arsimit të Lartë
Arsimi i Lartë në Kosovë, përmes Planit Strategjik, thekson bashkëpunimin ndërkombëtar si një nga synimet kryesore për zhvillim. Plani Strategjik i Arsimit të Kosovës 2017-2021 përfshin qëllimet dhe strategjitë për të gjithë sistemin arsimor në Kosovë. Për sa i përket arsimit të lartë, plani strategjik kryesor është: “Ngritja e cilësisë dhe konkurrueshmërisë së arsimit të lartë përmes nxitjes së përsosmërisë në mësimdhënie, kërkimit shkencor, krijimtarisë artistike, inovacionit dhe ndërkombëtarizimit”. Sa i përket ndërkombëtarizimit në arsimin e lartë në Kosovë, prioritet ka rritja e mobilitetit akademik të stafit akademik dhe studentëve, si dhe pjesëmarrja në programet ndërkombëtare të arsimit të lartë dhe, kërkimet shkencore. Për më tepër, kjo strategji thekson ndërtimin e marrëdhënieve me vendet e tjera nëpërmjet pjesëmarrjes në programet ndërkombëtare të arsimit të lartë për shkëmbimin akademik dhe ndërtimin e rrjeteve të partneritetit ndërkombëtar të bashkëpunimit. Të gjitha këto pikë të theksuara – rritja e mobilitetit akademik, pjesëmarrja në programet ndërkombëtare, ndërtimi i marrëdhënieve me vendet e tjera, shkëmbimi akademik dhe ndërtimi i rrjeteve të partneritetit ndërkombëtar të bashkëpunimit – janë qëllimet e ENQA-s dhe përparësitë e shteteve anëtare në ENQA. Prapë, me përjashtimin nga ENQA, do të kemi zbehje në arritjen e këtyre qëllimeve dhe strategjive që ia kemi caktuar vetes për Arsimin e Lartë.
Ndërkombëtarizimi dhe Profesorët
Nga përgjigjet që kam marrë nga profesorët, rreth 21% e tyre kanë deklaruar se bashkëpunimi ndërkombëtar i UP-së me universitetet e huaja është i kënaqshëm, ndërsa përqindja tjetër (78%) kanë deklaruar se është deri diku mirë ose dobët. Indikatorët që tregojnë pse bashkëpunimi ndërkombëtar nuk është në nivelin e duhur janë:
1. Mungesa e infrastrukturës;
2. Hezitimi i profesorëve të UP-së për shkak të barrierave të gjuhës dhe barrierave akademike;
3. Mungesa e transparencës dhe komunikimit nga menaxhmenti – burokracia;
4. Përzgjedhja jotransparente e profesorëve të UP-së për të përfaqësuar Universitetin jashtë vendit;
5. Mungesa e marrëdhënieve të qëndrueshme me profesorët nga jashtë.
Mbajtja e statusit si shtet anëtar në ENQA do ta ndihmonte Arsimin e Lartë në adresimin e këtyre pikave direkt ose indirekt me plotësimin e standardeve evropiane për arsim të lartë. Gjithashtu, Kosova do të kishte dhe mekanizëm mbikëqyrës për të siguruar transparencë dhe mbajtje të marrëdhënieve të qëndrueshme me universitete ndërkombëtare. Si shembull, njëra nga standardet për mbajtjen e statusit si shtet anëtar në ENQA është “institucionet duhet të kenë financim të përshtatshëm për aktivitetet e mësimnxënies dhe mësimdhënies dhe duhet të garantojnë sigurimin e burimeve të përshtatshme dhe të gatshme të mësimit dhe mbështetjen e studentëve.” Me fjalë tjera, Kosova do të duhej të kishte alokuar fonde të mjaftueshme për të siguruar infrastrukturë të nevojshme për mësimdhënie dhe mësimnxënie të suksesshme, dhe ENQA do të monitoronte nëse Kosova ka përmbushur këtë standard.
Ndërkombëtarizimi dhe Studentët
Nga përgjigjet që kam marrë nga studentët, 78.6% kanë deklaruar se janë të interesuar të vijojnë të paktën një semestër në një Universitet tjetër; pra, studentët janë të interesuar në zhvillimin e bashkëpunimit me universitete të huaja. Indikatorët që tregojnë pse studentët në numër të madh hezitojnë në shkojnë në universitete të huaja janë:
1. Mosnjohja e gjuhës së folur në universitetet e huaja (angleze, gjermane etj.);
2. Nivel më i ulët i përgatitjes si student;
3. Nivel më i mangët në aftësitë hulumtuese dhe të shkruarit;
4. Gjendja ekonomike.
Sipas përqindjeve, studentët hezitojnë të vijojnë të paktën një semestër në një universitet tjetër për shkak se nuk ndihen të përgatitur si student (39%), mosnjohja e gjuhëve të huaja (34%) dhe niveli i mangët në aftësitë hulumtuese dhe të shkruarit (24%).
Të gjitha këto gjetje duhet të shërbejnë si sinjal për politikëbërësit dhe akterët në arsimin e lartë në Kosovë. Studentët tanë ndihen inferiorë kundrejt studentëve ndërkombëtarë për nga ana e aftësimit akademik – e kjo po patjetër që duhet të jetë shqetësuese për ne si shoqëri. Standardet evropiane për arsim të lartë kanë për qëllim përmirësimin e cilësisë dhe adresojnë këto mangësi që mendojnë që i kanë studentët tanë, e plotësimi i këtyre standardeve ka qenë kushti për vazhdimin e anëtarësimit në ENQA. E tash pasi u përjashtuam, çka do të ndodhë me inferioritetin që e ndjejnë studentët tanë?