Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Ndërmjet fanatizmit dhe skizofrenisë

Filmi One Flew Over the Cuckoo’s Nest i regjisorit Miloš Forman është një komedi, por që përbrenda kapërthen tragjedinë njerëzore. Në një pozitë të tillë gjendet edhe protagonisti i filmit Randle Patrick McMurphy (luajtur nga aktori Jack Nicholson). McMurphy-in e kanë vendosur në një azil ku trajtohen të çmendurit, për shkak se ka dhunuar një të mitur. Për t’i shpëtuar burgut ai qëllimisht luan të çmendurin. Në klinikën ku e vendosin, McMurphy takon njerëz me probleme të ndryshme psiqike. Shpejt ai do të bëhet lideri i të çmendurve brenda azilit- do të bëhet kampion i vetëshpallur i të drejtave të pacientëve të tjerë. Fillon të nxisë kryengritje brenda klinikës, mirëpo shumë shpejt do të ballafaqohet me infermieren autoritare Ratched, e cila nëpërmes makinerisë së pushtetit lufton që ta mposhtë McMurphy-in.

Në këtë film regjisori Forman na i paraqet dy botë të ndryshme; çmendinën si bota e të marrëve dhe mjekun si pushteti i cili e mbikqyrë atë. Pra, këto janë dy marrëdhënie karshi njëra-tjetrës dhe të cilat janë në tension të vazhdueshëm. Janë të marrët, apo të çmendurit siç njihen nga klinika dhe mjekët si autoriteti i vetëm i cili do përkujdeset për shërimin e tyre. Mirëpo, nëpërmes personazhit të McMurphy-it, regjisori mundohet ta përmbysë këtë raport për t’i vendosur në një nivel tjetër, ku i çmenduri shpeshherë na paraqitet si njeri normal dhe mjeku jo çdoherë është mjek, por në fakt nëpërmes figurës së mjekut paraqet autoritetin vulgar të pushtetit. McMurphy është figura tipike e një të marri, i cili përtej raportit klinik lehtësisht do të konsiderohet si njeri normal. Në të njëjtën kohë ai është një njeri psikomatik, por po ashtu edhe një njeri i cili me veprimet e tij tregon racionalitet.

Përveç shpalosjes së historisë së McMurphy-t, përmes sëmundjeve të tyre regjisori Forman na tregon edhe të kaluarën e vështirë të pacientëve të tjerë. Sëmundja e ‘pacientëve’ të Forman-it vjen si shkak i trejtimit të keq që iu është bërë nga ana e të afërmve të tyre dhe shoqërisë në përgjithësi. Këtu regjisori godet në plagën e shoqërisë, e cila për lloj-lloj qëllimesh të caktuara, njerëzit i vendos në pozicione të çmendurisë. McMurphy është personazhi i cili na tregon se si përballë një shoqërie me predispozita autoritare përditshmëria bëhet barrë. Kurajo e tij është edhe marrëzia e tij. Nëpërmjet filmit One Flew Over the Cuckoo’s Nest, tentohet të na paraqitet edhe vetë kompleksiteti i të marrit, dhe në të njejtën kohë shpërfaqet edhe tendenca e pushtetit si autoriteti legjitim që të vendos se kush dhe kur është i çmendur.

Një ngjashmëri me azilin e Forman-it sot e ka mundësuar digjitalizimi. Përkundër që dikur je çertifikuar i çmendur nga institucionet përkatëse shëndetësore, sot këtë rol e ushtron gjykatësi i rrjeteve sociale. Pra, gjyqi publik virtual sot është bërë gjyq real (sic!). Secili, pa marrë parasysh se sa është i përgatitur profesionalisht e kulturalisht, flet për gjërat që i di, e sidomos për ato që s’i di. I çmenduri sot nuk është se është i tillë, por për shkak se si të tillë e trajtojnë. Sikur McMurphy që shtiret si i çmendur, për t’i ikur burgut, edhe në rrijetet sociale njerëzit bëhen sikur janë ata që shfaqen, pra, ikin nga vetvetja. Një çmenduri kolektive vetëm e vetëm për të qenë prezent. Ky lloj vrapimi i çakërdisur i njerëzve nëpër mediat socilale i ka hapur rrugë një njeriu që në fakt nuk ekziston. Këtë njeri të digjitalizuar e karakterizon paradoksi. Ai është i pranishëm çdokund dhe askund. Sigurinë ai e merr nga ideja e mosprezencës, prandaj është brutal. Sjellja e tij është kundër çdo rregulli, vlere dhe diskutimi normal. Militantë partish, fetarë e besimtarë, homofobë e racistë…, janë shndërruar në bisha të hapësirës publike që vrasin secilin që ka mendim ndryshe ose kritikë ndaj tyre.

Michel Foucault e identifikonte spitalin si diçka që simbolizon çmendurinë shtypëse të shoqërisë. Njësoj mund ta konsiderojmë sjelljen e politikës karshi këtij terrori digjital. Në fakt, politika këtë e përdor për interes të pushtetit të saj dhe prandaj jo vetëm që e lejon, por shpeshherë edhe e nxitë. Jo rrallëherë kemi parë raste kur eksponentë të politikës targetojnë oponentë politikë dhe jo vetëm për t’i yshtur turmat digjitale. Siç paralajmërojnë edhe teoricienë të ndryshëm, turmat digjitale janë bërë pushtet real. Urrejtja e tyre ndaj fenomenve të caktuara, individëve apo shoqërive, ka prodhuar efekte nga linçimet publike deri te vrasjet në masë. Liria e shprehjes sot i nënshtrohet një llupe të urrejtësve të saj. Kjo turmë e njerëzve përmes rrjeteve të ndryshme sociale përveç sferës publike ka atakuar edhe hapësirën private. Ata hyjnë në çdo skutë dhe tek secili. Ky është edhe pushteti i tyre. Duke qenë të edukuar, me pak kulturë, gjithashtu, me një politikë populiste që i nxitë vazhdimisht, këto turma janë bërë problem real në shoqëri. Pastaj, shto gjithë kësaj edhe fragjilitetin e institucioneve, kjo vetëm sa e rëndon edhe më situatën. Rrallëkush ka guximin ta shprehë mendimin për çështje sensitive dhe kjo është fitorja më e madhe e këtyre turmave. Sot njerëzit sikur hezitojnë ta shfaqin atë çka mendojnë për religjionin, sepse menjëherë anatemohen nga policia e moralit religjioz, nga këta kujdestarë fanatikë të cilët transformimin e vlerave shoqërore e paraqesin si stërkeqje, kurse sjelljen që është në shpërputhje me dogmën religjioze, si amorale. Të ngjashëm janë edhe komisarët idologjikë dhe militantët partiak, ku edhe kritika më normale nga këto turma pritet me shumë mllef që rezulton në sharje e kërcënime.  Mbase këta kujdestarë të moralit, komisarë ideologjikë, homofob e racistë janë bashkë në një pikë, në tendencën e asgjësimit të individit nga sfera publike. Rendi demokratik është bërë streha e tyre. Ata mbështillën me petkun e demokracisë, kurse përbrenda kanë të veshur gëzofin e fanatikut.

Prandaj, fuqizimi i demokracisë, jo vetëm si rend, por edhe si mendësi e kulturë, është disfata e tyre bashkë me konsolidimin dhe funksionimin normal institucional, që i garanton secilit lirinë e të shprehurit, të besuarit e të aktivitetit publik pa frikë. Në të kundërtën, këta fanatikë të lloj-lloj ideje e feje vetëm sa do të bëhen edhe më agresivë, e edhe më jotolerantë. Pra, duhet të heqim dorë nga të luajturit e rolit ashtu siç bënte McMurphy te filmi One Flew Over the Cuckoo’s Nest, sepse të luajturit gjatë në atë se çfarë nuk jemi mund të rezultojë në atë lloj situate, ku ndryshe kjo sjellje njihet si skizofreni.

Author

  • Dritan Dragusha

    Dritan Dragusha është i diplomuar në filozofi, në Universitetin e Prishtinës. Dritani është i fokusuar në teori të kulturës dhe gjithashtu në letërsi, kinema dhe muzikë. Po ashtu, merret edhe me gazetari. Është kolumnist i rregullt në platformën online "sbunker.net". Ka qenë edhe mësimdhënës i filozofisë dhe etikës në "The British School Kosova". Bashkautor në projektin kulturor televiziv "Filozofema", në Radio Televizionin e Kosovës. Aktualisht Dritani është autor dhe moderator i emisionit "Prizma", në televizionin T7.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.