Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Ndikimi i mundshëm i COVID-19 në papunësi në Kosovë: një analizë përmes skenarëve

Kosova ka problem kronik me papunësinë strukturore meqë ekziston një hendek mes shkathtësive të punëtorëve dhe kërkesave në tregun e punës. Por, si pasojë e krizës ekonomike, të nxitur nga pandemia COVID-19, do të kemi problem edhe me papunësinë ciklike – meqë do të kemi rënie ekonomike. Gjithashtu, përveç vendeve aktuale të punës që do të humbin, do të ketë humbje të vendeve të punës që do të mund të krijoheshin në mungesë të krizës.

Deri tani nuk kemi treguar pothuajse asgjë të re. Çështja është se sa do të jetë ndikimi i krizës në vendet e punës dhe, rrjedhimisht, në papunësi? Këtë aktualisht nuk mund ta thotë askush me siguri. Sepse për të duhen matje si ato që bëhen përmes Anketës së Fuqisë Punëtore nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), të cilat ende nuk janë bërë.

Ligji i Okunit në rastin e Kosovës nuk qëndron

Në mungesë të tyre pastaj lindin shumë spekulime e llogari kuturu që nuk kanë kuptim. Ta zëmë, vërehet një tendencë që të përdoret Ligji i Okunit si metodë për ta parashikuar ndikimin e pandemisë në papunësi. Ligji i Okunit, i cili është më shumë si njëlloj rregulli empirik sesa si ligj në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, sot interpretohet si raporti në mes të prodhimit dhe papunësisë, ku rritja prej 1% e papunësisë rezulton në rënie prej 2% të Bruto Produktit Vendor potencial.

In the key punimin origjinal të Arthur Melvin Okun-it, që ishte ekonomist amerikan, ai konkludon se rritja e prodhimit për 2% rezulton në zvogëlimin e shkallës së papunësisë ciklike për 1%, rritjen e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore për 0.5%, rritjen prej 0.5% në orët e punës për punëtorë, dhe rritje prej 1% e prodhimit për orë pune, që ndryshe njihet si produktiviteti i punës.

Por, siç shihet në Figurën 1 më poshtë, ky “ligj” nuk qëndron në rastin e Kosovës. Sepse, po të qëndronte, atëherë raporti mes rritjes reale ekonomike dhe ndryshimit të normës së papunësisë do të duhej të ishte 2 (në vlerë absolute).

Figura 1. Vërtetimi se Ligji i Okunit në rastin e Kosovës nuk qëndron

Gjithashtu, ndonëse me më pak observime se numri minimal i kërkuar, përmes një analize të thjeshtë të regresionit linear, mund të vërtetohet fare lehtë se raporti mes këtyre dy variablave, në rastin e Kosovës, nuk ka rëndësi statistikore.

Rrjedhimisht, çfarëdo parashikimi përhumbjen e vendeve të punës dhe papunësinë në Kosovë, i cili bazohet në Ligjin e Okunit, është empirikisht i pasaktë.

Skenarët e ndërtuar nga masat e Qeverisë dhe pritshmëritë e bizneseve

Megjithatë, duhet njohur se sfidat janë në parashikime. Kujtojmë se të gjitha matjet ex ante për humbjen e vendeve të punës si pasojë e krizës ekonomike duhet lexuar në dritën e mungesës së shumë të dhënave dhe pasigurisë së kohëzgjatjes së pandemisë. Duke e pasur këtë në mendje, me gjithë rrezikun e ndryshimeve të mundshme, aktualisht vlerësimi më i mirë që mund të bëhet është ai në bazë të ndikimit të drejtpërdrejtë që kanë pasur masat, që ka marrë Qeveria për mbylljen e veprimtarive ekonomike (të cilat ishin të gjitha të bëra publike) dhe të dhënave nga vetë bizneset për kapacitetet e tyre për ruajtjen e vendeve të punës.

Kjo metodë, si gjithë të tjerat, nënkupton disa thjeshtëzime. Ta zëmë, ne po e konsiderojmë që vetëm ata që janë prekur drejtpërdrejt nga masat mund ta humbin vendin e punës. Gjithashtu, po i marrim si të sakta përgjigjet që bizneset i kanë dhënë rreth ndikimit që presin ta ketë pandemia në vendet e punës. Sidoqoftë, duhet kuptuar se një analizë e tillë nuk synon që të tregojë me siguri se çfarë do të ndodhë me papunësinë në Kosovë, por se çfarë mund të ndodhë nëse këta skenarë qëndrojnë.

Masat më rigoroze të Qeverisë që janë marrë kah mesi i muajit prill, të cilat kanë zgjatur rreth tre javë, kanë bërë që 64.3 mijë punëtorë të ndikohen drejtpërdrejt (e. g. të mos dalin në punë, t’u thuhet që të punojnë nga shtëpia, etj.). Ky numër është llogaritur në bazë të të dhënave për punësim nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) për muajin janar 2020. Ndërsa, në bazë të të dhënave të ASK-së, numri i të ndikuarve drejtpërdrejt del të jetë rreth 144.1 mijë.

Janë dy arsye kryesore se pse numri i të punësuarve që raporton ASK dhe ATK dallon. Fillimisht, për shkak se të dhënat e ASK-së për tregun e punës bëhen përmes pyetësorëve (i.e. survey data), ndërsa ATK e bën përmes punëtorëve të regjistruar (i.e. administrative data). Pra, përderisa në ATK punëtori është emër i përveçëm, në ASK është mostër përfaqësuese e një pjesë të popullsisë. Dhe, për shkak të metodologjisë, i bie që në të dhënat e ASK-së përfshihet edhe informaliteti, gjë që duhet marrë parasysh. Dhe, meqë janë të dhënat e ASK-së dhe jo ATK-së ato që tregojnë papunësinë, në vijim do të përdoren vetëm të dhënat nga ASK.

Gjithashtu, në bazë të një pyetësori të realizuar mes 1-15 prill, nga Business Support Center Kosovo (BSCK), 12% e bizneseve kanë deklaruar se veçse kanë larguar punëtorë nga puna, 20% do të largonin nëse masat zgjasin deri në 1 muaj, dhe 40% do të largonin nëse masat zgjasin 1-3 muaj.

Duhet theksuar se ky pyetësor ka mangësi metodologjike, duke marrë parasysh madhësinë e mostrës (i.e. vetëm 250 biznese), mënyrën e përzgjedhjes së bizneseve (i.e. përmes rastësisë duke dërguar një link, pa stratifikim që do ta paraqiste më saktë demografinë e popullsisë), dhe kohën kur është realizuar.

Por, meqë është ndër pyetësorët e rrallë që përmban pyetje rreth pritshmërive për ndikimin në vendet e punës, dhe duke e ditur që disa masa ende po vazhdojnë, atëherë mund ta përdorim gjithnjë duke i pasur parasysh të metat e tij. Kështu, mund t’i ri-interpretojmë këto përqindje dhe të ndërtojmë tre skenarë (i.e. optimist, realist, pesimist) ku e llogaritim se sa mund të jetë ndikimi i pandemisë në papunësi nëse 12%, 20%, dhe 40% e punëtorëve, të ndikuar drejtpërdrejt nga masat, do ta humbnin vendin e punës.

Në skenarin optimist, nëse 12% e punëtorëve të ndikuar drejtpërdrejt do të largoheshin nga puna, atëherë kjo do të nënkuptonte rreth 17.3 mijë sosh. Në skenarin realist, nëse 20% e punëtorëve të ndikuar drejtpërdrejt do të largoheshin nga puna, atëherë kjo do të nënkuptonte rreth 28.8 mijë. Ndërsa në skenarin pesimist, nëse 40% e punëtorëve të ndikuar drejtpërdrejt do të largoheshin nga puna, atëherë kjo do të nënkuptonte rreth 57.6 mijë.

Në anën tjetër, duhet t’i kemi parasysh vendet e punës që do të mund të krijoheshin po mos t’ishte pandemia. Kjo është kostoja oportune nga perspektiva e tregut të punës. Në bazë të trendit të punësimit neto gjatë periudhës 2013-2019, mund ta parashikojmë se, në mungesë të pandemisë, gjatë vitit 2020 do të mund të ishin punësuar 10.9 mijë më shumë njerëz se në vitin 2019.

Ndikimi i mundshëm në papunësi

Çfarë do të thonë këta skenarë për papunësinë në Kosovë? Nëse nuk e komplikojmë analizën edhe me vendet e punës që do të mund të krijoheshin, dhe merremi vetëm me tre skenarët e ndërtuar, atëherë Tabela 1 më poshtë tregon se si do të mund të dukej papunësia në fund të vitit 2020.

Tabela 1. Skenarë të ndryshëm të papunësisë në fund të vitit 2020

Siç shihet nga Tabela 1, papunësia e përgjithshme, krahasuar me vitin 2019, do t’mund të rritej për 13.8%, 23% apo 46% – varësisht prej skenarëve. Kjo do të nënkuptonte se papunësia në fund të vitit do t’mund të ishte, 29%, 31.3% apo 37.2%. Duhet shtuar se në këtë analizë merret për bazë gjendja në vitin 2019 dhe, për ta thjeshtëzuar, nuk merren parasysh ndryshimet e tjera në tregun e punës, gjë që natyrisht përbën mangësi.

Nga një perspektivë gjinore mund ta shohim se ndryshimi në papunësi mund të jetë më i madh të burrat për shkak se baza e të punësuarve në vitin 2019 ishte më e madhe. Ndërsa, përqindja e papunësisë në secilin skenar del se mund të jetë më e madhe te gratë se të burrat. Sërish, kjo ka të bëjë me faktin se papunësia në vitin 2019 ishte më e madhe të gratë se te burrat. Dhe, sepse në të tri skenarët proporcionet e ndikimit (i.e. 12%, 20%, dhe 40%) nuk dallojnë mes burrave dhe grave.

Njëmend këto shifra janë shumë shqetësuese në vete, e edhe më shumë kur kihet parasysh se këto mund t’i shtohen problemeve ekzistuese me papunësinë strukturore. Por, natyrisht se duhet kuptuar se këto përqindje derivojnë nga një analizë ex ante, e cila është po aq e mirë sa supozimet mbi të cilat është ndërtuar. Si e tillë, kjo na tregon vetëm se çfarë mund të ndodhë. Se çfarë do të ndodhë, duhet pritur për matjet nga terreni e të dhënat zyrtare.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.