Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Në kërkim të shtigjeve

Intervistë me politikanin dhe filozofin Arbën Xhaferi

Arbën Xhaferi është një ndër figurat më të rëndësishme të fundshekullit të XX, në hapësirën shqiptare. Ai ishte ndër mendimtarët më serioz në artikulimin e lirive dhe të drejtave qytetare për popullin shqiptar. Botëkuptimet e tij mbi të drejtat politike dhe kombëtare vazhdojnë të mbesin si një traktat politik për shoqërinë shqiptare. Mendimi i tij për/mbi politikën si fundament kishte filozofinë, kurse si qëllim kishte emancipimin kulturor dhe politik të shoqërisë. Figura e tij rrezatonte një urtësi antike, kurse mendimet e tij përveç që ishin thellësisht filozofike, ishin edhe rikonfigurim i frymës iluministe rilindase.

Arbën Xhaferi vdiq më 15.08.2012, dhe në shenjë përkujtimi kemi vendosur që ta ribotojmë këtë intervistë të tij, dhënë më 12.12.2009, e që mendimet e shprehura këtu ende i përgjigjen aktualitetit social e politik në të cilin po jetojmë.

Dritan DRAGUSHA: Si e përkufizoni shoqërinë shqiptare dhe gjendjen në të cilën ndodhet sot kjo shoqëri?

Arbën XHAFERI: Në pozitë më të mirë sesa që meritojmë. Mendojmë se jemi të bashkuar, por kur fillojmë t’i numërojmë argumentet që e mbështesin këtë pohim, nisin problemet. Sa më shumë që fitojmë hapësirë dhe kushte për vetëpërkufizim, për liri të veprimit politik, për shprehje të lirë të mendimit, hapen dilemat rreth identitetit kombëtar, rreth përkufizimit të rolit të religjionit brenda një formacioni shekullar shoqëror ose rreth modaliteteve të zhvillimit të demokracisë etj.

Në të gjitha hapësirat shqiptare ka ndodhur përmbysja e sistemit parak të vlerave me të cilin ishim të mësuar të jetonim, të vepronim, të dallonim të keqen ose të mirën. Ky sistem i vlerave ishte mapa jonë orientuese për vlerësime mohuese ose pohuese, si në politikë, ashtu edhe në jetë.

Përmbysja e sistemit të vjetër dhe vonesa e krijimit të sistemit të ri krijoi huti që ishte një shans për egocentrikët ta pushtojnë hapësirën e zbrazur. Ata e pushtuan atë hapësirë, por pa ofertë për zgjidhje të problemeve. Mungesa e ofertës reale u zëvendësua me retorikë njollosëse, me fyerje të kundërshtarit, përkatësisht nxirrosjen e të bardhës dhe jo me zbardhjen e të zezës. Në këtë lojë të skualifikimit të kundërshtarit potencial merrnin pjesë ata që s’kishin çka të humbnin, ndërkaq ata që kishin ofertë filluan të zbrapsen. Koha e re kishte nevojë për  njerëz të rinj, të vendosur, të cilët imponoheshin me arrogancë. Në këtë mënyrë, në hapësirat shqiptare e reja, liria e të shprehurit u shfaq si liri nga skrupullat morale, si liri e njollosjes. Kjo risi ishte e pakuptueshme për moralin e shumicës, por ishte shansë për të paedukuarit. Ky proces i pushtimit të hapësirës së liruar rezultoi me eliminim të shtresës së mesme, jo vetëm në politikë, por edhe në kulturë, sport etj. Asnjë shoqëri nuk mund të funksionojë pa shtresën e mesme që krijon kushte për komunikim të  elitës me masën. Brenda natës politika u bë mjet i vetëm, transponder që qytetarin, dikur të margjinalizuar e katapultoi në orbitën e re. Në situatën e re  me politikë merreshin ata që mendonin se politika është një lloj prostitucioni, ku çdokush çdokë e tradhton. Pushtimi brutal i hapësirës së politikës, si kudo tjetër, rezultoi me rrënimin e standardeve morale, intelektuale, kombëtare dhe të tjera qytetëruese. Përnjëherë demokracia shpërtheu dy lloj barrierash, ndalesash: atë të jashtmem që kishte krijuar sistemi jugosllav dhe të brendshmen që kishte ndërtuar nacionalizmi shqiptarët: as jugosllavët nuk mund ta ndalonin të drejtën demokratike të shqiptarëve për shprehje të lirë të mendimit, por as shqiptarët diversitetin e bindjeve brenda shoqërive shqiptare.

Heqja e këtyre barrierave, zbuloi realitetet e ndrydhura, kështu që u hap dhe u legalizua shtegu për të pacipët, për relativizim të idealeve, personazheve, kontributeve etj.

Demokracia në hapësirat tona depërtoi, jo si ide që buron nga pjekuria politike e një elite intelektuale që konstaton se demokracia është forma më produktive e legjitimimit të përfaqësimit të interesave të popullit, por si një trend antikomunist. Por, problemi i kësaj politike ishte jo vetëm vonesa historike, por edhe shpërputhja në mes përvojave politike të dy entiteve kryesore, të Shqipërisë komuniste dhe Kosovës nacionaliste dhe antikomuniste. Mirëpo, këtu nuk përfundojnë paradokset. Nacionalizmi i shqiptarëve në viset jasht atdheut i shtynte ata që ta urrejnë regjimin e moderuar komunist jugosllav dhe ta adhurojnë regjimin komunist radikal të Enver Hoxhës. Këto procese komplikohen  me humbjen, diskreditimin e komunizmit si ideologji. Këta faktorë psikologjikë krijuan huti, por, megjithatë u kapërcyen lehtë.

Në politikë mohimi shpesh herë është mënyrë shumë e lehtë e pushtimit të hapësirës politike sesa pohimi ose ndërtimi i një sistemi të ri vlerash. Në hapësirat shqiptare shumë shpejtë u qartësua vlerësimi se çka nuk dëshirojnë, por, përkufizimi i  prioriteteve, i interesave, i vlerave u bë problem i madh.

Dritan DRAGUSHA: A jemi shoqëri që po e kalojmë tranzicionin, apo një shoqëri në tranzicion të përhershëm?

Arbën XHAFERI: Ky nocion  nuk i përket vetëm një periudhe historike, por e tërë historia e njerzimit është në thelb një tranzicion, një përsosje e qenieve të ndryshme, që vazhdimisht u adaptohen kushteve të reja, që me një fjalë quhet mbijetesë. Siç dihet edhe evolucioni është një lloj i tranzicionit, por që zgjat shumë, prandaj edhe nuk vërehet. Të gjitha krijesat janë në tranzicion të përhershëm. Te krijesat e vetëdijshme procesit të tranzicionit i nënshtrohen edhe idetë, konceptet, ose thënë në mënyrë figurative mapa orientuese.

Shoqëria shqiptare ka një veti të veçantë të mbijetesës, që buron nga pozita  gjeografike, kapacitet njerëzore,  kodi etik,  sensi për realizëm, bindjet e tyre fetare etj. Nga një varg vetishë kombëtare, në këtë kontekst socio-politik te shqiptarët dominon sensi për realizëm, për pragmatizëm, madje edhe për tranzicion të projektuar. Bie fjala, shumë shqiptarë, në mesin e tyre edhe të atillë që vazhdimisht kanë dhënë prova për veprimtari atdhetare, nuk kanë hezituar që të marrin pasaporta të Serbisë që lëshohen nga një zyrë shtetërore paralele serbe në Graçanicë.

Krahas sensit për kompromise pragmatike dhe të përkohshme, shqiptarët kanë qenë të shtrënguar të bëjnë vazhdimisht  kompromise, gjithnjë në favor të mbijetesës. Kjo është shkolla e mbijetesës së një populli të vogël, të destinuar për zhdukje. Falë sensit për realizëm, shqiptarët kanë arritur të mbijetojnë. Ata, edhe në këtë fazë të tranzicionit dramatik zbuluan rrugën më të sigurt të mbijetesës dhe të ngadhënjimit.

Konfiguracioni gjeografik, ndërthuarrja e strukturave malore me ato fushore ka ndikuar që evakuimi nga zonat krizës, ku depërtonin vandalët aziatikë të bëhet shpejt edhe në mënyrë efikase. Brenda disa orëve ata, nga zonat e rrezikshme kalonin në vende të sigurta malore. Nga kjo periudhë kohore buron misteri i prejardhjes së shqiptarëve. Ata herë dukeshin herë zhdukeshin nga skena historike. Ky mister shpjegohet me strategjinë efikase të mbijetesës: në kohë paqe zbritnin nga malet, ndërkaq në situata të rrezikut tërhiqeshin në vendbanimet malore.

Këto rrethana ndikuan që shqiptarët të mbijetojnë, por edhe të shkëputen nga rrjedhat e ndryshme historike, të krijojnë kodin e tyre të veçantë etik,  ta mbrojnë gjuhën, traditat e tyre si dhe lidhjet e forta emotive me habitusin jetësor. Kështu ndodhi edhe në luftën e fundit. Falë këtyre vetive, shqiptarët rradhiten në listën e popujve të vjetër që arritën ta ruajnë origjinën dhe vlerat e tyre.

Luftërat e vazhdueshme me ardhacakët ndikuan që shqiptarët të vetizolohen dhe deridiku të shkëputen nga rrjedhat historike. Ata që mbeteshin në zona urbane jepnin kontrubute të rëndësishme në kuadër të sistemeve të huaja sunduese, duke filluar nga periudha e romakëve, bizantinëve, otomanëve dhe së fundi, sllavëve.

Këta faktorë ndikuan që shqiptarët të konservojnë mendësinë antike që manifestohej si percepcion shqisor i fenomeneve shoqërore. Bie fjala për një banor të polisit koncepti i atdheut ishte vendlindja, territori ku jetonin njerëzit e afërt, horizonti që kapnin sytë dhe veshët. Mendësia e atëhershme krijoi modelin e shtetit qytet, polisin. Një mendësi e këtillë fragmentarizon nocionet, vlerat dhe standardet. Kjo vërehet në çdo sferë të shoqërisë, në trgëti, ushtri, arsim, kulturë, ose bie fjala në përdorimin e standardit gjuhësor. Në sistemet e këtilla të rudhura edhe standardet janë të atilla. Në fushën e përdorimit të gjuhës, në polisin antik, ashtu si edhe feudin mesjetar përdorej dialekti lokal, ngaqë atë e kuptonin të gjithë pjestarët e një formacionit të këtillë shoqëror. Vetëm kur bashkohen poliset dhe feudet në një shtet, shfaqet nevoja e krijimit të një gjuhe standarde që lehtëson komunikimin ndërmjet qytetarëve të një shteti. Keqkuptimet që aktualisht krijohen nga ana e disa kritikuesve lidhur  me përdorimin e gjuhës standarde shqipe burojnë  nga kjo mendësi, kushtimisht ta quaj antike. Ne ende kemi mendësinë e polisit, ndonëse urtësia popullore e lufton këtë dobësi. “ Prish shtëpi bën hajat”, thotë populli . Në kohët e sotme kjo porosi do të vlente për ata që mundohen ta prishin shtetin dhe në këto gërmadha të ndërtojnë parti.

Marrë në tërësi ne ende jemi të përfshirë me disa procese tranzicionale, në të gjitha segmentet shoqërore, por ato duhet kuptuar si përpjekje për mbijetesë.

Dritan DRAGUSHA: Qytetaria e shoqërisë shqiptare a është si rezultat i ndërhyrjeve të elitave politike apo elitat politike janë si rezultat i ndërhyrjeve qytetare të shoqërisë?

Arbën XHAFERI: Ky është një proces ndërveprues dhe i ndërvarur. Në varësi nga rrethanat ndodhë që elita e ndërgjegjëson popullin, por edhe të atilla kur populli e ndërgjegjëson elitën. As elita nuk mundet pa popullin, as populli pa elitën. Por, shpeshherë ndodhë që elita e huaj të udhëheqë me një popull që ka mbetur pa udhëheqës, qoftë për shkak të inferioritetit intelektual, moral apo të interesave të natyrave të ndryshme. Në këtë dimension është shumë vështirë të arrihet barazpesha.

Para krijimit të OKB-së, para nxjerrjes së konventave ndërkombëtare, sundimi, udhëheqja me popujt tjerë bëhej përmes detyrimit, përdorimit të forcës. Në kohët e sotme, suspendimi i elitave të një populli tjetër arrihet përmes projekteve globale ideologjike, të majta apo të djathta, financiare apo fetare. Këto projekte globale kanë një qëllim të përbashkët, integrimin, ose integralizmin, përkatësisht suspendimin e projekteve vendore që hartohen prej faktorëve që konsiderohen si nacionalistë.

Çdo projekt integralist, ideologjik apo fetar synon suspendimin e kapaciteteve nacionaliste të një populli. Prandaj globalistët, kozmopolitët, mondialistët, integralistët, universalistët vazhdimisht i kritikojnë lokalistët, forcat nacionaliste që synojnë t’i ruajnë interesat e një populli dhe me këtë bëhen pengesë për korporatat ndërkombëtare. Kritika mund të kontestojë një projekt konkret, por ajo bëhet rrënuese, eliminuese kur sistematikisht kritikon një opsion dhe afirmon tjetrin, bie fjala nacionalizmi shndërrohet në paradigmë të ndërlikimeve në shoqëri,  ndërkaq multi-etnizmi si formulë mjekuese.

Dritan DRAGUSHA: Ka kohë që flitet për bashkimin e shqiptarëve në një shtet dhe për këtë edhe Ju keni dhënë mendimin tuaj. Mirëpo, më intereson të dijë sipas Jush, si mund të realizohet ky bashkim? 

Arbën XHAFERI: Para se të shtrohet pyetja, katërçipërisht legjitime, lidhur me realizimin e një ideali të një populli të udhëheqë me veten, duhet të shtrohet një pyetje tjetër: mbi ç’baza një popull fiton të drejtën e sundimit mbi një popull tjetër, mbi ç’parime ai fiton të drejtën që të vendosë raporte të pabarabarta etnike në sistem, me çka mund të arsyetohet politika brenda një sistemi që e stimulon një kulture dhe ngulfat kulturën e një populli tjetër…? Pyetje të këtilla ka me qindra, mirëpo e përbashkëta e tyre është arsyetimi i  agresivitetit, hegjemonisë, eksploatimit. Është krijuar një klimë e çuditshme politike, morale dhe intelektuale ku më lehtë argumentohet e drejta e një populli për sundim, për hegjemoni sesa e drejta e njeriut për mbrojtje dhe trajtim të barabartë.

Të gjithë faktorët sot flasin me një paragjykim pozitiv për begatinë e sistemit multietnik shoqëror duke mos vërejtur se në këto sisteme legalisht vendosen raporte koloniale, eksploatuese ku perspektiva e një populli mbështetet në eksploatimin e popullit tjetër. Kjo vërtetohet fare lehtë nëse analizohet shfrytëzimi i buxhetit, investimet rajonale sidomos financimi i zhvillimit kulturor. Multietnizmi, multikultura, diversiteti janë fjalë të popullarizuara, eufemizma që fshehin një realitet të hidhur: shfrytëzimin e një grupi etnik prej një grupi tjetër që vepron si hegjemon.

Sociologët shumë herët kanë konstatuar se pabarazia në shtetet shumë-etnike shkakton joluajalitetin e një grupi etnik ndaj sistemit. Pra, kur shteti nuk është njësoj lojal ndaj një segmenti të qytetarëve, me automatizëm prodhon joluajalitetin e atij segmenti ndaj shtetit.

Sociologët modernë konstatojnë se shtetet mund të funksionojnë vetëm po qe se i plotësojnë tre kushte elementare:

a) kohezionin e brendshëm;
b) mirëqenien ekonomike dhe
c) demokracinë liberale.

Nëse nuk ekziston barazia në sistem rrënohet kushti i parë i kohezionit. Pa të shteti nuk mund të funksionojë.

Të gjitha shtetet moderne perëndimore kanë marrë parasysh ndikimin e këtyre faktorëve, prandaj kanë krijuar një varg modelesh për ta parandaluar krizën. Këto modele ofrojnë barazi në kuadër të konceptit për autonomi politiko-territoriale, federatë(jo territoriale ose territoriale), konfederatë dhe nëse as kjo nuk ndihmon zbatohet modeli i fundit-secesioni, ndarja. Ky proces gjithkund ndodhë kështu, nëse  popujt kanë vetëdije kombëtare. Nëse nuk kanë, atëherë aktivizohet mekanizmi i dorëzimit, asimilimi.

Idenë e shteteve etnike natyrisht që nuk kam sajuar unë, por kjo është përvoja historike që është marrë nga popujt më të qytetëruar perëndimorë. Në Evropë konfliktet ndëretnike janë qetësuar vetëm pas zgjidhjes së çështjeve ndëretnike mbi baza që përmendëm. Aty ku nuk janë zgjidhur këto çështje ka fërkime, pa marrë parasysh sa janë të qytetëruara ato shtete. E kam fjalën te baskët dhe te irlandezët.

Çështja shqiptare kudo që ajo funksionon si çështje mund të zgjidhet me arsye. Asnjë popull nuk do të heqë dorë nga një pozitë eksploatuese nëse ajo nuk është e kushtueshme. Nëse përmes rezistencës eksploatimi do të bëhet i shtrenjtë i kushtueshëm atëherë vetë populli hegjemon kërkon të gjejë një rrugëdalje të arsyeshme.

Tani për tani jemi në konfuzion retorik. Flitet për multietnizmin, për ta fshehur eksploatimin kolonial. Kur fjalët do ta fitojnë domethënien e vërtetë, kur eksploatimi do të bëhet i kushtueshëm, problemet e kësaj natyre vetvetiu zgjidhen, pa drama të mëdha. Këto çështje bëhen dramatike për shkak se një interes transparent pengon zhvillimin e  një interes të fshehur…

Dritan DRAGUSHA: A jemi ne shqiptarët determinues në këtë bashkim apo, ky bashkim duhet të bëhet në koordinim/pajtueshmëri me fuqit aktuale dominante në botë?

Arbën XHAFERI: Filozofët e mëdhenj, prej Platonit e deri te Hegeli e kanë trajtuar historinë si një proces eskatologjik (me qëllim të caktuar), si një proces tendencioz që lëviz drejt një qëllimi të pashmangshëm…Pas konstatimit se në veprat fetare, ka shumë çka të pasaktë u krijua një atmosferë depresive, që e shkaktoi humbjen e besimit te librat e shenjtë. Ky dëshpërim u theksua sidomos në periudhën e humanizmit dhe renesancës. Humbja e besimit në zotëra u zëvendësua me kërkimin e besimit te idetë më të afërta dhe më të prekshme. Nga këto dilema dhe kërkime, njeriu e asaj kohe shpëtimin e gjeti te nacionalizmi, te vlera që i jepte kohezionin e duhur një shoqërie. Por jo vetëm kohezionin por edhe motivin për veprim, për zhvillim kulturor, për arsimim, për rezultate në të gjitha fushat e jetës. Kështu çdo nacionalizëm kishte eskatonin, qëllimin e vet të vetëdijësuar. Popujt që e kuptuan këtë më herët, arritën pa probleme t’i krijojnë shtetet e tyre nacionale. Në këtë periudhë historike nacionalizmi kishte mision fisnik që e përshpejtonte procesin e zhvillimit dhe të emancipimit. Një pjesë e kësaj euforie është ruajtur sot në garat sportive. Fituesit, brenda natës bëhen heronj për gjithë popullin. Në këtë energji ndërtohet identiteti i një populli, por, njëkohësisht edhe imazhi i tij pozitiv. Kjo është e ditur, prandaj aty ku një popull dominon në përqindje dhe njëkohësisht është i eksploatuar nga një popull tjetër, zgjidhjen duhet gjetur te vetëvendosja. Kjo është receta qytetëruese që pengon stërkeqjen, konfliktin ndëretnik brenda një shteti. Ky epilog është i paevitueshëm kudo, por ekziston megjithatë një dallim esencial. Popujt e qytetëruar i zgjidhin këto telashe me marrëveshje, ndërkaq të tjerët me dhunë. Hëpërhë në botë zhvillohen procese mbi baza racionale (ndarja e shteteve skandinaveze, çeko-sllovake), apo iracionale, pambarimisht të dhunshme( lufta palestineze- izraelite, rasti rus i zgjidhjes së një konflikti ndër etnik, rasti çeçen).

Popujt që dinë fshehtësitë e ndërtimit të shtetit shumë shpejt shpikin variantin efikas për parandalim të eksploatimit kolonial, ose të asimilimit kulturor. Projektin që i ka këto qëllime e bëjnë të kushtueshëm, e ngrisin në nivel të kolapsit ekonomik. Sociologu francez Franc Fanoni, në librin e tij “Të përbuzurit e botës” e shpjegon këtë proces deri në detaje duke marrë parasysh luftën e popullit algjerian për çlirim.

Dritan DRAGUSHA: Nëse bashkimi kombëtar nuk është problem nga ndërhyrjet e jashtme atëherë, ky (mos)bashkim a është në vullnetin e elitave politike shqiptare? 

Arbën XHAFERI: Kjo nuk është  çështje që mund të zgjidhet vetëm falë vullnetit të elitave ose të popullit, por është një projekt kompleks që në vete përmban elemente të etikës, idealizmit, motivimit, kapacitetit etnik, ekonomik, njohurive ushtarake, imazhit në arenën ndërkombëtare etj.

Këtu ka një shpjegim që sërish e afirmon nacionalizmin. Popujt që me kohë e kanë ngritur nacionalizmin në nivel ideologjik, por edhe dogmatik kanë formuar argumentimin për hegjemoni dhe zgjerim, pushtim territoresh. Këtë e kanë bërë mbi kurriz të popujve që nuk kanë pasur këtë vetëdije ose këtë apologji të kauzës së tyre kombëtare. Kjo apologji e hegjemonizmit zakonisht bëhet me argumente të sofistikuara që i shenjtërojnë të bëmat, namin dhe rolin gjithë historik të një populli. Kufijtë e një populli bëhen kufij të paprekshëm sikur të ishin të vendosura nga vetë Zoti. Këto shenjtërime bëhen si me argumente religjioze ashtu edhe kulturore, ekonomike etj. Sa më të fortë janë shtetet aq më shumë rritet grykësia e tyre. Bie fjala pretendimet e Rusisë që Polin e Veriut ta trajtojë si pjesë të Rusisë u mbështetën në një të padëgjuar deri më sot: relievi nënujor i Polit të Veriut qenka vazhdimësi e relievit tokësor rus.

Nacionalizmi dënohet vetëm te popujt e vegjël kur edhe ata, të pafuqishëm  synojnë ta përdorin atë si argument për çlirim dhe për vetëvendosje. Atëherë marrin hov eufemizmat, multi-kultura, e drejta për diversitet etj. Këto maska eufemike mund të çirren vetëm me një eksperiment të vogël hipotetik garues: cili popull brenda një shteti multietnik do të jepte të drejta më të mëdha popullit tjetër konkurrues. Në Kosovë shqiptarët dhënë të drejta të njëjta të gjitha komuniteteve, ndërkaq serbëve pak më shumë. Jam i bindur se edhe shqiptarët e Maqedonisë do të jepnin shumë më tepër të drejta maqedonasve sesa ata u ofrojnë shqiptarëve.

Vetëm kur haptas bisedohet për këto gjëra kuptohen relacionet e pabarabarta në sistem.

Dritan DRAGUSHA: Sipas Jush, ku qëndron dallimi në mes shoqërisë shqiptare dhe asaj perëndimore?

Arbën XHAFERI: Përgjigja më e drejtë do të ishte: kudo dhe askund. Nëse shikojmë në detaj dallimet janë të mëdha, por nëse e analizojmë tërësinë del që jemi njësoj, por në një stad shumë më të ulët të zhvillimit shoqëror.

Lidhur me këtë pyetje duhet marrë parasysh se shoqëria shqiptare është një konglomerat faktorësh që vetëm në kuadër të sistemit të tyre të vlerave funksionojnë në harmoni. E kam parasysh faktorin fetar. Çdo shtet funksional ndërton rrëfimin për baballarët e kombit, që si Odiseu, pas shumë peripecish arrin në cak, në Itakë. Edhe populli shqiptarë i ka baballarët e vet: rilindësit kombëtarë që, pa marrë parasysh ndasitë fetare arritën bashkërisht t’i tejkalojnë paragjykimet dhe ta krijojnë shtetitin e përbashkët. Kjo dëshmon se të gjithë shqiptarët kanë pasur dhe e kanë eskatonin oksidental. Politikani shqiptar, Spartak Ngjela me shumë të drejtë konstatoi se në plejadën e atdhetarëve shqiptarë, për kah orientimi properendimor shquhen dy emra: Faik Konica dhe Ismail Kadareja. Që të dy të lindur në familje myslimane.

Vetia kryesore perendimore e shqiptarëve është senzibiliteti për identitet kombëtar që ka ngadhënjyer mbi identitetet tjera. Sa për ilustrim do të përmendja faktin se arabët nuk kanë senzibiletet për identitetin etnik. Në fjalorin e tyre nuk ekziston fjalë për këtë veçori. Ashtu si te arbët, edhe në periudhën e sundimit osman popujt ndaheshin në krishterë dhe myslimanë.

Dritan DRAGUSHA: Sa e vetëdijshme është shoqëria shqiptare në raport me rrjedhat globale?

Arbën XHAFERI: Tash për tash njohuritë janë provinciale në të gjitha segmentet. Por, megjithatë kemi një fat që, besoj se do t’i korrigjojë të gjitha dobësitë: kureshtjen dhe vitaliteti rinor. Mosha e re e popullatës vetvetiu do t’i korrigjojë mangësitë e tjera. Ky faktor është biologjik  dhe jo ideologjik. Nuk kemi të bëjmë me njerëz që kanë koncepte të vjetruara, të konservuara, por me të rinj që mund të kompensojnë humbjet në periudhën e kaluar, me të rinj që vënë në lëvizje të gjitha mekanizmat e ndryshkura.

Por, duhet pasur parasysh faktin që rinia e një populli mund të vihet kundër vetvetes. Ata mund të instrumentalizohen për qëllime të tjera, kriminale, fetare, politike etj.

Populli shqiptar në përgjithësi ka qenë i përjashtuar nga rrjedhat e reja, shpeshherë janë vetëngujuar në dimensionin folklorik, në adete ataviste,  të trashëguara  pa distancë nga e  kaluara, në koncepte fetare që vijnë ndesh me standardet qytetëruese evropiane, vazhdimisht në dilemë ku takojnë dhe ku do të përfundojnë. Këto dilema  janë të kota, por, megjithatë krijojnë dilema molisëse,  dualizma të paarsyeshme dhe shterje të kapaciteteve..

Dritan DRAGUSHA: Çka mendoni, si e perceptojnë shqiptarët ndërveprimin global? A e percptojnë vetën si pjesë inherente të kësaj gjendje apo si një gjendje që është jashtë sferës dhe interesave të tyre?

Arbën XHAFERI: Jo vetëm shqiptarët, por edhe shumë popuj të tjerë globalizmin e kundrojnë nga aspekti hedonist, si pjesëmarrje në kënaqësi. Por, duhet të merret parasysh se nuk globalizohet vetëm e mira, e bukura, informacioni, vlerat dhe ofertat e tjera, por, pa dyshim, me një ritëm të përshpejtuar edhe të këqijat, prostitucioni, krimi i organizuar, përdorimi i drogës, sëmundjet… Në këtë nivel të ndërveprimit asnjë popull nuk është imun ndaj ndikimit të këtyre faktorëve dhe vlerave që rrezatojnë, depërtojnë përtej mburojave mikrostrukturore nacionale dhe kulturore. Këto ndikime janë sidomos të rrezikshme për atunë tonë, rininë. Vetëm produkcioni vendor i vlerave mund të pengojë zgjerimin dhe ndikimin kulturor të popujve globalë. Çdo globalizëm brenda një afati të shkurtër do të ballafaqohet me rezistencën e vlerave vendore dhe ekzistojnë gjasa të mëdha që ta humbë betejën me sfidën lokale.

Globalizmi nuk mund të parandalohet në planin global, por mund të luftohet me sukses në planin lokal.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.