Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Në vend të urimit

Përballje me krizën e shtetndërtimit

2019′  shënjon përvjetorë të kthesave historike në shtetndërtimin e Kosovës. Tridhjetë vjet  prej kur shqiptarët e Kosovës morën kursin e vendosur për refuzimin e sundimit të Serbisë, i cili po krijonte logjistikën që të kthehet me kapacitet të plotë duke demontuar  autonominë politike e territoriale të Kosovës. Tridhjetë vjet prej kur Greva unike e minatorëve të Stan Tergut i kishte dhënë një “no pasaran” atij regjimi. Tridhjetë vjet prej kur delegatët (deputetët) e Kuvendit të Kosovës, në mars, i dorëzuan çelësat e rrënimit të autonomisë Kuvendit të Serbisë, duke ripërsëritur Prizrenin e 1945-s. E  bënë këtë, po panë se ishin tjetërsuar, populli nuk ishte me ta, mbetën tërë faj dhe turp, të vetmuar. Tridhjetë vjet prej kur u formua partia e parë politike me orientim demokratik e atdhetar – LDK që në vitet në vijim do të artikulojë rezistencën aktive paqësore për liri, demokraci dhe pavarësi. Kjo rezistencë do të marrë njohje nga bota e civilizuar dhe  kishte arritur që Kosova e brengat e saj të dëgjohen e kuptohen më mirë gjithandej. Po bëhen njëzetë vjet kur lufta e UÇK-së, pas krizës në vitin paraprak, qe strukturuar mirë, kishte marrë veten, qe rritur dhe e bënte luftën për liri në thuaja të gjitha pjesët e Kosovës duke krijuar oaza të vogla territoresh të lira, kishte bërë akte heroike; në Koshare UÇK-ja kishte hequr kufrin Jugosllav. Po bëhen 20 vjet kur e “kapërcyem vetminë“  në luftën tonë për liri dhe kur bota demokratike u vu në anën tonë për të parandaluar gjenocidin dhe katastrofën humanitare; 20 vjet nga deportimi biblik i popullatës jashtë vendit nga regjimi okupues; 20 vjet nga tërheqja e forcave okupuese policiore dhe ushtarake të Serbisë, pas disfatës nga NATO. Këto janë 20 vjet lirie që shënojnë edhe etapën më domethënëse të shtetndrëtimit, pas përpjekjeve të gjata e të vështira të shumë gjeneratave përgjatë tërë një shekulli të mbrapshtë. Njëzetë vjet në liri që sollën edhe shpalljen e pavarësisë (shkurt 2008) e cila u njoh nga pjesa dërmuese e antarëve të OKB-së. Po hyjmë në një vit me përvjetorë të ndrtishëm të historisë sonë.

Por janë këtu, me gjithë ne e në ne edhe dhimbjet përgjatë këtyre tri  dekadave në ngritje e rënie të pushtimit të lirisë dhe në përmushjen e qëllimeve për një shoqëri demokratike e shtet prosperues; një shtet  i cili kriojn shansa të barabarta për qytetarët, bizneset, investitorët e brendshëm dhe të jashtëm. Ato, dhimbjet e shtetndërtimit, po bëhen më të forta dhe më degjenerative. E gjithë kjo po shoqërohet me krizën serioze të shtetndërtimit. Tiparet e kësaj krize i shohim  midis të tjerash:

 Në mënyrën se si funksionojnë institutcionet më të larta të shtetit

– Me ndjenjën e mosperspektivës që ka kapluar qytetarët e shumtë e sidmos rininë që të ardhmen e sheh me ikje nga vendi

– Me faktin se qytetarët e Kosovës janë të vetmit që u mohohet lëvizja e lirë në kontinentin e tyre

 Me faktin se  ka një vit e më shumë që nuk kemi njohje te reja të shtetsisë dhe se ka filluar një proces i kundërt

 Me faktin se lufta primitive e antagonistike e forcave politike për pushtet thuaja se ka metastazuar

 Me faktin se para botës dhe aleatëve tonë po paraqitemi me vesin e bajraktarizmit, protagonizmit dhe sëmurjes kronike të paaftësisë për ndërtuar marrëveshje e kompromis edhe për çështje aq serioze siç është dialogu me Serbinë rreth të cilit  mospjatimet nuk janë vetëm midis pozitës dhe opozitës, por shprehen haptazi e me “selame” përmes mediave edhe midis dy udhëheqësve kryesorë të shtetit – Presidentit dhe Kryeministrit

 Me faktin se gjatë vitit që po shkon kemi një rekord të seancave të dështuara dhe të papërfunduara të Kuvendit

– Me faktin se diskrusi i debatit politik në Kuvend dhe jashtë tij ka rënë në nivelin e “ma the … ta thashë”, “ma bane … ta bana”

 Me faktin se Sistemit gjyqësor i grumbullohen lëndët e pazgjihdura e ai nuk arrin të sanksionojë rastet e rënda të krimit ekonomik e korrupsionit

 Me faktin se secili mundohet të grabisë nga buxheti i konsoliduar i Kosovës

 Dhe me faktin se ka edhe shumëçka për t’u numruar në këtë listë degradimesh

Një hulumtim i Institutit D4D, i publikuar sivjet në fillim të nëntorit, prezantoi disa të dhëna shqetësuese gjithashtu. Vetëm  27.7 e respondentëve konsiderojnë se ndihem tërësisht ose të mirëpërfaqësuar në institucionet e shtetit, vetëm 36.6% e ndjejnë plotësisht përkatësinë ndaj shtetit, simbolet e të cilit u ngjallin krenari; 62% e respondentëve as nuk kanë provuar një participim për të ndikuar në rrjedhën e gjërave (8.6% kanë provuar pa sukses, e  4% me përpjekjet e tyre munden të arrijnë një ndryshim).

Nuk është se mungojnë kritikat për klasën  politike e liderët politikë. Por edhe kritika vuan pak a shumë nga sindromet e diskursit të përgjithshëm politik dhe përcjell pak a shumë ekon e konfliktit mbi bazat partike ose  mbi bazat e klientelizmit politik, biznesor e të nepotizmit. Mediat u bëjnë ekon përfaqësueve të diskursit më degjenerativ politik në institucione, njerëz të akuzuar e nën hetime shesin “moral”, politikanë të ndërgrushtuar e të ndërsharë; popullistë impotentë e primitiv mbushin emisionit e debateve në TV nacioanle dhe të protaleve gjithashtu. Shoqërisë civile dhe qarqeve akademike e intelektualëve mezi u ndihet zëri. Ndaj nuk është faji vetëm i klasës politike e i liderëve politikë. Nuk bëjmë tërë punën nëse akuzojmë vetëm ata e nuk e shikojmë secili “oborrin tonë”. Faji është i yni ndoshta edhe po aq kur bëhemi si strucët, duke futur kokën në rërë, përse ndoshta disa u rrahim shpatullat politikanëve se po punojnë mirë në këmbim të favoreve. Faji është se nuk po bëjmë punën tonë me guximin dhe objektivitetin që duhet të spikasë intelektualët dhe qytetarinë. Faji është i yni sepse politikanët e liderët nuk i kemi detyruar ta kuptojnë se shteti, Republika jonë parlamentare, nuk është pronë tyre. Nuk është as  instrument sundimi i liderëve politikë që dominojnë partitë politike. Faji është edhe yni se po e lëmë shtetin e uzurpuar apo të mbërthyer (kapur).

Ky inxhinjering i përçarjes së klasës politike dhe i mbërthyerjes së shtetit fillon që nga mungesa e demokracisë dhe debatit të hapur tek partitë politike që edhe vetë janë kapur nga grupe që servisojnë klientelizmin dhe kamuflojnë të palarat me popullizëm.  Kjo pastaj bartet tek koalicionet, tek përbërja e kabineteve, grupeve të dëgjueshme parlamentare, që janë të shumtën vetëm një servis dhe makinë votimi për interesat e këtyre grupeve dhe të luftës së egër primitve për pushtet. Dhe kjo teknologji e mbërthyerjes e frymëzënies së demokracisë ka filluar jo tash, po ndjek një trend keqësimi nga viti në vit. Në verë e vjeshtë të vitit 2012, si deputet që isha pashë fillet e kësaj që tash po ndodh në përmasa gjithnjë e më të mëdha. Një taksë banale, një akcizë në çimento të impotuar prej 35% e cila i dëmton rëndë, me rrezik falimentimi, kontraktuesit vendorë ndërtimorë, veçmas ata me Bechtel – Enka por edhe gjetiu, ndërsa favorizonte tepër e pa meritë Fabrikën në Han të Elezit, e ndërmarrë nga MTI, e mbëshetur nga Qeveria, megjithatë u kundërshtua nga deputetë të opozitës por edhe disa të pozitës. U krijua një masë kritike e votave që do ta rrëzonte këtë vendim në Kuvend.  Dhe ndodhi ajo që nuk kam parë të ndodhë në ndonjë parlament tjetër. Grupet pralamentare në pushtet i nxorrën deputetët e tyre jashtë salle për të moskrijuar forumin për votim e vendimmarrje. Kjo pastaj u përsërit po atë vit me të njëjtën teknologji kur duhej apropvuar një vendim – Rezolutë të Kuvendit për ta vënë në binarë legalë, e të interesit publik, procesin e privatizimit duke përfshirë edhe privatizimin e PTK. Dhe kjo erdhi duke u zhvilluar si praktikë e paralizimit të forumit e marrjes së vendimeve në Kuvend nga viti në vit. Tash u pasuruam edhe me taktikën e pranisë në sallë, por edhe të mosvotimit as “për”, as “kundër”e as “abstenim”, për ta prishur forumin. Këtë instrument po e përdor edhe opozita edhe çka është më absurde edhe pozita. Kjo u praktikua sivjet intensivisht, në mënyrë targjiko-komike, edhe tek votimet për rezolutat që duheshin aprovuar lidhur me dialogun me Serbinë. Gjykata Kushtetuese pat konsideruar se deptetet janë të obliguar  të marrin pjesë në seanca dhe të votojnë, kur interpretoi rastin e problemeve për konstituimin e Kuvendit dhe të qeverisë pas zgjedhjve të qershorit 2014. Por gjithçka vazhdon me një ritëm përkeqësimi. Nëse nuk zbatohen mendimet e Gjykatës Kushtetuese për këtë dhe partitë politike e grupet parlamentare nuk heqin dorë nga kjo praktikë absurde, autoriteti i Kuvendit si pushtet suprem e demokratik mbetet vetëm në letër. Duhet një presion gjithandej që mos të tolerohet kjo praktikë, e cila manifeston qartë tiparin e luftës primitve politike për pushtet. Shumica në Kuvend, partitë në koalicionin që formëson pushtetin duhet ta dijë se edhe ata kanë obligim që të ushtrojnë mbikëqyrjen e Qeverisë, në interes të qeverisjes së mirë e të përgjegjshme dhe në inters të partive e votuesve të tyre e jo ta kuptojë si detyrë të “shenjtë” e ta reduktojnë rolin e tyre për të mbrojtur gjithnjë e me çdo kusht për gjithçka “qeverinë e partisë/partive të tyre”.

Një nga rezultatet që do të mund të evidentoheshin është se përkundër problemeve me cilësinë e qeverisjes makroekonomike, edhe monitorimin e FMN-së, është arritur që të ruhet stabiliteti makroekonomik e fiskal. Por kjo sa po vjen e po vihet në sprovë. Përfitimet nga pakoja e transferave sociale, pensioneve dhe përfituesve të shumtë të skemave sociale (rasti i listave për veteranë p.sh.) por tash edhe rritja e pagave tek sektori publik ka marrë përmasat e një euforie për grabitje nga buxheti. Pa marrë parasysh se ka disa kërkesa që janë të drejta, si ajo e e mjekëve specialistë (me pagë 600 Euro), që nëse nuk adresohen do ta rrezikojnë seriozisht edhe më shumë cilësinë sherbimeve në QKU. Por  po shohim kërkesa një pas një në Qeveri, në Kuvend dhe të shumë sindikatave për rritje të pagës. Po rrezikohet ajo që është vënë si rregull që rritja e pagave ta përcjellë përqindjen e rritjes ekonomike dhe të produktivitetit. Kosova është diku në 60% të mesatarës së nivelit të zhvillimit të rajonit (GDP për një banorë), por pagat e sektorit publik dhe liderëve dhe shumë kategorive tjera janë dukshëm mbi mesatren e rajonit. Nëse sektori publik vazhdon kështu të grryejë nga pasuria kombëtare edhe kjo e rrezikon shtetndërtimin dhe stabilitetin e vendit. Eshtë koha që këtu gjithçka të bëhet transparente dhe t’i nënshtrohet një debati të angazhuar dhe presioni publik. Buxheti dhe sektori publik nuk është pronë e partive në pushtet dhe e liderëve të tyre.

Dhe më në fund  vjen paralajmërimi, në kontinuitet, i kompromiseve të dhimbshme dhe i frikësimit ose kështu ose gjithçka do të bëhet më keq lidhur me dialogun. Kemi ardhë deri aty kur partitë politike dhe liderët politikë nuk mund të takohen bashkë dhe po shohim mirë se cilat janë shansat dhe rrisqet lidhur me dialogun. Në një bisedë të përgjegjshme në grup ose një nga një, kokë me kokë dhe të marrin vendimin e duhur që do ta verifikojnë bashkë edhe me kuvendin dhe opinionin. Bajraktarizmi e protagonizmi, pasojat e luftës primitive politike për pushtet kanë ngushtuar horizontin e këtyre liderëve që nuk i bën bashkë as në një nivel bazik, elementar. Në përballje me rrezikimin e procesve të shtetndërtimit duhet t’u bëjmë  medije liderëve politikë dhe institucionalë se të tillë nuk na duhen. Në përballje me këtë rrezik uroj të ndryshojmë së paku shumica prej nesh në një vit me paralajmërime për vendime “të rënda”.

Urime pra 2019!

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.