Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

“Neksusi relacional” dhe shtetet evropiane që nuk njohin Kosovën

Kur Republika e Kosovës shpalli pavarësinë e saj ShBA-të dhe shtetet kryesore të BE-së e njohën atë, meqenëse procesi i shkëputjes së Kosovës nga Serbia nuk ishte bërë në mënyrën tradicionale të së Drejtës për Vetëvendosje, duhej një rrëfenjë e veçantë për ta justifikuar njohjen e Kosovës si shtet të pavarur. Me qëllim të menaxhimit të kaosit ndërkombëtar që do të mund të krijonte ky akt si precedent, njohjet e Kosovës komplementoheshin me narrativën e sui generis.

Struktura logjike e kësaj rrëfenje përbëhet nga katër elemente kryesore:

1. Fundi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë

2. Shkelja e të drejtave të njeriut

3. Ndërhyrja humanitare

4. Periudha e protektoratit ndërkombëtar

Duke marrë këta përbërës dhe duke i konvertuar në një diskurs politik u arsyetua shkëputja e Kosovës nga Serbia dhe njohja e saj si shtet i pavarur. Sipas përkrahësve të pavarësisë, Kosova është një rast i veçantë me të cilin nuk mund të barazohet asnjë rast tjetër në botë.

Megjithatë një pjesë e konsiderueshme e shteteve nuk e panë të arsyeshme që ta njohin shtetësinë e Kosovës. Ato nuk u pajtuan me ligjërimin se Kosova është rast unik. Përkundrazi, ata e panë dhe ende e shohin Kosovën si precedent me magnitudë të efekteve të dëmshme për dinamikat e tyre të brendshme shtetërore.

Kjo vlen sidomos për Bosnjën dhe 5 vendet e BE-së të cilat deri më tash nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur.

Këto shtete bien në kategorinë e shteteve që Kosovën nuk e njohin për shkak se janë kundër pavarësimit në mënyrë të njëanshme. Arsyeja për këtë gjendet në faktin se këto shtete konsiderojnë se mënyra e pavarësimit të Kosovës përbën precedent për disa rajone e komunitete kombëtare që duan ose të shkëputen plotësisht, ose të forcojnë pozicionin e tyre të brendshëm.

Kësisoj, politika e tyre e jashtme në raport me Kosovën është inxhinieruar në një kontekst kompleks të brendshëm. Qasja e tyre e jashtme është artikuluar në përputhje me ndërlikimet e brendshme. Këtë qasje mund ta konceptualizojmë përmes konceptit të “neksusit relacional” të Rogers Brubaker, që kërkon një vlerësim të serive të ndërveprimeve mes shteteve dhe nëngrupeve, sidomos në shtetet kuazi-federale dhe shtetet me komunitete të ndryshme etnike.

Në rastin e pavarësisë së Kosovës, disa rajone secesioniste e kanë parë si një moment të ri në të drejtën ndërkombëtare dhe si rast për të riaktualizuar ose për ta intensifikuar përpjekjen e tyre për shkëputje, ndërkohë që disa shtete kanë forcuar pozicionin e tyre kundër pavarësive në mënyrë të njëanshme. Spanja për shembull ka marrë vendim që të mos e njohë Kosovën për shkak të raporteve me komunitetin bask dhe katalunas.

Me të shpallur Kosova pavarësinë, përfaqësuesit baskë thanë se “Kosova është një rast për t’u ndjekur” dhe organizuan një referendum për pavarësi që më pas u shpall si i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese Spanjolle. E njëjta vlen edhe për përpjekjet e Katalonisë për t’u pavarësuar nga Spanja. Organizimi i referendumit katalan për pavarësi ngjalli tensione në Spanjë dhe vetëm se e bindi më shumë Spanjën në kundërshtinë e saj për pavarësinë e Kosovës.

Në përpilimin e tyre të referendumit, përfaqësuesit katalanë iu referuan Kosovës në mënyrë indirekte, konkretisht vendimit të GJND-së për të arsyetuar synimin e tyre për shkëputje.

Këto veprime radikalizuan qëndrimin e Spanjës në raport me Kosovën. Zyrtarisht Spanja në opinionin e saj në GJND për rastin e Kosovës nuk e ka lidhur mosnjohjen e Kosovës me çështjet e saj të brendshme, por është evidente që një lidhje e tillë ekziston në sfond të qasjes së saj. Në bazë të “neksusit relacional”, mobilizimi i ekstremistëve në një grup shkakton mobilizimin e ekstremistëve në grupin tjetër.

Në bazë të kësaj teorie, forcimi i aspiratave të baskëve për pavarësi radikalizoi katalanët që kërkuan të njëjtën dhe ashpërsuan masat e Spanjës. Pra ka një relacion trekëndësh me akterë të cilët në mënyrë konstante ndikojnë te njëri-tjetri me (mos)veprimet e tyre. Interpretimi që secila palë ia ka bërë pavarësisë së Kosovës ka polarizuar mjedisin politik në Spanjë duke prodhuar edhe tensione të brendshme.

E njëjta vlen edhe për Bosnje dhe Hercegovinën. Situata këtu është ndryshe sepse Bosnja nuk e njeh Kosovën për shkak të mungesës së unitetit në qeverisjen qendrore të vendit që vjen si pasojë e vetos së Republika Srpskas. Boshnjakët dhe kroatët janë për njohjen e Kosovës, por refuzimi i vazhdueshëm i komunitetit serb e pamundëson aktin e njohjes.

Infrastruktura e shtetit boshnjak – e ndërtuar mbi Marrëveshjen e Daytonit – është fertile për riprodhimin e polarizimit dhe mospajtimeve mes tri komuniteteve kryesore dhe kjo pamundëson krijimin e një konsensusi rreth çështjes së Kosovës.

Në secilin grupacion etnik ka të moderuar dhe ekstremistë dhe në “neksusin relacional” forcimi i ekstremistëve në njërin grup prodhon një efekt zinxhir dhe forcon ekstremistët në grupet e tjera dhe pamundëson bashkëpunim mes të moderuarve.

Ndërkohë, Serbia dhe Kroacia me paternalizmin dhe ndërhyrjet e tyre në Bosnjë vetëm sa e rritin vëllimin e ndërveprimeve në “neksusin relacional” që polarizojnë situatën. Kjo e dallon prej rastit të Spanjës ku nuk është se ka ndërhyrje të shumta nga shtete tjera.

Në rastin e Kosovës, sikur edhe për shumë tjera në Bosnjë, ka vetëm mospajtime. Bosnja është një shembull i prekshëm i shteteve “skizofrenike”, me shumë çarje të brendshme, me shumë fragmentime e fraktura që pamundësojnë politika koherente dhe që sfidon teoritë (neo)realiste mbi shtetet si entitete unitare.

Përmes skemës së “neksusit relacional” mund të përshkruhet edhe refuzimi i Rumanisë për të njohur Kosovën. Shteti rumun është prej shteteve më të centralizuar në Evropë dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës ka ngjallur drojë se mund të trimërojë komunitetin hungarez.

Mirëpo shteti rumun nuk ka bërë dallim të qartë mes kërkesave secesioniste dhe josecesioniste. Përderisa Kosova është pavarësuar përmes politikës secesioniste, komuniteti hungarez në Rumani kërkon vetëm ristrukturim territorial që do t’u jepte më shumë autonomi.

Elitat nacionaliste rumune kanë ekzagjeruar problemin duke folur për një “spektër të politikave të dhunshme për pavarësim që është duke u sjellur mbi shtetin rumun”. Duke mos bërë dallim mes kërkesave të Kosovës dhe hungarezëve, shteti rumun ka margjinalizuar komunitetin hungarez dhe kjo ka forcuar frontin radikal hungarez dhe ka dobësuar të moderuarit.

Pra edhe në Rumani mund të aplikohet skema relacionale e Brubaker. Shteti rumun është një arenë e një kontesti mes nacionalizmit shtetëror rumun dhe komunitetit hungarez që mban raporte edhe me shtetin hungarez. Edhe kemi të bëjmë me një relacion trekëndësh ku raportet mes komuniteteve formojnë pjesërisht identitetin e grupeve tjera dhe ndikojnë në sjelljen e tyre.

E njëjta vlen edhe për Greqinë, Qipron dhe Sllovakinë që kanë problemet e tyre të brendshme dhe në të cilat politika artikulohet në dinamikat relacionale mes shteteve dhe elementeve joshtetërore. Mirëpo për shkak të hapësirës së kufizuar në këtë shkrim nuk është e mundur të elaborohet gjerësisht për to.

Si fund, shihet se teoria relacionale është e vyeshme në të kuptuarit e dinamikave të brendshme të shteteve që nuk e njohin Kosovën dhe në bazë të kompleksitetit që kanë duhet edhe të ndërtohen strategjitë për krijimin e raporteve diplomatike me ta.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.