Në vitet e 90-ta koncepti i varfërisë filloi të analizohej në mënyrë më të detajuar, duke përfshirë një spektër më të gjerë të kontribuuesve në varfëri, më specifikisht, përfshirjen e varfërisë së kohës. Kjo çoi në popullarizimin e idesë se varfëria është seksiste dhe i godet në mënyrë jo-proporcionale gratë. Për të vërtetuar këtë ide, hulumtime të shumta vazhdojnë të bëhen, jo vetëm mbi kompensimin e punës së paguar, por edhe për kohën e kaluar në punë të papaguar. Përderisa debati mbetet ende i hapur nëse me të vërtetë gratë ndikohen më shumë nga varfëria materiale se burrat, ka shumë pak dilemë në pyetjen nëse gratë janë më të varfëra në kohë se burrat.
Sipas Forumit Ekonomik Botëror (WEF, 2016), koha e kaluar duke punuar dallon për burra dhe gra. Një mesatare nëpër botë, tregon se gratë punojnë rreth 8 orë dhe 49 minuta në ditë, ndërsa burrat punojnë 7 orë dhe 47 minuta. Kjo kohë, siç edhe u merr mendja, nuk përfshinë vetëm kohën e kaluar në punë të paguar, por edhe atë në punë të papaguar. Nga kjo kohë, burrat kalojnë 1 orë e 30 minuta në punë pa pagesë e punë të kujdesit, ndërsa gratë duke pasur barrën më të madhe të punës së kujdesit e asaj të papaguar, punojnë deri në 4 orë 47 minuta në ditë në punë të tilla.
Mirëpo, të dhëna të tilla për Kosovë, ende nuk kemi, duke qenë që Anketa e Përdorimit të Kohës ende nuk është bërë. Sidoqoftë, në mungesë të kësaj ankete, në raportin e fundit të Institutit Riinvest i cili analizon kushtet e punës për gratë e punësuara në Kosovë, ndër të tjera është bërë edhe një analizë e mënyrës se si gratë e punësuara e kalojnë kohën.
Nga ky raport, del se gratë e punësuara kalojnë rreth 7 orë e gjysmë në punë të paguar – do të thotë afërsisht orar të plotë. Në anën tjetër ato gjithashtu kalojnë rreth 3 orë në punë të papaguar – do të thotë duke u kujdesur për familjen dhe duke kryer punë shtëpiake të papaguara – fenomen ky i njohur si orari i dyfishtë. Në total, gratë që janë të punësuara kalojën rreth 10 orë e 30 minuta në ditë duke punuar.
Në një shkrim të mëhershëm kam trajtuar ndikimin e barrës së punëve të shtëpisë në mirëqenien e grave dhe të familjeve. Si vazhdimësi e kësaj, duke i shtuar përkufizimit të mirëqenies edhe dimensionin e kohës së shpenzuar, mund të analizojmë ndikimin që angazhimi i dyfishtë i grave, në tregun e punës dhe në punë të shtëpisë ka në mirëqenien e tyre dhe si përkthehet kjo në terma materiale dhe të kohës.
Në Kosovë, një ndër statistikat më alarmante për tregun e punës është niveli tejet i ulët i pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore – ku vetëm 18% e grave të moshës së punës janë aktive. Arsyet e mos aktivizimit dallojnë, mirëpo një ndër arsyet kryesore mbeten obligimet ndaj anëtareve tjerë të familjes. Duke e pasur parasysh këtë realitet, posaçërisht në vendet në zhvillim, ekonomia feministe vë në dukje faktin që pjesëmarrja më e madhe e grave në punë të paguar shpesh rezulton në më pak kohë për kujdes personal, kohë të lirë, ose gjumë – e jo angazhim më të ulët në punë të papaguar (Folbre, 2006). Sipas këtyre pritjeve, gratë, kur angazhohen në punë të paguar, mbesin më të varfëra në kohë.
Kjo, sipas raportit të sipërpërmendur, del e vërtetë edhe për Kosovë. Me disagregim të të dhënave nëpër nivele të ndryshme të pagave, shihet që numri i orëve të kaluara në punë të papaguar mbetet mesatarisht i njëjtë, pavarësisht nivelit të pagave dhe orëve të kaluara në punë të paguar. Kjo tregon një njëtrajtshmëri në pritjet që gratë duhet t’i kushtojnë kohë të caktuar punëve të shtëpisë dhe kujdesit ndaj familjes, pa marrë parasysh angazhimin e tyre në tregun e punës, ose kontributin e tyre material në ekonominë familjare.
Për më tepër nga anketa e Riinvest, del se vetëm 7% e grave të anketuara kanë ndihmë të paguar, dhe kjo ndihmë është e koncentruar në pastrimin e shtëpisë. Normalisht nëse kontrollojmë për nivel të pagës vërehet pamundësia e grave me paga më të ulëta, të punësojnë ndihmë të paguar. Kështu që gratë të cilat paguhen më pak në punë në treg – gjithashtu kanë mundësi më pak të punësojnë ndihmë – gjë që rezulton që ato të jenë të varfëra edhe në kohë, edhe në kompensim material.
Anashkalimi i kontributit të grave në ekonomitë familjare, nuk rezulton vetëm në nivele më të larta të një varfërie gjithëpërfshirëse për to, por edhe në keqinterpretim të kontributit të tyre ekonomik. Për të ilustruar këtë të dytën, vetëm imagjinoni kompensimin e barasvlershëm material të kohës së shpenzuar në punë të paguar dhe të papaguar. Nëse puna e papaguar do konsiderohej si kontribut ekonomik, në bazë të të dhënave të Riinvest, del që bazuar në rrogën mesatare të raportuar prej €387/muaj, paga mesatare për orë, është €2.15. Aplikimi i kompensimit të barasvlershëm për orë të punës në punë të shtëpisë, do të rezultonte së paku në €135 shtesë kontribut të grave në ekonomi. Ky kontribut, rritet më tej nëse konsiderojmë që angazhimi në punë të papaguar shkon përtej ditëve të punës, dhe normalisht kontributi ndryshon me nivel të pagave, siç shihet edhe në figurën e mëposhtme.
Specifikisht, duke pasur parasysh ndarjen gjinore të punëve, botërisht gratë kanë barrë jo-proporcionale të punës së “padukshme.” (Puna e padukshme i referohet aktiviteteve të papaguara, kryesisht punëve të kryera në shtëpi, si dhe punëve të kujdesit.) Duke qenë që domeni i këtyre punëve është ekonomia familjare/shtëpia, këto punë dhe ky kontribut ekonomik mbetet i pa evidentuar nga llogaritë nacionale (Hirway, 2005) – dhe si rezultat nënvlerësohet edhe kontributi ekonomik i grave në ekonomi. Kështu, përfshirja e të dhënave të shpenzimit të kohës, do të luante rol kritik në tentativat për të kuptuar më mirë aktivitetin ekonomik, kontributin e grave në ekonomi, dhe në hartimin e politikave publike.
Mirëpo, ky kontribut i dhënë nga gratë, përveç që nuk merret parasysh në llogaritë kombëtare të ekonomisë, gjithashtu konsiderohet si diçka e mirëqenë – pa u vënë asnjëherë në dyshim se është aty. Ky angazhim, përveç që mbetet i nënvlerësuar, gjithashtu i lë gratë më të varfëra në kohë – duke u pamundësuar investimin e kohës në veten e tyre.
Kështu, nëse varfëria përfshinë edhe mungesën e kohës, duhet të reflektojë edhe në intervenime e politika, të tilla që në fakt, kur kanë për qëllim uljen e varfërisë materiale, të mos kontribuojnë në varfëri të përgjithshme. Politikat publike duhet të bazohen në të dhëna, duke përfshirë të dhënat e përdorimit të kohës, dhe të orientohen kah intervenimet gjithpërfshirëse në rritjen e mirëqenies, që do të thotë jo vetëm në uljen e varfërisë materiale në kurriz të rritjes së varfërisë në kohë (të grave posaçërisht), por në përmirësimin e përgjithshëm të kualitetit të jetës.
__________
Ky artikull është kontribut ndaj projektit USAID Transformational Leadership Program-Citizens Corps. Vështrimet dhe opinionet e shprehura në këtë artikull i takojnë autorëve dhe nuk reflektojnë medoemos politikat dhe qëndrimet zyrtare të USAID TLP Citizens Corps. Supozimet e bëra brenda analizës, gjithashtu nuk reflektojnë qëndrimin e cilitdo entitet qeveritar.