Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Nevoja për një hap të verbër

Vullneti dhe qëndresa e rajonit për t’i kundërshtuar ndikimet dashakëqija të aktorëve të jashtëm dhe për ta forcuar kulturën politike demokratike po dobësohen si rrjedhojë zhgënjimeve dhe frustrimeve për ngadalësinë e ardhjes së rezultateve të përmbushjes së një vizioni të përbashkët që shprehet në “Deklaratën e Samitit të Zagrebit” në nëntor të vitit 2000. Dy dekada më vonë, kur Këshilli Evropian është nën udhëheqësinë e Kroacisë, do të mbahet një samit mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në Zagreb, i cili do të jetë çast i rëndësishëm për ta ndërtuar një qasje të qartë dhe të përbashkët për të gjithë rajonin.

Mungesa e reformave domethënëse vendore në rajon natyrisht që kanë kontribuar për këtë ngadalësi, por shkaktare është gjithashtu vështirësia e BE-së për të folur njëzëri sa i përket Ballkanit Perëndimor. Shoqëritë e rajonit tonë tashmë u janë nënshtruar lojërave dhe eksperimenteve gjeopolitike për shumë gjatë. Ballkani Perëndimor duket i vyshkur dhe më cinik ndaj procesit të integrimit si shtysë për ndryshim. Rajoni kërkon frymëzim, dhe për këtë nevojiten dy hapa të verbër. BE-ja duhet ta bëjë një hap të verbër ndaj Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, dhe Serbia me Kosovën duhet ta bëjë një hap të verbër ndaj njëra-tjetrës. Në takimin e ardhshëm të Këshillit Evropian në mars përfshihet çështja e zgjerimit. Kjo jep mundësi unike për ta frymëzuar Ballkanin Perëndimor dhe për t’ua rritur moralin shoqërive të veta.

Komisioni Evropian është treguar e qartë që edhe Shqipëria, edhe Maqedonia e Veriut kanë treguar rezultate të prekshme dhe prandaj “rekomandimi për t’i hapur negociatet e zgjerimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mbetet i vlefshëm”. Komisioni Evropian po ashtu ka vërtetuar që rekomandimi i vitit 2016 për liberalizimin e vizave për Kosovën mbetet i vlefshëm. Shtetet anëtare të BE-së dueht ta bëjnë një hap të verbër drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe ndaj Kosovës. Kjo nuk duhet të nënkuptojë që ata po u japin lëmoshë këtyre vendeve ose që ndihen të vetëkënaqen me sfidat që u rrijnë përballë. Në fakt, aq sa ky hap i shteteve anëtare të BE-së do të ishte ndaj rajonit, njëjtë do të ishte edhe ndaj institucioneve të veta, kryesisht për Komisioni Evropian.

BE-ja është bërë tepër e përkushtuar ndaj standardeve dhe teknikaliteteve në rajon, aq sa ka dëmtuar fuqinë e frymëzimit që ndjell procesi i integrimit. Duhet të ketë një lloj baraspeshe mes nevojës për t’i përmbushur kriteret dhe aspektin thelbësor të frymëzimit të shoqërive për tu shndërruar dhe përmirësuar. Pasi Franca e bëri te veten me metofologjinë “e re”, duhet të ketë fokus në aspektin frymëzues të procesit të integrimit evropian në mënyrë që të mos shihet vazhdimisht brenda një konteksti cinik dhe si lojë politike-ideologjike. Kjo i dëmton përpjekjet e BE-së për ta zgjeruar kornizën normative si dhe për të ndërtuar partneritete. Kur BE-ja shpall vendimet për negociatat e zgjerimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut apo për liberalizimin e vizave për Kosovën, ajo flet drejtpërdrejt me shoqëritë e këtyre vendeve, dhe jo me qeveritë. Prej këndvështrimit tonë, një “jo” e mundshme ndaj këtyre tri vendeve realisht nënkupton që ata nuk e meritojnë etiketën evropiane, dhe pavarësishte se çfarë bëjnë, asnjëherë nuk do të jenë të mira sa duhet.

Siç vëren Ivan Krastev: “Një shaka e Ballkanit e shpjegon shumë mirë mendësinë e njerëzve që janë lënë të presin shumë gjatë: kur vjen puna te anëtarësimi në BE, dallimi mes pesimistëve dhe optimistëve është që optimistët besojnë se Turqia do të anëtarësohet gjatë udhëheqësisë së Shqipërisë, kurse pesimistët besojnë se Shqipëria do të anëtarësohet gjatë udhëheqësisë së Turqisë. Domethënë: kurrë”. Kjo shaka po ashtu shfaq paragjykimin shqetësues kulturor/fetar të procesit të integrimit evropian që zbulon disa rregulla të pashkruara. Njerëzit në Kosovë kanë përshtypjen që ka diçka tjetër veç zbatimit të sundimit të ligjit që përcakton pozitat e shteteve anëtare kundrejt vendit dhe aspiratave të tij.

Një hap tjetër i verbër me rëndësi të veçantë do të ishte mes Kosovës e Serbisë. Secila bisedë për marrëveshjen mes dy shteteve mbizotërohet nga ekstremet. Rrjedhimisht, të gjitha zgjidhjet e mundshme janë të paarritshme. Ky është kurth i rrezikshme. Duket se axhenda është që secili skenar i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes Kosovës e Serbisë të jetë aq i tepërt sa  fraza “moszgjidhja është zgjidhje” të bëhet pozicioni i pashkruar i bashkësisë ndërkombëtare, duke e shndërruar Kosovën në limb. Të dy shtetet duhet ta bëjnë një hap të verbër ndaj njëra-tjetrës, gjë e cila thuhet lehtë e s’bëhet lehtë.

Në muajt në vijim, bashkëpunimi në mes të platformave online Remarker dhe Sbunker do të sjellë një seri analizash që kanë për qëllim nxitjen e debatit të hapur e kritik mbi situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pas qëndrimeve të fundit nga Franca, një ndër shtetet anëtare me më së shumti ndikim në BE, rajoni po përballet me një ndër sfidat më të vështira të tri dekadave të fundit, prej kur shtetet e Ballkanit Perëndimor filluan rrugën e tyre të vështirë, fillimisht duke kaluar nëpër konflikte dhe pastaj në procesin e demokratizimit dhe integrimit evropian.

Qëllimi i Remarker dhe Sbunker është të krijojë njohje më të mirë të çështjeve aktuale në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe rritjen e vetëdijes mbi proceset e integrimit evropian, atë të demokratizimit dhe sundimit të ligjit, si kushtet kryesore për arritjen e paqes afatgjatë dhe stabilitetit në rajon. 

—–

Shkrimin në gjuhën serbe mund ta gjeni këtu, ndërsa në gjuhën angleze këtu.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.