Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Nevoja për të emancipuar debatin publik mbi dialogun me Serbinë

U bënë shumë muaj tashmë që çështja e finalizimit të dialogut me Serbinë dhe e implikimeve të mundshme për projekt-marrëveshjen, e dominon debatin publik jo vetëm në Kosovë por në mbarë trojet shqiptare. Nuk ka ngelur pothuaj asnjë figurë publike që nuk është shprehur për këtë çështje që befas i shndërroi të gjithë ata në “ekspertë” të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe zgjidhjeve të konflikteve. Kjo situatë e ka inflacionuar debatin publik me emocione tërë pasion që shiten si opionione e me opinione sipërfaqësore që shiten si analiza. Hezitimi për një marrëveshje paqeje me ish-armiqtë është më se e kuptueshme për një shoqëri konservatore shqiptare (e cila trashëgimi tipike ka hakmarrjen sipas kanunit) e nuk i ka të përvetësuara plotësisht vlerat bashkëkohore perëndimore si dialogu, toleranca e pluralizmi. Një marrëveshje e paqes është e vështirë që të gjejë mbështetje të gjerë në një shoqëri që në folklorin e vetë glorifikon luftën dhe martirizimin dhe kompromisin e dialogun e shikon si shenjë dobësie.

Prania e skajshme e emocioneve për faktin që shoqëria jonë po shkel në një shteg të parrahur (sikurse është një marrëveshje paqeje me armiqtë historik) e kombinuar me një injorancë të thellë për historinë bashkëkohore apo teoritë që lidhen me proceset e këtij lloji, ka shkaktuar një kakofoni të mirëfilltë në këtë debat dhe ka sjellë një disinformim të madh të publikut. Është krijuar një spirale e vërtetë degradimi ku ky disinformim shton ndjesinë e padrejtësisë e të revoltës në shoqëri dhe mandej këto emocione të shtuara e mjegullojnë akoma më shumë logjikën e arsyen dhe rrisin disinformimin për qytetarët. Për rrjedhojë, aktualisht kemi një debat publik goxha emocional që vetëm sa ka kultivuar ndjesinë e viktimës tek qytetarët tanë dhe e ka zvogëluar akoma më shumë mbështetjen për paqen që ashtu kështu ishte tashmë goxha e kufizuar në kulturën tonë.

Problemi tjetër këtu është se edhe ata që konsiderohen elita apo shtresa e opinionbërësve, nuk shkëputen nga impulset emocionale tradicionale të masave dhe nuk aplikojnë qasjen racionale pragmatiste dhe të mirinformuar të praktikave ndërkombëtare që do duhej të  manifestonin. Pra në njëfarë mënyre elitë e publik janë bërë bashkë për sa i përket emocioneve patriotike, pasionit për të kërkuar shpagim e ndëshkim dhe refuzimit për të arritur një marrëveshje ku jo vetëm kundërshtarët por që të dy palët të lëshojnë për hir të kompromisit të dyanshëm. Shumica e opinionbërësve po promovojnë një lloj naiviteti që nuk e pranon faktin se s’ka marrëveshje ndëshkimore ndaj kundërshtarëve dhe se e vetmja marrëveshje që mund të kryehet do të jetë një në të cilën të dy palët kanë motiv të mjaftueshëm për ta firmosur këtë marrëveshje. Ngarkesën emocionale që ua verbon arsyen për këtë çështje ua shton akoma më shumë emocioni negativ që kanë personalisht këta individë ndaj presidentit Thaçi i cili ka qenë në krye të këtij procesi.

Mungesën e përmbajtjes dhe ekspertizës me të cilën trajtohet kjo temë e demonstron fakti që diskutimi bëhet plot e përplot me mllef e marraz për serbët dhe Beogradin dhe jo duke përdorur njohuri e teori të shkencave sociale apo raste analoge dhe praktika ndërkombëtare të krahasueshme me rastin e Kosovës. Të habit kurajoja me të cilën flasin gjithë vetëbesim por në mënyrë të cekët shumë njerëz për një temë si negociatat që në fakt është subjekt që prej dekadash i nënshtrohet studimeve skrupuloze shkencore. Ka shumë gjëra që mund të mësohen nga dituria e akumuluar dhe përpunuar prej rasteve të vendeve të tjera. Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Studimi i Paqes dhe Konflikteve janë dy nëndegë të Shkencave Politike dhe sot ka katedra të panumërta universitare nëpër botë dhe një literaturë shumë të pasur shencore të ndërtuar në bazë të rasteve të konflikteve të shumta të të gjitha kontinenteve. Kuptohet që, sikurse në çdo fushë studimore,  ka teori të shumta që mund të kundërshtojnë njëra tjetrën apo që ende vihen në pikëpyetje, megjithatë ka disa elemente që janë të mirëpranuara nga pjesa më e madhe e studiuesve.

Kështu për shembull ka një lloj konsensusi që negociatat për zgjidhjen e konflikteve të zhvillohen në mënyrë të fshehtë ndërkohë që marrëveshjet janë ato që duhet të jenë transparente. Një pjesë e mirë e zërave kritikë janë duke u revoltuar në mënyrë naive se përse këto negociata janë duke u zhvilluar të fshehta pa marrë mundimin që të shikojnë se me çfarë lloj negociatash i zgjidhin konfliktet vendet e tjera. Po të shqyrtohen rastet e tjera të negociatave që kanë rezultuar në marrëveshje paqeje duket qartë që negociatorët nuk ulen në tryezë bisedimesh me “letrat çelur” . Kështu për shembull marrëveshja e fqinjëve tanë në Dejton u negociua në bazën ajrore ushtarake Wright Patterson afër Dejtonit, në Ohio të SHBA-ve ku palët ishin tërësisht të izoluar nga mediat për javë të tëra.

Kur flitet për transparencën duhet kuptuar se asnjë negocioator nuk do të dojë të tregojë se çfarë është i gatshëm të lëshojë për të arritur një marrëveshje pa u siguruar që ka marrë në shkëmbim diçka ekuivalent të vlefshme. Në literaturën shkencore padyshim që flitet për transparencë në zgjidhjen e konflikteve, por më shumë ajo lidhet me kundërshtimin e marrëveshjeve të fshehta. Dihet që një shekull më parë, kur u bë konferenca e paqes në Versajë, presidentin amerikan WoodroW Wilson, një prej pikave të tij të famshme e kishte pikërisht për vendosjen e standardit të ri për të pasur vetëm marrëveshje transparente. Ky qëndrim kishte të bënte me përvojën e freskët e të hidhur që ai dhe mbarë opinioni publik kishte pasur për paktin e fshehtë të Londrës të vitit 1915, në të cilin Italia ra dakord të ndërronte krahët e të bëhej me Antantën në këmbim të kafshimit të territoreve të Shqipërisë e Austro-Hungarisë. Dispozitat e këtij pakti të fshehtë u botuan nga bolshevikët kur erdhën në pushtet në Rusi në fund të vitit 1917 dhe shkaktuan një neveri ndërkombëtare çka çoi në heqjen dorë të praktikës së pakteve të fshehta në vitet e mëpasshme. Në rastin e Kosovës është e kuptueshme që negociatat të jenë të fshehta por marrëveshja ka për të qenë publike e transparente. Nuk ka nevojë për alarmizëm, sepse ajo marrëveshje nëse nënshkruhet, do i nënshtrohet shqyrtimit publik e do kalojë në parlament e referendum përpara se të hyjë në fuqi.

Po ashtu duhet theksuar se një ndër parimet kryesore të negociatave bashkëkohore është “nuk ka dakordim për asgjë nëse nuk jemi dakorduar për gjithçka”. Ky është një parim që është futur tashmë si term në fjalorin e zgjidhjes së konflikteve prej ish-presidentit finlandez Marti Ahtisaari në vitin 2005 gjatë kohës që shërbente si ndërmjetësues në negociatat e paqes për krahinën Aceh në Indonezi. Qasja e propozuar prej tij në negociata se “Asgjë nuk është zgjidhur nëse nuk është zgjidhur gjithçka” po përdoret sot edhe në negociatat e Kosovës sikurse ato të britanikëve për një ujdi të Brexit-it. Ka dy arsye thelbësore përse ky parim është bërë tashmë rregull për negociatat ndërkombëtare. Së pari Ahtisaari me këtë parim do thoshte se synohej një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse, që ka të bëjë me të gjitha çështjet kryesore dhe nuk lë asnjë gjë të rëndësishme mënjanë. Pra që i mbyll njëherë e mirë të gjitha temat e nuk lë jashtë ndonjë çështje që mund të jetë burim përplasje apo konfliktualiteti në një kohë të mëpasshme. Së dyti, kjo do të thoshte se çdo “koncesion” bërë në rrugë e sipër të negociatave nga ndonjëra palë nuk mund të trumpetohet me triumfalizëm nga pala tjetër sepse asnjë koncesion nuk ishte përfundimtar derisa të arrihej marrëveshja e përgjithshme për të tërë temat.

Prandaj në rastin tonë kur përdoret formula “nuk jemi pajtuar për asgjë derisa nuk pajtohemi për gjithçka” është e pakuptimtë që të flasim gjithë kohën kryekëput vetëm për çështjen e kufijve ndërkohë që nuk e kemi ende në dorë paketën e plotë të marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Pra mund të ndodhë që mos të kemi marrëveshje fare dhe gjithë debati të ishte i kotë ashtu sikurse mund të ndodhë që oferta të jetë mjaftueshëm joshëse sa ta bëjë çështjen e kufijve koncesion të kapërdishëm. Thjesht ngelet për t’u parë.

Nga ana tjetër në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në zgjidhjet e konflikteve ka edhe një praktikë tjetër të negociatave të stilit të Kissingerit e cila promovon idenë e trajtimit të çështjeve në mënyrë të fragmentuar e të njëpasnjëshme. Pra një qasje e tipit “gur gur bëhet mur” që synon dakordimin mbi arritjen e kompromisit për komponentët e vegjë të konfliktit, hap pas hapi, në vend që të synojë arritjen e një marrëveshje të plotë e gjithëpërfshirëse. Secila nga këto praktika ka të mirat e këqijat e saj. Formula “gjithçka ose asgjë” e bën shumë të zorshme arritjen e një marrëveshjeje shumë të hollësishme. Kështu për shembull marrëveshja e bërë prej qeverisë së Kolumbisë me FARC-un në vitin 2016 kishte 297 faqe, ndërkohë që negociatat kishin nisur prej vitit 2012. Mirëpo nga ana tjetër nëse lihen gjëra të rëndësishme pa trajtuar ato mund ta kërcënojnë paqen në të ardhmen. Kjo sepse nëse lihen gjëra hapur për t’u trajtuar në një kohë të dytë shtohet rreziku për mbijetesën e paqes si dhe vështirësohet implementimi i marrëveshjes. Përpos kësaj, në njëfarë mënyre mund të thuhet se qasjen “pak e nga pak”, Kosova e ka shterruar tashmë në negociatat teknike shumëvjeçare në Bruksel të cilat kanë trajtuar veçmas tema të ndryshme. Gjithsesi e rëndësishme është që të kuptohet se në rastin  e dialogut të Kosovës me Serbinë bëhet fjalë për formulën e Ahtisaarit që do të thotë se është e kotë të flitet për një komponent kur qasja është “gjithçka ose asgjë”.

Mandej një tjetër kritikë që po bëhet shpesh për dialogun është se nuk mund të vazhdojë nëse nuk përfshihet edhe Lëvizja Vetëvendosja dhe LDK-ja pra kërkojnë gjithëpërfshirjen njëzëri të të gjithë aktorëve. Nga ana tjetër të njëjtit nuk bëjnë presion që këto dy parti të mëdha të vendit të mos rrijnë duarkryq duke soditur të tjerat që djegin duart me patatet e nxehta të negociatave por të marrin përgjegjësi e të përfshihen në një proces. Ky i gjithëpërfshirjes është gjithashtu një pretendim qesharak sepse në kushtet e pluralizmit dhe të lirisë së mendimit e veprimit që gëzojmë sot është e vështirë, – për mos të thënë e pamundur, – që të pritet që gjithë shoqëria të shprehet njëzëri, uniform në rresht siç detyrohen me dhunë e propagandë në shoqëri totalitare.

Mjafton të shikohet se çfarë ndodhi në Maqedoni të Veriut dhe Greqi me protestat masive për marrrëveshjen e Prespës për të kuptuar që proceset e paqes të kenë kundërshtarë e të pakënaqur. Konsensusi sa më i gjerë dhe përfshirja sa më e madhe është e dëshirueshme sepse i shton legjitimitetin procesit, mirëpo jo e domosdoshme. Në fund të fundit jemi në demokraci ku zëri i shumicës vendos. Në këtë rast miratimi i marrëveshjes, nëse realizohet, pasi të bëhet transparente plotësisht do arrihet me një shumicë të cilësuar në parlament dhe një referendum që konsiderohet forma më e lartë e demokracisë së drejtpërdrejtë.

Çështja e dialogut është sot çështja më e rëndësishme për Kosovën dhe meriton maksimumin e seriozitetit, e kthjelltësisë dhe të vëmendjes. Manifestime të emocioneve të tepruara, qëndrimet e rrëmbyera, deklaratat e cekëta, të painformuara, dhe opinionet e dhëna nga njerëzit që nuk kanë studiuar janë duke e kontaminuar dhe turbulluar në mënyrë të panevojshme këtë debat. Kosova ka një segment të shoqërisë që përfiton nga status-quo-ja dhe arritja e marrëveshjes ia cenon privilegjet apo pozicionin që po shijon, mirëpo është në interesin e shtetit dhe pjesës dërrmuese të popullit të Kosovës që të ketë një marrëveshje të paqes me Serbinë. Traktati i Parisit që formoi Komunitetin Europian të Qymyrit dhe Çelikut dhe që konsiderohet zanafilla e integrimit evropian, u firmos në 18 Prill 1951. Pa u mbushur 6 vite nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, armiqtë u bënë bashkë për të hapur një kapitull të ri të paqes. Ne sivjet mbushim 20 vjet nga fundi i luftës dhe ende nuk e kemi zgjidhur konfliktin nëpërmjet një ujdije përfundimare. Prandaj ka ardhur koha që ta mbështesim seriozisht këtë proces paqeje duke u treguar edhe ne më shumë evropianë e më pak ballkanikë, më shumë racionalë e më pak emocionalë si dhe më shumë largpamës e më pak peng të së kaluarës.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.