Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Nga palëvizjet e udhëheqësve politikë te lëvizjet e studentëve

Mbresa nga leximi i librit “Lëvizjet studentore për Republikën e Kosovës” nga Atdhe Hetemi.

Dy janë aspektet novatore të këtij studimi. Në njërën anë, ai plotëson një boshllëk në literaturën e lëvizjeve shoqërore, ku ka munguar fokusi i studiuesve në mobilizimin e studentëve dhe rolin e universitetit në lëvizjet e protestës në “shoqëritë margjinale”, siç ishte shoqëria e Kosovës në Jugosllavi dhe nën pushtimin serb. Në anën tjetër, lëvizjet e studentëve në Kosovë kundrohen e analizohen brenda traditës teorike të lëvizjeve shoqërore të zhvilluar në sociologji dhe shkencën politike, dhe zhvishen nga gjykimi e idealizimi i tyre. Veç këtyre, libri hap një shteg drejt hulumtimit të ndërveprimit të Universitetit të Prishtinës me politikën: rolin politik të Universitetit në shoqëri, si dhe ndërhyrjen e politikës në Universitet edhe në periudhat e mëvonshme.

Dyzet vjet më parë, ajo që kishte filluar si një protestë kundër ushqimit jocilësor dhe kushteve të padinjitetshme të studentëve, në mensën e studentëve të Universitetit të Prishtinës, u përhap në disa demonstrata masive gjithandej qendrave të Kosovës, për të përfshirë punonjës dhe nxënës të shkollave, ku, ndër tjerash, brohoritej edhe për “Republikë” e “Kushtetutë” për, asokohe, Krahinën Autonome të Kosovës. Ishte pranvera e vitit 1981 dhe, siç dihet, kjo nuk ishte as hera e parë, as e fundit që studentët shqiptarë në Kosovë kishin artikuluar kërkesa politike: kjo kishte ndodhur 13 vjet më parë, në vitin 1968, dhe 16 vjet ma pas, në vitin 1997.

A mund të shihen demonstratat e 68-tës, 81-shit dhe 97-tës të shekullit të kaluar si pjesë e një lëvizjeje shoqërore në Kosovë? Cila është lidhja në mes këtyre tri demonstratave? A mund të cilësohen ato si lëvizje për Republikën ose Shtetin e Kosovës? Në çfarë kushtesh rrethanore ngjanë ato demonstrata? Cilët ishin faktorët përcaktues dhe ndikues tek ato demonstrata? Cilët ishin aktorët e atyre demonstratave? Këto janë pyetjet kyç të cilave libri i Atdhe Hetemit, Lëvizjet studentore për Republikën e Kosovës u përgjigjet përmes një qasjeje historike dhe një studimi të gjerë empirik që përfshin rrëfime gojore të pjesëmarrësve dhe dëshmitarëve të atyre ngjarjeve, si dhe materiale arkivore nga tri qendra: Prishtina, Tirana dhe Beogradi.

Teza kryesore e librit është se këto tri demonstrata studentore ishin vendimtare në zhvillimin e ngjarjeve të cilat çuan në pavarësimin e Kosovës (f.38)*, duke qenë se ruajtën vizionin për Republikën e Kosovës (f.40), si dhe luajtën rol në moblizimin politik të shoqërisë kosovare dhe ngritjen e çështjes së Kosovës në nivel ndërkombëtar (f. 43). Secila nga demonstratat e studentëve kishte kërkesa pak a shumë të ndryshme dhe të dalluara: arsim të lartë në gjuhën amtare (në ’68-tën), kushte më të mira jetese në universitet (në ’81 -tën) dhe autonomi akademike në universitet (në ’97 -tën), por në të trijat “u shkri kërkesa për Republikë (qoftë brenda a jashtë Federatës Jugosllave)”, sado që ky nuk ishte qëllimi kryesor ose fillestar i tyre (p. 42).

Studimi ndërtohet brenda traditës së sociologjisë dhe shkencës politike në teorizimin e lëvizjeve shoqërore dhe protestës,  por edhe e pasuron atë traditë. Korpusi i diturisë mbi lëvizjet shoqërore përfshin studime që shkëlqejnë më tepër në hulumtim empirik, por jo gjithaq në analizë, interpretim dhe teori ose anasjellas. Në këtë studim, autori arrin t’i bashkojë të dyjat, empiriken dhe teoriken, në një sintezë të pashoqe në hulumtimet e deritanishme mbi temën demonstratave të studentëve dhe lëvizjet shoqërore në Kosovë. Si i tillë, ky studim përbën si një kontribut të mirëpritur historik-empirik dhe teorik, bashkë, në lëvrimin e historisë politike dhe sociologjike të Kosovës.

Kontributi shkencor i këtij libri, që bazohet në një studim të gjerë të burimeve arkivore dhe rrëfimeve gojore, është se vë në analizë historike Universitetin e Prishtinës dhe mobilizimin e studentëve si prishës të status quosë ose koncepteve politike të “Obllastit” Autonom të Kosovës dhe Metohisë, të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës dhe, më vonë, të Republikës “së parë” të Kosovës së viteve të nëntëdhjeta, për të thurur, kësisoj, një rrëfim koherent të të tri ngjarjeve. Ky rrëfim thekson dallimet në mes karaktereve dhe rrethanave të të tri lëvizjeve, por që, megjithatë, mund të shihen si një protestë e përbashkët e studentëve kundër diskriminimit të shqiptarëve.

Ato arritën të mobilizonin shoqërinë në periudha të ndryshme në një lëvizje emancipuese në kohët kur udhëheqësit politikë të Kosovës ishin më të kufizuar në veprimin e tyre, të ngathtë ose të palëvizshëm. Këtë rrëfim të autorit e përshkon rigoroziteti shkencor, vështrimi i kompleksitetit të ngjarjeve dhe kuptimeve të tyre, qasja kritike ndaj burimeve, interpretimet e fakteve larg glorifikimit, romantizimit dhe gjykimit të ngjarjeve apo të protagonistëve të saj, siç bëhet jo rrallë në diskursin publicistik dhe atë gjoja-shkencor.

Si i tillë, ky studim, në njërën anë, plotëson një boshllëk në literaturën e lëvizjeve shoqërore, ku ka munguar fokusi i studiuesve në mobilizimin e studentëve dhe rolin e universitetit në lëvizjet e protestës në “shoqëritë margjinale”, siç ishte shoqëria e Kosovës në Jugosllavi dhe nën pushtimin serb. Në anën tjetër, lëvizjet e studentëve në Kosovë kundrohen e analizohen brenda traditës teorike të lëvizjeve shoqërore dhe zhvishen nga gjykimi, idealizimi ose romantizimi i tyre.

Rëndësia e këtij libri, të botuar së pari në gjuhën angleze në Londër dhe tani edhe në gjuhën shqipe në Prishtinë) qëndron në pasurimin empirik të literaturës së lëvizjeve shoqërore dhe ndërtimit të shtetit, ndërsa në studimet rreth Kosovës qëndron pikërisht në faktin se hedh dritë mbi ngjarjet në një periudhë tre dekadëshe që i dhanë kahje shoqërisë dhe politikës së Kosovës, mbase, deri në shpalljen e republikës së pavarur.

Veç kësaj, libri, në veçanti, përbën një studim për Universitetin e Prishtinës: ai vë në pah funksionin politik të themelimit të Universitetit, sfidat politike që e kanë përcjellë funksionimin e tij (f. 42-3), rolin politik të tij dhe të studentëve si krijues të vetëdijes politike dhe ndikues në rrjedhat politike.

Duke shqyrtuar rolin, ndikimin dhe ndërhyrjen e politikës në Universitetin e Prishtinës që nga themelimi i tij, botimi i këtij studimi hap një shteg drejt një teme që pret të hulumtohet: ndërveprimin e Universitetit me politikën, domethënë, rolin politik të Universitetit në shoqëri, si dhe ndërhyrjen e politikës në Universitet, edhe në periudhat e mëvonshme, që ky libër nuk i përfshin (pra pas vitit ’99), por që jemi dëshmitarë se nuk ka munguar dhe ne, pedagogë dhe hulumtues universitarë, e kemi ndjerë jo rrallë si barrë dhe pengesë, në vend se ndihmesë.

*Referencat në kllapa nga: Atdhe Hetemi, Lëvizjet studentore për Republikën e Kosovës, 1968, 1981 dhe 1997 (Prishtinë: Artini, 2020). 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.