Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Nga rubrika e fjalëve

Foto nga Freepik.

U ba nami për nji fotografi. Gresa Hasa guxoi me thanë ‘k*r’. Publikisht. Dhe edhe ma keq se qaq, e tha seriozisht jo për hajgare. Nuk ke n’teatër. As në serial a program humoristik në televizion. Kjo asht krizë kombëtare. Po sikur t’kish m’u ba nami kështu për nji vrasje? Për nji përdhunim? Për nji dhunim kulturor që ngulfatë grunë sistematikisht me shekuj? Në fakt nami u ba për nji fjalë, nji fjalë që u nxorr jasht kontekstit. Sepse, nuk u tha për me i ba njerëzit me keshë, nuk u tha as si kangë. Mbaj në mend nji udhëtim me autobus prej Prishtinës për Tiranë. Krejt rrugën na përcjellke nji muzikë me tekste që s’munesh me i interpretu ndryshe pos pornografike. Jo erotike. Pornografike dhe vulgare saqë më vijke marre, edhe pse unë nuk isha tue knu. Për videospotet as nuk du me diskutu. Dhe kur e luta shoferin me e nalë atë muzikë jo që më injoroi por më përqeshi. Nji numër i madh i bashkëudhëtarëve u pajtuen me të. Heshta e skuqun dy herë. Nji herë prej marres, nji herë prej sikletit të pafuqisë me depërtu e kuptueshme si njeri në mendjen e të tjerëve. Deri në Tiranë mbajta randë peshën e etikimit si snobe, që ma vunë pa asnji përmbajtje njerëzore. U ba nami tash ama për nji fjalë të ‘pistë’ në kontekst proteste. Dhe a dini pse u ba nami, sepse ka shum qortim aty. Sepse, ajo fotografi me fjalën që s’më lejoni me e thanë, ajo qëllon thellë damarin e krenarisë burrnore por edhe hipokrizinë e moralit të shoqnisë. Dhuna gjinore, asht e lidhun fort për k*rin. Ups, e thash. E thash more, edhe hajde e thojna krejt bashkë. Sepse ju e dini, unë e di që nuk asht hezitimi a me e thanë a jo nji fjalë, problemi asht te qortimi. Ta zbusim pak.

Peci asht simbol kombëtar. Krismat shpojnë qiellin kur na shtohet nji pec në fis. I bajmë darsëm kur ta prejmë pak, për hijeshi. Pecin. Qysh s’ja banëm nji bust deri tash hala. Edhe në flamur ta vnojna. E të betohemi rreth tij. “Betohem që ka me ja fal virgjëninë dhe shpirtin. Kam me i shërbye kryeulun. Kam me ja ruejt nerën tue jetue e përulun. Betohem që kam me u ba nanë e me vuejt me lind veç peca. Betohem që për qefin e pecave kam me durue dajakun dhe dheun. Çikave kam me ua nda kafshatën prej gojës me ngi dy herë ma fort pecat. Kam me i eduku me respektu pecat. Kam me i mësue me ju ardhë marre që s’kanë pec. Pecat e nanës.”

Ju pengon kjo fjalë? Seriozisht? E di. Asht banale. Asht vulgare. Ama hej, asht fjala që kur e thonë burrat, madje edhe n’foltore të kuvenit nuk m’doket që ju pengon. Përtej ‘pasunisë’ tonë muzikore e humoristike,  sa miklime ja thot burrnia njani tjetrit me këtë fjalë. Sa mllefin shkrepë. Sa burrninë dëshmon. Sa trimninë tregon. A u ba nami? Jo kurrë. Kurrë. Bile bile ata e përmenin, na skuqemi. Burrnia burrnon lirshëm në këto troje. Me fjalë, me vepra nershëm rrnon fatmirësinë e posedimit të pecit. Ky ja garanton atij të drejtën e pronësisë të minimum nji virgjëneshe.

A e shihni sa zor e kam me folë shlirë? Pak pse jam grue, pak pse prej meje si grue pritet me i dal hak në çdo fjalë shkollës që kam kry, edukimit që kam marë, fatit të mirë që kam pasë. Dhe në fakt nuk kam kundërshtim me këtë. Mos t’jish konë morali i dyfishtë dhe dallimi gjinor.

Burrit, thjesht posedimi ja garanton edhe të drejtën me e përmen. S’asht çashtje edukate. Në kuptimin edukatë e mirë. Edukatë e keqe. Asht çashtje e të drejtës morale. Asht kulturore. Nëse je burrë e thu kur të don. Mbetesh thjesht burrë. Nuk të cenohet as burrnia as morali, jo se jo edukata. Bile bile, nashta të shtohen. E nëse po, nëse dikush ka guxim me të kritiku, të justifikohet. “E çmendën”. “E banën me plasë.” “Ishte shprehje emocionale e momentit.” Falet. Aman, falne! E falëm. Shum herë e falëm. E falëm. E falëm. E falëm. E falëm. Ju ka hije burrave.

Pse çka nuk ju pat hije najherë burrave? Përveç ‘pederllëkut’, por ajo asht temë tjetër. Se ata kanë pec, ama s’janë burra. Se ka burra dhe “burra”. Nëse je gru ja përmend botës pecin, e thu, ama tani je ‘kurvë’. Pikë. Gra s’ka asishne e kësishne. Me thojza e pa thojza. Ka gra dhe ‘kurva’. Thjeshtë. Pra nuk asht problemi te fjala. A po bre? Problemi asht që pecin shoqnisë tonë patriarkale po ja u gjun fëtyrës nji grue. Nji grue që rrefuzon me konë ‘burrneshë’ për me meritu të drejtën mos me heshtë. Nji grue që e di që asht peci i burrit dhe pritshmënia ndaj rolit shoqnor të grues, që prodhojnë dhunën ndaj grave dhe heshtjen ndaj kësaj dhune. Heshtjen; durimin; marren; kërkimin e fajit…! Ma thujë, ta them. Nji grue që e di që s’duhet me u skuq ajo për marren e tjetrit. Nji grue që nuk lejon me ja matë burrat moralin në guximin me i thonë senet qysh janë. Nji grue që e di që keni me e sha, dhe folë prap se prap, sepse e di që kurrgjo nuk ja merr pushtetin pecit ma fort se kur gruja merr pronësi mbi fjalën. Cilën do fjalë për aq sa vlen. Nji grue që lirinë e mbron me fjalë pa ushqy imazhin e shoqnisë mbi nerën e fëtyrës. Jo me muskuj. Nji grue që ka qaq fëtyrë, sa s’tutet prej fjalëve ma. Nji grue që përgjegjësinë e saj intelektuale e sheh si përgjegjësi për me mbrojtë jetë njeriu, jo për me ba karrierë. Nji grue që e kupton randësinë e protestës dhe që nuk ka frikë me sfidu moralin e nji populli përmes gjuhës. Kam dyshime nëse na kish pengu kaq fortë nji formë e tillë proteste sikur ajo mos t’kish kenë shqiptare. Nashta bile na kish pëlqy. Jish konë ‘cool’. Në gjuhë të huej na tingllon ma butë. Disa nga kritikët ma të mëdhenj amerikanë të Trump-it në emisione të ndryshme debatuese dhe argëtuese e quejn Trump-in “k*r”. Janë artistë ata. Por shum inteligjent. Por atje debati zhvillohet në kanë të drejtë ose jo pêr kritikën, e jo rreth edukatës të tyne të mirë a të keqe përshkak të fjalës. Konteksti njerëz, konteksti.

E tash edhe njo dy vetkuptueshmëni për fjalën dhe përgjegjësinë intelektuale: Na jemi të rrethuem prej njerëzve që munohen me folë bukur e s’thojnë kurrgjo. Ose thojnë sene që janë të rrezikshme për njeriun e lirë. Për me u kthy te dhuna gjinore: Fol bukur sa t’duesh, kur je njeri që arsyeton dhunën, kur je njeri që lyp faj te gruja për me e kuptu a e ka meritu a jo dekën; fol sa t’duesh bukur, prej teje s’kemi ma çka mësu. Ti je brumi i problemit. Bukuria e fjalëve tua asht fasada e mashtrimit që jetojmë: Mashtrimit, ku Rama e mush kabinetin me gra për imazh të vetes, por gruja n’shtetin e tij hala jeton e robnume. Përtej ngjyrave artistike të manipulimit plaga e këtij robnimi shihet përditë. Ku? Fike televizorin njeri. Nji asht e sigurtë, nuk shihet në televizion. Mashtrimit, ku profesorët ligjërojnë definicionet e grave të përdaluna e partitë “progresive” munohen me na bind që s’kanë kandidu asnji grue, sepse nuk ka gra që dijnë; dojnë; guxojnë; mujnë…! Qaq.

Barazia gjinore si fasadë nën t’cilën vlojnë krymat e mesjetës me shpata t’mprehta hazër për me ua mshelë gojën grave. Jo veç me folë po edhe me heshtë munesh bukur. Dhe heshtja t’vjen ma lehtë nëse menon që dhuna ndaj grusë asht hesap personal. Unë po ju them: jo. Asht hesap fati. Jeto sa dush e lirë sot, po t’lëshoi fati s’ka lidhje sa shkollë ke kry; s’ka lidhje që nanën, babin, gjyshërit madje i kishe model feminizmi e je rritë me u ba e pavarun. Që ke punë dhe karrierë. Kurgjo s’ka gajle. Asht fenomen. Fundi i fundit a s’e mësum hala peshën e randë të dënimit që sjell heshtja ndaj fatit të të tjerëve edhe kur vet je mirë? Kur rreth teje ka aq shum robnim, kujdes sepse liria që gëzon ti asht fragjile. Frymon në nji inkubator e izolume. Po dole jasht tij, je organizëm i huej për qelizat e shoqnisë.

Kur dojna me mësu na? A asht e hijshme me sha e me përdorë fjalë “vulgare”, rrugaçësh kish me thanë najkush? Jo. Asht e sikletshme me e ngu. A mujna me thonë t’njajtën me fjalë të “pa sikletshme”? Mujna. Ama mujna kur kena mrri në nji pikë ku jena tue folë me njani tjetrin. Kur jena tue e ngu njani tjetrin. E kur jena tue u kuptu e tue u pajtu që ekziston nji problem. E na s’kena mrri aty. Na jena në atë pikë ku kena nevojë me e çu prej gjumit nji popull. Na jena aty ku as me dekë s’po mjafton e le ma me folë. Na kena nevojë me “ba problem” për me ba problemin të dukshëm. Sepse, kufomat që po na i gjuni n’rrugë s’po mjaftojnë. Milionat për ligje; konferenca; projekte s’po mjaftojnë. Hala pa i shti në vorr vlojna me e dijtë çfarë faji patën. Edhe naj ditë edhe vorrin ka me na shku menja me ua mohu. ‘Kuçkave’ që i bajnë burrat vrasës. I ‘çmendin’ fare.

Na që kemi edhe profesorë që nuk hezitojnë me shpreh publikisht bindjet e tyne mesjetare. Bindjen që “nji gru e zoja se bjen punën me e vra burri.” Bindjen që “s’vret burri gruen pa naj arsye të fortë.” Arsyeja asht k*ri, o popull. N’daç besoni, n’daç jo un prap se prap po skuqna për këtë fjalë. Dhe më ndjeni, që po ju ‘detyroj’ me e lexu. Më kujtohet që në protestën e fundit për Zejnepe Bytyqin ku ishim grumbullu rreth njizet gra me kërku denim ma të madh për vrasësin e saj, avokati mbrojtës i vrasësit argumentonte që ka rrethana lehtësuese prandaj klientit të tij s’duhet me u dhanë denim ma i madh. Rethanat lehtësuese ishin: Zejnepja e ka meritu, sepse ka qenë ‘kurvë’.

Qysh muni me u indinju ma shum për nji fjalë, sesa për nji vrasje? Gjuha asht instrument. Asht maru me u marë vesh njerëzit mes vete. Me u shprehë përmes saj. Edhe mllefin. Qëllimi i saj asht komunikimi. Po aty ku s’ka interesim për me folë me njani tjetrin për dhunën ndaj grave; në radhë të parë aty ku ka dhunë se pritohet me folë, s’dihet me folë, gjuha asht armë proteste. E në proteste vlejnë disa rregulla tjera që nuk munesh me i gjyku jasht kontekstit të arsyes për çka po bahet protesta. Mendoj që perderisa s’po e kena problem me ngu në gjirin familjar kangë me turlifarë të shame,  e po e kena problem me e lexu nji fjalë që shprehet si protestë, pa hajgare, problemi në fakt nuk asht te fjala. Por te protesta dhe bartësi. Te gruja. Reagimi pastaj në vend se me u përqendru në kontekst lidhet për nji fjalë. E kjo tani në vetvete nashta edhe asht kontraproduktive pra për qëllimin e protestës. Sepse, qëllimi duhet me konë me të ngu njerëzit jo me të linçu. Ama në anën tjetër protesta ka qëllim edhe shkundjen prej apatisë në të cilën gjindet nji shoqni rreth nji fenomeni që po na prek çdo ditë. Kjo ‘shkundje’ asht e nevojshme në nji vend ku moralizimi nxen vend kyç në diskutimin se “çka bani viktima që e meritoi”.

Mos u indinjoni për fjalor ‘rrugaçësh’ në nji shoqni ku rrugaçët ta bajnë politikën; në nji shoqni ku rrugëve ke plot kufoma që s’ua nin dekën kurrkush. E sa e sa janë rrugës për me u ba kufoma. S’ua nin piskamën kurrkush. Kurrgjo mos mësofshim prej Gresës, le të mësojmë kaq: mos ke frikë me qëndru e vetme kur lufton për me pshtu jetë. Sa ma shum që e kuptojmë këtë, aq ma pak njerëz kanë me pasë nevojë me luftu të vetëm. Por vetmia e parë që duhet me u sfidu e me u mposhtë asht ajo brenda kresë tonë. Gresa e ka mposhtë këtë vetmi moti. Si studente e shkencave politike dhe feministe aktive ajo rolin e saj nuk e sheh të definum në bazë të gjinisë dhe pritshmënisë që shoqnia ka ndaj saj si grue, por të udhëhequn prej përgjegjësisë intelektuale ndaj njeriut e lirisë dhe jetës së tij. Në nji shoqni testosteroni, Gresa ja gjun k*rin shoqnisë turive. Ajo ka guxim me u keqkuptu. Se lufta që ajo ban e han njerin të gjallë, prandaj Gresa nuk tutet prej gjykimeve morale. Jeta e njeriut vlen ma shum. Duhet me vlejtë ma shum. Dhe ajo jep edhe nji ide shum të hajrit për ata që dojnë me e kuptu. Agresioni menaxhohet. Pvetna neve. Pikë. Nuk ka ma justifikime. “Kur të nevrikosesh, laj enët, mos vrit gruan o k*r!” Shum e thjeshtë. Aq e thjeshtë e megjithatë ma shum indinjatë për nji fjalë, sesa për nji vrasje.

Nëse ky reagim që përfundoi edhe me kërcnime jete e dhunimi ndaj Gresës në vetvete nuk arsyeton çdo fjalë proteste për lirimin e grave prej zingjirëve patriarkal, nuk e di çka. Na nuk e dijna ku e kur, por asht veç çashtje kohe deri në vrasjen tjetër të nji gruje e cila ‘çmendi nji burrë’. E përshkak njerëzve si Gresa, herët a vonë ky burrë ka me e marë dënimin që meriton. Për shkak njerëzve si Gresa herët a vonë nji grue ma shum ka me pshtu pa u vra, herët a vonë, nëse kemi nerën si shoqni Gresat me na e udhëheq venin. E kjo bahet ma e mundshme nëse rrijmë pranë Gresave. Kjo shoqni ka nevojë për ma shum Gresa që protestojnë për drejtësi gjinore dhe kjo shoqni ka nevojë për ma shum peca që lajnë enët. Pa pritë duertrokitje. Thjeshtë, sepse po bajnë nji detyrë që u takon. Por deri sa të mrrijmë aty, shum duertrokitje për Gresën, ju lutem!

Gresa asht ajo gjeneratë që nuk pranon ma autoritetin thjeshtë për hatër të autoritetit. Ajo sfidon dhe dyshon. Jo çdo herë ka me pasë të drejtë; jo çdo herë ka me e pasë ‘mirë’. Por janë këto momente që e bajnë dallimin mes njeriut progresiv dhe njeriut që di dhe insiston që di pa asnji dyshim, dallimin mes Gresave dhe shoqnisë ku ato rriten të gjykume moralisht, sepse mendojnë ndryshe dhe mendojnë të lirume prej prangave të normave shoqnore. Tue qenë se Gresat nuk e kanë problem dyshimin, ato nuk e kanë problem me ndryshu mendime e bindje kur janë gabim. Por problemi qëndron tek fakti që shum herë kur kanë me pasë të drejtë Gresat, kanë me u gjetë të rrethume me pak njerëz, sepse Gresat nuk bajnë kompromis me komplekset morale të shoqnisë. Na duhet mos me e leju që ato me mbetë vetëm. Na duhen shum ma shum të tillë që sfidojnë e dyshojnë. Sepse, veç të tillët mujnë me na e pru naj ide të re që s’e kena provu hala. Ide për të cilat kena nevojë urgjentisht.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.