Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Një Evropë përtej luftës

Më 9 maj u bënë 69 vjet nga deklarata e ministrit të jashtëm francez Robert Schuman. Marrëveshja për Çelikun dhe Thëngjillin është hapi i parë i Komunitetit Evropian, që më vonë me Marrëveshjen e Maastrechtit dhe Lisbonës kornizuan Bashkimin Evropian që e njohim sot. Më 26 maj përfundojnë zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Insitucionet e reja dhe drejtimi që do të marrin ato mund të jenë përcaktuese për kahjen që do ta marrë projekti evropian. Shkollarët e integrimeve mund ta gjykojnë si arrogante këtë ecje të shpejtë nga vitet e pasluftës së dytë botërore në ditët e sotme. Nuk është rasti sot të bëjmë kronologji faktesh. Vështirë të bëhet ndonjë aktualizim për të thënë as duke hedhur bastet mbi ndikimet e zgjedhjeve tek dinamikat politike në Ballkan; nuk do të flasim për Evropën si punët që duhet t’i kryejme hapa pas hapi për të mbërritur në destinimin e fundit- në parajsën e kaltër. Qasjet e tilla janë pësuese. Gjithë çfarë mund të bëhet karshi tyre është adoptimi. Projekti evropian si i tillë, gama e mundësive dhe limitet e tij do të jenë objekt trajtimi.

Një arrest kohor ku shkoqisim momentit politik e kontekstin shoqëror të përpjekjeve të para, por sidomos  qëllimet e shprehura me deklaratën themeluese mund të jetë mundësi e mirë për ta parë Bashkimin Evropian sot. Kontinenti i vjetër kishte dalur i shkatërruar e i tronditur nga lufta. Njerëzisht e materialisht. Nazifashizmi nuk ishte thjesht lufta e parë në shkallë më të gjërë. Lufta ishte përjetimi që trandi të rimendohej shumëçka. Nazizmi cënoi rëndë konceptin e progresit si ecje e vetvetishme në kohë të zbrazët. Ai nuk është një ndodhi arkaike dhe irracionale mbrapa. Zhvillimi i forcave prodhuese që sollën industrinë e teknologjinë nuk na e sollën botën e re, por vrasjet e racionalizuara. Dhomat e gazit- këto fabrikat shfarosëse mirë të planifikuara janë prova për nivelet e çmendura ku kishte arritur reifikimi i kombinuar me një ideologji obsesive për tjetrin. Zhvillimi i teknologjisë më nuk është në vetvete përparim. Gjithçka që ndodhte 20 vitet e para pas luftës, në kulturë, art apo politike, kishte shpalljen direkte ose ishte brenda sfondit “që lufta kurrë mos të përsëritet më”. Disa na tregonin për lidhjen e fashizmit e nazizmit me kapitalizmin monopolist; dikush për rëndësinë e lirisë dhe jetës aktive brenda polisit; të tjerë për pamundësinë e poezisë pas Auschvitzit.

Bashkimi Evropian ka filluar si projekt përkundër luftës. Deklarata e ministrit francez Schumann me rastin e Marrëveshjes për Çelikun dhe Thëngjillin, e cilësuar edhe si deklaratë themeluese e përmban në frymë e në germë këtë përcaktim: “Evropa e bashkuar nuk ishte arritur, prandaj kishim luftë”. Përmbajtja e saj rregullonte prodhimin dhe kontrollin e përbashkët të këtyre sektorëve industriale që kishin prodhuar  municionet për luftëra. Deklarata, megjithëse brenda kornizave të sistemit socio-ekonomik, është larg, shumë larg prej mënyrave të sotme neoliberale të funksionimit brenda Unionit. Le t’i perballim për një çast Deklaratën e Schumanit me mënyrën se si e ka trajtuar Eurogrupi (Këshill joformal vendimmarrës i ministave evropianë të finanacave) vendet e zhytura në borxhe si Greqia, Spanja apo Portugalia. Me dije qofte se krahasimi i kësaj deklarate që prodhoi vec një marrëveshje, me Bashkimin Evropian sot, që ka rregullim institucional, tregtar e monetar mund të jetë i mangët për nga përmasat e nivelet. Çfarë na intereson këtu është logjika që përvidhet tek njëra dhe tjetra.

Me gjithë rrezikun që mund të bëjmë karikaturë, një paraqitje e shkurtër e marrëdhënieve ekonomike Brenda BE-së që çuan tek kriza e vitit 2008 është e nevojshme. Vendet e gjendura në krizë si Greqia, Spanja apo Portugalia kishin pranuar monedhën e përbashkët, bashkë me tregun e lirë, duke hequr dorë kështu nga instrumentet kryesore të sovranitetit shtetëror për të ndikuar në ekonomi. Të përdorur nga monedha e shtrenjtë që punon më së shumti për industrinë gjermane, dhe jokonkurrentë karshi ekonomive të mëdha brenda tregut të “përbashkët”, jugu i kontinentit mori pamjen tipike të periferisë. Deficiti i prodhuar po mbulohej nga kreditë që gjithashtu merreshin nga bankat gjermane e franceze, kurse paratë e marra pastaj shkonin prapë në mallrat që ofronin industritë e qendrës. Teksa periferia riciklonte mbivlerën duke u varfëruar, bollëku në qendër trashej e prekte majat. Kur më në fund kriza finaciare goditi Evropën, ajo solli prezencën  e saj duke varrosur zotat e idhujt e doktrinës së mosndërhyrjes, por sistemi që kishte prodhuar krizën nuk u prek. Zhvillimi i pabarabartë i shkaktuar nga tregu dhe monedha e “përbashkët” vazhdoi njejtë. Janë qytetarët e Greqisë, Spanjës apo Portugalisë që do ta paguanin me shkatërrimin e sistemeve të mirëqenies. Krejt ndryshe mendohej në vitet 50’-60’. Deklarata e Schumanit, në paragrafin 11 të saj merr parasysh nivelet e ndryshme të zhvillimet të ekonomive dhe parasheh plan investimesh për ata që kanë mbetur mbrapa, për të arritur të njejtin nivel teknologjik, deri tek barazimi i çmimeve dhe shpërndarja e përbashkët. Ajo shpreh zotime për të përmirësuar gjendjen e punëtorëve, siç tërheqë vërejtjen që prodhimin mos ta lë në dorë të karteleve ndërkombëtare. Solidaritet midis vendeve të ndryshme, dhe solidaritet me punëtorët. Deklarata nxjerrë në pah edhe një ndërgjegje për të shkuarën kolonialiste të vendeve të Evropës. Ajo lidhë organikisht fuzionimin e ekonomisë dhe solidaritetin brenda kontientit me marrëdhëniet që do të ndërtohen me jashtë. Po e shkëpusim një pjesë të saj: “Ky prodhim  do t’i ofrohet botës në tërësi , pa dallim apo përjashtim, me qëllimin për të kontribuar në rritjen e standardit të jetesës dhe të promovimit të arritjeve paqësore. Me burime të rritura, Evropa do të mundet ta ndjekë arritjen e njërit prej qëllimeve të saj thelbësore që është zhvillimi i kontinentit afrikan”. Për ta kuptuar sa e madhe ka qenë zhvendosja neoliberale, mjafton ta kujtojmë që Robert Schumann politikisht përkiste tek Kristian-Demokratët. Ky pozicion sot nuk mbrohet dot as nga e majta e ‘’rrugës së tretë”.

Perspektiva e Evropës së bashkuar

“Evropa nuk do të bëhet e tëra përnjëherë, apo duke u bazuar në një plan të vetëm. Ajo do të ndërtohet përmes arritjeve konkrete të cilat fillimisht krijojnë solidaritet faktik”, thotë Schuman në hyrje të deklaratës. A është vërtetë kështu? Analizat shpesh të dëgjuara shpjegojnë situatën duke theksuar mospërputhjen midis zones së përbashkët monetare dhe nivelit të integrimit politik, sistemeve të ndryshme fiskale, por sidomos mungesën e kontrollit kolektiv të monedhës. Në kushtet e zonës së lirë tregtare, kjo ka prodhuar shtete me fuqi të madhe prodhuese të cilave BE u shërben si treg, përballë shteteve që të vendosur në këto kushte performojnë dobët. Kjo pyetje na dërgon tej: cilat janë forcat që duan bashkimin e Evropës dhe cilat status-quon?

Analiza mund të bëhet në dy nivele: formale-institucionale dhe ekonomike.

Çfarëdo që do vendosin sot dhe nesër zgjedhësit evropianë, Parlamenti Evropian nuk do ta ketë fjalën e fundit për ligjet, e aq më pak vendimet me rëndësi politike. Atyre mund t’i vë veto Këshilli i BE-së, organ ky që përbëhet nga udheheqësit e qeverive të vendeve anëtare. Ky ndryshim nivelesh ka ngritur pyetjen nëse BE është bashkim kombesh/popujsh sovranë, apo mund të flasim për Evropën e qytetarëve. Po ta zgjerojmë pyetjen, as njëra dhe as tjetra. Kriza e Bashkimit Evropian bëhet krizë e demokracisë, brenda shteteve dhe në nivel Unioni kur e shohim ‘mësimin’ evropian për vendet e gjendura në krizë. Megjithëse të ndryshuara disa herë nga zgjedhësit brenda shteteve, qeveritë nuk janë përfillur nga institucionet evropiane. Ato nuk kanë arritur t’i adresojnë shqetësimet e qytetarëve mbi rëndimin e gjendjes ekonomike e sociale. Qytetarët mund ta ndryshojnë qeveritë, siç mund të votojnë për Parlamentin Evropian, por në asnjërin rast nuk kanë zgjidhur gjë. Ky bllokim i quajtur krizë demokracie na dërgon tek ekonomia. Mundësinë për një federatë evropiane duhet ta shohim duke e futur në analizë ekonominë.

Një krahasim me konfliktin amerikan ku triumfoi federata mund të ketë vlerë për të parë gjasat e një federate evropiane. Jugu i pazhvilluar, e konsideronte si të drejtë elementare mbajtjen e skllevërve, por nuk përfillte as tarifat doganore që vendoste veriu për të mbrojtur prodhimet industriale. Në anën tjetër, veriut që po përjetonte zhvillim industrial i duheshin skllevërit e çliruar si punëtorë të lirë. Skllevërit e çliruar siç nuk ishin më pronë e askujt, ata ishin po ashtu të lirë nga posedimi i pronës (lexo:mjetet e prodhimit). Masa e madhe e qytetarëve tashmë të lirë krijoi “ushtrinë rezervë të industrisë”. Duke ulur çmimin e punës e duke rritur volumin e ndërmarrjeve, ata shërbyen si katalizatorë për rritjen e prodhimit e shpejtësinë e akumulimit. Në terma të analizës ekonomike të interesave mund të themi se vendimtare për bashkimin e Amerikës është fuqia e kapitalit industrial. Jo ora e historisë si progres i determinuar, por raporti i forcave dhe kombinimi i faktorëve brenda situatës nxori fitimtar veriun.

Çfarë analize mund t’i bëhet Bashkimit Evropian në këso terma? Kujt i intereson një Evropë e bashkuar? Një interes i tillë siç duket nuk ekziston në Evropë. Të paktën jo në anën e kapitalit, as industrial dhe as financiar. Boshti themelues franko-gjerman siç duket është forcë që favorizon status-quon. Maksimumi i ndryshimit që mund të bëjë ai është rindarja e hiseve. Fuqitë e mëdha ekonomike e duan Evropën të bashkuar si para dhe si treg, por jo si përgjegjësi e përbashkët mbi pasojat që krijojnë këta mekanizma. Kur shtetet e dobëta dështojnë, pikërisht sepse monedha e tregu favorizojnë më së shumti industritë gjermane e franceze, faji është tek papërgjegjësia e qeverive në shpenzimet buxhetore, dhe jo tek duart e lidhura nga mungesa e instrumentave zhvillimore, nga monopolet e krijuara, dhe nga diktati i kapitalit financiar. Andaj, për dështimet dhe pasojat e zonës së përbashkët ekonomike, fajin e kanë shtetet veç e veç. Sa për punëtorët e lirë, atyre po u sigurohen kontrata edhe pa vazhduar integrimi. Janë dhjetëra mijëra punëtorë vetëm nga Kosova që 2-3 vitet e fundit  siguruan kontrata pune në Gjermani.

Një mënyrë për t’i bërë kritikë Bashkimit Evropian mund të jetë përballja me frymën solidare dhe antifashiste të filleve të tij. Mënyra tjetër është çfarë asnjëherë nuk është menduar të jetë BE: një projekt afirmativ emancipues. Projekti evropian ka nisur si projekt përkundër luftës. Për një Evropë përtej luftës duhet adresuar kontradiktat që kanë ngritur tensionet. Zhvillimit të pabarabartë nuk mund t’i përgjijgjemi me fragmentim e ndarje, por me thellim e zgjerim të vendimmarrjes demokratike; përjashtimit , me përfshirje; shfrytëzimit e shtypjes, me luftë për barazi. Filozofi francez Etienne Balibar, duke adresuar nevojën për t’iu përgjigjur dinamikave de-demokratizuese burokratike, duke mos e mohuar, tërheq vërejtjen për pamjaftueshmërinë e demokracisë përfaqësuese: “demosi” nuk ekziston përpara demokracisë  si kusht i saj, ai rezulton prej saj, si efekt”.

Një Evropë e bashkuar, federale dhe demokratike është e mundur të bëhet vetëm nga poshtë: nga klasat e shfrytëzuara, të shtypura e të përjashtuara të shoqërisë. Emigrantët e jashtëm dhe të brendshëm, afrikanë apo shqiptarë, bashkë me punëtorët vendës evropianë dhe nën jehonën universaliste të shënjuesit ‘qytetar’, mund ta projektojnë Evropën si projektin e të ardhmes. Për t’iu përgjigjur problemeve të planetit na duhet një organizim përtej ndarjes qendër- periferi, dhe një formacion politik përtej shtetit-komb.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.