Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Një Ligjëratë e Ekonomistëve për Lumturinë

Richard Easterlin është profesor në universitetin e Kalifornisë Jugore. Ai njihet si themeluesi i “ekonomiksit të lumturisë”, fushë kjo relativisht e re. Rishtazi, profesor Easterlin ka publikuar librin e titulluar “An economist’s lesson on happiness”, libër i cili përmbledh studimet të tij të bëra për më shumë se pesë dekada. Gjatë karrierës së tij të bujshme, autori ka ofruar përgjigje për një numër pyetjesh të rëndësishme; Si matet lumturia? A ju bëjnë paratë më të lumtur? Si ndikojnë lidhja, martesa dhe fëmijët? Ndikimi i religjionit në lumturi? Kush janë më të lumtur, burrat apo gratë, të pasurit apo të varfrit?

Vendet Skandinave, Kanada, Zelanda e Re dhe Australia janë vendet me indeksin më të madh të lumturisë në botë. Këto rezultate dalin nga Raporti Botëror i Lumturisë, i cili publikohet që nga viti 2012. Anketa për matjen e lumturisë i pyet të anketuarit sa janë të lumtur, dhe përgjigjejet ndryshojnë nga 1 (=i pakënaqur) në 10 (=i kënaqur). Anketuesve ju kërkohet që numrin 1 ta mendojnë si gjendjen më të keqe, ndërsa numrin 10 me kënaqësinë më të madhe. Problemi kryesor me këtë qasje mbetet sfida e krahasimit mes vendeve, pasi siç argumenton autori, çka nënkupton lumturia në Indonezi, nuk është e njëjtë me atë në ShBA.

Për një kohë të gjatë, profesor Easterlin ka argumentuar se paraja nuk është faktori kyç në rritjen e lumturisë. Pra, ndonëse në një kohë, në mes vendeve dhe brenda vendit, paraja dhe lumturia lëvizin në të njëjtin drejtim, në afatgjatë ky trend nuk është i qëndrueshëm. Autori bën dallimin në mes periudhave duke marrë një shembull interesant. Një person mund t’i ketë humbur 5 kilogram në muajin e fundit, por krahasuar me dy vite më herët, ai ka 10 kilogram më shumë. Ngjashëm, paraja mund të jetë e lidhur me lumturinë në disa muaj, por jo vazhdimisht.

Shëndeti del të jetë një nga pikat kryesore kur diskutohet për lumturinë. Autorë të ndryshëm kanë studiuar efektet e personave me shëndet të mirë, krahasuar me ata që kanë pësuar aksidente, apo kane sëmundje kronike. Thomas Mehnert me bashkautorë, duke i krahasuar këto dy grupe të njerëzve, gjejnë se 90 për qind e njerëzve me shëndet të mirë deklarojnë se janë të kënaqur në përgjithësi më jetën. Në anën tjetër, kjo përqindje për personat me shëndet jo të mirë është nën 50. Autorët sugjerojnë që përmirësimi i shëndetit nëpërmes ushtrimeve dhe dietës e rritë lumturinë e përgjithshme. Sidoqoftë, shnosh me kanë.

George Bernard Shaw thotë se “janë dy tragjedi në jetë. E para është ta humbësh dashurinë e jetës, ndërkaq e dyta është ta gjesh atë.” Profsor Easterlin ofron një analizë shumë të mirë për efektet e lidhjeve dhe martesës në lumturi. Statistikat përshkruese tregojnë që njerëzit e martuar janë mesatarisht më të lumtur se beqarët. A nënkupton kjo që martesa ju bën më të lumtur? Jo patjetër. Psikologët argumentojnë që personat e martuar janë më të lumtur për shkak të karakterit dhe personalitetit të tyre, e jo martesës në vetvete. Në fakt, periudha e lidhjes paramartesore duket të jetë në trendin më të madh të rritjes së lumturisë, dhe martesa shënon pikën më të lartë. Pas martesës, niveli i lumturisë fillon të bie.

Autori diskuton edhe për ndikimin e fëmijëve në lumturi. Sipas tij, fëmijët ndikojnë në rritjen e lumturisë së nënës në dy vitet e para, pastaj efekti i tyre bie ndjeshëm. Ngjashëm ndodh edhe me babanë, por madhësia e koeficientit të ndikimit është më e vogël. Një arsye që tenton ta shpjegoj këtë është detyrimi që shumë nëna të punojnë pas pushimit të lehonisë. Kjo në shumë raste ndikon negativisht tek nënat. Gjithsesi kjo analizë është pakëz komplekse dhe autori ofron më shumë detaje në libër.

Karl Marksi thotë se “një shtëpi mund të jetë e madhe apo e vogël, po përderisa shtëpitë e fqinjëve janë të vogla, i plotëson të gjitha kërkesat sociale si rezidencë. Por nëse shtëpia e juaj është afër një pallati, atëherë do të ju duket si kasolle”. Mesazhi i autorit sugjeron që njerëzit nuk duhet të bëjnë çdo herë krahasime ndër-personale. Në vend të kësaj, duhet të fokusohen në atë çka e rritë me të vërtetë lumturinë, duke shmangur kështu obligimet dhe ngarkesat e tepërta. Easterlin ka argumentuar këtë përmes eksperimenteve sociale. Në një rast, janë pyetur studentët për të pagën që do ta pranonin. Atyre iu janë dhënë dy mundësi: 100 mijë dollarë në vit, në një kompani ku të gjithë të punësuarit e tjerë marrin pagë më të madhe; apo 50 mijë në vit, ku të gjithë të punësuarit fitojnë 25 mijë apo më pak. Rezultatet e anketës tregojnë që 2/3 e pjesëmarrësve zgjodhën opsionin e dytë. Njerëzit, argumenton autori, bëjnë zgjedhje duke u krahasuar me njerëzit që i njohin. Ajo çka e rritë lumturinë të një individ, nuk ndikon njësoj nëse e arrijnë të gjithë bashkërisht. Nëse një person ngritë zërin në restorant, kamerieri do ta dëgjoj më mire. Por nëse të gjithë mysafirët ngritin zërin njëherësh, atëherë askush nuk do jetë më mirë.

Libri kritikon qasjen e politikbërësve që të gjitha politikat të bëhen duke u bazuar në efektet në GDP. Një grup ekonomistësh pretendojnë që statistikat e lumturisë janë të paqëndrueshme, sepse bazohen në anketa. Profesori Easterlin kritikon këtë qasje, duke nënvizuar të metat në matjen e GDP-së, të cilat nuk janë të pakta.

Kush janë më të lumtur, gratë apo burrat, të rinjtë apo të vjetrit? Këtu autori shpjegon se nuk ka një përgjigjeje të thjeshtë. Njerëzit kalojnë nëpër nivele të ndryshme të lumturisë nëpër vite. Deri në moshën 15 vjeçare, burrat duken të jenë më të lumtur, pastaj vërehet një rënie për t’u ngritur përsëri në mes të 30-tve. Autori argumenton se gjinia nuk ka ndikim në lumturi, por burrat dhe gratë përjetojnë nivele të ndryshme të lumturisë, vartësish moshës që e kanë. Gratë kanë tendencë të martohen më herët dhe të punojnë më pak gjatë jetës. Kështu, ato arrijnë lumturinë më të madhe gjatë pjesës së parë të jetës, përderisa të burrat, lumturia është më e madhe në pjesën e dytë të jetës. Gratë, mesatarisht jetojnë më gjatë se burrat. Për këtë arsye, vitet e fundit burrat i kanë më të lumtura se gratë, pasi kanë gjasa më të vogla të përjetojnë dhimbjen nga humbja e partnerit.

Shkencëtarët kanë qenë të interesuar edhe për ndikimin e religjionit në nivelin e lumturisë. Një numër i konsideruar i autorëve kanë identifikuar një lidhje pozitive, pavarësisht llojit të religjionit. Nëse këto studime janë të sakta, personat që përfshihen në aktivitete vullnetare dhe altruiste janë më të lumtur. Por, autori në libër i minimizon efektet e religjionit, aktiviteteve vullnetare dhe dhurimit në lumturi, pasi sipas tij, lumturia në ato raste shpjegohet nga personaliteti – i cili është vështirë i ndryshueshëm.

Libri përmbyllet duke diskutuar për të ardhmen dhe lumturinë. Dy revolucionet e para – revolucioni industrial dhe ai demografik – kanë ndodhur si rezultat i shkencave natyrore. Revolucioni i tretë, ai i lumturisë, do të jetë produkt i shkencave sociale, përfundon professor Easterlin.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.