Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Një model mbi bashkëpunimin industri-universitet

Që sektorit privat i duhet fuqia punëtore e shkolluar, e mirë-përgatitur, e aftë, për sukses, nuk është sekret që e dinë vetëm ekonomistët. Në Kosovë ka gjithnjë ankesa që kjo mungon, që universiteti prodhon diploma pa substancë, e që të rinjtë janë larg së qenit të aftë për të prodhuar vlerë për tregun e punës. Për këtë vendosa të shkruaj nja dy fjalë mbi një model të bashkëpunimit mes industrisë e unitersitetit që përdoret në universitetin ku ligjëroj në Kaliforni. Ndonëse jo të gjitha aspektet e këtij modeli janë të transferueshme në rastin e Kosovës, ka plot gjëra të cilat mund të zbatohen pa ndonjë barrierë të madhe, nëse ka vullnet për të lëvizur nga ankesat e shumta, drejt punës.

Cal Poly në San Luis Obispo është njëri ndër 23 kampuset e universitetit publik të Kalifornisë (CSU). Me rreth 40 km katrorë hapësirë, një pjesë e madhe tokë bujqësore, e me mbi 21 mijë studentë, Cal Poly është ndër kampuset më të mëdha të këtij sistemi në Kaliforni. Departamenti i agrobiznesit është pjesë e kolegjit të studimeve të agrokulturës, ushqimit, dhe mjedisit. Javën e kaluar, në darkën e përvitshme të organizuar nga studentët e departamentit, studentët ndanë $31 mijë në bursa për kolegët e tyre studentë. Kjo ishte veç brenda departamentit, dhe jo në nivelin e kolegjit apo të universtetit. Klubi i studentëve të agrobisnesit gjatë gjithë vitit të mëparshëm kishte organizuar një sërë aktivitetesh për ngritjen e fondeve. Përveç aktiviteteve në kampus, ata kishin kontaktuar rreth 700 biznese për të kërkuar donacione. Disa nga bizneset që kishin dhënë kontribute, kishin përfaqësuesit e tyre – disa prej të cilëve ish-studentë të deparatamentit – në darkë për të ndarë disa nga bursat. Ndërsa darka mbahej tek kopshti i një ferme të vogël të bukur, pronarët e së cilës ishin po ashtu të dytë të diplomuar nga departamtenti i agrobiznesit në Cal Poly. Në fjalën e rastit, ata treguan se si kanë punuar shumë pas diplomimit për të arritur ku janë sot – të kenë një agrobiznes të suksesshëm e fitim-prurës. Ata po ashtu folën për atë se si zgjedhin punëtorët e tyre, folën për zellin e punës, dhe për domosdoshmërinë e fokusit dhe të iniciatives. Folën po ashtu që mediat sociale nuk çojnë në gjë pos në humbje të madhe të kohës, kohë që do të përdorej më mirë duke mësuar gjëra të reja e të vlefshme në tregun e punës. Pas ndarjes së bursave, studentët e klubit shpallën udhëheqësinë e re të klubit, e cila zgjidhet çdo vit me votat e studentëve, dhe premtuan që vitin tjetër do të punojnë fort që të ngrisin edhe më shumë fonde për të dhënë edhe më shumë bursa për studentet e departamentit.

Ndonëse $31 mijë duket shumë fort e madhe për t’u mbledhur, nuk është edhe aq e madhe kur të mirret parasysh kostoja e vijimit të studimeve qoftë edhe në një universitet publik në SHBA. Universiteti llogaritë që kostoja vjetore për të gjitha shpenzimet e shkollimit e të jetesës për një vit për student është rreth $27 mijë. Ndaj klubi i studentëve në departamentin tonë kishte mbledhur pak më shumë se financimi i një studenti për një vit, dhe atë fond e ndau për 25 studentë. Nuk e di nëse ndokush e ka llogaritur koston për studentët në Kosovë, por nëse supozojmë që një grup studentësh mund të mbledhin rreth 4.000 euro në vit nga bizneset e ta ndajnë atë për 25 studentë, i bie që mund të ndajnë nga 160 euro në fund të vitit. Kjo nuk është shumë e madhe, por ndihmon 25 studentë meritorë të heqin shpenzimin e qirasë në kryeqytet për një muaj. I bie po ashtu, që nëse kontaktohen 700 biznese, secilës i duhet të kontribuoj më pak se 6 euro në vit për të arritur këtë. Nuk ka ndonjë dallim mes studentëve këtu dhe në Kosovë për një nismë të tillë. Si ka telefona të mençur e qasje në internet në Kaliforni, po ashtu ka edhe në Kosovë. Sikur gjejnë kohë studentët në Kaliforni të trokasin në dyert e bizneseve e të kërkojnë mbështetje, mund ta bëjnë edhe në Kosovë. Kjo është veçse njëra ndër aktivitetet e klubit. Ata po ashtu organizojnë plot gjëra të tjera në kampus gjatë vitit shkollor, ftojnë mysafirë nga industria për të folur rreth përvojës së tyre, për të mësuar se çfarë kërkohet në tregun e punës, dhe për të marrë vesh për mundësi për karriera të ndryshme. Ata kanë një profesoreshë si këshilltare akademike, porse gjithë punën e bëjnë vetë. Kur të diplomojnë, përpos prestigjit të diplomës nga Cal Poly që është sidomos me vlerë në këtë rajon, ata kanë mundësi të tregojnë edhe për gjërat që kanë organizuar, nismat që kanë ndërmarrë, dhe fondet që kanë ngritur. Këto përvoja, natyrisht bashkë me një përgatitje të mirë akademike, i bën ata konkurrues në tregun e punës. Kur të fillojnë punën e tek ngriten në karrierë, shumë prej tyre japin prapë për universitetin e departamentin, duke ardhë si mysafirë në ligjeratat tona për të informuar e motivuar gjeneratat e reja, duke mbështetur financiarisht studentët, e në raste duke bashkëpunuar me profesorët në hulumtime.

Ky është veçse një shembull i bashkëpunimit mes industrisë dhe universitetit, përmes studentëve. Sektori privat i bujqësisë dhe ushqimit në Kaliforni jep grante e bursa gjatë gjithë kohës për studentët tanë të agrobiznesit. Ura lidhëse në mes tyre shpesh janë profesorët. Kolegët e mi dhe unë gjatë gjithë kohës jemi në kontakt me sektorin privat, duke biseduar për planet e tyre e sfidat e tyre. Ne marrim atë informacion e analizojmë dhe shpenzojmë kohë duke reformuar programin akademik për t’iu mësuar studentëve aftësitë që priten në tregun e punës në sektorin tonë. Kështu sektori privat përfiton nga një fuqi e aftë punëtore, dhe japin edhe më shumë ndihmë financiare për të na ndihmuar në këtë aspekt, përmes donacioneve e granteve. Ne i përdorim këto fonde për ta fuqizuar edhe më tutje programin tonë, i ftojmë studentët më të mirë të marrin pjesë në programet tona të hulumtimeve, në gara të ndryshme kombëtare, në konferenca akademike, e takime të industrisë. Kështu studentët tanë përgatiten edhe më mirë, marrin puna edhe më të mira, shtojnë edhe më shumë vlerë në kompanitë e tyre, arrijnë të na japin edhe më shume ndihmë edhe financiare e edhe me ekspertizë. Ndonëse jo të gjitha aspektet e një modeli të tillë janë lehtë të zbatueshme në Kosovë, ka shumë aspekte që mund të fillojnë të zbatohen nëse ka seriozitet e vullnet të mirë nga të gjitha palët. Ndonëse do të ishte fort më lehtë sikur të gjitha seksionet e shtetit e të grupeve të interesit të pajtoheshin për reformim të mirëfilltë të sistemit të edukimit të lartë, mund të shkojë edhe shumë kohë deri atëherë, e ne nuk kemi shumë kohë për të humbur. Ndonjëherë mund të jetë një nismë nga një grup i vogël, qoftë edhe një bashkëpunim direkt mes studentëve e sektorit privat, që mund të bëj ndryshime kuptimplote. Të dy palët kanë shumë për të fituar – studentët mbështetje të domosdoshme me financa e me ekspertizë, e sektori privat një fuqi të ardhshme punëtore më mirë të përgatitur!

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.