Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Një përvijim i shkurtër historik i Drejtësisë Tranzicionale

Pjesa e parë – Deri në Luftën e Dytë Botërore

Termi “Drejtësi Tranzicionale” u shfaq në fillim të viteve ’90 dhe Neil Kritz e Ruti Teitel njihen si “patentuesit” e tij. Deri në atë kohë krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit quheshin “drejtësi retroaktive” apo edhe si “drejtësi pas krimeve“. Drejtësia Tranzicionale përfshinë të gjitha proceset dhe mekanizmat me të cilat shoqëritë përpiqen të trajtojnë krimet në shkallë të lartë, në mënyrë që të jepet përgjegjësi, të vendoset drejtësi, të zbardhet e vërteta dhe të arrihet pajtim. Këtu përfshihen mekanizma gjyqësorë e jo-gjyqësorë që përmes ndëshkimeve, reparacioneve e vetingut bëjnë drejtësi.

Sidoqoftë, preokupimi me drejtësinë pas tragjedive të mëdha është shumë më i hershëm. Qytetërimet kanë shkruar e folur shumë rreth pyetjeve se kush duhet të mbahet përgjegjës për krimet, si të korrigjohen gabimet dhe si të rindërtohen shoqëritë pas konfliktit. Qysh në vitin 500 p.e.s në librin e fundit “Eumenides” të trilogjisë së tij “Oresteia” Eskili u mor me pyetjet që shoqëronin debatin rreth ndëshkimit që duhet të merr Oresti për kontributin e tij në dhunën ciklike që po terrorizonte Athinën. Kjo vepër është ndër të parat që problematizoi natyrën e koncepteve të drejtësisë – dikē – dhe institucioneve gjyqësore.

According to Jon Elster Drejtësia Tranzicionale është e vjetër po aq sa vetë demokracia. Ai gjurmon atë prapa në vitet 411 dhe 403 p.e.s kur demokracia athinase u përmbys dy herë nga oligarkia, e pasuar me humbjen e oligarkëve dhe rikthimin e demokracisë.

Herën e parë demokracia u rivendos me masa më të ashpra ndëshkimore për oligarkët, disa prej të cilëve edhe u ekzekutuan. Ndërkohë që herën e dytë qëllimi parësor ishte pajtimi sepse besohej që penalizimi i vrazhdë nuk eliminon shkaqet e konfliktit, por i ushqen ato. Prandaj edhe amnistia dhe ekzili ishin zbatuar në shumë raste.

Mes masave përfshihej edhe konfiskimi i pronave që oligarkët kishin uzurpuar dhe rikthimi i tyre tek pronarët e mëhershëm. Trashëgimia kryesore e kësaj periudhe ishte jetësimi i koncepteve të keqbërësve, viktimave, rezistuesve, neutralëve dhe përfituesve të keqbërjeve. Për herë të parë u vendos që keqbërësit duhet të sanksionohen, kurse viktimat të kompenzohen. Më 403 u miratua një ligj – i cili më vonë u anulua – që u jepte shtetësi skllevërve që luftuan kundër oligarkëve. Ndërkohë që ushtarët që nuk luftuan kundër oligarkëve humbën disa të drejta politike. Në anën tjetër ushtarët që patën guximin të rezistojnë oligarkinë u shpërblyen.

Nga ajo kohë deri në modernitet pati edhe disa episode që mund të kualifikohen si të rëndësishme për Drejtësinë Tranzicionale. Ndër to vlen të përmenden rikthimi i Mbretërisë së Stuartëve pas sundimit të Cromwellit në shekullin XVII dhe dy rikthimet e Bourbonëve pas sundimit të Napoleonit në fillim të shekullit XIX.

Sipas Elster, Revolucioni Francez nuk u përcoll me Drejtësi Tranzicionale sepse nuk ndëshkoi elitat e Ancien Régime për bëmat e kaluara, e as nuk e kompenzoi fshatarësinë për vuajtjet. Penalizimi i aristokratëve bazohej vetëm në veprimtarinë e tyre pas Revolucionit, konkretisht për komplotin me shtetet tjera për pushtimin e Francës. Louis XVI ishte ekzekutuar saktësisht për këtë arsye. Poashtu rrënimi i haraçit që duhej paguar feudalëve nuk ishte “reparacion” për padrejtësitë e së kaluarës, por masë që pamundësonte padrejtësitë në të ardhmen.

Tutje në shekullin e radhës, pas Luftës së Parë Botërore, Gjermania gjykoi 45 oficerë për krime lufte, por me rezultate të pakta. Nuk pati largime nga sektori publik, as reparacione e as kompenzime për viktimat individuale. Për shembull, viktimat e krimeve të gjermanëve në Belgjikë nuk u kompenzuan. Për këtë shkak, shumëkush beson që nuk pati Drejtësi Tranzicionale në Republikën e Weimarit.

Historia moderne e Drejtësisë Tranzicionale nis me humbjen e Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë më 1945. Italia qe e para që nisi këtë proces. Menjëherë pas rënies së Musolinit më 1943, Qeveria e Badoglios aprovoi ligjin për largimin e fashistëve nga sektori publik. Më 1944 u miratua ligji për “ndëshkimin e krimeve dhe sjelljeve fashiste” që disave ua mori të drejtën për punë në profesione të caktuara dhe në raste tjera u ndëshkuan me punë të detyruar.

“Tribunali Ushtrak Ndërkombëtar” i njohur edhe si Gjykata e Nurembergut u themelua më 1942 nga ShBA-ja, Franca, Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik për të gjykuar krimet e boshtit nazi-fashist në Evropë në Luftën e Dytë Botërore (LDB). Secili vend ofroi gjykatës dhe prokurorë që akuzuan dhe gjykuan 22 zyrtarë nazistë. Prej tyre 3 u liruan, 7 u dënuan me burg, kurse të tjerët me vdekje.

Gjyqet e formuara nga fuqitë që okupuan Gjermaninë dënuan edhe shumë tjerë. Tribunalet amerikane dënuan 1814 persona (450 me vdekje); britanikët dënuan 1085 persona (240 me vdekje); francezët 2107 persona (104 me vdekje). Më pas, gati gjysma e dënimeve me vdekje u anuluan. Më vonë, vetë gjermanët filluan gjykimin e krimeve në LDB. Më 1996 Ministri gjerman i Drejtësisë deklaroi se 5570 persona janë duke pritur ende vendimet mbi akuzat për krime.

Në total në Gjermani 106.178 individë janë hetuar për krime në LDB. Mbi 11 milionë tjerë iu nënshtruan pyetësorit të “screening” (Fragebogen) për të ekzaminuar rolin e tyre gjatë nazizmit, por vetëm 339 prej tyre u shpallën “shkelës të rëndë”. Për shkak të problemeve praktike, denazifikimi prodhoi rezultate shumë të kufizuara. Faktikisht, denazifikimi u shndërrua në lavatriçe rehabilituese sepse Gjermania Perëndimore e trashëgoi në tërësi sistemin gjyqësor nazist.

Në psikologjinë e gjermanëve u zhvillua ajo që Carl Gustav Jung e quajti “faji kolektiv” (Kollektivschuld), ku qytetarët ndjehen fajtorë për krimet e kryera nga bashkëkombasit e tyre. Kjo u forcua edhe më shumë nga fakti që britanikët dhe amerikanët shpërndanin postere të kampeve të përqendrimit me sllogane “Këto krime: faji juaj!”. Në librin e tij as a “Çështja e Fajit Gjerman Karl Jaspers flet për “fajin metafizik”, që është një përgjegjësi universale e atyre që zgjedhin të mbesin gjallë në vend se të vdesin duke protestuar kundër regjimit nazist. Ishte pikërisht ky faj që e frymëzoi Martin Niemöller të shkruajë poezinë e njohur as a “Së pari ata erdhën … që i kushtohet moskokëçarjes së intelektualëve gjermanë para, gjatë dhe pas ardhjes së nazizmit në pushtet. Fukuyama tregon se gjermanët për shumë vite me radhë mësuan fëmijët e tyre që të mos duartrokasin frenetikisht në ngjarje sportive dhe të mos valojnë flamurin gjerman me shumë emocione nga frika se mos po rrëmbehen nga irracionaliteti i turmave naziste.

Ndërkohë në reparacione Gjermania ishte shumë aktive. Më 1952 nënshkroi me Izraelin “Marrëveshjen e Reparacioneve”, kurse më 1956 legjislacioni për kompenzim u formua nga Parlamenti pas trysnisë nga jashtë. Gjermania pagoi koston e migrimit dhe rehabilitimit të viktimave të Holokaustit, si dhe mbuloi koston e proceseve gjyqësore të personave që pretendonin se ishin viktima të nazistëve. Deri më tani Gjermania ka paguar rreth 85 miliardë dollarë dëmshpërblim dhe shuma vazhdon të rritet. Në kthim Izraeli pagoi pronat e luajtshme sekulare që u zhvendosën në Izrael.

Në pjesën e kontrolluar nga Sovietët u lëshua “Direktiva 201” më 1947 për të akuzuar të gjthë ata që “përmes agjitimit kanë rrezikuar paqen e popullit gjerman”. Në fakt kjo ishte veç një mënyrë tjetër për të ndëshkuar të gjithë anti-komunistët. Gjermania Perëndimore në revansh nuk kompenzoi komunistët. Bazuar në shifra zyrtare, 520 mijë ish-nazistë u larguan nga sektori publik në Gjermaninë Lindore.

Në Japoni u formua “Tribunali Ushtarak Ndërkombëtar i Lindjes së Largët në Tokio”. Personeli i tribunalit përbëhej nga 11 shtete aleate dhe gjykoi 28 zyrtarë të lartë japonezë. Për dallim prej Nurembergut, ky tribunal nuk e fali asnjë të gjykuar. Për më tepër, aleatët formuan tribunalet e tyre për të gjykuar krimet individuale të kryera kundër shteteve gjegjëse.

Përmes një dekreti, Gjenerali amerikan MacArthur formoi në Yokohama “Degën e Krimeve të Luftës në Ushtrinë Amerikane” që gjykoi mbi 1000 të dyshuar, prej të cilëve 200 u liruan, 124 u dënuan me vdekje dhe 622 tjerë me burg të përjetshëm. Për shkak që operonte si rubrikë e jurisdiksionit amerikan, vendimet e këtij tribunali mund të apeloheshin edhe në Gjykatën Supreme Amerikane. Afër 200 mijë persona, kryesisht oficerë, ishin dëbuar nga sektori publik, por me ardhjen e Luftës së Ftohtë gradualisht ishin kthyer në vendet e tyre të punës.

Më 1950 Izraeli miratoi Ligjin për Ndëshkimin e Nazistëve dhe Bashkëpunëtorëve të tyre. Me këtë ligj u dënuan dhjetëra nazistë. Adolf Eichmann ishte më i famshmi ndër ta. Procesin gjyqësor nga afër e përcolli edhe Hannah Arendt dhe shkroi një librin “Eichmann në Jerusalem”, ku shkruan për “banalitetin e së ligës”: kur krimet bëhen përditshmëri, ku viktimat pa rezistuar asgjësohen sistematikisht dhe pa shkaktuar indinjatë tek ekzekutorët si Eichmann.

Sipas Arendt synimi i gjykatave që të vërtetojnë se nazistët qëllimshëm kryen krimet ishte banal. Nazizmi ishte i lig pikërisht për shkak që gjymtonte kapacitetet autonome të subjektit për të menduar. Duke i pranuar nazistët si njerëz me qëllime e vetëdije, Arendt argumenton se gjykatat amnistojnë nazizmin nga krimi i tij më i madh: rrënimi i lirisë së mendjes, ku për pasojë njerëzit dështojnë të mendojnë. Megjithatë, ashtu siç do të argumentonte Erich Fromm, nazistët duhet të dënohen saktësisht se “u arratisën nga liria”, nuk ruajtën distancën kritike me Führerin dhe hapën shtegun për shfarosje të njerëzve në masë.

Izraeli ishte nënshkrues i Konventës së OKB-së për Gjenocid që kërkonte “gjykimin e personave vetëm në shtetet ku ata kanë kryer krimet”, por kjo nuk e pengoi Mossadin që t’ia vendosë një thes në kokë dhe ta kindapojë nga Argjentina e ta dërgojë në Izrael për gjykim. Eichmann në fund u dënua me vdekje dhe u var më 1962.

Drejtësi Tranzicionale pati edhe në shtetet që u okupuan nga Gjermania, si Belgjika, Danimarka, Franca, Holanda e Norvegjia dhe në ato që bashkëpunuan me Gjermaninë, si Austria dhe Hungaria. Në Belgjikë, Holandë e Norvegji përqindja e të dënuarve ishte më e lartë sepse anëtarët e organizatave naziste shpalleshin automatikisht fajtorë.  Në Francë rreth 2% e 1.5 milion funksionarëve publikë ishin sanksionuar, gjysma me përjashtim dhe 75% të pronave të konfiskuara ishin kthyer tek pronarët e mëparshëm. Në të gjitha vendet burrat përbënin numrin më të madh të të dënuarve.

Nga të gjitha këto, më të rëndësishmet në nivel historik mbesin Gjykata e Nurembergut dhe ajo e Tokios sepse janë tribunalet e para që burojnë nga jurisdiksioni ndërkombëtar. Kritikët argumentojnë se këto tribunale janë me të meta serioze sepse drejtësia ishte zbatuar retroaktivisht (ex post facto) dhe se kanë ndëshkuar vetëm gjermanët e japonezët, ndërkohë që Aleatët nuk u përballën fare me drejtësi për krimet e tyre.

Derisa bota festonte fitoren mbi nazizmin, Lufta e Ftohtë ngriu entuziazmin që shpërtheu pas LDB-së, por nuk e zhbëri themelin që vendosën konceptet e reja të drejtësisë, të drejtave dhe lirive të njeriut. Për gati gjysmë shekulli bota bipolare paralizoi mekanizmat e drejtësisë, që iu nënshtruan rivalitetit ideologjik. Mirëpo me rënien e Bashkimit Sovjetik dhe disfatën e komunizmit të shekullit të kaluar, u hap sërish një dritare rasti për konsolidimin e Drejtësisë Tranzicionale si fushë e specializuar.

Me shumë koncepte të reja që diversifikojnë disiplinën e drejtësisë, si dhe me themelimin e shumë tribunaleve e gjykatave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, bota ka zhvilluar shumë vetëdijen e vet intelektuale dhe mekanizmat institucionalë për t’u ballafaquar me trashëgiminë kriminale. Kjo njëherësh është edhe “vala e fundit e Drejtësisë Tranzicionale”, për të cilën do të flasim në pjesën e dytë të shkrimit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.