Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Një përvijim i shkurtër historik i Drejtësisë Tranzicionale – Pjesa II

Pjesa e dytë – Drejtësia Tranzicionale pas Luftës së Ftohtë

In the key pjesën e parë të shkrimit folëm për origjinën historike të Drejtësisë Tranzicionale prej antikitetit e deri në Luftën e Dytë Botërore (LDB). Në këtë pjesë do të trajtohet periudha pas “Luftës së Ftohtë”, që në fakt është më vendimtarja në formësimin e Drejtësisë Tranzicionale si fushë e specializuar, por edhe si disiplinë e diversifikuar.

Nëse fundi i LDB-së e ndërkombëtarizoi Drejtësinë Tranzicionale, fundi i “Luftës së Ftohtë” e globalizoi atë. Ishte pikërisht kjo kohë kur bota iu nënshtrua një riorganizimi ideologjik e politik.

Mirëpo kjo erdhi me një çmim të lartë. “Lufta e Ftohtë” ishte si një dimër i gjatë që ngriu fanaticizmin etno-nacionalist. Në disa pjesë të globit u çlirua forca e projekteve etno-nacionaliste që nuk ishin kompatibilë me njëri-tjetrin dhe që përmes dhunës së organizuar përshkallëzuan brutalitetin deri në pogrome gjenocidale.

Kokëfortësia e këtyre konflikteve e bëri të domosdoshëm një konceptualizim më të avancuar të një fushe të drejtësisë që merret ekskluzivisht me adresimin e krimeve të luftës dhe eliminimin e shkaqeve të tyre në mënyrë që t’i jepet shans paqes.

After the incident, termi Drejtësi Tranzicionale u shpik saktësisht në një kohë kur bota ishte në një fluks radikal të ndryshimit, saktësisht më 1991 kur Bashkimi Sovjetik kolapsoi, kur diktaturat në Amerikën Latine po binin një nga një si domino dhe kur Jugosllavia ishte futur në spiralen e dhunshme të shpërbërjes.

Megjithatë bota nuk iu nënshtrua entropisë së pashpresë sepse një ligjësi e re për adresimin e krimeve dhe vendosjen e paqes po etablohej. Me rënien e “Perdes së Hekurt” që ndau botën për gjysmë shekulli u hap një dritare rasti për shtetet totalitare që të demokratizohen dhe të liberalizohen.

Rritjen enorme të numrit të shteteve demokratike Samuel P. Huntington e quajti “Vala e Tretë e Demokratizimit. Para kësaj vale ishin vetëm 40 shtete demokratike, kurse me të më shumë se 90 shtete u demokratizuan. Mirëpo fjala “valë” nuk është e duhura në këtë rast sepse vala ka konotacion shkatërrimtar dhe të vërshimit, e kjo nuk është ajo çfarë demokracia sjell.

Derisa gjatë “Luftës së Ftohtë” zbatimi i “Deklaratës Universale së të Drejtave të Njeriut” dhe “Konventave të Gjenevës” ishte çështje tërësisht e brendshme, pas saj shtetet filluan të adoptojnë dhe respektojnë konventat ndërkombëtare rreth të drejtave të njeriut.

Përveç transformimit ideologjik, pati edhe një riorganizim strukturor, ku filloi dekonstruktimi i rendit shteto-centrik dhe që nga atëherë akterët jo-shtetërorë, përfshirë shumë OJQ që avokojnë për të drejtat e njeriut, janë forcuar dukshëm. Joseph Nye argumenton se ka ndodhur një shpërndarje vertikale e pushtetit nga akterët shtetërorë drejt akterëve jo-shtetërorë. Është krijuar një arkitekturë komplekse ndërkombëtare e ndërvarësisë dhe e një vendimarrjeje më poliarkike, edhe pse shteti ende është dukshëm agjenti më i fuqishëm vendimmarrës.

Logjika liberale e ndarjes së pushteteve së bashku me reformat institucionale krijuan kushte më të mira për artikulim dhe aplikim më efektiv të drejtësisë, si dhe për operim më të lehtë të akterëve jo-shtetërorë. Saktësisht në këtë kontekst Drejtësia Tranzicionale u formësua mbi një rrjet të dendur ndërveprimesh mes aktivistëve të të drejtave të njeriut, shteteve, gazetarëve, institucioneve ndërkombëtare, donatorëve dhe akademikëve.

Të gjitha këto së bashku krijuan kushtet e nevojshme për themelimin e mekanizmave të specializuar për mbrojtjen dhe forcimin e këtyre normave. John Caputo do të toshte që ligjit iu dhanë veshë për të dëgjuar më mirë thirrjet e drejtësisë, kurse drejtësisë  dhëmbë dhe dhëmbëzorë për të korrigjuar padrejtësitë. Kjo periudhë shënon edhe “globalizimin e Drejtësisë Tranzicionale”.

Kështu, përmes Rezolutës 827, OKB-ja formoi “Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY)” më 22 shkurt 1993. I njohur si Gjykata e Hagës, tribunali trajtoi krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin nga viti 1991 deri në përfundim të luftës në Kosovë.

Sllobodan Millosheviqi u bë Presidenti parë në detyrë që do të përballej me gjykim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Para se të mbyllte mandatin e tij më 31 dhjetor 2017, ky tribunal ngriti aktakuza kundër 161 individëve (94 serbë, 29 kroatë, 9 shqiptarë dhe 9 boshnjakë, 2 maqedonë dhe 2 malazezë), dëgjoi 4.650 dëshmitarë në 10.800 ditë gjykimi dhe dënoi 62 serbë, 18 kroatë, 5 boshnjakë, 2 malazezë, 1 maqedonas dhe 1 shqiptar.

Millosheviqi vdiq para se të mbyllej gjykimi, por masakra e Srebrenicës u shpall gjenocid i kryer nga forcat serbe të Bosnjës. Më 2016 Radovan Karaxhiq dhe më 2017 Ratko Mlladiq u shpallën fajtor për realizimin e tij dhe për krime tjera. Derisa tribunali mund të kritikohet për numër të vogël të të dënuarve, trashëgimia e tij më e vlefshme është vendosja e një standardi ku drejtuesit e shteteve mbahen përgjegjës për krimet e tyre dhe nuk mund më të fshehen pas parimit të sovranitetit shtetëror.

Më 1994 OKB-ja, përmes Rezolutës 955, formoi “Tribunalin Penal Ndërkombëtar për Ruandën (ICTR)” për të gjykuar fajtorët për gjenocid ku u masakruan reth 1 milion njerëz dhe për krime tjera. Me bazë në Arusha të Tanzanisë, nga 93 persona të akuzuar, ky tribunal dënoi 61 persona, përfshirë ish-Kryeministrin Jean Kambanda. Më 31 dhjetor të vitit 2015 tribunali përfundoi mandatin e vet, por gjykimet vazhdojnë në Ruandë nga gjykatat lokale.

Më 1998 u nënshkrua traktati i Statutit të Romës që themeloi “Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC)” për të trajtuar gjenocidin, krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krimet e agresionit. 139 shtete e kanë nënshkruar atë, por 16 prej tyre (ndër to ShBA-ja, Izraeli dhe Rusia) nuk e kanë ratifikuar dhe nuk japin llogari ndaj tribunalit.

Ndërkohë vende si Kina dhe India as nuk e kanë nënshkruar, as nuk e kanë ratifikuar. Ndër rastet më të njohura është ai i Thomas Lubangas nga Republika Demokratike e Kongos, që u shpall fajtor më 2012 për krime lufte dhe detyrim të fëmijëve për të marrë pjesë në luftë.

Poashtu disa gjykata hibride themeluan në vende të ndryshme të botës ku ndodhën krime. Tri u krijuan përmes marrëveshjeve mes OKB-së dhe shteteve të veçanta: “Gjykata Speciale për Sierra Leonen” me seli në kryeqytetin Freetown më 2002 që nga 23 të akuzuar dënoi 7  prej tyre, përfshirë Charles Taylor;  “Dhomat e Jashtëzakonshme të Gjykatave të Kamboxhias” më 2003 me seli në kryeqytetin Phnom Penh që për 11 vite dënuan vetëm 3 persona dhe shpenzuan mbi 300 milionë dollarë; dhe “Tribunali Special për Libanin” më 2007 për vrasjen e ish-Kryeministrit Rafik Hariri, me seli në Holandë dhe që për 15 vite dhe afër 1 miliard dollarë shpenzime nuk ka dënuar asnjë person deri më tani.

Dy u themeluan nga OKB-ja: në Kosovë më 15 dhjetor 2000 u themeluan “Panelet hibride të UNMIK-ut” përmes Rregullores 64 që do të merreshin me krimet e luftës në Kosovë dhe “Panelet Speciale për Krime Serioze” nga UNTAET në Timorin Lindor, që dënoi 84 persona, por duke mos dënuar fajtorët kryesorë që ishin liderë të Indonezisë, një shtet shumë më i fuqishëm.

Një u formua në Bosnjë për të trajtuar rastet e transferuara nga Gjykata e Hagës dhe u quajt “Dhomat Boshnjake për Krime Lufte” që kanë dënuar 10 persona. Një tjetër, EULEX, u formua në Kosovë në bashkëpunim me BE-në. Ai vazhdoi punën aty ku e la UNMIK-u. Të dy këto misione, në total trajtuan 48 raste, 25 serbë, 19 shqiptarë, 3 malazezë dhe 1 rom. Në total ishin 111 të pandehur. 38 u liruan, kurse nga 39 të dënuar 34 ishin shqiptarë, 4 serbë dhe 1 malazez.

Gjykata hibride më e rëndësishme u formua në Kosovë, kur pas trysnisë ndërkombëtare dhe debateve të ashpra Kuvendi votoi më 3 gusht të 2015 “Ligjin No. 05/L-053” për “Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar” që tashmë veç kanë nisur punën.

Drejtësi Tranzicionale është aplikuar edhe në shumë vende tjera të botës, si Argjentinë, Peru, Guatemala, Peru, Kili, Kroaci, Serbi, Kolombi, Bangladesh, Irak, Kenia, etj. Reparacionet poashtu u shpeshtuan. Kanadaja u dha reparacioneve 20.000 kanadezëve me prejardhje japoneze që i internoi dhe që ua mori pronat gjatë LDB-së, pasi dyshonte se po spiunonin tek Japonia.

Sa i përket kërkimfaljes, një gjë të tillë e bëri Australia ndaj banorëve aborigjenë, por pa reparacione. Serbia ndërkohë as nuk e njeh Kosovën si shtet, as nuk ka kërkuar falje për krimet e bëra e as nuk ka ofruar reparacione.

Ndërkohë jo në pak raste është zbatuar edhe Amnistia. Në Afrikë të Jugut u ofrua amnistia në këmbim të rrëfimit dhe pranimit të krimit. Në fund vetëm 15% e atyre që u rrëfyen u amnistuan. Amnisti u zbatua edhe në Argjentinë, Brazil, Kili, Paraguaj, El Salvador, Uruguaj, Kongo, Senegal, Uganda etj.

as a “Komisioni i parë për të Vërtetën” që synon të zbardhë realitetin e konflikteve dh krimeve të diktaturave u themelua në Ugandë më 1974 nga diktatori Idi Amin, por pa ndonjë rezultat serioz. Më pas u formuan në Bolivi (1982) dhe në Argjentinë (1983), ku raporti i tij “Nunca Más” u bë bestseller ndërkombëtar. Më 1995 u themelua në Afrikë të Jugut. Deri në këtë moment janë formuar mbi 40 Komisione të tilla.

Një të tillë e ka edhe Kosova që u formua nga Presidenti Hashim Thaçi më 2017, por deri më tash pa asnjë arritje. E njëjta vlen edhe për “Këshillin Rajonal Koordinues të Koalicionit për Komisionin e së Vërtetës Rajonale” (RECOM) për krime të luftës të kryera gjatë viteve 1991-2001 në ish-Jugosllavi. Që të dy operojnë në një kontekst të polarizuar dhe me konteste hapura brenda dhe ndër-shtetërore dhe si në shumë pjesë tjera të botës kjo e vështirëson arritjen e pajtimit.

Megjithëse gjykatat nuk kanë bërë punën më të mirë dhe jo rrallë edhe kanë injoruar veçantitë e konteksteve ku kanë operuar, Drejtësia Tranzicionale asnjëherë nuk ka qenë më vibrante dhe kjo nuk do të mund të ndodhte pa transformimin e madh që erdhi me përfundimin e “Luftës së Ftohtë.”

Shumë viktima, familje e komunitete të dëmtuara dhe të shkatërruara (përfshirë Kosovën) ende nuk kanë marrë njohjen, kërkimfaljen dhe reparacionet e merituara. Poashtu plot kriminelë nuk janë përballur me drejtësinë, por gjithsesi bota sot ka standarde e mekanizma më të kualifikuar sesa cilado gjeneratë në të kaluarën për të mbajtur përgjegjës individë, organizata e shtete për shkaktim të vuajtjeve ndaj të tjerëve.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.