Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Një ‘test i hershëm’ për një botë të udhëhequr nga Kina

Politikat e Pekinit tash që talebanët janë në pushtet do të na ofrojnë më shumë të dhëna për atë se si e sheh ajo lidershipin global.

Për ne që e pyesim veten se çfarë lloj superfuqie mund të jetë Kina, së shpejti do të mund të kuptojmë më shumë nga ajo që do të ndodhë në Afganistan.

Mënyra se si Pekini menaxhon marrëdhëniet me Kabulin pas largimit të amerikanëve – se a mund të krijojë lidhje ekonomike me talebanët, çfarë ndikimi politik dhe diplomatik kërkon dhe, ç’është më e rëndësishmja, se a mund t’i shfrytëzojë përparësitë e veta për të ndikuar në regjimin e ri – mund të ofrojë një tablo të asaj se si do ta përdorë pushtetin që ka grumbulluar në krizat e tjera globale të sigurisë, sidomos në mungesë të një pranie të fuqishme amerikane. Pyetja se për ç’arsye Kina do të donte të shllapuritej në batakun afgan në fillim mund të duket mjaft hutuese.

Deri në një masë të caktuar, nuk ka është se shumë zgjedhje, duke pasur parasysh lëmshin e mbledhur në kufirin e saj perëndimor dhe mospraninë e amerikanëve për ta mbajtur sigurinë. Mirëpo, tërheqja e SHBA-së paraqet gjithashtu një mundësi për liderët e Pekinit: përforcimin e mbizotërimit të rajonit që e konsiderojnë oborr shtëpie dhe, për më tepër, luajtjen e heroit duke korrur sukses aty ku Uashingtoni ka dështuar.

Sidoqoftë, është pikëpyetje e madhe se a mund dhe a do të kërkojë Kina agresivisht ta mbushë zbrazëtirën e lënë nga Shtetet e Bashkuara. Kjo do ta detyronte Pekinin t’i përvilte mëngët më shumë se sa i pëlqen zakonisht. Në përgjithësi, liderët kinezë kanë shmangur tundimin për të ndërhyrë në çështje të sigurisë globale dhe mosmarrëveshje rajonale. (Në aspekte të caktuara, Kina ka qenë burim jostabiliteti me pretendimet e saj territoriale në Detin e Kinës Jugore dhe përkrahjen e vazhdueshme për regjimet toksike si Koreja e Veriut, Irani dhe Venezuela.)

Përkundrazi, Pekini pëlqen të mos mbajë anë dhe orvatet të bëjë biznes me çdokënd. Pekini ua ka lënë zgjidhjen e problemeve politike Uashingtonit dhe aleatëve të tij, ndërkaq firmat kineze (zakonisht të lidhura me qeverinë) enden sa andej-këndej duke ndërtuar autostrada dhe duke shitur rrjete telefonike. Përveç tash në Afganistan, do t’u duhet të përballen me një situatë të vështirë pa rrjetin e sigurisë amerikane për t’i dalë zot.

Afganistani “është njëfarë testi i hershëm” për atë se si Kina do ta menaxhojë “një grup të veçantë të vendeve me të cilat SHBA-ja është marrë aq shumë përgjatë dy dekadave të fundit,” më tha Andrew Small nga Fondi Marshall Gjerman. “Ka një të panjohur rreth rezultateve që është në gjendje të prodhojë qasja e Kinës.”

Politika e Kinës ndaj Afganistanit do të jetë gjithashtu diçka më tepër: një test për tërë botëkuptimin e saj dhe për formën specifike të marrëdhënieve ndërkombëtare që ka krijuar. Pekini dhe Uashingtoni kanë të njëjtin shqetësim bazik për Afganistanin – se do të bëhet përsëri kërcënim ndërkombëtar – por liderët e Kinës e shohin problemin krejt ndryshe.

Kinezët shpesh tallen me prirjen e Amerikës për ndërhyrje në vende të huaja (ndonëse në rastin e Afganistanit ata patën disa përfitime), si dhe promovimin e idealeve demokratike përmes politikës së jashtme amerikane. Liderët kinezë avokojnë parimin e “mosndërhyrjes” në çështje të vendeve të tjera. Kjo përkthehet në një rend diplomatik të zhveshur nga vlerat (ose të paktën nga ato të llojit liberal). Ndërkohë që amerikanët përpiqen t’i bëjnë shoqëritë e tjera më shumë si ajo e Amerikës, kinezëve nuk u bën fort ç’lloj qeverie ka një vend tjetër, ose çfarë i bën ajo qeveri popullit të vet, për sa kohë që nuk i shkakton telashe Kinës.

Botëkuptimi kinez – mospërzierja në fatin popujve të huaj që vuajnë nën regjime brutale – mund të duket i pashpirt. Prapëseprapë, kjo strategji e ka një nivel pragmatizmi. Kinezët thjesht merren me qeveritë e tjera ashtu siç janë, jo ashtu siç do të donin të ishin. Kjo ia mundëson Kinës t’i lërë mënjanë pengesat ideologjike dhe të krijojë lidhje me regjime të njëpasnjëshme – siç është rasti në Mianmar, ku e pati mirë me juntën, pastaj me qeverinë demokratike të Aung San Suu Kyi-së, e pastaj përsëri me juntën, pa shumë zhurmë.

Pyetja kryesore në kontekstin afgan është: a do të bëjnë punë metodat e Kinës? Pekini mund t’i ketë disa përparësi në manovrimin e një moçali si Afganistani, duke u adaptuar me ngjarjet në kohë reale. Megjithatë, kjo qasje ka kufizimet e veta dhe mund t’ia lidhë duart keq nëse gjërat në Afganistan shkojnë mbrapsht. Ka mundësi – të mirë bile – që përkundër të gjitha gjoja dallimeve në politika, strategji dhe botëkuptim, Kina ta gjejë veten të përndjekur nga Afganistani, ashtu si amerikanët (dhe rusët e britanikët) para saj.

Tash për tash, Kina tashmë po e shpall fitoren. Ministri i Jashtëm Wan Yi e ka quajtur gjendjen në Afganistan “një tjetër shembull negativ” të budallallëkut të ndërhyrjes ushtarake në zona të nxehta dhe ka paralajmëruar se “nëse Shtetet e Bashkuara nuk këndellen nga përvojat e dhembshme, do ta pësojnë përsëri,” kjo sipas një përmbledhjeje të komenteve të tij në mediat zyrtare kineze. Kryeredaktori i gazetës së Partisë Komuniste Global Times, Hu Xijin, u lavdërua se “Kina nuk ka armiqësi me Afganistanin. . . Pa marrë parasysh kush e ka pushtetin, ne jemi gati të bëhemi miq të Afganistanit.”

Kapadaillëku mund të fshehë ankthe serioze. Ndonëse e parehatshme me praninë ushtarake amerikane në Afganistan – duke druajtur se amerikanët do të nguliten thellë në krahun perëndimor të Kinës, ashtu si në lindje në Japoni dhe Kore të Veriut – Kina ka kuptuar gjithashtu se Uashingtoni po kryen punët e rënda që të ruajë të paktën një nivel sado të brishtë të stabilitetit. Prandaj, liderët kinezë mund të mos jenë aq të ngazëllyer me ikjen e SHBA-së, siç lë të kuptohet propaganda e tyre.

Pekini është posaçërisht i brengosur se talebanët mund t’i strehojnë militantët ujgurë, të cilët mund ta shfryjnë zemërimin e tyre ndaj Kinës. Qeveria kineze ka syrgjynosur gati një milion ujgurë në kampet e provincës perëndimore Xinjiang, me pretendimin se po lufton terrorizmin, por që një varg qeverish dhe grupesh të të drejtave të njeriut thonë se është në fakt maskim i torturës, punës së detyruar dhe mizorive të tjera.

Përderisa edhe SHBA-ja edhe Kina druhen se një Afganistan jostabil do të kthehet përsëri në strehë militantësh, ato nuk kanë qëllime të përbashkëta. Pekini nuk flet për zbarkimin e trupave në terren ose për çfarëdolloj ndërhyrjeje tjetër të drejtpërdrejtë. As janë ambiciet e Kinës në vend për së afërmi të larta sa të Amerikës. SHBA-ja dëshiron ta zgjidhë problemin me talebanët duke krijuar një formë krejt tjetër të qeverisë. Kinezët kënaqen me zgjidhjen e problemit të tyre me talebanët duke u angazhuar me ta: Pekini tashmë ka lënë të kuptohet se do ta njohë regjimin e talebanëve si qeveri legjitime të Afganistanit.

SHBA-ja “donte ta transformonte Afganistanin në diçka krejt tjetër nga ç’kishte qenë më parë,” më tha Raffaello Pantucci nga Qendra për hulumtime në fushën e mbrojtjes, Royal United Services Institute, me seli në Londër. “Kinezët nuk do të shtiren kurrë se po përpiqen ta arrijnë pikërisht atë.”

Disa prej benefiteve të qasjes kineze tashmë kanë dalë në pah. Ndonëse diplomatët e Uashingtonit kanë negociuar me talebanët, kjo i lë në pozicion të dobët, ndërkaq të pranuarit e plotë të një regjimi të tillë do të ishte hap i vështirë. Në anën tjetër, liderët kinezë nuk kanë asi skrupuj. Si mund të kenë duke e ditur që dosja e tyre e të drejtave të njeriut është për faqe të zezë? Ministri i Jashtëm Wang u takua me përfaqësuesit e talebanëve në korrik dhe ritheksoi pozicionin e Pekinit se “Afganistani i përket popullit afgan dhe e ardhmja e tij duhet të jetë në duart e vetë popullit të tij,” thuhet në një deklaratë të Ministrisë.

Përpjekjet e tilla po shpaguhen. Talebanët u janë përgjigjur pozitivisht nismave të Pekinit dhe duken të gatshëm t’ia mundësojnë Kinës një rol të rëndësishëm në Afganistan. “Kemi qenë shumë herë në Kinë dhe kemi marrëdhënie të mira me ta,” tha zëdhënësi i grupit militant Suhail Shaheen. “Kina është vend mik, të cilin e mirëpresim.” Grupi gjithashtu po flet ashtu siç duhet për çështjen e ujgurëve. “Njerëz të vendeve të tjera që duan ta shfrytëzojnë Afganistanin për të sulmuar vende tjera, le ta dinë që ne jemi zotuar se nuk do t’i lëmë brenda, qofshin individë apo entitete kundër çdo vendi, përfshirë edhe Kinën,” tha Shaheen.

Prapëseprapë, Pekini me gjasë nuk ka iluzione se çfarë do të thotë të merresh me talebanët. Kinezët kanë përvojë të madhe diplomatike në Afganistan, përfshirë përpjekjet e bashkërenduara në mes të viteve 2010 për të ndërmjetësuar mes qeverisë dhe talebanëve. “Marrë parasysh sjelljet e mëparshme të talebanëve dhe ideologjinë e ngulitur e të tërbuar fundamentaliste islamike, së bashku me krenarinë e tyre të papërmbajtur si pasojë e fitores së fundit, do të thosha se qeveria kineze ka rezerva të mëdha për premtimet e tyre fillestare”, më tha Shi Yinhong, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Renmin të Kinës.

Me gjasë, Pekini do të përpiqet t’i mbajë për fjale talebanët me një ndihmë të bollshme ekonomike dhe projekte infrastrukturore përmes Nismës Rrip dhe Rrugë të Kinës. Por, kjo mund të mos jetë e mjaftueshme. “Kina ka përparësinë që nuk e ka asnjë vend tjetër i rajonit kur është fjala për marrëdhëniet me talebanët,” thotë profesori Vinay Kaura nga Universiteti Sardar Patel në Indi. “Sidoqoftë, do të ishte me rrezik të besohet se Kina mund të ketë mjaft ndikim te talebanët që t’i përmbushin premtimet e dhëna.” Kaura beson se, që të ushtrojë ndikim, Pekini do të ketë nevojë të llogarisë në aleatët si Pakistani, të cilët kanë lidhje të kahershme me talebanët, edhe pse analistët vërejnë se as Islamabadi nuk është aq i besueshëm.

Ironikisht, mundësia është që Pekini të përhumbet në të njëjtin lëmsh si SHBA-ja: të mundohet ta mbajë gjendjen e sigurisë nën kontroll përmes partnerëve jo të besueshëm. Në atë kuptim, Afganistani përbën gjithashtu një test të mundshëm për diçka tjetër – gatishmërinë që SHBA-ja dhe Kina ta lënë mënjanë konkurrencën e superfuqive për t’i zgjidhur problemet e sigurisë që u kanosen të dyjave.

Megjithatë, në fund të fundit, botëkuptimet e tyre të papajtueshme ka mundësi se do të nxirrnin krye në Afganistan, ashtu si gati çdokund tjetër. “SHBA-ja dhe Kina mund të pajtohen se duan një Aftanistan stabil,” më tha analisti i mbrojtjes nga Rand Corporation Derek Grossman. “Por, kur qëron qepën deri në fund, do të bëhet e qartë shumë shpejt se palët nuk do të pajtohen.”

Në rast të dështimit të përpjekjeve të Kinës – për shkak se nuk u besohet talebanëve ose për shkak se ata shkelën zotimin për të mos strehuar grupe terroriste – Pekini do të paralizohej nga zotimi për mosndërhyrje, i paaftë për të ndërmarrë veprime drastike të cilat beson se janë të domosdoshme për t’i mbrojtur prioritetet e tij në Afganistan.

Ndërkaq, nëse Kina ka sukses, SHBA-ja mund të pësojë goditje të rëndë. Vizioni i Kinës për një rend botëror pa vlera do të merrte pikë të çmuara. “Shqetësimi im me faktin se Kina po bëhet aktere dominante përgjatë tërë territorit është te botëkuptimi i tyre, i cili në thelb nuk është i ndërtuar mbi gjykimet vlerore, por gjithashtu nuk shqetësohet fare për të drejtat e njeriut,” thotë Pantuci nga Royal United Service Institute. Kjo “mund të sjellë shumë vuajtje.”

***

Artikulli origjinal në The Atlantic, më 24 gusht 2021.

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.