Në një tregim të tijin të quajtur “Pasagjeri i klasit të parë,” shkrimtar i famshëm rus Anton Chekhov, rrëfen për një inxhinier të zoti me mbiemrin Krikunov, i cili mbas çdo vakti të darkës e kishte tabiat të shtrihej në një divan të butë e të rehatshëm – dhe, nga aty, të lodhte mendjen e gjuhën për tema që e mundonin personalisht. Këtë tabiat të tij, siç tregon në të hyrë të tregimit edhe Krikunov-i vetë, e kishte trashëguar nga babai i vet i ndjerë, ama me një dallim krucial: për dallim nga Krikunov-i që e kishte në qejf të çlodhte trupin, kurse të lodhte mendjen, ky i fundit, siç tregon Krikunov-i, nuk e kishte pasur merak të lodhte mendjen e gjuhën bash për kurrgjë, por thjesht të shtrihej në një divan të butë dhe gratë fshatare t’ia gudulisnin këmbët. Me fjalë të tjera, të mos mendonte fare por thjesht të dëfrehej sipas maksimës së famshme hic et nunc.
E pashë të udhës të përmend këtë tregim të mrekullueshëm të Chekhov-it në krye të shkrimit sepse, në gjykimin tim, na ndihmon për të shpjeguar një prirje (ose, thënë më mirë, një ves të keq) të disa analistëve në Kosovë e Shqipëri – të cilët, në vend që të stërvitin mendjen e gjuhën para se të marrin guximin për të folur për tema e çështje që nuk kanë haber, shtrihen more bacë nëpër studio të ndryshme televizive mbas vaktit të darkës dhe, duke mos pasur asnjë konsideratë për inteligjencën e njerëzve, dëfrejnë njëri tjetrin me budallallëqe e qyfyre nga më të ndryshme. Shembulli i fundit me krahasimin e rezultateve zgjedhore në nivel lokal dhe nacional, besoj, e ilustron më së miri këtë që po them: se sa qejfli të mëdhenj të “gudulisjes së këmbëve” janë bërë ky soj i njerëzve, që po të huazoj sërish një shprehje të famshme të një shkrimtari tjetër të madh rus, do t’i përkufizoja si njerëz që nuk bëjnë gjë tjetër pos që e rëndojnë tokën kotsëkoti. Ndryshe, po që se do t’i kushtonin kohë stërvitjes së mendjes dhe gjuhës – siç bën, në fakt, edhe personazhi në tregim – nuk ma ha mendja se do t’u shkonte nëpër mend të bënin krahasime të tilla.
Por jo!
Pikërisht ngaqë e duan “gudulisjen e këmbëve” më shumë se lodhjen e mendjes dhe gjuhës bëjnë edhe kësi lloj analizash idiotike – duke marrë në krahasim gjëra të pakrahasueshme. Madje jo vetëm kaq, por marrin guximin prej pseudo-shkencëtarësh politikë për të bërë edhe identifikimin e shkaqeve që, sipas tyre, kanë çuar gjoja në “humbjen” e Lëvizjes Vetëvendosje dhe fitoren e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Meqë Besnik Pula, profesor në Universitetin Virginia Tech (SHBA), në një shkrim të tijin këtu në Sbunker tashmë u ka mëshuar qyfyreve e budallallëqeve të tilla – se pse nuk bën të krahasohet rezultati i zgjedhjeve komunale me ato parlamentare – nuk e kam ndërmend t’i përsëris ato që ai i ka thënë në shkrimin e tij. Në vend të kësaj, do të doja t’i përmend disa arsye shtesë se pse në pikëpamjen time analistët dhe “akademikët” e LDK-së i kanë mëshuar idesë se LDK është fituese e këtyre zgjedhjeve, kurse Lëvizja Vetëvendosje humbësja kryesore e tyre.
Së pari, dhe, sigurisht, më e rëndësishmja nga të gjitha, mendoj se ka të bëjë me mënyrën e përçudnuar si këta robër e konceptojnë Shtetin – si tërësi të të gjitha komunave. Me fjalë të tjera, si tërësi arash, mëhallash e komunash! Njëlloj, nëse e mbani mend mirë, bënin edhe me rastin e Demarkacionit me Malin e Zi: “A ka humbur Komuna e Pejës ndonjë metër katror?,” – na pyesnin aso kohe. “Jo,” – përgjigjeshin të gjithë së bashku me një zë. “Po ndonjë qytetar, ndonjë pronë private, ka humbur? Jo,” – përgjigjeshin, sërish. Përfundimi: “Shteti i Kosovës nuk ka humbur asnjë metër katror nga territori i saj!” Ngjashmërisht, besoj, analistët dhe të ashtu-quajturit akademikë të LDK-së janë duke ia bërë edhe me zgjedhjet lokale: “Sa vota ka marrë PDK-ja në të gjitha komunat? Rreth 150 mijë vota. Po Lëvizja Vetëvendosje, sa ka marrë ajo? Rreth 110 mijë vota. Po Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës? Nën 100 mijë vota. Epo, atëherë, Lidhja Demokratike na qenka partia më e madhe në Republikën e Kosovës, meqë ka fituar mbi 160 mijë vota!”
(Lexuesi të më falë për këtë digresion, por e kam të pamundur pa e thënë: bëj be që, po të ishte gjallë Hegeli, dhe po t’i dëgjonte analistët dhe “akademikët” e LDK-së duke e reduktuar Idenë e Shtetit në një tërësi arash, mëhallash e komunash, jo vetëm që do t’i ngelte në provim, por edhe do t’i zhdëpte dru që nuk kishin për ta harruar kurrën e kurrës).
Përveç konceptimit të shtrembër që kanë për Idenë e Shtetit, sidoqoftë, në pyetje është edhe interesi vetjak i Isa Mustafës dhe një pjese të klanit të tij për të injoruar dallimet evidente që ekzistojnë midis rezultatit zgjedhor në nivel lokal dhe nacional.
Pse po e them këtë?
Po e them sepse po të deklaronin që zgjedhjet në nivel lokal janë të natyrës dhe klasës tjetër nga ato qendrore, atëherë ata veç do të pranonin që elektorati i LDK-së është i pakënaqur me mënyrën si ata e kanë menaxhuar partinë dhe, kësisoj, të jepnin dorëheqje. Nga ana tjetër, duke marrë si referencë zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit të shkuar, Isa Mustafa dhe klani i tij synojnë të thonë këtë gjë: “Po, është e vërtetë se humbëm zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, por ja që tani LDK u rikthye edhe më fuqishëm nën drejtimin tim, si partia më e madhe në vend. Kështu që, nuk kemi pse të dorëhiqem.”
Ndërkaq, po të insistohej se rezultati zgjedhor në nivel lokal dallon nga ai qendror, atëherë pakënaqësia e elektoratit të LDK-së me Isa Mustafën dhe klanin e tij do të dilte sheshit. Sepse atëherë do të mund të pyesnim: si ka mundësi që LDK në zgjedhjet parlamentare doli e treta, kurse e para në nivel lokal me më së shumti vota? Përgjigja: Doli e treta në zgjedhjet në nivel nacional, dhe e para në nivel lokal, sepse njerëzit janë të pakënaqur me lidershipin e LDK-së në qendër, prandaj edhe nuk i kanë votuar.
Tjetra, mendoj se ka të bëjë edhe me një tendencë të LDK-së për të krijuar një lloj fryme të fitores për raundin e balotazhit dhe, dicka që nuk po problematizohet fare, për të arsyetuar një sërë humbjesh që ka pësuar në disa komuna tepër të rëndësishme të Kosovës. E kam fjalën për humbjen e fuqisë politike në asamblenë e kryeqytetit dhe (në) disa kuvende të tjera komunale. Pastaj, për shkuarjen në balotazh të bastioneve tradicionale (shembulli i Komunës së Podujevës dhe Komunës së Istogut). Për humbjen spektakolare që ka pësuar në qytetin e Prizrenit, qytetin e dytë më të madh në Kosovë. Dhe për humbjen në Komunën e Ferizajt e të Therandës, komuna këto ku Lidhja Demokratike e Kosovës ka (keq)qeverisur një kohë të gjatë.
Dhe e fundit, por assesi për nga rëndësia, ka të bëjë me një urretje që një numër i konsiderueshëm analistësh dhe “akademikësh” ushqejnë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.
Pse po e them këtë?
Po e them sepse po të ishte në pyetje ndonjë parti tjetër në vend të Vetëvendosjes (p.sh., PDK, AAK dhe LDK); dhe po të fitonte në zgjedhjet parlamentare por jo dhe në nivelin lokal, nuk besoj se analistët dhe “akademikët” e LDK-së do të bënin krahasimin e rezultatit zgjedhor në nivel lokal me atë nacional. Por pikërisht ngaqë në pyetje është Lëvizja Vetëvendosje mundohen të gjejnë referenca nga më të çuditshme – vetëm e vetëm që ta dëmtojnë elektoralisht atë.
Fundja, a nuk ishin pikërisht këta që, para mbajtjes së zgjedhjeve lokale, na thoshin se “zgjedhjet lokale dallojnë nga zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit,” kurse tash na thonë se ato nuk dallokan? Ç’ndodhi (dhe pse) ky ndryshim i pozicioneve i tyre? Kishin të drejtë atëherë kur deklaronin se ato nuk mund të krahasohen, apo tani që insistojnë se ato nuk dallojnë?
Do të ishte mirë që analistët dhe “akademikët” e LDK-së të përgjigjen në këto pyetje – nëse veç nuk janë të zënë nëpër studio televizive, rrjete sociale e blogje të ndryshme.