Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Një vështrim kritik për Aktgjykimin e Asociacionit

Midis sigurisë juridike dhe paqes politike, Gjykata Kushtetuese më 23 dhjetor 2015 – vendosi për të dytën – duke e “blerë makiavelisht” këtë paqe, në situatën kritike, të krijuar me shumë kallauz nga politikat legale të saj, skajshmërisht jomodeste.

Jurisprudenca kushtetuese e Kosovës në 7 vitet e ekzistimit të saj – ka riprodhuar si me pahir një standard ligjor të etabluar nga GjND e quajtur asokohe “[…] Permanente e Drejtësisë” në rastin që njihet si “Lotus” në vitin 1927; sipas të cilit, vendosja meritore duhet të bëhet mbi bazën e parimit se, çka nuk duhet dhe/ose guxohet të bëhet dhe jo çka duhet dhe/ose guxohet të bëhet.

Ky prodhim mekanik i drejtësisë legjitimoi një xhevahir tjetër juridik në Kosovë – sipas të cilit Asociacioni i Komunave me shumicë serbe (në tekstin e mëtejmë: Asociacioni) lejohet kushtetutshmërisht të krijohet me disa kufizime legale, të cilat në “Marrëveshjen e Parimeve” të nënshkruar në Bruksel nga dy kryeministrat respektiv, të Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuçiç – e shkelin frymën kushtetuese të Republikës së Kosovës por, jo edhe germën/shkronjën e saj.

Në moralin kushtetues, ky Aktgjykim do të përballet me tri sfida, të cilat në varësi të asaj që njihet si arti i jurisprudencës, interpretimi – do të ngazëllejnë, kënaqin, dëshpërojnë apo irritojnë – palët të cilat ky Akgjykim i afekton.

Sfida #1: Mangësitë dhe limitet e Aktgjykimit

Aktgjykimi i 23 dhjetorit përveç se pajtoi shprehimisht dhe heshturazi të gjithë elitën politike kosovare (pozitë dhe opozitë) – ngjalli pasiguri edhe në mesin e juristëve kosovarë të cilët e rreshtuan pozicionimin e tyre profesional në varësi të bindjeve, shkollave legale ose politike dhe me patjetër edhe te krijimtarisë së tyre akademike apo publike. Kritika themelore që i bëhet legalisht ‘per se’ ketij Aktgjykimi, është ajo e mosqartësisë së duhur në, atë që duhet të jetë rregullim politik i Asociacionit në fazën e hartimit të Statutit nga Qeveria e Kosovës – dekreti i të cilit duhet të kontrollohet kushtetutshmërisht nga Gjykata.

Në përdorimin metaforik të tezës së profesorit amerikan të drejtësisë, Mark Graber – Asociacioni tashmë mund të quhet si një “dreq kushtetues”.Në një analogji të tillë provokuese – nëgjykimin tim, Gjykata Kushtetuese ka dështuar minimalisht t’i sqarojë dy pyetje themelore:

Së pari, nëse Gjykata ka të drejtë të kontrollojë dhe të shqyrtojë kushtetutshmërinë, e asaj që quhet, një akt më fuqi me të ulët ligjore se Kushtetuta, por më i lartë se Ligji, siçështë piramida kushtetuese kosovare e renditjes se marrëveshjeve ndërkombëtare në të drejtën e brendshme. Pra, ajo ka dështuar të përcaktojë statusin ligjor dhe fushëveprimin e ketij akti juridik (Parimet e Asociacionit) në sistemin tonë ligjor kombëtar.

Së dyti, kjo Gjykatë e ka deformuar frymën kushtetuese të Kosovës duke ia lejuar Asociacionit një shkallë të caktuar të diskriminimit për qëllime të funksionimit efektiv të tij.Këtu shoqëria jonë kosovare në dritën e këtij Aktgjykimi përballet me  me një dilemë të madhe. Nga njëra anë, udhëheqësit politik të Kosovës dëshirojnë që privilegjet t’i krijojnë për të gjithë anëtarët e shoqërisë, pa dallim (shqiptarë, serbë, romë, boshnjakë, turq, etj.) Në anën tjetër sipas logjikës së këtij Asociacionit – të cilin Gjykata e lejoi të krijohet me elegancë – disa anëtarë të shoqërisë kosovare (serbët) në rrugën drejt barazisë me të tjerët (shqiptarët) lejohen t’i arrijnë këto privilegje përmes veprimit diskriminues. Në pikëpamjen time, Asociacioni bie në kundërshtim me këtë pikë. Popullata serbe e Kosovës lejohet nga ky Aktgjykim që të diskriminojë dhe të diskrimonohet në çdo gjë dhe nga çdokush – në procesin e krijimit monoetnik të një entiteti legal dhe politik, siç është ky Asociacion. Në këtë drejtim, Gjykata ka lëshuar rastin që të sqarojë nëse një grup i qytetarëve – mund të përdor praktika të padrejta diskriminimi në kurriz të një grupi tjetër qytetarësh.

Sfida #2: Implementimi i Aktgjykimit – mision i pamundur

Dilema ime kryesore në kuptimin legal është nëse Marrëveshja e Parimeve përcakton lindjen e një të drejte të re në kushtetuese/ligjore për rendin tonë juridik, siç Gjykata e ka lejuar të ndodh, me “defektet” e saj për frymën kushtetuese.

Gjykata, në Aktgjykimin e saj, gjithashtu ka dështuar të dallojë karakterin multietnik të shoqërisë sonë dhe kjo nënkupton mbrojtje të barabartë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe – kompetenca të njëjta si për atë ekzistues, domethënë Asociacionin e Komunave të Kosovës. Krijimi i lejuar me kallauz nga Gjykata tëAsociacionit nuk e garanton këtë barazi – prandaj këto të drejta të garantuara me Kushtetutë nuk duhet të jenë të lira nga diskriminimi nga ana e shtetit. Gjykata, ka dështuar të përcaktojë nga fryma e Kushtetutës së Republikës së Kosovës nëse dy Asociacione të Komunave që në këtë rast janë monetnike, e lejojnë diskriminimin dhe nëse po, deri në ç’masë, ndërkohë ajo gabimisht u jep strehim të barabartë në sistemin tonë juridik.

Gjykata, ka dështuar me këtë Aktgjykim ta instalojë doktrinën juridike “të veçantë, por të barabartë” për të dy Asociacionet. Nuk mund të ndahet diçka, duke mos i lejuar njëkohësisht të jenë të barabartë. Asociacioni i komunave serbe është i ndryshëm nga ai i tanishmi i “… komunave të Kosovës,” si në organizimin juridik të tij poashtu edhe në atë organizativ. Sipas mendimit tim kjo paraqet një padrejtësi radikale. Sipas Profesorit Graber, në një sistem kushtetues, në të cilin disa aktorë politikë besojnë se mbrojnë padrejtësitë ose të këqijat e tilla, ai sistem kushtetues ose duhet rinegocuar ose duhet ndryshuar.

Për shkak të mosaktësisë së Aktgjykimit – Qeveria në momentin kur ta hartojë Statutin e Asociacionit duhet t’i ketë në dorë katër dokumente: Marrëveshjen e Parë (prill 2013), Marrëveshjen e Parimeve (gusht 2015), Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese (dhjetor 2015) dhe vet Kushtetutën e Kosovës, të cilën do të duhet ta riinterpretojë, për shkak tëkësaj mossaktësie gjuhësore/juridike të Aktgjykimit.

Këtë rrethanë të re juridike, Gjykata e stigmatizoi duke i dhënë emër të keqes së mirë dhe duke i dhënë prelud një filozofie juridike për precedentët e ardhshëm që do të paraqesin rrezik për sistemin juridik të Kosovës.

Me fjalë të tjera, roli i Gjykatës Kushtetuese, as nuk është dhe as nuk duhet të jetë, ai i garantimit të qetësisë politike në Kosovë – por, roli i saj është për të krijuar dhe vënë drejtësi.

Sfida #3: Marrëveshjet e ardhshme ndërkombëtare

Hendeku i krijuar midis të drejtës ndërkombëtare dhe asaj të brendshme në “syrin” legal të Gjykatës nënkupton ndër të tjera, sipas këtij Aktgjykimi se, secila marrëveshje e ardhshme ndërkombëtare, që do të lidhet nga Kosova – do të kontrollohet për “përputhshmërinë” ose legalitetin e saj kushtetues. Këtu Gjykata ia huq me nam e me nishan, duke mos i pranuar mjetet e të drejtës pozitive, në interpretim të së cilës, nevoja për ratifikim nga Kuvendi të traktateve ndërkombëtare nuk do të ekzistojë.

Gjykata nuk arrriti ta cilësojë natyrën juridike te Dokumentit (Parimeve), por ajo ka konfirmuar faktin juridik që tanimë njihet gjerësisht se “Parimet” rrjedhin nga Marrëveshja e Parë.

Rikujtojë se, Gjykata pati vendosur në vitin Aktgjykimin KO 95/13 të 9 shtatorit 2013 se nuk ka jurisdiksion ‘ratione materie’ që të merret me Marrëveshjen e Parë, ndërkohë që tani e bënë të njëjtën gjë, duke vlerësuar kushtetutshmërinë e Parimeve, që në thelb don të thotë se e “legalizoi” në frymë dhe germë Marrëveshjen e Parë të 19 prillit 2013 midis Kosovës dhe Serbisë, ku në ironi të fatit (sic!), sërish e njëjta gjyqtare raportuese vendosi me dy standarde të ndryshme të gjyqësisë kushtetuese.

Kështu që, Gjykata krijoi huti dhe rrjedhimisht pasiguri kushtetuese për sa i takon jurisdiksionit për të vlerësuar kushtetutshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare për shkak të supremacisë së të drejtës ndërkombëtare karshi të drejtës së brendshme.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.