Me ndryshimet tektonike të cilat kanë ndodhur në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, para së gjithash me rezultatin e shkëlqyeshëm të Vetëvendosjes së Albin Kurtit, e cila e ka lënë LDK-në e ish-Kryeministrit Isa Mustafa në vendin e dytë, e me shumë gjasë u bë fuqia më e madhe individuale politike në Kuvend, gati pa kurrfarë buje dhe pa u vërejtur fare në opinionin publik u përcoll fakti se serbët e Kosovës për herë të parë kanë dalur në numër më të madh në zgjedhjet në Kosovë, si në jug ashtu edhe në veri. Dhe derisa jo më larg se para tri vitesh pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet parlamentare kishte kaluar në atmosferë të tendosur, me shumë parregullsi dhe presion mbi qytetarët edhe ashtu të rezervuar që të dalin për të votuar, në zgjedhjet e qershorit në ditën e zgjedhjeve gjithçka kaloi shumë qetë, duke krijuar madje një imazh të një monotonie gati të civilizuar. Cilat janë implikimet e pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje, dhe pse nuk i jepet shumë vëmendje faktit se serbët kanë dalur në numër të madh?
Dalja masive e serbëve të Kosovës në zgjedhje lë përshtypjen e njëfarë ‘normaliteti’ të ri. Pamjet ku qytetarët në veri dalin të votojnë, pa shumë zhurmë, disa vite më parë do të ishin dukur gati të papërfytyrueshme. Përkundër faktit që Beogradi zyrtar dhe pjesëtarët e Listës Serbe i ftuan votuesit të marrin pjesë në zgjedhje, të dhënat se në komunat me shumicë serbe kanë dalur shumë më shumë votues sesa në komunat shqiptare, flasin shumë. Dalja në komunat me shumicë serbe ka qenë rreth 45%, gjegjësisht 4% më e madhe se dalja e përgjithshme në Kosovë, derisa vetëm në katër komunat në veri të vendit, ku në vitin 2014 kishin dalur vetëm 22%, dalja në vitin 2017 ishte 40%. Në qoftë se qëllimi i dialogut të Brukselit ka qenë lehtësimi i integrimit të serbëve të Kosovës në sistemin politik dhe juridik, atëherë një trend i këtillë i votimit për zgjedhjet qendrore mund të lë përshtypje pozitive. Përkundër faktit se janë gjetur shumë parregullsi, para së gjithash në fushatën parazgjedhore e cila u bazua në akuza, frikësime dhe kërcënime, Misioni i BE-së për përcjelljen e zgjedhjeve, si dhe OSBE-ja të cilat i kanë dhënë ndihmë teknike Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në raportet e tyre kanë konstatuar se në ditën e zgjedhjeve integriteti i procesit ka qenë gati plotësisht i ruajtuar. Gjithashtu, përkundër kërcënimeve dhe parregullsive të konstatuara, nuk duhet shpërfillur fakti se serbët e Kosovës priren të votojë siç u thotë Beogradi zyrtar, sepse nga Beogradi në masë të madhe varet mbështetja financiare institucionale. Prandaj, fitorja mjaft dominuese e Listës Serbe, të cilën e mbështet Beorgadi, nuk është befasuese. E përgatitur më mirë se në vitin 2014, me logjistikën dhe mjetet e shumta dhe me kandidatë deri diku më seriozë, Lista Serbe ka fituar rreth 90% të votave të serbëve të Kosovës, dhe në krahasim me vitin 2014, rreth 10,000 vota më shumë. Nuk duhet harruar se në atë kohë Lista Serbe ka fituar gati 10,000 vota nga Serbia, dhe se tani ky numër është shumë më i vogël, dhe prandaj ajo sot gëzon mbështetje, dhe krahas Vetëvendosjes mund të konsiderohet si fituesja më e madhe e këtyre zgjedhjeve.
Megjithatë, një dalje kaq e madhe në mjediset serbe nuk duhet të na lajthitë, dhe t’i bëjë shumë të konsiderojnë se serbët e Kosovës e kanë pranuar njëfarë realiteti të ri, apo se komuniteti serb është integruar në shoqërinë e Kosovës në kapacitetin e plotë. Jo, përkundërazi. Duket se duke qenë të mbështetur nga ana e Beogradit qytetarët ishin më shumë të gatshëm të mos i përsërisnin gabimet e caktuara nga e kaluara dhe që përkundër faktit se kanë mosbesim të madh karshi procesit politik, përfaqësuesve politikë, elitës politike shqiptare, synimeve dhe dëshirave të tyre, ata kanë vendosur t’i delegojnë përfaqësuesit e tyre të cilët në njëfarë mënyrë do të mund të ndikojnë në proccese të cilat po zhvillohen aktualisht. Fitorja vendimtare të cilën e ka korrur Lista Serbe e bën atë që me rehati të presë që partitë shqiptare të mirren vesh për formimin e Qeverisë, dhe pastaj, nëse arrin t’i negoiojë kushtet e saj, t’i bashkohet njërit prej koalicioneve. Megjithatë, Lista Serbe nuk mund të futet ndërmjet dy zjarreve në procesin e formimit të Qeverisë. Vetë formimi i Qeverisë nuk është aq i sigurtë, duke ditur se Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014 lë shumë hapësirë për interpretime, duke ia lënë në diskrecion Presidenrtit për ta zgjedhur mandatarin për formimin e Qeverisë. Kombinatorika paszgjedhore është e pasigurtë, nuk dihet kush do ta formojë Qeverinë, as kush do të jetë pjesë e saj, dhe as nuk dihet nëse pjesë e saj do të jenë pjesëtarët e komunitetit serb. Ekziston mundësia që Qeveria të formohet edhe pa Listën Serbe, që gjithsesi do të ishte një hap mbrapa në procesin e demokratizimit të vendit. Vlen të përmendet se pjesëtarët e komuniteteve deri më sot gjithmonë kanë qenë pjesë e Qeverisë.
Përkundër faktit se koalicioni i formuar nga PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma, i ashtuquajtur ‘krahu i luftës’ me Ramush Haradinajn si kandidat për kryeministër, ka fituar numrin më të madh të votave, tash për tash duket se përpjekjet e tij për ta siguruar shumicën e thjeshtë prej 61 deputeteve do t’i ngjasojnë përpjekjes për pushtimin e majës së Everestit. Retorika e shtuar rreth ndalimit të Haradinajt në Francë me fletarrest të Serbisë dhe kërkesa për ekstradimin e tij në Serbi, deri diku kanë nxitur tensionimin e marrëdhënieve, si dhe kërcënimin e komunitetit serb nga ana e vëllaut të Ramush Haradinajt, se do të zhduken nëse Ramushi ekstradohet, për çka edhe organizatat e shoqërisë civile të komunitetit serb kanë ndërmarrë veprime ligjore.
Me rezultatin zgjedhor i cili në masë të madhe i ka zbehur mundësitë që Haradinaj të bëhet Kryeministër, edhe Lista Serbe u bë më aktive në kritikimin e Haradinajt, dhe theksimin se ata nuk dëshirojnë që ai të bëhet Kryeministër, duke potencuar se gjithkush e ka të qartë se Presidenti dhe Kryeministri i tyre është në Beograd, e jo në Prishtinë. Para disa ditëve, Haradinaj ka thënë se ai nuk dëshiron ta vazhdojë dialogun me Beogradin derisa Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, një pozicion i cili është i papranueshëm si për Listën Serbe ashtu edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Në anën tjetër, praktikë e mirë në shoqëritë demokratike do të ishte që lista e dytë më e madhe ta marrë mandatin për formimin e shumicës parlamentare nëse lista e parë nuk arrin ta bëjë një gjë të tillë. Në atë rast, Vetëvendosja e Albin Kurtit do të duhej ta kishte mundësinë që në koalicion me LDK-në, dhe mbase edhe me pakicat, ta formojë Qeverinë. Mbetet të shihet qëndrimi i Listës Serbe sa i përket këtij opsioni. Vetëvendosja është e njohur për retorikën shumë të ashpër karshi Beogradit si dhe për kritikat në lidhje me Marrëveshjen e Brukselit, dhe para së gjithash në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, që në fakt janë çështjet kyçe në të cilat bazohet platforma e Listës Serbe për bisedimet për formimin e Qeverisë së re. Nëse Vetëvendosja deri diku e zbut qëndrimin e saj, dhe nëse nën ndikimin e bashkësisë ndërkombëtare nis të heq dorë nga retorika e saj negative karshi negociatave, një bashkëpunim i tillë do të ishte i mundur.
Te Vetëvendosja duken qartë ndryshimet kozmetike në aspektin e retorikës karshi bashkësisë ndërkombëtare, Shqipërisë së Madhe si dhe përdorimit të simboleve kombëtare. Megjithatë, qëndrimi i tyre se dëshirojnë dialog me serbët e Kosoës, por je edhe me Beogradin, te Lista Serbe dhe te përfaqësuesit e tjerë serbë do të pritej si Shpata e Damokleut, me të cilën Prishtina përpiqet t’i ndajë ata nga mbtojtësi i tyre i vetëm legjitim. Vetëvendosja kurrë nuk e ka thënë qartë se cilat janë ato tema të cilat do të ishin të nënkuptueshme në atë dialog. Gjithashtu, Vetëvendosja paraqet një ndryshim dhe një të panjohur të madhe. Ndryshe nga elitat e kaluara politike, të cilat me një presion të duhur gjithmonë kanë mundur t’i binden kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare, Vetëvendosja, e trimëruar nga mbështetja dhe nga mundësia e vogël që presioni të jetë i suksesshëm, paraqet një të panjohur të madhe. Ajo para së gjithash i ngjan një partie të ngurtë ideologjiko-dogmatike, dhe të tilla kemi pasur rastin të shohim te socialdemokratët apo komunistët e hershëm. Pikërisht për këtë arsye, është e vështirë të parashihet se si do të sillej Vetëvendosja karshi bisedimeve me Beogradin. Në anën tjeter, nuk duhet të befasohemi nëse Vetëvendosja, njëjtë sikur Partia Përparimtare Serbe (SNS) në Serbi e cila buron nga ideologjia radikale, shndërrohet në lojtarin më konstruktiv në dialog.
Lista Serbe sigurisht në Qeverinë e re do të kërkojë pozita të cilat i konsideron të rëndësishme për komunitetin serb, para së gjithash Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, si dhe Zyrën për Komunitete në Kabinetin e Kryeministrit. Pjesëmarrja e serbëve në institucionet qendrore kësaj radhe do të duhej të ishte shumë më serioze, dhe duke marrë parasysh numrin e votave të fituara përfaqësuesit e ri do të duhej të merrnin përgjegjësi më të madhe dhe të mos fshihen mbrapa politikës së Beogradit zyrtar që me vendosmëri dhe zell më të madh t’i kontribuojnë arritjes së qëllimeve të shpalosura me rastin e formimit të partisë “Nisma Qytetare Lista Serbe”. Ato qëllime para së gjithash pasqyrohen në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, zgjidhjen e çështjeve pronësore, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, vazhdimin e kujdesshëm të integrimit me zhvillim ekonomik të komunitetit ekonomik, gjegjësisht ruajtjen e sigurisë financiare e cila në masën më të madhe varet nga Beogradi. Një fitore kaq e madhe e Listës Serbe, i jep arsye të mirë Beogradit që me besueshmëri të madhe ta vazhdojë dialogun dhe të kërkojë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, implementimin e dispozitave kushtetuese të cilat kanë të bëjnë me mbrojtjen e komuniteteve si dhe ‘koncesionet’ tjera siç është zgjidhja e kujdesshme e rastit të Trepçës. Beogradi, i inkurajuar nga stabiliteti i brendshëm politik dhe nga fakti se bashkësia ndërkombëtare e mbështet politikën e dialogut, mund të paraqitet si faktor i stabilitetit në momentet e trazirave politike në Prishtinë, mund të vazhdojë të kërkojë përmbushjen e atyre elementeve të Marrëveshjes së Brukselit të cilat Beogradi i prezenton si thelbësore për serbët në Kosovë. Këtë të drejtë atij ia japin edhe partnerët e Bashkimit Europian edhe disa diplomatë perëndimorë. Draftet e fundit të raporteve të Parlamentit Europian për Kosovën dhe Serbinë në mënyrë të qartë theksojnë domosdoshmërinë e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por edhe të një integrimi shumë më qenësor të serbëve në shoqërinë kosovare.
Sigurisht, për shkak të krejt kësaj, në periudhën në vijim duhet pasur shumë më shumë kujdes. Jemi duke hyrë në një verë të nxehtë politike në të cilën janë të mundur shumë skenarë… Sukseset të cilat në dukje janë korrur me Marrëveshjen e Brukselit shumë lehtë mund të relativizohen dhe efektet mund të zvogëlohen, pikërisht nëpërmjet deklaratave të pakujdesshme dhe të pamatura, e nganjëherë edhe nërpërmjet garës së partive shqiptare se kush do të jetë më i palëkundur karshi Beogradit dhe karshi serbëve të Kosovës. Këto janë të gjeturat dhe rreziku më i madh që elita politike e Prishtinës e përçarë kësisoji, edhe njëherë, siç kishte bërë shumë herë më parë, t’i paraqesë serbët dhe Beogradin si njërin prej faktorëve kyçë të jostabilitetit dhe si arsyen për të gjitha problemet socio-ekonomike me të cilat ballafaqohet Kosova. Kjo do të nënkuptonte kthimin e politikës në pikën zero. Megjithatë, kësaj radhe një gambit i tillë nuk do t’i ecte edhe aq lehtë.