Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Oazat e Prishtinës

Distanca e vogël gjeografike mes dy vendeve mund ta krijojë përshtypjen e gabuar për ngjashmërinë mes tyre. Ndërsa, dallimi i madh mes tyre po ashtu mund të mos jetë edhe aq befasi, përderisa ato vende shihen si të ndara nga njëra-tjetra dhe pa ndonjë lidhshmëri mes banorëve të tyre. Aq më pak kur banorët e njërit vend nuk lidhen me gjendjen e krijuar në vendin tjetër. Në këtë mënyrë, për shembull, lagjet e “fshatrat” e pasura që po krijohen përreth Prishtinës më shumë trajtohen në kontekstin infrastrukturor e urbanistik, sesa atë të ndarjes fizike të klasave.

***

Në vigjilje të revolucionit të 1789-ës, Pallati i Versailles-ës ishte shndërruar në simbol të luksit të monarkisë dhe borgjezisë oborrtare në Francë. Ndonëse qëllimi fillestar i tij ishte që të shërbente si shtëpizë gjuetie për Louis-in e XIII-të, spekulimet për koston totale të ndërtimit të këtij pallati në kohën e Louis-it të XVI-të, variojnë nga 2 deri në 300 miliardë dollarë të sotëm – shumë kjo që natyrisht se kishte vlerë shumëfish më të lartë në Francën e shekullit të XVIII. Por, marramendëse nuk ishte veç kostoja e ndërtimit të tij. Festat ekstravagante me shpenzime stratosferike ishin organizime të rregullta në këtë Pallat, nën nikoqirllëkun e Louis-it të XVI-të dhe Marie Antoinette-ës. Ndërkohë, në rrethinën e Katedrales së Notre Dame-it, qendrës së Parisit, plaçkitjet, djegiet e furrave, dhe vrasjet në tentativë për plaçkitje ishin po aq të rregullta.  Kjo situatë, ndër të tjera, ndodhte si rezultat i krizës që u shkaktua nga rritja e çmimit të bukës, mungesa e rezervave ushqimore dhe barra e rëndë e tatimit që binte mbi klasën më të varfër të shoqërisë, pasi që fisnikëria nuk paguante tatim. Natyrisht, përveçse për shlyerjen e borxhit publik, kjo vjelje e tatimit shërbente edhe si burim për financimin e jetës luksoze në Versailles. E, ndonëse distanca mes Katedrales dhe Pallatit ishte rreth 20 kilometra, kjo distancë nuk ishte hendeku i vetëm mes këtyre dy vendeve. Këto 20 kilometra ndanin dy botë.

Ekzistenca e dy botëve në dy planete të ndryshme në vitin 2159 është hapësira ku zhvillohen ngjarjet e filmit fantastiko-shkencor Elysium. Planeti Elysium është vendi ku jetojnë të pasurit. Është vendi ku zhvillimi teknologjik ka arritur shkallën e përsosmërisë fizike të njeriut, me ç’rast mund të kurohen të gjitha sëmundjet; është mposhtur plakja, dhe në ndonjë rast lëndimi, trupi e organet e njeriut mund të regjenerohen brenda minutash. Ndërsa, bota tjetër, planeti Tokë, është vendi ku jetojnë të varfërit e të sëmurët – të mallkuarit e botës, thënë me fjalët e Fanonit. Koha për të shkuar nga njëri planet në tjetrin është më pak se 30 minuta. Sërish, këto 30 minuta nuk ndanin vetëm dy botë fizike. Këto ndanin dy realitete paralele, ku ekzistenca e mirëmbajtja e njërit arrihej nga degradimi e shfrytëzimi i tjetrit.

Në ditët e sotme në Kosovë nuk është as çudi e as sekret publik kur flitet për fëmijët e ndonjë ministri të arsimit, të cilët ose studiojnë në institucionet arsimore private në Kosovë ose në ndonjë universitet jashtë vendi. Nuk është për t’u habitur as kur familjarët e ndonjë ministri të Shëndetësisë dërgohen për shërim në spitale jashtë vendi. Me fjalë të tjera, arratisja nga llumi i realitetit për krijimin e së cilit kanë kontribuar vetë ata, është evident mes pushtetarëve të sotëm në Kosovë. Por, arsimi e shëndetësia tashmë nuk duken të jenë fushat e vetme nga të cilat arratisen ata dhe pjesa tjetër e klasës më të kamur të shoqërisë. Sot, arratisja e tyre bëhet duke bartur familjen e jetën personale fizikisht në një lokacion tjetër – në lagjet e “fshatrat” luksoze përreth Prishtinës.

Para ca ditësh, rastisa të vizitoja njërën nga këto lagje e “fshatra” – oaza. Duke qenë se funksioni i secilës prej tyre më duket tejet i ngjashëm, emri i përveçëm nuk shoh të ketë ndonjë rëndësi. Shtëpitë këtu më dukeshin të gjitha njëlloj. Si për ironi, mendoja për kritikën që i bëhet çfarëdo tentimi për organizim shoqëror nga poshtë, me pretekstin për mungesë të individualizmit, rrjedhimisht imponimit të uniformitetit. Këto përsiatje sa vinin e më shtoheshin në kokë gjersa nëpër rrugica shihja biçikleta fëmijësh që nuk i prekte askush dhe askush nuk frikësohej se ato mund të humbnin, njëjtë siç nuk frikësoheshin për sigurinë e shtëpive të tyre, me ç’rast dyert mbaheshin të hapura. Këtu nuk kishte hajdutë e plaçkitës si ata nga Parisi. Në lagje kishte shkollë e fushë sportive. Ndonëse ndërtimet po vazhdonin, vërehej aspirata për krijimin e fizionomisë së plotë të një qyteti brenda asaj lagjeje. Duke qenë se nuk marr shumë vesh nga arkitektura dhe urbanizimi, vetëm mund të hamendësoja se sa detaje të tjera po më përvidheshin teksa po ecja rrugëve që mbanin emrat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Një gjë e tillë e rrumbullakësonte simbolikisht arratisjen nga realiteti në të cilën jetojnë shumica e qytetarëve të Kosovës. Banorët e kësaj lagjeje nuk ishin më banorë të “Mbretëreshës Teutë” apo “Adem Jasharit”. Ata tani banonin në “Kaliforni,” “Floridë,” apo “Nju Jork.” Dhe, nga “Kalifornia,” “Florida,” e “Nju Jorku” për në Prishtinë, me autobusin e lagjes, udhëtonin vetëm punëtoret/ët, kryesisht pastrueset që punonin nëpër këto shtëpi uniforme. Ndonëse aeroporti për një linjë ajrore mungonte, makinat tokësore për udhëtim nuk dukeshin të ishin më pak të rehatshme.

Tani, natyrisht se shumëkush mund të mendojë se në vend se ta kritikojmë një standard të tillë jetese, ne duhet të aspirojmë që ta bëjmë të tillë tërë Kosovën. Theksimin e detajeve të ndryshme dikush mund ta shohë edhe si xhelozi apo lakmi. E madje dikush mund të mendojë se fakti se ata njerëz jetojnë në atë oazë është falë punës e djersës së tyre. Natyrisht, të tillë nuk e mohoj që ka. Dhe, nëse dikush me punë e me djersë ka arritur aty, një gjë e tillë nuk besoj se i pengon ndokujt dhe nuk është problematike.

Ajo që është problematike është me këtë pjesën tjetër. Me këtë që në “Uashington” arriti të shkojë pasiqë ia mori votën, dikur për një thes miell, e më pas për një vend pune në PTK, atij që sot jeton tek “Rruga UÇK”. Me atë, që për të jetuar në rrugën “Filadelfia”, dyqanet në rrugën “Pavarësia” i mbushi me “Bambi” e “Mljeko”. Me këtë, që për të jetuar në “Uajoming”, rrugën “Trepça” e ndau në dysh. Me atë, që për ta ndërtuar shtëpinë në “Nevada”, fabrikën e privatizuar tek rruga “1 Maji” e shndërroi në kazinon “Las Vegas”. Me këtë, që për t’i dërguar fëmijët në shkollën që gjendet në “Massachusetts”, në universitetet publike instaloi “rregulloret e Teksasit”. Pra, nuk është problem se po feston Versailles-a, por problem është se faturën po e paguan Parisi. Apo thënë ndryshe, Elysiumi këtu po bëhet sepse Toka po ç’bëhet.

Dhe, natyrisht se nëse distanca mes Versailles-es e Parisit duket veç 20 kilometra dhe koha për të shkuar nga Toka në Elysium duket veç 30 minuta, ndikimi që patën dhe vazhdojnë ta kenë ata që sot jetojnë në oaza, mbi realitetin në Prishtinë, nuk është lehtë i dukshëm. Ata që jetojnë në oaza, shpesh perceptohen si të zotë e me fat, ndërsa ata që janë jashtë tyre perceptohen si dembelë e fatkeqë. Pra, në fakt, oazat e tilla fizike janë fasada që në njërën anë fshehin e në anën tjetër shpërfaqin dallimet mes shtresave shoqërore.

Një diskutim i tillë, ku fragmentimi i qytetit në lagje të tilla paraqet ndarjet e thella shoqërore në bazë të gjendjes ekonomike të familjeve në ato lagje, është diskutim i vazhdueshëm në vendet tjera. Për shembull, vendet si Baltimore në Maryland (që ndodhet më pak se 65 kilometra larg Washington, DC) e shpërfaqin më së miri një gjë të tillë ku vetëm një rrugë me dy korsi e ndan një bllok luksoz me një lagje shtëpish të ngjashme me favelat në Brazil.

Natyrisht se oazat e tilla nuk do të ishin problem përderisa nuk do t’ishin në përmbajtje, rezultat e në formë konkretizim fizik i ndarjeve të shtresave shoqërore. Ama, ato, në të shumtën e rasteve, krijohen si zona arratisjeje për ata që kanë gisht në krijimin e një realiteti që duhet ta durojë pjesa më e madhe e shoqërisë. Ndërsa, banorët e rinj të Versailles-ës apo Elysium-it kanë mundësi që së paku gjumin ta bëjnë të qetë në “Kaliforni” e “Nju Jork” – vende këto që banorët e Tokës i vizitojnë veç si pastruese e shërbëtorë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.