Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

“Open Balkan” dhe kornizat e bashkëpunimit rajonal

Ndryshimi i emrit nga “Mini-Schengen” në “Open Balkan”, nënshkrimi i tri dokumenteve (për lehtësimin e importeve, eksporteve dhe lëvizjes së mallrave, për qasjen në tregun e punës dhe mbrojtjen nga katastrofat), mesazhet pozitive nga Shkupi, që përfunduan me qëllimin ambicioz për t’i eliminuar të gjitha barrierat kufitare mes Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë deri më 1 janar 2023, flasin në favor të “Open Balkan”-it si e vetmja nismë deri më tash që tregon potencial për t’u bërë shtyllë kurrizore e një bashkëpunimi ekonomik më intensiv në rajon. Ndonëse jo mes të gjithë anëtarëve të “gjashtëshes”, por vetëm mes atyre që duan.

E ardhmja e Procesit të Berlin duket (ende) e paqartë, pasi këtë vit presidenca i kthehet Gjermanisë. Tregu i përbashkët rajonal, përkundër qasjes gjithëpërfshirëse, ende “vuan” nga ngecjet në zbatim. Ndërkaq, disa ide të tjera (sikurse SEFTA e Kurtit; “gjashtëshja” si pjesë e tregut të përbashkët të Bashkimit Evropian) tash për tash mbesin vetëm ide, me pak mundësi për t’u shndërruar në realitet. Çfarëdo që të thuhet për të tre liderët dhe motivet e tyre të vërteta, ata e bënë të qartë në Shkup se janë të gatshëm të investojnë kapitalin politik për ta vazhduar këtë nismë të nisur në Novi Sad para dy vjetësh. Megjithëkëtë, këtu shfaqen disa probleme.

I pari problem është gjithashtu më i rëndësishmi – si të shkohet përpara dhe me kë? Rezistenca më e zëshme ndaj “Open Balkan”-it është në Kosovë. Zyrtarë të lartë e kanë interpretuar si “të rrezikshëm për stabilitetin dhe paqen” (Donika Gërvalla–Shwartz), të shtyrë përpara nga Serbia, “së cilës nuk mund t’i besohet për shkak të ngjarjeve të viteve ‘90” (Mimoza Kusari-Lila); ndërsa, më herët, kryeministri Kurti e ka parë si “Jugosllavi të katërt”, kurse përkrahja e Ramës për këtë projekt është konsideruar si tradhti ndaj interesave të Kosovës.

Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina kanë ngurruar – pjesërisht për shkak të arsyeve politike (mosbesim ndaj qëllimeve të Beogradit), e pjesërisht për shkak të atyre ekonomike (paqartësi lidhur me benefitet ekonomike). Duke qenë se CEFTA është e pranishme qe një dekadë, një mënyrë se si të hiqen dyshimet në Podgoricë dhe Sarajevë është që të shpjegohet se çfarë ofron “më shumë” kjo nismë e “Open Balkan”-it.

Natyrisht se autoritetet në Prishtinë kanë çdo të drejtë të mos jenë pjesë e këtij projekti. Prej argumenteve kundër, ai më bindësi duket mospjesëmarrja në projekte ku është e pritshme që të mos trajtoheni si partner i barabartë. Megjithëkëtë, paradoksi këtu është se me Marrëveshjen e Uashingtonit, Prishtina është ftuar në “Mini-Schengen” si Kosovë – pa pengesa dhe pa fusnota rreth statusit.

Mbase duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e Marrëveshjes së Uashingtonit, e cila solli njohjen nga Izraeli (një “dalje” e rëndësishme strategjike në kushtet e kundërshtimit të njohjes së pavarësisë), shumica në pushtet nuk votoi kundër rezolutës së opozitës në Parlamentin e Kosovës, e cila bënte thirrje për vazhdimin e zbatimit të marrëveshjes. Ndërkohë, Ambasada e SHBA-së në Kosovë bëri thirrje që nismat ekonomike e rajonale të përqasen me “mendje të hapur”.

Duhet thënë se nga heqja e barrierave më shumti do të përfitojë ekonomia më e fortë. Dhe në kontekstin e Ballkanit Perëndimor kjo është Serbia, e cila gjeneron gjysmën e BPV-së së rajonit. Një ekonomie në rritje i duhen punëtorët, mundësisht sa më të kualifikuar. Teorikisht, ata do t’i zëvendësonin të tjerët që janë larguar nga vendi, ose që kanë ndërruar vendin e punës për të fituar një rrogë më të madhe se minimalja. Meqë tash janë hapur fabrika ku rrogat bazë janë disi më ta larta, konkurrenca për punë mes investitorëve të huaj po rritet. Për ta, reduktimi (“optimizimi”) i kostos së biznesit mbetet pikë së pari motivi kryesor për të investuar.

Megjithatë, sipas njërit prej përfaqësuesve të një sindikate, ka drojë se “Open Balkan”-i do të sjellë shitjen nën koston e prodhimit në treg të huaj [‘dumping’], duke i vënë punëtorët në pozitë edhe më të vështirë. (Përgjigjja tipike e pronarëve të bizneseve është se atyre veçse u mungojnë punëtorët dhe trendi i “importimit” të tyre nga jashtë është i pakthyeshëm.) P.sh., shohim inxhinierë të ardhur në Loznicë nga Maqedonia e Veriut; punëtorë të kualifikuar që kanë gjetur punë në Krushevc; por këto janë raste mjaft të rralla. Një e treta e punëtorëve të ndërtimit që punojnë në “Korridorin e Moravës” nga Pojata në Prijelinë janë qytetarë turq që punojnë për “Bechtel Enka”-n.

Për të më tepër, a mund ta parafytyrojmë një proces të dyanshëm, ku punëtorët e aftë e lëshojnë Serbinë në drejtim të dy vendeve të tjera? Një pyetje tjetër e natyrshme do të ishte se çfarë do ta motivonte dikë nga Beogradi, Novi Sadi a Nishi, që të kërkonte punë në Shkup ose Tiranë? Pra, ekziston një dimension njerëzor në këtë mes, për të cilin kjo nismë vështirë se mund ta ofrojë ndonjë përgjigje. Mbase një hap i ardhshëm logjik do të ishte krijimi i një platforme rajonale online për vende të punës.

Sa për prodhuesit që kërkojnë t’i plasojnë produktet e tyre, aty paraqiten një mijë e një mundësi dhe është e vështirë që të ndiqen të gjitha. Me një fjalë, secili beson në mundësinë e tij; dikush mbase shpreson në një zinxhir vlerash më të efektshëm, se mbase do të gjejë bashkëpunëtorë e prodhues. Aty janë edhe tenderët, punët publike, investimet në infrastrukturë – vështirë të parafytyrohet se do të rregullohen të gjitha. Në fund fare është turizmi.

Çdo vit, një milion njerëz nga Serbia udhëtojnë për t’i kaluar 10 ditë të shkreta në plazh. Në sezonin e dytë të “korona turizmit”, bregdeti i Shqipërisë është shndërruar në destinacion të pëlqyeshëm, duke kontribuuar shumë më shumë në kontaktet mes njerëzve sesa çdo gjë tjetër.

Problemi i katërt ka të bëjë me marrëdhëniet e pazgjidhura me nismat dhe kornizat e tjera të bashkëpunimit ekonomik rajonal (dhe, potencialisht, integrimin). Pikë së pari është tregu i përbashkët rajonal, i cili është i lidhur edhe me Procesin e Berlinit, edhe me dimensionin BE-BB, si dhe me samitet e liderëve. Mundësia për të udhëtuar lirshëm nëpër gjashtë vendet vetëm me letërnjoftim ishte ide që zanafillën e pati te Procesi i Berlinit. Por, kjo s’pati sukses, së bashku me disa ide dhe propozime të tjera progresive.

Natyrisht se ka edhe një dimension të fortë politik, ose një motiv prapa “Open Balkan”-it. Ata që e kanë nisur mund të thonë se “ne po bëjmë diçka (konkrete) për rajonin”; “ne po i marrim gjërat në duart tona”. Në Shkup, që të tre liderët u distancuan nga argumenti se nuk mund të presin më tutje vazhdimin e integrimit evropian. Ajo që e bën të rëndësishme këtë nismë është se nismëtarët janë vende të rajonit, e jo komuniteti ndërkombëtar dhe se kjo do të sjellë përfitime praktike dhe nuk është e drejtuar kundër askujt. Madje, në një artikull (programor) të tij, Vuçiqi e përdori shembullin e shumëpërmendur të pajtimit franko-gjerman përmes ekonomisë.

Megjithatë, mungesa e besimit është e konsiderueshme. Një kryetitull i Radios Evropa e Lirë e përmbledh më së miri: “’Open Balkans’: profit ekonomik apo hegjemoni serbe”. Beogradi zyrtar nuk është duke ndihmuar në këtë aspekt, duke dështuar, mbase qëllimshëm, që të distancohet prej idesë provokative të “botës serbe” – gjë e cila tashmë është duke pasur efekt negativ në Mal të Zi. Provokative ngase nuk përmban ndonjë shpjegim shoqërues.

Edhe po të kishte ndonjë shpjegim, a do t’i ngjante “russkiy mir” (ndërveprimit të përgjithshëm të kulturës, traditave dhe shoqërisë, “veçantisë” kombëtare), apo, sipas fjalëve të Darko Tanaskovićit që i shkruan në “Politika”: “Totalitetit të gjuhës, hapësirës kulturore, tradicionale dhe mendore, e jo hapësirës territoriale në të cilën jetojnë serbët, gjë e cila nuk do të duhej ta shqetësonte askënd”? Vështirë se është i mundshëm pajtimi i të dyjave. Sido që të jetë, nëse nismëtarët e “Open Balkan”-it i arrijnë qëllimet e tyre dhe përmbushin objektivat që i kanë proklamuar, atëherë hapet mundësia për perspektiva të reja, pa marrë parasysh dyshimet.

***

Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë ekskluzivisht të autorit, jo të Sbunkerit.

***

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.