Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

(Pa)mundësitë e bashkëpunimit në mes të aktivistëve nga Kosova dhe Serbia

Bashkëpunimi në mes të aktivistëve në ish-Jugosllavi, sidomos gjatë periudhës së viteve ’90, ka qenë një ndër ngjarjet më të rëndësishme të aktivizmit rajonal kundër regjimit të Milosheviqit dhe luftërave në ish- Jugosllavi. Aktivistet feministe në veçanti kanë luajtur një rol të rëndësishëm në transformimin social dhe politik të shoqërive në ish-Jugosllavi.

Vlen të përmenden protestat e aktivisteve dhe bashkëpunimi i aktivisteve feministe në rajon kundër regjimit të Milosheviqit. Koalicioni paqësor i feministeve aktiviste në rajon përbëhej nga Rrjeti i Grave të Kosovës, Rrjeti i Grave në të Zeza në Serbi dhe grupet nga Kroacia, Mali i Zi, Bosnja, Italia, Spanja, Izraeli, etj. Ky koalicion ishte rezultat i solidaritetit, mbështetjes dhe bashkëpunimit ndërmjet grave në rajon.

Rrjeti Gratë në të Zeza në Serbi u zhvillua si një rrjet aktivistësh në vitin 1991, me synimin që të krijojë një komunikim më kuptimplotë në mes aktivisteve feministe në rajon. Aktivistet kishin arritur të gjenin një komunikim organik duke siguruar një hapësirë të përbashkët ku ato mund të bisedonin për rolin e tyre në kundërshtimin e regjimit të Milosheviqit, luftërave në ish-Jugosllavi dhe politikave nacionaliste.

Në këtë periudhë, Rrjeti i Grave në të Zeza është përpjekur të krijojë linja të vazhdueshme komunikimi me aktivistet në Ballkan, madje duke organizuar protesta në qendër të Beogradit kundër krimeve të regjimit të Milosheviqit në ish-Jugosllavi. Protestat e heshtura mbaheshin çdo të mërkurë pasdite dhe shprehnin kundërshtimin ndaj luftës, regjimit serb, militarizmit të tij dhe dhunës ndaj grave.

Këto aktiviste feministe në Serbi, që luftuan për të drejtat e grave, refugjatëve dhe pakicave kombëtare – më saktë, grave që e vendosin identitetin gjinor para atij kombëtar – janë etiketuar si tradhtare të kombit serb kryesisht nga grupet radikale nacionaliste në Serbi. Në këtë drejtim, ashtu siç thekson edhe Orli Fridman, luftimi i mohimit dhe apatisë në Serbi nga ana e feministeve aktiviste, si dhe thyerja e heshtjes përballë krimeve të luftës në ish-Jugosllavi, dukej të ishin një sfida të madhe për shumë grupe që ishin kundër luftës në Serbi.

Ndryshimi i realitetit social dhe politik pas viteve 2000

Pas viteve 2000, bashkëpunimi ndërmjet aktivistëve nga Kosova dhe Serbia nuk ishte aq i gjallë sikurse gjatë viteve ‘90. Pas luftës, bashkëpunimi mes aktivistëve vazhdoi kryesisht në kuadër të OJQ-ve, që dukej më shumë si një imponim nga bashkësia ndërkombëtare, sesa me karakter organik të zhvillimit.

Kështu, ky bashkëpunim rrodhi më shumë pa marrëdhënie të formalizuara, shpesh përmes rrjeteve të mbështetjes dhe organizatave simotra.

Megjithatë, disa bashkëpunime u zhvilluan ndërmjet nismave rinore dhe OJQ-ve në Kosovë dhe Serbi. Menjëherë pas luftës në Kosovë, u themelua Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR) si OJQ rinore, e cila u bë një organizatë rajonale me programe në Serbi, Kosovë, Mal të Zi, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci.

Ajo u formua nga të rinjtë e këtyre vende me qëllim të rritjes së pjesëmarrjes së të rinjve në demokratizimin e shoqërisë dhe konsolidimit të lidhjeve mes të rinjve nga ish-Jugosllavia.

Nëpërmjet aktiviteteve të organizuara të YIHR-së, të rinjtë nga Kosova dhe Serbia kanë bashkëpunuar për çështje të ndryshme, si për të drejtat e personat LGBTQ, barazi gjinore, kulturë, etj. YIHR, përmes programit të ashtuquajtur “Visting Program”, ka bërë shkëmbimin e të rinjve të të dyjave vendeve. Qëllimi i programit ishte t’ua mundësonte të rinjve të shohin e analizojnë situatën aktuale dhe ndryshimet sociale në Kosovë dhe Serbi, përmes përvojës së tyre të drejtpërdrejtë. Madje, YIHR në Kosovë dhe Serbi kanë arritur të organizojnë një festival të përbashkët Mirëdita Dobar dan, ku përmes tij kanë trajtuar edhe shumë tema të ndjeshme si drejtësia tranzicionale, ballafaqimi me të kaluarën, etj.

Edhe pse bashkëpunimi në mes të aktivisteve feministe gjatë viteve ‘90 ka qenë shumë më organik sesa pas periudhës së viteve 2000, ato kanë provuar metoda të ndryshme për ta vazhduar bashkëpunimin, dialogun dhe për të njohur dhimbjen e njëra-tjetrës.

Tradita e mbledhjes së grave të reja përtej ndarjes së kufijve, kombeve e etnive është vazhduar nga Artpolis (Qendra për Art dhe komunitet) nga Kosova dhe Qendra Alternative e Vajzave (ACD) nga Serbia, duke organizuar Shkollën Pranverore të Feminizmit. Kështu, përmes Shkollës Pranverore të Feminizmit kanë bashkuar vajzat e reja nga Kosova dhe Serbia, duke ofruar një hapësirë më të sigurt për të krijuar një vizion të përbashkët për lëvizjen feministe në Kosovë dhe Serbi.

Rritja e bashkëpunimit rajonal

Padyshim që luftërat në ish-Jugosllavi kanë ndryshuar gjithë dinamikën sociale dhe politike në të gjithë rajonin dhe politikat etno-nacionaliste kanë filluar të jenë më shumë në fokus të shteteve duke ndikuar negativisht edhe në bashkëpunimin në mes të aktivistëve.

Ka pasur vështirësi të ndryshme për vazhdimin e bashkëpunimit në mes të aktivistëve nga Kosova dhe Serbia. Pas viteve 2000, ka pasur rënie të bashkëpunimit ndërmjet aktivistëve në mbarë rajonin në përgjithësi, dhe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veçanti. Ndërkaq, në vitet e fundit, bashkëpunimi rajonal ka filluar të ndryshojë pjesërisht pasi aktivistët nga Bosnja, Serbia, Mali i Zi dhe Kroacia kanë rritur bashkëpunimin e tyre në fusha të ndryshme, por jo edhe aq me aktivistët nga Kosova.

Problemet politike në mes të Kosovës dhe Serbisë, çështja e dialogut, diskursi mbizotërues nacionalist, paraqiten si probleme kryesore për rritjen e bashkëpunimit në mes të aktivistëve. Megjithatë, ekziston një presion i madh nga niveli politik dhe shoqëror kundër aktivistëve (sidomos në Serbi), që punojnë në rritjen e bashkëpunimit në mes të aktivistëve në Kosovë dhe Serbi.

Përtej OJQ-ve që punojnë për të njëjtat kauza dhe kanë programe të përbashkëta në Kosovë dhe Serbi, ka një shkëputje mes të rinjve dhe aktivistëve në të dy vendet, por edhe të njohjes së realitetit socio-politik të këtyre dy vendeve. Për shembull, gjatë viteve 1990, aktivistët nga Kosova dhe Serbia kishin një armik të përbashkët që i bashkonte: regjimin e Milosheviqit. Mirëpo, sot armiku i përbashkët nuk është mirë i përcaktuar. Madje, marrëdhëniet e aktivistëve për të bashkëpunuar në fusha të ndryshme duket se janë bllokuar për shkak të çështjeve të pazgjidhura politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përderisa ekzistojnë probleme në mungesën e bashkëpunimit në mes aktivistëve në Kosovë dhe Serbi, çështjet e pazgjidhura politike në mes të dy vendeve konsiderohen të jenë problemi më madhor që pengon zhvillimin e një bashkëpunimi më organik në mes të aktivistëve. Në anën tjetër, narrativa nacionaliste që dominon hapësirat dhe jetën publike në Serbi dhe Kosovë kontribuon në ngritjen e barrierave mes dy shoqërive dhe aktivistëve. Stereotipat ndaj shqiptarëve të Kosovës në Serbi janë të pranishëm sidomos në mesin e atyre që nuk kanë qenë kurrë në Kosovë dhe refuzojnë të ndryshojnë mendjen e tyre rreth Kosovës. Diskursi publik në Serbi në përgjithësi i referohet vetëm popullatës serbe që jeton në Kosovë, por jo edhe shqiptarëve. Për më tepër, master-narrativa nacionaliste në diskursin publik në Serbi dhe Kosovë ka ndikuar që aktivistët të etiketohen si tradhtarë nga shoqëritë e tyre.

Përderisa gjatë viteve ‘90 (sidomos) aktivistet feministe nga Kosova dhe Serbia kishin një bashkëpunim organik kundër regjimit të Milosheviqit, pas viteve 2000, në një mjedis të ri social dhe politik, aktivistet feministe humbën bashkëpunimin organik që e kishin ndërtuar sidomos gjatë viteve 1990.

Kështu, përderisa sot e gjithë vëmendja për raportet Kosovë-Serbi është e përqendruar te zgjidhjet që bazohen në ndarjet etnike dhe në fuqizimin e ndarjeve etnike, nuk lihet asnjë hapësirë për zhvillimin e një diskutimi i cili shkon përtej këtyre ndarjeve dhe bazohet në problemet e përbashkëta sociale, ekonomike, politike dhe mjedisore të të dy shoqërive. Këto dy shoqëri dhe aktivistët vazhdojnë të jenë të ndarë, ndërkohë që problemet ditore të qytetarëve vazhdojnë të jenë të ngjashme.

Ky artikull është prodhuar si pjesë e projektit hulumtues në kuadër të Kosovo Research and Analysis Fellowship, mbështetur nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.