Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Paqe, jo armëpushim

Para disa viteve në Budva të Malit të Zi, një aktivist i të drejtave të njeriut në Serbi, po më tregonte sesi kur ka ardhur me disa gazetarë serbë në Prishtinë janë frikuar shumë. Kur këta kanë vendosur me hy në një lokal të Prishtinës, kanë folur vetëm anglisht që të mos hetohen që janë serbë nga Serbia. Dhe, kanë porositur kafe në anglisht, ndërsa kamerieri shqiptar iu ka thënë “hoces veliki ili mali?”. Të gjithë kanë qeshur dhe përnjëherë të rinjtë serbë janë ndjerë më mirë. Në fakt ata ishin befasuar me tolerancën që kanë treguar shqiptarët edhe pse i kanë ‘zbuluar’. Toleranca është parakushti kryesor që një ditë qytetarët e të dy vendeve të komunikojnë pa frikë. Këtë lloj frike e kam hetuar edhe vetë, para tre viteve kur po kaloja me veturë nëpër Serbi, rrugës për në Kosovë. Është stresuese, madje edhe torturuese, kur mundohesh të paraqitesh si dikush që nuk je në mënyrë që të kamuflosh identitetin tënd kombëtar nga frika e reaksioni nga tjetri. Pra, gjëja e parë që e pengon procesin e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë është frika e mostoleranca ndaj tjetrit, që është ndryshe nga ju.

Si një njeri që jeton jashtë Kosovës dhe si pjesëmarrës në disa evenimente në Ballkanin Perëndimor, kam vërejtur se qytetarët, e sidomos të rinjtë, nga Kosova, Serbia, Shqipëria dhe vendet tjera ballkanike, dëshirojnë të shohin një progres të theksuar jo vetëm në të ardhmen e tyre politike, por në përgjithësi në cilësinë e jetesës së tyre dhe krijimin e mundësive për një jetë të qetë. Por kjo është e mundur vetëm nëse vendoset një paqe e mirë në rajon. Studiuesit argumentojnë se paqja e mirë ka të bëjë me një paqe që i zhduk arsyet e fshehta të luftës, paqe që nuk është një armëpushim, por një ndryshim marrëdhëniesh. Pra, Serbia nuk mund t’i premtojë Kosovës paqe përderisa nuk e ndryshon shoqërinë, e as Kosova nuk mund t’u premtojë serbëve lokalë paqe pa e ndryshuar njëherë mënyrën se si i shohim të tjerët.

Ky është problemi. Serbia është një shtet me mentalitet militarist dhe me një regjim autoritar, i cili ka përvetësuar pronat e Kosovës (p.sh. kursimet pensionale, dokumentet kadastrale etj.), që mban familjet nga Gjakova dhe pjesë të ndryshme të Kosovës në ankth, duke mos i kthyer ata që konsiderohen të pagjetur, nuk është penduar për krimet në Kosovë, thjesht e mban Kosovën dhe veten peng për shkak të kryeneçësisë ballkanase. Edhe Kosova mund dhe duhet të bëjë më shumë. Kosova duhet të integrojë sa më shumë serbët lokalë në shoqërinë e saj në mënyrë që ata të ndihen të barabartë me të tjerët. Ata nuk duhet ta fshehin identitetin e tyre nga frika. Por, problemi më i madh i Kosovës nuk është jodemokracia apo të drejtat e pakicave, por varfëria.

Varfëria, mungesa e parasë, pasurisë ose më mirë me thanë pakësimi i tyre në shoqëri dërgon në konflikte. Pushteti, paraja, prestigji janë vlera të rrallueshme dhe kur ato mungojnë në një shoqëri si Kosova, shpërthimi i konfliktit të brendshëm është gjithnjë kërcënues. Në fakt disa studiues e përkufizojnë varfërinë, urinë dhe shtypjen si forma të dhunës. Këtë dhunë ata e quajnë “dhunë thelbësore”, që shkaktohet më shumë nga struktura e marrëdhënieve shoqërore sesa nga veprimet e drejtpërdrejta, siç janë vrasjet e njerëzve. Në Kosovë ka “dhunë thelbësore”, që nuk vjen nga vrasja e njerëzve si përpara, por nga varfëria ekstreme. Në Kosovë ka një lloj paqeje negative. Nuk ka vrasje të njerëzve por ka shumë varfëri dhe pakësim të vlerave të rralla, që mund të shkaktojë një konflikt të brendshëm.

Jetësimi i idealeve demokratike të shumë qytetarëve nga Kosova e Serbia duket që edhe për një kohë do të mbetet vetëm një ideal. Serbia me një kulturë militariste, ku ushtria ka një rol të fuqishëm në shtet, mund të paraqesë dhe paraqet kërcënim për vende të tjera siç është Kosova e sidomos për ata banorë të Kosovës që jetojnë fare pranë kufijve me Serbinë, çfarë e kemi parë këto ditë kur xhandarmëria serbe, kishte hyrë në territorin e Kosovës duke shkaktuar pasiguri për qytetarët e asaj ane.

Kosova e gjendur para “bombës së kurdisur” sociale, pandemisë së shkaktuar nga virusi korona, paqartësitë që sjell dialogu i determinuar nga faktorët e jashtëm ndërkombëtarë e bën një të ri të Kosovës po aq pesimist sa atë të Serbisë, për vendosjen e themeleve të një jete të qetë dhe pa konflikte.

Për të përditësuar një paqe të mirë duhet të ndërrojë jo vetëm aparati i jashtëm i shoqërisë – sistemi politik – por edhe botëkuptimi subjektiv i shumë njerëzve. Paqja e mirë për këto vende do të thotë ndryshim i shpejtë shoqëror. Ndërtimi i demokracisë, vendosja e mekanizmave alternativë për t’i trajtuar konfliktet, një presion publik më i madh mbi qeverinë përmes lëvizjeve të paqes, veprimtarive të ndryshme politike, forcim i normave kundër dhunës, një edukim paqësor inkluziv, shkëmbim kulturor që do të përforconte bindjen se dallueshmëria kombëtare nuk paraqet kërcënim, vendosjen e një nacionalizmi qytetar në vend të atij etnik, një sistem që do t’i përfshijë barazinë politike dhe të drejtat e njeriut, një përmirësim i shpjetë i gjendjes ekonomike etj., janë disa nga indikatorët që do të dërgonin këto dy vende kah paqja e mirë.

Ndërtimi i demokracisë për këto vende ka rëndësi të shumëfishta. Me e rëndësishmja është se dy demokraci nuk luftojnë në mes vete. Ndodh që një jodemokraci të luftojë me një demokraci ose dy jodemokraci të luftojnë kundër njëra-tjetrës, por nuk ka ndodhur që dy demokraci të luftojnë në mes vete. Kjo është paqja e mirë, kur dy shtete nuk kanë arsye të luftojnë në mes vete sepse i kanë zhdukë arsyet për luftë. E alternativa e paqes së mirë është dhuna, konflikti, vrasjet, jozhvillimi çka e kemi parë tash një kohë të gjatë në Ballkan.

Vendosja e paqes së mirë në rajon është e lidhur me subjektivitetin e shtetit të Kosovës, me një dialog që do të vinte në pah nevojat e Kosovës dhe të serbëve lokalë, e që do të ndikonte në qetësimin e Serbisë dhe lëvizjen e saj drejt një demokratizmi më të shpejtë. Serbia ka nevojë që të “çlirohet” nga “barra e historisë” dhe ta çmitizojë Kosovën. Nëse Kosova dhe Serbia prodhojnë asi politikash për paqe të qëndrueshme dhe e ndërrojnë diskursin e bisedimeve nga “humbje-fitim”, ky do të ishte lajmi dhe mesazhi më i mirë për qytetarët e të dy vendeve. Fatkeqësisht dialogu i paralajmëruar në shtator në Shtëpinë e Bardhë, duket se do të ketë një agjendë të imponuar që vjen nga ”lart-poshtë” dhe nuk do të ketë parasysh nevojat e njerëzve në terren. Aty është paralajmëruar “negociata për çështje ekonomike”, ndonëse arsyet e vërteta që nuk ka paqe në mes të Serbisë dhe Kosovës janë krejtësisht politike. Kur kësaj i shtojmë edhe sfidat e brendshme të Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti, është e vështirë të besohet se do të ketë një “Marrëveshje historike” që do të sillte paqe në rajon. E kundërta e kësaj është më e besueshme.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.