Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

“Për Mëmëdheun”

Foto nga Freepik

“Shumë vite pas luftës, ne po ballafaqohemi sërish me beteja të ndryshme. Nuk janë beteja të armatosuna, megjithëse nuk mund të përjashtohen si mundësi edhe të tillat. Sidoqoftë, pavarësisht se çfarë lloj betejash janë, ato nuk mund të zgjidhen pa vendosshmëri, trimni dhe sakrificë, pa virtytet fisnike që kishim ne si popull në betejat e kalume këtu në Kosovë.

Beteja jonë kryesore tani asht të zhvillojmë vendin ekonomikisht, politikisht dhe të zhvillojmë kulturën dhe mirëqenien sociale në përgjithësi, të gjejmë një qasje ma të shpejtë e ma të përshtatshme për nji civilizim të cilin njerëzit dojnë me e jetue në shekullin tonë.

Për këtë betejë, neve padyshim na duhet heroizëm, nji heroizëm pak ma ndryshe prej atij që jena mësue, por na duhet ajo kurajo pa të cilën kurrgjo nuk munet me u ndryshue dhe asgjë e madhe nuk mundet me u arritë.

Qysh para shumë shekujve, Kosova heroikisht mbrojti veten në betejat e saja, por mbrojti edhe Europën. Kosova ishte në atë kohë fortesa që i dha mbrojtje kulturës europiane, fesë dhe shoqnisë së saj. Prandaj sot nuk tingëllon vetëm e padrejtë, por edhe historikisht e gabueme me folë për Kosovën që duhet me plotësue standarde që të bëhet pjesë e Europës. Kosova ka qenë çdo herë pjesë e Europës, tani po aq sa në të kaluemen, natyrisht në mënyrën e saj, por në nji mënyrë që historikisht kur nuk ia ka privue asaj dinjitetin. Me këtë frymë ne tani përpiqemi me e ndërtue nji shoqni të pasun dhe demokratike dhe me kontribue kësisoj në lulëzimin e këtij vendi, këtij vendi që po vuen padrejtë. Tue ba kështu natyrisht ne duhet me kontribue edhe në përpjekjet e njerëzve progresivë të kohës sonë dhe me e shpërblye mundin që ata e bajnë për një jetë dhe botë ma të lumtun.

Le të jetojë përjetësisht kujtesa e herozimit kosovar!

Zoti e bekoftë Serbinë, pardon Kosovën; Zoti i bekoftë ambasadat e hueja në Kosovë dhe rroftë paqja dhe vllaznimi mes popujve! “

Nëse ju them që ky ishte nji fjalim i Thaçit, apo i Mustafës me siguri s’kishit me pasë shumë të vështirë me e besue. Mundet me qenë i secilit prej tyne. Por, s’asht. Nji numër i madh veçanërisht i moshatarëve të mi, e padyshim të gjithë të tjerëve më të rinj, nuk do ta kenë vu re që teksti ma nalt me disa modifikime të vogla asht nji shkëputje e fjalimit të Millosheviqit që mbajti ai në Gazimestan, në përvjetorin e 600-të të Betejës së Kosovës në vitin 1989.

Kur gjenerata jem filloi mësimin në klasë të parë, ishte viti 1990, ishte viti ku nxanësat shqipëtarë nuk do të baheshin ma pionierë, nuk do të mbanin kapelën me yllin e kuq e as nuk do të këndonin “Hej Slloveni”, por do të këndonin “Për Mëmëdheun”. Asht pikërisht ai fjalim, që tregoj qartë se Kosova pa gjak nuk kishte me u lirue kurrë. Asht ai fjalim që ringjalli mitin e Kosovës si djep Serbie.

Arsyeja pse po e sjelli këtë fjalim këtu, me modifikimet përkatëse, asht ndër të tjerash me tregue, sa shumë i ngjanë fjalimeve të politikanëve tanë, ndrro aty këtu ndonji fjalë (bane Kosovën Serbi dhe voilà!). Por, mbi të gjitha me potencue se sa shumë ka ndryshue vigjilenca jonë si popull ndaj fjalimeve të politikanëve. Sa pak kritik e diferencues po jemi ndaj fjalimeve të tyne. Kërcënimet e fjalimeve të tilla, dikur i kemi kuptu shumë mirë. Sot, nuk po e kemi të njejtën vigjilencë ndaj fjalimeve të politikanëve tanë, ndoshta sepse prej Millosheviqit e kemi dijtë çka me pritë! Por, nëse ngojmë me vëmendje fjalimet e politikanëve tanë, ato janë po aq kërcënuese për ekzistencën tonë si popull e për zhvillimin tonë si shoqni, sepse në fund të ditës sikur ato të Millosheviçit dikur, edhe këto janë të qëndisuna me rrena dhe retorikë që të vetmin qëllim kanë me e verbnue masën.

Millosheviqi u ba president pak a shumë me jehonën e asaj fjalie të famshme që nënshkroi paranojën serbe të nji kërcnimi imagjinar ndaj popullit të tyne, kërcënim që nuk ka ekzistue kurrë: „niko ne sme da vas bije“ bërtiti ai gjatë vizitës së tij në Kosovë në vitin 1987. Mentalitetin e thirrjeve të tilla, po e dëgjojmë edhe sot, gjatë vizitave të Gjuriqave etj., por kush me ngue se?

Thaçi u ba president, jo pse tha najherë najsen, as diçka aq idiotike sikur Millosheviqi, por sepse veproi çka nuk foli e foli sipas disponimit të kamerave, dhe mbi të gjitha sepse ne heshtëm. Ne heshtëm e heshtëm e heshtëm edhe kur e pamë yndyrën tue u shtue në kockat e tij të thata të ushtarit të dikurshëm, i cili ishte në front ose larg tij, varësisht kujt i drejtohet. Ne heshtëm e heshtëm e heshtëm tue u lutë trishtueshëm tash e 17 vite, që në varrin masiv të radhës me i gjetë eshnat e baballarëve, vëllezërve, bijve tanë të zhdukun. Ne heshtëm, e tue heshtë trishtueshëm luteshim që ai ke me u ngopë nji ditë. A nashta nuk jemi tu ndi hiç, e tu pa edhe ma hiç? Ku asht problemi jonë?

Gjyshi jem thojke: “tutju njerit që asht i skamun dhe i pa ditun, se natyra çdo herë fiton, e njeri i uritun ma përpara ka qef me pasë se me dijtë.” Gjyshi jem u konë njeri i mençëm. Por, si duket ne kemi pasë aq shumë nevojë mos me u tutë, saqë kemi dashtë me besue që edhe këta njerëz të  uritun e të paditun janë në anën tonë, e pa dashje, por definitivisht prej injorancës, i kemi ndihmue me u ba dikushi, pa e vu re që po krijojmë prej tyne bisha.  Ndoshta edhe sepse ne vetë kemi pasë nevojë me pasë, ma shumë se me dijtë? Më kujtohet që nuk ka qenë çdo herë kështu. Ose ndoshta edhe ka qenë, por veç na kanë rritë me përralla me e besue të kundërtën?!

Thaçi, asht dashtë me e kremtue fitoren e tij për karrigen e presidencës në Gazimestan, aty ku festohen betejat e humbuna, e jo nën hijen e përmendores së Gjergj Kastriotit, që edhe prej hekuri dukej sikur e kanë sjellë me dhunë aty, sa për me thanë „heronjtë i kemi mbrapa“.

Përvjetori i „Betejës së Kosovës“ nuk ishte rastësisht dita kur Millosheviqi mbajti fjalimin e tij të famshëm dhe ku deklaroi pushtetin e Serbisë së Madhe mbi popujt e „vegjël” të Jugosllavisë. Të gjithë e dijmë se çdo fitore e perandorisë osmane ishte edhe fitore e serbëve. Por çka nuk po e dijmë si duket të gjithë asht se, aty ku iu ndal hovi Millosheviqit në projektin e tij me e shkatrrue Kosovën tue i vra e dëbue sa ma shumë shqipëtarët, vazhduen këta tanët (me mjete tjera natyrisht) veç disa vite ma vonë. Sepse, anmiqt e nji populli nuk njohin komb, popujt shtypen për pare e pushtet, jo për sentimente patriotike. Dhe popujt që heshtin kanë faj vetë për të gjitha të zezat që iu vërsuelen. Sepse, heshtja asht miratim. Me fjalë të tjera, na jemi tue e shkatërrue vendin tonë. Na dmth. unë, ti, ai, ajo, ata, ato, ne, ju!

Në vitin 1989 Millosheviqi mbajti fjalimin „madhështor“ të tij, që shënoi nisjen e shkatërrimit të Jugosllavisë, nëse mund të thuhet kështu. Me të njëjtin stil prej mbreti, me datën 8 Prill 2016 në inagurimin e tij si president, Thaçi beson se ai mbajti fjalimin e tij madhështor dhe kështu shënoi ndoshta nisjen e nji tradite të re, qysh e tha vetë. Por, çfarë tradite se? Nëse ne dëshirojmë e vendosim me i çelë sytë ma në fund, ai në këtë ditë shënoi nisjen e rishkrimit të historisë, ku narrativa sidomos për luftën çlirimtare të vitit 1999,  tashti mundet me u korrigjue e me e përmendë që heronjtë nuk janë të barabartë; që heronjtë nuk janë secili që kapë pushkë në dorë;  që disa që na u dukën të tillë, ne, nji popull i vogël ballkanik, i shndërruem në bisha, sepse i lamë me ba çka dashtën ndërkohë që edhe vetë ishim të nxanun me uzurpue „nji vend në dill” dhe në kaosin e uzurpimit të diplomave, titujeve, pozitave, tokës e qiellit, bishat që krijuem po na grimcojnë edhe eshnat. Boll heshtëm, pra, boll ishim bashkëfajtorë!

Mendoj që ka ardhë koha ne si popull, në vend se me kremtue festa që hala s’po ua dijmë kuptimin, me reflektue, nëse çka ne kemi fitue me çlirimin e Kosovës, asht liria apo diçka ma pak?! Sepse, nji asht e sigurtë: familje të tana në Kosovë nuk janë shue, për nji liri që asht a s’asht e tillë. Çuditërisht, nuk po ndjej mllef, edhepse të gjitha qelizat e trupit “po më thojnë” që isha dashtë me u çmend prej mllefi, por unë po ndjej turp. Sidomos sot, kur nji president, deklaron veten president të heronjve, ani pse për me mrri aty ku asht sot fjalën hero e pshtynë si “pronto”; sidomos sot, kur ceremonitë shtetnore duhet me e ndërtue rreth vetes murin e Berlinit, e heronjtë nuk marrin pjesë në to, përveç nëse janë të marruem prej hekuri mbi nji kalë; sidomos sot, kur president mundet me u ba edhe nji i dyshuem për krime lufte; sidomos sot kur president, që duhet të jetë roli ma unifikues i nji vendi, mundet me u ba figura ma përçarëse e mundshme e vendit.

Heronjtë ishin frymë e Anton Çettës. Edhepse e dojshin jetën ma shumë se dekën, ata ishin të gatshëm me dekë për me pajtue gjaqe. Heronjt nuk përçajnë. I urtë shumë duhet me qenë ai njeri që mundet me e quejt veten president të heronjëve dhe me pasë të drejtë. Sot skena jonë politike, nuk njehë nji të tillë. Sa tragjike për këtë popull të vogël.

Po aq tragjike sa fakti që ky popull që falë, shumë shpejt harron atë çka ka falë. Se mos me pasë harrue, vuejtjen e përditshme kishte me e përkthye në punë. Po kam qejf sidoqoftë me besue që thellë brenda ndërgjegjes së vet ky popull do ta mbaj gjallë dhimbjen e djepit të përgjakun të Valmirit e të Blerinës, e të qindra fëmijëve tjerë, për mos me harrue sa kushtoi liria e për me u kujtue se çmimi i saj nuk asht veç çashtje gjaku por edhe premtimi për nji të ardhme ma të mirë.

Më frikëson fakti që nuk do çuditem, nëse “tradita e re” e Thaçit parasheh që nesër tue fillue ai prej vetes, bashkë me të amnestohen të gjithë kriminelët e vendit tue e ndjekë shembullin e Maqedonisë. Kur atje bahet, pse mos e u ba diçka e tillë te na? Se fundi i fundit jemi mësue me nisë prej fillimit. Historia jonë, asht plot nisje fillimesh dhe përsëritje gabimesh. Pse a s’jemi  popull që historinë e njeh ma shumë prej telave të çiftelisë, se sa prej librit a? E herët e vonë telat e saj kanë me u ba morti ynë.

Hiç ma larg se në qershor do të mbushemi prapë me krenari, para televizorit ku fitorja e kombëtares na ban me u ndi që „ valla boll të mirë jemi“. Na mushen sytë me lot, kur të valohet flamuri e kur të knohet himni, të cilin na e belbëzojmë nëpër dhambë, herë tue e dijtë deri në fund, herë të mësuem veç kështu me të nime aty këtu naj fjalë. Humbjen as nuk e marrim para sysh, por nëse ndodhë, „prap, boll të mirë jemi; s’kemi kushte ma shumë, se t’kishim pasë, kishim fitue; ose: na e kanë ba me hile“. Me randësi na mos me pasë faj, me randësi që „Kuq e Zi“ jemi. Po pra, kuq të kalumen, zi të tashmen. Urraaaaahh!

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.