Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Përparësitë dhe dobësitë e shkollimit në shtëpi: Rasti i Europës dhe ShBA-së

Ilustrimi nga: BigEye

Forma tradicionale e arsimit njihet ajo e shkollimit formal brenda institucioneve arsimore të cilat themelohen e udhëhiqen nën përkujdesin e institucioneve publike.

Në sistemet publike arsimore, mësimdhënia dhe mësimnxënia zhvillohen kryesisht në shkolla. Në shumicën e shteteve, shkollimi fillor dhe i mesëm është ligjërisht i obliguar qysh në shekullin 18.

Në 1852, Massachusetts ishte shteti i parë i ShBA-së që miratoi një ligj të detyrueshëm universal për arsimin publik. Shumë shtete të tjera brenda ShBA-së dhe shtete globale filluan ta ndjekin një politikë të tillë. Sistemet publike arsimore janë zhvilluar në tandem me procesin e industrializimit.

Para shekullit 18, shkollimi ka qenë privilegj i aristokracisë dhe kishës. Ky fakt na tregon që sistemet arsimore, ndonëse ngadalë, janë në proces të përhershëm të evoluimit.

Një ndër degëzimet më të theksuara që është vënë re te sistemet tradicionale të arsimit është shkollimi në shtëpi. Kjo lëvizje ka filluar rreth viteve 1970, nisur nga teoricieni John Holt, i cili ishte ideatori që prindërit t’i çlirojnë fëmijët e tyre nga sistemet formale shkollore.

Holt ishte i besimit që shkolla tradicionale nxitë të mësuarit përmendësh dhe memorizimin e fakteve/informacioneve duke i ‘robëruar’ fëmijët nga të menduarit kritik. Më tutje, ai ka argumentuar se metodat e mësimdhënies krijojnë nxënës të cilët hezitojnë të mësojnë dhe arsyeja e vetme pse e bëjnë atë është që të shmangin ndëshkimin e talljen nga mësimdhënësit e prindërit dhe eventualisht t’i bëjnë krenarë ata.

Çka është shkollimi në shtëpi?

Për dallim nga shkollimi tradicional, shkollimi në shtëpi është një metodë edukimi ku prindërit ose kujdestarët zgjedhin t’i mësojnë fëmijët e tyre në shtëpi, në vend se t’i dërgojnë në një shkollë publike ose private.

Arsyet që i shtyjnë prindërit ta ndjekin këtë formë të shkollimit janë nga më të ndryshmet: pikëpamjet fetare ose filozofike, shqetësimet apo dyshimet për cilësinë e arsimit në shkollat tradicionale, e deri te dëshira për një arsim të personalizuar dhe më kualitativ.

Me fjalë të tjera, në vend se të përcjellin një kurrikulë të standardizuar nga institucionet relevante, prindërit e krijojnë kurrikulën vetë dhe bëhen mësues të fëmijëve të tyre, ose marrin mësimdhënës për ta zbatuar këtë proces. Në vijim do të shqyrtohen përparësitë dhe dobësitë e kësaj metode të arsimit.

Përparësitë e shkollimit në shtëpi

Një ndër përparësitë është që prindërit kanë mundësinë ta krijojnë kurrikulën në mënyrë që ta përshtatin me nevojat e fëmijëve të tyre.

Së dyti, në ambientin ku nuk ka shumë fëmijë, nxënësi mund të ketë vëmendje të mjaftueshme dhe të ketë hapësirë për më shumë pyetje e reagim.

Së treti, përmendet fleksibiliteti në planifikim, që ua mundëson familjeve ta organizojnë kohën sipas nevojave.

Në fund, prindërit mund ta kontrollojnë mjedisin ku rriten fëmijët e tyre, duke i mbrojtur ata nga ndikimet negative, si ngacmimet e dhuna.

Dobësitë e shkollimit në shtëpi

Shkollimi në shtëpi ka dobësitë dhe disavantazhet e veta. Së pari, shkollimi në shtëpi e ul dhe kufizon dukshëm interaksionin social të fëmijëve dhe si rezultat fëmijët kanë më pak ndërveprim më fëmijë tjerë dhe mund të mos i zhvillojnë aftësitë e tyre sociale.

Së dyti, fëmijët e shkolluar në shtëpi mund të mos kenë qasje ne të njëjtat aktivitete jashtëshkollore, si ekipet sportive dhe klubet e ndryshme.

Së treti, një disavantazh serioz është mungesa e prindërve të kualifikuar dhe rreziku i mosnjohjes (mosakreditimit) së këtij arsimimi më vonë, gjë që mund të shkaktojë probleme serioze për shkollimin e fëmijëve në arsimin terciar.

Dallimet mes shkollimit në shtëpi në ShBA-së dhe Europë

Shkollimi në shtëpi rregullohet ligjërisht nga vendi në vend. Shkollimi në shtëpi është përgjithësisht më pak i zakonshëm dhe më pak i pranuar kulturalisht e ligjërisht në Europë sesa në ShBA, ku shkollimi në shtëpi shihet si një opsion legjitim arsimor dhe ku diku rreth 3.135 milionë nxënës shkollohen në shtëpi sipas të dhënave të vitit 2021-2022.

Ndërkaq në Europë shkollimi në shtëpi është shumë më pak i popullarizuar dhe numri varion sepse në shumë vende nuk është e ligjshme fare, gjë që krijon diskrepancë të madhe me rastin e ShBA-së.

Shtetet ku ka numër më të madh të nxënësve që shkollohen në shtëpi janë Mbretëria e Bashkuar me rreth 200,000 nxënës, Franca me rreth 63,000 nxënës dhe Polonia me rreth 15,034 nxënës. Në Europë, shkollimi në shtëpi është përgjithësisht më pak i njohur dhe më pak i mbrojtur ligjërisht sesa në ShBA.

Në disa vende, si Gjermania and Suedia, ai ose është shumë i rregulluar ose i ndaluar plotësisht. Prandaj, prindërit që zgjedhin t’i shkollojnë fëmijët e tyre në shtëpi u kërkohet të ndjekin standarde të rrepta arsimore, duke përfshirë vlerësimet dhe provimet e rregullta.

Shkollimi në shtëpi në Ballkan

Në Ballkan, shkollimi në shtëpi është pothuajse inekzistent. Shkollimi në shtëpi në Ballkan ndryshon sipas shteteve, por në përgjithësi ai nuk pranohet apo praktikohet aq gjerësisht sa është në disa pjesë të tjera të botës.

In the key Kosovo, rregullimi ligjor i cili mundëson implementimin e tij është paksa i koklavitur. Për shkak se është një temë e ‘paprekur’, nuk ekziston legjislatura e cila e sanksionon qartë këtë çështje. Ndonëse ekzistojnë dispozitat ligjore që pohojnë se shkollimi në shtëpi është i ligjshëm, nuk ekziston ndonjë marrëveshje për zbatimin praktik të tij.

In the key Serbia, shkollimi në shtëpi është i ligjshëm në raste të veçanta, kur janë në pyetje fëmijë me aftësi të kufizuara ose sëmundje që i pengojnë ata të ndjekin shkollën.

Ngjashëm si në Serbi, në Shqipëri janë vetëm disa raste specifike kur lejohet, mirëpo është obligative që të angazhohet një mësues/pedagog i lincensuar për të siguruar mbarëvajtjen e mësimeve. Në Kroaci, shkollimi në shtëpi nuk është i ligjshëm fare, por, njëjtë si në Shqipëri e Serbi, të vijuarit mësimet në shtëpi përbën përjashtim për situata të veçanta.

Në përgjithësi, shkollimi në shtëpi në Ballkan është një çështje komplekse që ndryshon sipas vendit dhe formësohet nga faktorë të tillë si qëndrimet kulturore, kornizat ligjore dhe burimet njerëzore e financiare. Pra, kjo formë e shkollimit nuk është ende një opsion gjerësisht i pranuar ose i qasshëm.

Qasja ligjore dhe kulturore ndaj arsimit shkollor në Ballkan dhe Europë është dukshëm e ndryshme nga ajo në ShBA. Përderisa SHBA-ja e ka integruar këtë çështje si ligjërisht, ashtu edhe kulturalisht, disa shtete europiane nuk e kanë prioritizuar këtë çështje dhe nuk i kanë kushtuar vëmendje.

Kjo gjë mund të jetë si rezultat i kërkesës së ulët për një formë të tillë arsimimi; rrjedhimisht, nuk ka pasur shqyrtim më të thellë ligjor e as praktik mbi këtë çështje.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.