Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Përpjekjet e Kosovës drejt anëtarësimit në OGP

Sistemet e ndryshme politike mund të luajnë rol vendimtar në mënyrën se si qytetarët dhe qytetaret kërkojnë dhe marrin shërbime, si dhe në mënyrën se si ata/ato angazhohen në vendimmarrje. Që nga vitet komuniste nën ish-Jugosllavi, qytetarët e Kosovës iu nënshtruan një sistemi ku ata drejtoheshin dhe u tregohej se si të  silleshin në një ndërtesë apo hapësirë administrative, ku të prisnin, me kë të flisnin dhe ku të nënshkruanin një dokument të caktuar.

Përderisa sistemi në fjalë nuk ishte ekskluziv për Kosovën, pasi digjitalizimi i shërbimeve është një zhvillim i kohëve të fundit në qytetërimin modern, Kosova në atë kohë nuk ishte shtet i pavarur siç është sot. Që nga fillimi i viteve 2000, kur Kosova filloi t’i themelonte institucionet e saj dhe t’i digjitalizonte gradualisht shërbimet, gratë dhe burrat janë përshtatur me një sistem vetëqeverisjeje, duke u mundësuar atyre që të kërkojnë dhe të marrin shërbime në mënyrë të pavarur.

Tranzicioni në fjalë, nga ai fizik në atë digjital, ka ardhur me sfida të caktuara, por edhe lehtësira dhe përparësi, duke pasur parasysh disa rrethana të caktuara faktike. Më saktësisht, popullsia në moshë mesatarisht të re e Kosovës, niveli i lartë i depërtimit të internetit, si dhe disponueshmëria e gjerë e pajisjeve inteligjente.

Një nga aspektet thelbësore që do ta forcojë më tej qëndrueshmërinë e Kosovës drejt ndërtimit të një sistemi demokratik, ku të dhënat e hapura janë lehtësisht të qasshme, të sakta dhe gjithëpërfshirëse, me zgjidhje digjitale dhe shërbime të centralizuara, është anëtarësimi i Kosovës në Partneritetin për Qeverisje të Hapur (OGP).

Përpjekja e Kosovës për t’iu bashkuar 76 shteteve në kuadër të OGP-së, të cilat në nivel global përbëjnë rreth dy miliardë banorë, filloi në vitin 2013. Si proces u iniciua nga Lëvizja FOL, një OJQ lokale e specializuar në praktikat dhe politikat e qeverisjes së mirë. Në atë kohë, Lëvizja Fol me Ministrinë e Integrimeve Evropiane iniciuan hapa konkretë për anëtarësim në OGP. U hartua Plani i parë Kombëtar i Veprimit, u plotësuan të gjitha kriteret dhe kushtet nga OGP, iu caktuan detyra dhe përgjegjësi institucioneve përkatëse. Plani i parë Kombëtar i Veprimit nuk u zbatua në mënyrë të njëanshme nga Qeveria e Kosovës në atë kohë. Qeveria e Kosovës kishte marrë një letër njoftuese se nuk mund të jetë pjesë e iniciativës. Që atëherë, Republika e Kosovës është përkushtuar ndaj parimeve të qeverisjes së hapur dhe të përgjegjshme.

Një tipar shumë i fortë i procesit të digjitalizimit të Kosovës është bashkëpunimi i fuqishëm ndërmjet institucioneve publike me shoqërinë civile dhe qytetarët e saj në përgjithësi. Një bashkëpunim i tillë është kusht kritik i vendosur nga OGP për shtetet e saj të mundshme anëtare. Duke pasur parasysh këtë, janë bërë përpjekje dhe orvatje të vazhdueshme për ta futur Kosovën në sferën e qeverisjes digjitale.

Një portal i të dhënave të hapura është zhvilluar nga organizata lokale jofitimprurëse Open Data Kosovo (ODK). Portali në fjalë i ishte caktuar Agjencisë për Shoqëri të Informacionit dhe ishte plotësuar me të dhëna nga disa institucione në komuna të ndryshme, përfshirë të dhënat e prokurimit, statistikat e ndryshme, etj.

Duke pasur parasysh se Kosova nuk arriti të anëtarësohet në OGP, qeveria vendosi të fillojë t’i bëjë detyrat e shtëpisë, përkatësisht hapjen e të dhënave. Në vitin 2016, Karta e të Dhënave të Hapura u publikua dhe Agjencia për Shoqërinë e Informacionit (ASHI) u caktua të zhvillojë portalin e të dhënave të hapura. Kjo kartë u krijua me qëllimin që t’i përfshinte të gjitha institucionet në vend për ta rritur transparencën e tyre, duke synuar krijimin e një kulture të hapjes së të dhënave dhe rritjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe palëve të interesuara.

Në vitin 2019 u miratua Ligji për Qasje në Dokumente Zyrtare, me një kapitull të veçantë mbi parimet dhe publikimin e të dhënave të hapura. Ligji në fjalë tani shërben si zëvendësues i ligjit të mëparshëm të miratuar në vitin 2007, të quajtur Ligji për Qasje në Dokumente Zyrtare.

Pasuan vendime të tjera, si ngritja e strukturave institucionale për të dhënat e hapura, ku personave të përgjegjës iu caktuan detyrat dhe përgjegjësitë përkatëse.

Përpjekjet në fjalë nga institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile kanë rezultuar në arritje të prekshme. Këtu mund të përmenden disa iniciativa dhe përpjekje për hapjen e të dhënave dhe ndërtimin e institucioneve transparente dhe të përgjegjshme. Portali për të Dhëna të HapuraPlatforma për Konsultime Publikee-pjesëmarrjae-KosovaPlatforma për Financim Publik të Organizatave të Shoqërisë Civilee-prokurimi, dhe të tjera.

Më 8 qershor 2021, Qeveria e Kosovës edhe një herë mori vendim për ta vazhduar iniciativën për anëtarësim në OGP. Ministria drejtuese e caktuar për ta koordinuar dhe nxitur iniciativën kombëtare është Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Plani Kombëtar i Veprimit do ta mbulojë periudhën 2022-2024 dhe do të ofrojë veprime konkrete të realizueshme që synojnë rritjen e transparencës qeveritare, duke përfshirë të gjitha organizatat e shoqërisë civile si katalizatorë kryesorë dhe aleatë të fuqishëm të iniciativës. Anëtarësimi në OGP do të hapte rrugën drejt promovimit të një qeverisjeje të hapur dhe transparente, pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje, gjithëpërfshirjes dhe qeverisjes së përgjegjshme.

Megjithatë, ka ende vështirësi që hasen me tranzicionin në fjalë. Vështirësitë rrjedhin nga fakti se zgjidhjeve aktuale digjitale u mungon pasuria e përmbajtjes, mungesa e të dhënave në përgjithësi, deri te shqetësimet që lidhen me cilësinë e të dhënave. Për më tepër, në një farë mase, ekziston skepticizëm në mesin e qytetarëve për legjitimitetin e shërbimeve digjitale duke pasur parasysh traditën e gjatë të kërkimit dhe marrjes së shërbimeve në formë fizike, materiale.

Sfida në fjalë po lehtësohet me mjete të ndryshme. Në ASHI, për shembull, pas lansimit të platformës e-Kosova në fillim të pandemisë COVID-19, u krijuan linja telefonike pa pagesë dhe u punësua staf shtesë për t’iu përgjigjur thirrjeve dhe për t’u ofruar qytetarëve ndihmën e nevojshme në përdornin e shërbimeve digjitale.

Një çështje tjetër e rëndësishme në lidhje me sfidat e Kosovës ndaj hapjes së të dhënave përfshin çështjen e ndërveprimit të të dhënave. Me fjalë të tjera, ndonëse ka platforma të dhënash që janë publike, në shumicën e rasteve të dhënat nuk mund të krijohen, shkëmbehen dhe konsumohen për të pasur pritshmëri të qarta, të përbashkëta për përmbajtjen, kontekstin dhe kuptimin e atyre të dhënave.

Si përgjigje ndaj mungesës së interoperabilitetit, u zhvillua një platformë bazuar në standardet e larta të sigurisë. Platforma në fjalë siguron interoperabilitetin ose shkëmbimin e të dhënave ndërmjet institucioneve të mëposhtme: Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, Agjencia e Regjistrimit Civil, Administrata Tatimore e Kosovës, Dogana, Agjencia Kadastrale e Kosovës, etj.

Kjo platformë e interoperabilitetit është një nga iniciativat e para për ta nxitur komunikimin ndërmjet të dhënave nga institucionet e ndryshme. Përndryshe, çdo institucion mbledh të dhëna dhe i ruan në sistemin e tij, kështu që të dhënat shpërndahen nëpër këto institucione. Për rrjedhojë, përgjegjësia për sigurinë e të dhënave të tilla është e shpërndarë edhe brenda këtyre institucioneve. Siç raportohet nga ASHI, ekzistojnë rreth 100 baza të të dhënave digjitale në këto institucione.

Nuk mund të theksohet sa duhet nevoja dhe rëndësia e ndërtimit të mjeteve të reja dhe paraqitja e zgjidhjeve të reja digjitale, si dhe përmirësimi i atyre ekzistuese. Ky qëndrim nuk është specifik për Kosovën, pasi procesi i digjitalizimit dhe qeverisja e hapur po ndodhin me një ritëm të paprecedent dhe revolucioni teknologjik po ndryshon rrënjësisht mënyrën se si ne e perceptojmë qeverisjen, qytetarinë, agjencinë e njerëzve dhe rolin e tyre në vendimmarrje.

Megjithatë, duhet theksuar se anëtarësimi i Kosovës në OGP nuk varet vetëm nga fakti nëse vendi i përmbush kriteret e përcaktuara nga OGP. Sfida kryesore e Kosovës drejt anëtarësimit në OGP mbetet aspekti politik. Përkatësisht fakti që disa vende anëtare në OGP nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, gjë që e bllokon Kosovën në procesin e anëtarësimit.

Derisa lobimi efektiv nga zyrtarë qeveritarë dhe përfaqësues/e të shoqërisë civile drejt anëtarësimit të saj në OGP vazhdon, palët e mobilizuara të interesit në Kosovë vazhdojnë të kontribuojnë drejt ndërtimit të një qeverisjeje të hapur dhe të qëndrueshme. Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International 2021, Kosova ka treguar progres në luftën kundër korrupsionit. Nga vendi 104, tani renditet në vendin 87.

Me nivelin më të lartë të përdorimit të internetit, popullsinë mesatarisht më të re dhe m numrin më të lartë të kompanive të teknologjisë së informacionit në rajon, Kosova vazhdon t’i bëjë detyrat e saj drejt hapjes së të dhënave dhe ofrimit të shërbimeve digjitale cilësore për qytetarët e saj. Detyrë shtëpie mbetet që të vazhdojë të ofrojë forma të reja komunikimi, duke garantuar transparencë dhe llogaridhënie dhe shërbime publike nëpërmjet infrastrukturës së teknologjisë së informacionit.

*Ky artikull është publikuar nga Open Data Kosovo, në kuadër të projektit “Iniciativa për Qeverisje të Hapur dhe të Mirë”, financuar nga programi MATRA 2020 në Ambasadën e Holandës në Kosovë. Ky artikull është përgjegjësi e Open Data Kosovo dhe nuk reflekton pikëpamjet e Ambasadës së Holandës.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.