Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Përse nuk po përmendet më nevoja për të pasur votim elektronik?

Ndërkohë që po afrohet data e zgjedhjeve të rregullta lokale në Shqipëri, askush nuk po flet konkretisht , për votimin elektronik. Bëhet fjalë për një temë që dikur ka qenë në qendër të vëmendjes për sa i përket procesit elektoral. Qoftë Partia Socialiste kur ka qenë në opozitë dhe qoftë Partia Demokratike gjatë opozitës e ka kërkuar futjen e teknologjisë së avancuar për të rritur nivelin e integritetit të zgjedhjeve. Përvoja jonë e zgjedhjeve të fundit ka nxjerrë në pah se procesi i numërimit dhe parregullsitë që  që e shoqërojnë atë kanë qenë temat më të nxehta. Mjafton të kujtojmë pothuaj konfliktin civil që ishte gati për të shpërthyer për votimet në qarkun e Fier gjatë parlamentareve të vitit 2009 apo numërimi i zvarritur me pjesëmarrje deputetësh në zgjedhjet lokale të Tiranës në 2011. Mirëpo defektet me numërimin (sidomos brenda partive) kanë qenë të shumta edhe në zgjedhjet e Kosovës e madje kanë qenë shkaku kryesor për shumë rinumërime apo rivotime.  Në librin me kujtime të sekretarit personal të Stalinit, botuar pas arratisjes së tij në Paris, përmendet një ndër citimet më legjendare të diktatorit që thoshte se për sa i përket zgjedhjeve brenda partisë komuniste për komitetin qendror në vitin 1923 :  “E konsideroj krejtësisht të parëndësishme se kush do të votojë në parti apo  për kë do votojë; por ajo që është jashtëzakonisht e rëndësishme për mua është se  kush do të numërojë votat dhe si do i numërojë.”

Me pak fjalë nëse ka manipulime në proceset zgjedhore, mangësitë në procesin e numërimit është një ndër problemet kryesore dhe të gjitha palët në jetën politike të Shqipërisë, në momente e pozicione të ndryshme, e kanë pranuar se aplikimi i votimit elektronik është një përmirësim i ndjeshëm në cilësinë e procesit të zgjedhjeve. Tanimë ekziston një përvojë shume e pasur prej disa dekadash të shumë shteteve që kanë përdorur me shumë sukses dhe kanë perfeksionuar teknika e teknologji të shumta për të automatizuar procesin e numërimit të votave dhe vetë votimin. Përdorimi i teknologjisë së avancuar për procese apo shërbime publike  e thirrur shpesh si qeverisja elektronike, është proklamuar gjithashtu si një prioritet nga të gjitha qeveritë e dekadës së fundit. Mjafton këtu për të përmendur si super të suksesshme krijimin e qendrës së shërbimeve publike të integruara me një ndalesë (one-stop-shop) të quajtur Qendra Kombëtare e Regjistrimit gjatë qeverisë Berisha dhe ADISA gjatë qeverisë Rama. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Kosovën që për sa i përket përdorimit të teknologjisë mund të konsiderohet madje një hap para Shqipërië.

Sot mund të thuhet se është bërë tashmë fakt i pranuar nga të gjithë që qeverisja elektronike, apo më saktë aplikimi më i thellë dhe i gjerë i qeverisjes elektronike ka pasur  për qëllim  shërbimeve më cilësore e të shpejta për publikun, kursimin e të fondeve publike, procese më efikase dhe të shpejta të administratës dhe qeverisjes dhe ajo që është më e rëndësishme, një nivel më të lartë transparence për publikun. Nëpërmjet qeverisjes elektronike ne kemi ulur kostot operacionale dhe kemi rritur gjithashtu efikasitetin e administratës. Nëpërmjet qeverisjes elektronike janë kursyer ndjeshëm kohë dhe fonde duke eleminuar e automatizuar shumë burokraci.   Qeverisa elektronike gjithashtu mundëson që qytetarëve t’u dëgjohet më shumë zëri duke u dhënë mundësi elektronike që të japin feedback, të konsultohen nëpërmjet pyetësorëve, të marrin pjesë në anketa si dhe të japin rekomandime, sugjerime apo ankesa.

Prandaj është e domosdoshme që këto përfitime që sjell teknologjia, ti shtrijmë në një proces kyç për mirëfunksionimin e shtetit, e që është thelbi i demokracisë pra në procesin e votimit. Nëse para një dekade shumëkujt i dukej e parakohshme automatizimi i procesit sepe mendonte se shoqëria shqiptare nuk do e absorbonte siç duhej teknologjinë e re të votimit, sot nuk ka gojë kush që ta thojë këtë gjë. Jo vetëm që nivelin i penetrimit të internetit e teknologjive është kapilar në shoqërinë tonë por edhe teknologjia është bërë shumë më e thjeshtë e më e lirë duke e lehtësuar shumë përdorimin edhe për mosha të thyera konservatore. Për mos të përmendur që tashmë edhe të moshuarit tanimë janë të rrethuar kudo nga teknologjia duke nisur nga përdorimi i pashmangshëm i kartave të identitetit e pasaportave biometrike tek tërheqja e parave të pensionit nëpër makinat automatike të parave të bankave. Prandaj sistemi DRE (Direct Recording Electronic) ose akoma më mirë votimi nëpërmejt internetit, tanimë janë bërë më se të përshtatshme e lehtësisht të pranueshme për shoqërinë tonë.

Me këtë rast është e nevojshme që të rikthehet në qendër të debatit tonë çështja e votimit elektronik si një nga zgidhjet që do të minimizojë hapësirë për të manipuluar proceset zgjedhore duke garantuar një konsolidim të demokracisë. Për këtë qëllim ia vlen që të radhiten disa prej avantazheve që sjell votimi elektronik, duke nisur nga mundësia për të siguruar pjesëmarrjen e votuesve në procesin demokratike pavarësisht nga vendndodhja momentale. Kjo do të thotë që votimi elektronik bën të mundur pjesëmarrjen në zgjedhje edhe të diasporës sonë, që përbën së paku një të tretën e listave të votimit. Automatizimi i procesit dhe administrimi individual bën që të shmangin komisionerët partiakë e vëzhguesit të cilët e zvarisin dhe njollosin procesin me përpjekjet e tyre për ta deformuar. Rezultati final del shumë shpejtë duke shmangur ankthin e tejzgjatur të pritjes si dhe ato transporte, numërime, kuti të mbyllura që nuk bëhen kurrë transparente etj etj që kemi parë në të kaluarën.

Po ashtu lehtësia në proces që ofron teknologjia me pajisje me udhëzime të qarta e përdorim të thjeshtë, parandalon gabimet formale (siç janë përgjigjet e palexueshme, nënshkrimet e munguara, njollat apo shenjat zhvleftësuese,  formularët e plotësuar gabimisht ose listat e pavlefshme ) dhe do të zhdukte për rrjedhojë votat e shumta të pavlefshme që kemi parë në të kaluarën. Njerëzit me aftësi të kufizuara mund të votojnë ose të marrin pjesë në zgjedhje në internet pa ndihmën e një pale të tretë. Me votimin elektronik ulet në mënyrë të skajshme kostoja e procesit sepse sistemi mund të përdoret në internet i pavarur nga platforma dhe pajisja, qoftë në një smartphone, tabletë ose kompjuter. Të gjitha këto përkthehen në shtim në pjesëmarrje gjatë zgjedhjeve.

Por ajo që është më e rëndësishme të vihet në dukje, është se votimi elektronik është goxha më i sigurtë se komisionerët partiak pasi votat transmetohen dhe ruhen vetëm në formë të koduar dhe anonime. Algoritmet e sofistikuara parandalojnë manipulimin e votave dhe mundësojnë auditimin e procesit. Votuesit marrin konfirmimin se votimi i tyre është hedhur në mënyrë korrekte dhe është ruajtur në kutinë e votimit njësoj sikurse e dinë që paratë e tyre janë të sigurta në bankë pasi tërheqin kartën nga makina automatike e bankave. Përderisa sot këtyre kodeve iu besojmë kursimet apo investimet tona e për mos të folur për sigurinë tonë fizike, atëhere nuk kemi përse të dyshojmë kur vjen fjala për votimin. Prandaj sot mund të thuhet gojëplotë se sistemi i votimit elektronik është lehtësisht i auditueshëm nëse ka rezultate shumë të ngushta, çka e bën shumë më transparent dhe të sigurtë. Rritja e këtyre të fundit shton edhe besimin e shoqërisë ndaj procesit e për rrjedhojë shume individë që janë skeptik se vota e tyre mund të numërohet saktë e të sjelli ndryshimin, do të dalin të votojnë e të respektojnë institucionet që dalin prej këtyre zgjedhjeve që kanë më shumë kredibilitet.

Padyshim që në të kaluarën janë hasur defekte apo probleme në vende të ndryshme për sa i përket votimit elektronik por duhet thënë se ato rreziqe që vijnë me këtë sistem nuk janë asgjë përpara manipulimeve e rreziqeve me të cilat shoqërohet procesi i votimit dhe numërimit aktualisht në Shqipëri apo Kosovë. Po ashtu e mira është që ne nuk do jemi pionerë në këtë aplikim por do përfitojmë nga dështime e riparime të shumta që kanë sjellë në një perfeksionim të teknologjisë së votimit elektronik duke e rritur në mënyrë të skajshme eficiencën dhe sigurinë e saj.  Ky sistem po përdoret me sukses të madh duke nisur nga vende të vogla si Estonia e deri tek vende të stërmëdha si  demokracia më e madhe në botë, pra India. Një tjetër avantazh i faktit që ne e nisim vonë përdorimin elektronik është se jo vetëm mësojmë nga përvojat e të tjerëve dhe shmangim gabimet që ata kanë bërë, por edhe se teknologjia sot është tejet më e lirë se para dy tre dekadash.  Prandaj së fundmi duhet ritheksuar, se për të rritur pjesëmarrjen e votuesve, për të ulur kostot, për të rritur besimin e votuesve ndaj procesit, për të ripërtërirë interesin në sistemin politik dhe (ajo që është më e rëndësishmja) për të siguruar procesin më të ndershëm demokratik të mundshëm, ne duhet të aplikojmë në Shqipëri dhe Kosovë votimin elektronik.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.