Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Përse nuk preferohen marrëveshjet me SHBA-të në prag të zgjedhjeve presidenciale?

Megjithë zhvillimin enorm të Kinës, SHBA-të mbeten lider botëror i pakontestueshëm në aspektin ekonomik, ushtarak dhe teknologjik. Në këtë drejtim, zgjedhjet presidenciale në SHBA kanë efekt global dhe janë padyshim vitale për drejtimin e politikave ndërkombëtare.

Për faktin se pozita e presidentit amerikan mund të mbahet maksimalisht dy mandate (tetë vite), çdo president tenton që të bëjë një punë të shkëlqyshme në shtëpi dhe në botë në mënyrë që t’i sigurojë vetes një mandat të dytë. Si rezultat, lideri amerikan është në presion të vazhdueshëm për rezultate pozitive në secilën fushë.

Administrata aktuale amerikane e udhëhequr nga Donald Trump është duke u ballafaquar me papunësi rekorde dhe protesta. Më shumë se 200,000 persona kanë vdekur dhe më shumë se gjashtë milionë janë infektuar, duke e bërë SHBA-në vendin më të goditur nga pandemia COVID-19.

Duke u gjendur para një krize tejet të vështirë per ta menaxhuar si rezultat i neglizhencës së tij, Trump ka përcaktuar emisarë të veçantë anë e kënd botës në mënyrë që të arrijë fitore diplomatike. Vetëm gjatë muajit shtator, administrata Trump ka arritur që të nënshkruajë tre marrëveshje të ndryshme politike e ekonomike: Izrael-Emiratet e Bashkuara Arabe; Kosovë-Serbi dhe Izrael-Bahrein.

Mirëpo, tendenca për të nënshkruar këto marrëveshje është më shumë në shërbim të presidentit amerikan, i cili shfrytëzon çdo mundësi në favor të tij për ta fituar një mandat të dytë. Si rezultat, këto marrëveshje negociohen në kohë rekorde dhe janë të diskutueshme nga aspekti i përmbajtjes. Fokusi është mbi ceremoninë e nënshkrimit dhe fotografitë sesa substancën e marrëveshjeve.

Përcaktimi i politikës së jashtme amerikane

Fokusi i politikës së jashtme ndikohet nga ideologjia dhe vlerat që përfaqëson presidenti, i cili determinon vizoninin për politikën e jashtme, ndërsa Departamenti i Shtetit Amerikan dizajnon dhe implementon në menyrë të detajuar fokusin politik të presidentit.

Në fokusin e SHBA-ve janë zakonisht tema globale sikurse migracioni, tregtia, teknologjia, ndryshimi klimatik, armët bërthamore dhe konfliktet e armatosura. Interesi nacional i SHBA-ve shpeshherë nuk përkon me ato të rivalëve të saj politik siç janë Kina, Rusia dhe Irani. Në raste të caktuara ka mospajtime edhe mes aleatëve Evropian.

Edhe pse SHBA-të janë vendi më i fuqishëm në botë, rrethanat politike të shekullit 21 kanë krijuar një nevojë të vazhdueshme për bashkëpunim dhe koordinim multilateral mes shteteve. Mirëpo, SHBA-të nuk arrijnë që çdo herë të finalizojnë objektivat e përcaktuara për shkak të interesave të ndryshme nga shtetet tjera.

Përdorimi i “fitoreve” diplomatike për fushatë zgjedhore

Administrata Trump në veçanti është karakterizuar me një përkeqësim të marrëdhënieve Amerikë-Evropë e cila është parë nga ekspertë të ndryshëm si tërheqje nga multilateralizmi. Mungesa e bashkëpunimit global ka vështirësuar arritjen e objektivave amerikane në arenën ndërkombëtare dhe ka komplikuar edhe më tutje raportet mes aleatëve perëndimor.

Kur një president amerikan dështon që të konkretizojë prioritetet e përcaktuara, fokusi i tij kalon tek çështjet sekondare. Kjo për faktin se nga tre debatet presidenciale, njëri fokusohet ekskluzivisht në politikën e jashtme dhe presidentit në detyrë i duhet një listë suksesesh për t’i prezantuar para elektoratit amerikan.

Marrëveshjet e arritura gjatë muajit shtator, Izrael-Emiratet e Bashkuara Arabe; Kosovë-Serbi dhe Izrael-Bahrein, flasin për një lloj urgjence për konkretizimin e fitoreve diplomatike në mënyrë që administratës Trump t’i atribuohet suksesi në arenën ndëkombëtare.

Gjithashtu, elektorati është i destinuar të mbajë në mend më tepër muajt e fundit të mandatit sesa mandatin e plotë katër vjeçar. Me fjalë të tjera, vendimet dhe arritjet e muajve të fundit mbahen mend më lehtë nga votuesit dhe mund të jenë determinues në rezultatin e zgjedhjeve.

Kështu që, arritja e marrëveshjeve presidenciale në prag te zgjedhjeve i shërben pozitivisht presidentit në detyrë. Këto zgjedhje në veçanti do të jenë të rëndësishme për nga fokusi i politikës së jashtme, marrë parasysh se rivali i Presidentit Trump, Joe Biden, ka qëndrime pothuajse të kundërta me të.

Shtetet e vogla në garë të vazhdueshme për vëmendje amerikane

Secili president amerikan krijon një listë prioritetesh të cilat përcaktohen në një afat kohor prej katër vitesh, sa edhe zgjat një mandat presidencial. Prandaj, shumica dërrmuese e shteteve tentojnë që të kalibrojnë interesat nacionale të tyre me politikën amerikane.

Në anën tjetër, shtetet të cilat nuk përfshihen në listën e prioriteteve të presidenit amerikan tentojnë që me çdo kusht të jenë pjesë e fokusit të presidentit. Mirëpo kjo qasje nuk është e duhur. Liderët e shteteve të vogla eksploatojnë këtë mundësi për qëllime vetanake në mënyrë që të fitojnë simpatinë tek elektorati i tyre.

Alternativisht, disa shtete tentojnë që t’i prolongojnë këto marrëveshje potenciale deri pas zgjedhjeve presidenciale, e cila u shërben më efektivisht atyre për dy arsye.

Së pari, nëse presidenti aktual fiton një madat të dytë, marrëveshja mund të konkretizohet gjatë mandatit të dytë presidencial dhe të jetë më substanciale. Mirëpo ky opcion është më vështirë të realizohet për shkak të presionit të fuqishëm amerikan, i cili është tejet i veshtirë për t’u përballuar nga shtetet e vogla.

Së dyti, nëse zgjedhjet i fiton një president tjetër, ai/ajo mund të marr lavdinë e arritjes së marrëveshjes në javet e para të presidencës dhe të thellojë bashkëpunimin me palët.

Prandaj, është në favor të shteteve të vogla të presin rezultatin e zgjedhjeve në SHBA. Kjo mund të argumentohet duke marrë për bazë analogjinë e kidnapimit të pengjeve amerikane gjatë revolucionit islamik në Iran të vitit 1979.

Analogjia e pengjeve amerikane në Iran

Rreth katër dekada më parë, situata politike në Iran ndërroi drastikisht me përmbysjen e dinastisë Pahlavi e cila u zëvendësua me një qeveri islamike të udhëhequr nga Ayatollah Khomeini.

Si rezultat i krijimit të rrethave të reja politike dhe sentimentit anti-amerikan, më 04 nëntor 1979, një grup studentësh militant pushtuan ambasadën amerikane në Tehran dhe zunë rob më shumë se 60 diplomatë dhe punonjës amerikanë.

Presidenti amerikan i asaj kohe, Jimmy Carter, u përpoq të siguronte lirimin e të burgosurve përmes një operacioni ushtarak si dhe përmes negociatave, por pa ndonjë sukses. Pavarësisht kësaj, administrata e Carter vazhdoi përpjekjet për lirimin e pengjeve dhe ia arriti qëllimit pas saktësisht 444 ditëve.

Është interesant fakti se lirimi i pengjeve ndodhi në ditën kur Ronald Reagan u përurua president i ri i SHBA-ve, me çrast Reagan mori lavdinë që në ditën e parë si president i vendit, me gjithë faktin se administrata Carter ishte angazhuar dhe kishte siguruar lirimin e pengjeve amerikane.

Kjo ishte një lëvizje e mençur nga Irani. Duke liruar pengjet ne ditën kur presidenti i ri merr detyrën, meritat i atribuohen presidentit të ri. Si rezultat, kjo krijon mundësi për të reduktuar dallimet dhe instanca për bashkëpunim mes dy vendeve armiqësore.

Edhe pse gjasat që një situatë e tillë të përsëritet janë të vogla, në politikën e jashtme analogjitë kanë rëndësi të madhe. Përderisa gara për presidentin e ri amerikan është duke u zhvilluar, është e rëndësishme për vendet e vogla sikurse Kosova të jenë të vetëdijshme kur ato përdoren për qëllime elektorale.

——-

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.