Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Përtej dogmës

Foto nga Pixabay.

Thuajse gjatë gjithë historisë së zhvillimit njerëzor preokupimi më i madh i njerzimit ka qenë dhe vazhdon të jetë kush jemi ne? Kjo pyetje kaq fundamentale çdoherë ka marrë përgjigje të ndryshme, por asnjëherë atë që kërkohej në fakt. Kjo dilemë i hapi rrugën lloj-lloj besimeve, sepse mundësi tjetër nuk kishte këtu përveç të besohej. U krijuan idhujtari pa fund, u besua në gjithfarë sendesh dhe ide të pakuptueshme. Zoti si krijuesi i çdo gjëje u bë tema që edhe sot e kësaj dite zgjon debate pafund. Nga ata që e besojn Zotin dëgjon verzione të ndryshme të ekzistencës dhe të të qenit e tij. Mirëpo, tërë kjo dalldi e besimit, tërë ky delir është shprehje e zvetnimit që njeriu ndjen për mungesën e një Demiurgu. Kjo dilemë është aq fundamentale për njeriun, sepse ajo duhet ta shpjegoj edhe vetë ekzistencën ose mos ekzistencën e tij apo fatit njerëzor. Një dilemë e tillë për njeriun është me karakter biblik. Nga ky pikëvshtrim Zoti është burim i ekzistencës, e rrjedhimisht edhe kuptimsimi i saj. Dhe krejt kjo nga njeriu përbrendësohet nëpërmes aktit të besimit (bindjes). Siç shprehet edhe Karl Jaspers-i “Asnjë lloj mendimi nuk mund t’i afrohet realitetit që e përjeton besimtari në pranin e trupëzuar të Zotit”. Mirëpo, ky verzion i interpretimit të ekzistencës dhe drejtësisë njëkohësisht i përket dimensionit religjioz dhe siç e dim ky interpretim nuk e përmbush boshllëkun që njeriu ka.

Pothuajse në të njejtën mënyrë kanë operuar dhe operojnë edhe ideologjitë të ndryshme me karakter historicist. Edhe ato çdo gjë dhe gjithëçka i’a nënshtrojn diskursit të tyre idealist. Bota konceptohet dhe kuptimsohet vetëm brenda idealit të tyre dhe se njeriu realizohet vetëm brenda atij ideali, sepse jasht tij njeriu konsiderohet, në rastin më të mirë, një ‘send që flet’. Me t’u bërë arsyeja (në kuptimin filozofik) regullatori kryesor i interpretimit të botës, fillojnë të krijohet hendeku mes botës reale dhe botës mendore. Realiteti tanimë futet nën regjimin e arsyes dhe si i tillë ekzistonte vetëm nëpërmes saj. Kjo bëri që Georges Bataille të pohoj se: “Për të vendosur vetën në pozitën e Zotit është e dhimbshme: të qenit Zot, është e barabartë me të qenit i torturuar”. Andaj, arsyeja ishte vendosur pikërisht në këtë pozitë, sepse dëshironte të ishte e torturuar. Realizimi i njeriut brenda një projekti të tillë historicist proklamonte një model superior i cili duhej realizuar ne tokë. George Steiner për këtë thotë: “Historia më së shumti, bart mbi shpinë reliktet e parajsës”. Kjo parajsë që ideologjitë e caktuara proklamonin nuk vonoj dhe u bë ferri i vërtetë për njerëzimin. Këtë frymë të idhët që shpërndajnë ideologjit më së miri e shpreh Aldous Huxley tek libri i tij Brave Neë Ëorld: “Ne jetojmë bashkë, veprojmë dhe reagojmë ndaj njeri-tjetrit; por kurdoherë dhe në çdo rrethanë jemi të vetmuar. Martirët dalin dorë për dore në arenë, por kryqëzohen të vetëm. Përqafuar dashnoët, me kot orvaten t’i shkrijnë ekstazat e tyre ishullore në një vetë-transcendencë. Për nga vetë natyra e tij, çdo shpirt i trupëzuar është i denuar të lëngojë e të shijojë në vetmi. Ndjesitë e ndjenjat, arsyetimet, trillet – të gjitha këto janë vetjake dhe përveçse mes simboleve dhe në formë të varfëruar, mbetën të pakomunikushme. Ne mund të mbledhim informacion rreth përvojave, por kursesi vetë përvojat. Nga familja te kombi, çdo grup njerëzish është një shoqëri universesh-ishuj. Pjesa më e madhe e universeve-ishuj i ngjasojnë mjaftueshëm njëri-tjetrit sa për të Lejuar një mirëkuptim racional, madje edhe empati të përbashkët apo ndijim të brendësuar”. Në mënyrë distopike Huxley shpërfaqë fuqinë manipulative që mund të kenë ideologjitë të ndryshme.

Gjithashtu, edhe thelbi i botëkuptimeve ekzistencialiste, në një formë apo tjetër, është shprehje e një proteste konceptuale rreth dekompozimeve definitive të skemave të çfarëdollojshme iluministe. As besimi dhe as iluminizmi që ka si substrat arsyen, nuk mund të jenë kompetente për definimin e linjave fundamentale të kuptimësisë akseologjike të botës. Për konsekuencë, nga ky eleminim të këtyre referencave eventuale si udhërrëfyese vlerore, në mënyrë thuajse të natyrshme rrjedhë problematika e pozicioneve njerëzore në realitet. Këto variante të krizave iluministe, derivojnë pastaj dilemat e vetorientimeve në botë dhe mundësive të pafundme të vetëpërkufizimit. Për këtë Dostojevski kishte shkruar se: “po të mos ekziston Zoti gjithëçka është e lejueshme”. Këtu është pikënisja e ekzistencializmit, e një forme me karakter nihilist, e qe Sartre do ta formuloj se si “njeriu është i braktisur, ngase s’gjen as në vete as jashtë vetes mundësi ku të kapet”.

Edhe Heidegger-i po ashtu insiston që nëpërmes zbërthim konceptual të Sum-it të shpjegoj karakterin ekzistencial të Qenies. Dhe jo vetëm kaq, preferenca e Heidegger-it është ta riformulojë këtë koncepsion. Ai thotë “Jam, pra mendoj”. Sigurisht kjo kthesë është themeli i insistimeve të tij për aktualizim rigoroz të çështjes së Qenies si të tillë. Kështu versioni ontologjik heideggerian karakterizohet nga dy komponente bazike – Qenia-në-vetëvete dhe Qenia-për-vete. Bile nga këto premisa Heidegger-i, si një figurë fanatike rreth analizave etimologjike, bën një diferencë rigoroze midis asaj që mund të klasifikohet si Ekzistencë dhe Ështësi. Tek punimi i tij Ekzistenca dhe Qenia, ai shkruan: “Qenia që ekziston është Njeriu. Vetëm ai ekziston. Janë, shkëmbijtë, por ata s’ekzistojnë. Janë pemët, por ato s’ekzistojnë. Janë kuajtë, por ata s’ekzistojnë. Janë engjujtë, por ata s’ekzistojnë. Është Zoti, por ai s’ekziston. (…) Pohimi që Njeriu ekziston domethënë se njeriu është ajo qenie që gjithëherë është e hapur”. Hapësira e filozofisë, sipas tij, s’mund të jetë e pavarur nga aspektet ekzistenciale dhe relacioneve të tyre me botën.

Pra, njeriu apo ekzistenca e tij vetëvetiu është fakt primar. Rreth këtij aspketi ekzistencializmi provon që ekzistencën ta karakterizoj nga potenciale të pakontestueshme vetëafirmimi. Për rrjedhojë, këtu zhbëhet edhe hapësira e ideve religjioze për qenien e një direktive teologjike që preorienton veprimtarinë njerëzore. Siç do të potenconte edhe Borges se: “Sa më i pranishëm që Zoti të jetë mes nësh, aq më larg njëri-tjetrit do të jemi”. Kjo frazë borgesiane mund të kontekstualizohet edhe në rastin e ideologjive, sepse edhe nëpër sistemet të ndryshme ideologjike funksionon i njejti mekanizëm bindjeje. Për shembull; nëpër sistemet të ndryshme totalitare njerëzit kanë qenë shumë larg njëri-tjetrit, për faktin se ideologjia ishte shumë e pranishme në mesin e tyre. Mbase, një konkluzë e tillë është edhe në shpërputhje me mësimet e shpeshta sociologjike që pohojnë se njeriu është tërësi e marrëdhënieve shoqërore. E kundërta vlen për këtë vizion: njeriu ka imunitet absolut ndaj ndikimeve të ndërhyrjeve shoqërore. Ikona ekzistenciale s’reflekton, pra, as thelb teologjik, ideal, natyror apo shoqëror. Meqë ajo si e tillë; ”hidhet drejt një ardhmërie dhe që është i vetëdijëshëm se vetëprojektohet në atë ardhmëri”.

Po të zhvendosemi në aktualitet vërejm se në njëfarë mënyre ka filluar që të na mjegullohet ardhmëria që po vetëprojektojm?! Rikthimi në reminishencat e kaluara religjioze, dhe po ashtu tendencat e rizgjimit ideologjik, është verzioni i stërkequr i shpërfaqjes së tyre. Shtrimi i kinse nevojës së vendosjes së një drejtësie nga predispozita të tilla vetëm sa e shpërfaq ngërrçin mendtal, por edhe egoizmin e tyre të shfrenuar për lavdi. E gjith kjo shpërfaqje vizionesh të venitura nuk është gjë tjetër vetëm se një përpjekje për një rikthim në të kaluarën, dhe që pastaj nga aty të rifilloj gjithçka dhe për çdo gjë. Për çdo vërejtje apo paqartësi nuk duhet që pa hezitim t’i kthehemi të kaluares, sepse e kaluara është një rend i tejkaluar, e po që se aktualizohet prodhon vetëm shëmti dhe siç thotë George Steiner se: “Po ta këqyrësh tepër gjatë shëmtinë, çuditrisht fillon e joshesh prej saj”. Andja, që të mos kemi të tilla joshje, çdo herë duhet të osilojm në një format të tillë pa menduar në domosdoshmërin e të drejtës së njërës mbi tjetrën, sepse atëherë domosdoshmërisht do të gjendemi në pozitën e paalternativë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.