Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Pesë rrëfime nga Berlini

Sa për sqarim nuk është fjala për prozë, e as për ndonjë emocion që përshkruan një ndër qytetet me kozmopolite dhe më liberale në botë. Është thjesht përmbledhje e rrëfimeve, nga personat që përfaqësojnë kompanitë gjermane, në shoqatat me të mëdha të biznesit në Gjermani, për përvojat e tyre, të të bërit biznes në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe cilat janë ndryshimet sipas tyre, që mundësojnë që ky rajon të këtë rejting pozitiv për të nxitur investime. Përndryshe të gjitha vendet e Ballkanit janë në garë, të nxisin dhe sigurojnë investime, si dhe ngritje të kapaciteteve për zhvillimin e resurseve humane, përmes aftësimit profesional (sistemi i mësimit dual, ku fuqia punëtore, trajnohet dhe aftësohet në vendin e punës). 5 rrëfimet në vijim e pasqyrojnë pamjen që e kemi në shtetin më të fuqsihëm në Bashkimin Evropian dhe jo vetëm.

Rrëfimi 1: Në vizitën e Kancelares Merkel, në një vend të Ballkanit Perëndimor, Kryeministri i atij vendi krenohet që një kompani gjermane ka investuar në njërin nga Portet e atij vendi, dhe për më shumë një nga të afërmit e tij po udhëheq me këtë investim gjerman. Lajmi i mirë: Kompanitë gjermane po investojnë; lajmi i keq: Bindja e krijuar të kompanitë gjermane, që në Ballkan mund të ketë sukses investimi, por për këtë duhet partneriteti biznesor, me të afërm të Kryeministrave dhe Ministrave. Pra percepcioni dhe bindja e krijuar në Gjermani, në raport me kushtet e investimeve në vendet e Ballkanit Perëndimor, është kjo: edhe nëse nuk ka burokraci, edhe nëse nuk kërkohet mito, në mënyrë klasike, edhe nëse funksionon gjithçka tjetër, gjithsesi suksesin e investimit e garanton vetëm përfshirja në cilësinë e ortakut, e ndonjë të afërmi apo të afërme të strukturave udhëheqëse politike, të vendit të caktuar. Pyetja që shtrohet dhe krijon frikë, është e thjeshtë: çka ndodh me investimin nëse Kryeministri apo një garniturë politike në një vend të Ballkanit Perëndimor ndryshon? A është ky fundi i suksesit per kompaninë gjermane në atë vend?

Rrëfimi 2: Në vendet e Ballkanit po manipulohet skajshëm në emër të Gjermanisë, apo të përfaqësimit të interesave të biznesit dhe të kompanive gjermane, nga individë dhe shoqata, që të vetmen lidhje me Gjermaninë e kanë gjuhën gjermane të mësuar nga RTL apo ndonjë televizion tjetër gjerman. Ky lloj përfaqësimi, apo inskenimi i përfaqësimit të kompanive gjermane, me pompozitete mediale, duke baltosur gjithçka, ka vendosur barriera për komunikim normal biznesor, me kompanitë gjermane dhe ka krijuar dëme të pariparueshme në perceptimin që kanë kompanitë gjermane për mjedisin biznesor në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Rrëfimi 3: Një kompani gjermane pret me muaj për një takim me një Ministër të një vendi të Ballkanit Perëndimor. Pas 3 muajsh, Ministri e konfirmon takimin dhe kompania gjermane rezervon fluturimin dhe hotelin, me shpenzime të veta dhe niset për takim me Ministrin e vendit të caktuar, duke shtyrë për një javë tjetër, një takim të rëndësishëm, për një kontratë të rëndësishme, në një vend të Azisë Juglindore. Kur arrin te zyra e Ministrit, dikush me mirësjellje i thotë, që Ministri ka një takim shumë të rëndësishëm dhe duhesh të takohesh me këshilltarët e Ministrit. Takimi me këshilltarët ndodh dhe në fund të takimit ka një pajtueshmëri, që të vazhdohet me komunikim dhe shkëmbim të ideve për bashkëpunim dhe investime. Çka ndodh më pas? Kompania gjermane dërgon letër falënderuese për takimin dhe ofrimin e mundësisë për bashkëpunim, si dhe kërkon disa informata shtesë. Pret edhe 3 muaj tjerë dhe informata nuk vjen kurrë. Pra ka dështime në komunikimin bazik dhe mungesë mirësjelljeje qe është esenciale për të bërë biznes kudo.

Rrëfimi 4: 3 kompani gjermane me renome botërore, konkurrojnë në 3 vende të ndryshme të Ballkanit  Perëndimor, për të fituar kontrata për investime në sektorët strategjikë të këtyre vendeve. Në këto 3 vende, në kohë të ndryshme dështojnë procedurat e prokurimit, pas disa muajsh të vlerësimeve dhe ankimimeve.  Këshilla miqësore gjermane është: Ligjet e Prokurimit Publik dhe keqpërdorimet me këto ligje, po i largojnë përfundimisht kompanitë gjermane nga rajoni dhe kjo duhet të ndryshojë urgjent. Asnjë kompani nuk ka luks kohor dhe financiar të sillet poshtë e lartë me zgjidhë probleme dhe anomali, të organeve dhe  procedurave absurde të prokurimit publik.

Rrëfimi 5: Çdo vend i Ballkanit Perëndimor krenohet me fuqinë punëtore me kosto të ulët dhe të aftësuar. Por në hulumtimet e veta, kompanitë gjermane kanë dalë në perfundime që kostoja e fuqisë punëtore nominalisht është e ulët, por kostoja reale është e lartë, për shkak se në shumicën e rasteve duhen trajnime shtesë për punëtorët. Rekomandimi në këtë rast është direkt: mos prodhoni vetëm diploma universitare, por bëni aftësim profesional të fuqisë punëtore për profile që kërkon tregu i punës.

Por cila është lista e gjërave që ne duhet t’i bëjmë, nëse dëshirojmë të kemi praninë biznesore të ekonomisë më të fuqishme evropiane. Lista nuk është e gjatë, por është shumë përmbajtjesore:

1. Duhet të “shesim” së paku një storie suksesi, me investime të një kompanie të madhe gjermane në Kosovë, ku nuk mjafton vetëm krijimi i kushteve bazike, por fundamentale është siguria juridike afatgjatë, e garantuar nga sundimi i ligjit dhe respektimi i kontratave, e jo nga ortakëria biznesore me X apo Y të afërmin, e X apo Y politikanit.

2. Komunikim korrekt dhe mirësjellje mbi të gjitha. Nuk bëhemi më të rëndesishëm me arrogancë. Kultura e komunikimit ku arroganca të përcakton statusin, është lindore dhe e pranueshme vetëm në disa vende të ish bllokut lindor. Informacioni korrekt dhe në kohë, i dërguar përmes kanaleve të duhura, është i domsdoshëm, për sukses në nxitjen e investimeve.

3. Ligji i investimeve strategjike është parakusht për investime serioze. Është vetëm iluzion, insistimi që përmes tenderimit dhe “proceseve konkurruese”, me procedura që zgjasin së paku 2 vjet, të presim çfarëdo investimi në sektorët strategjikë: energji, telekom dhe miniera.

3. Edukimi, Edukimi dhe Edukimi. Nuk është e fundit për nga rëndësia. Në fakt është aspekti më i rëndësishëm. Si shoqëri, duke filluar nga struktura bazë e shoqërisë, pra në familje, duhet të fillojmë të ndryshojmë botëkuptimin e nevojës për edukim të duhur, për çdo anëtarë të familjes dhe shoqërisë, që aktualisht është i kufizuar në sigurimin e një diplome universitare që garanton punësim, mundësisht në administratë publike, banka, mësimdhënie apo në sistemin shëndetësor publik. Është e domosdoshme të ndryshojmë këtë “mindset”  të “akademizimit” të secilit, pasi që ne jemi në krizë për vende pune dhe në krizë vendet bëjnë reforma substanciale. Neve na duhen reforma në edukim, në dy drejtime: Universitetet Publike duhet të përcaktojnë kuota aq sa ka nevojë tregu i punës; bizneset duhet të kontribuojnë së paku në 50% të buxhetit për aftësim profesional, ndërsa Qeveria dhe donatorët pjesën tjetër – dhe kjo të rregullohet me ligj.

Investimi bëhët për të fituar dhe fitimi nuk mund të krijohet në vendet ku ka risk politik, paqartësi ligjore, arrogancë burokratësh dhe fuqi punëtore me diplomë, por jo e aftësuar për punë, e aq më pak aty ku ka gaz lotësjellës në rrugë e Parlament. Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të ndryshojnë! Armikun nuk e kanë në kufi, fqinjësi e as në Evropë.

 

 

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.