Meqë u mor vendimi mbi shtyrjen e mësimit për shkak të acaritë dhe përderisa fëmijët e mi luajnë video-lojëra, në vend se të jenë në shkollë dhe unë mungoj në punë, gjeta kohë të reflektoj pak mbi punën e MASHT-it dhe mobilizimin rreth çështjes PISA që u aktualizua kohëve të fundit.
PISA (Programi për vlerësim ndërkombëtar të nxënësve) që organizohet nga OECD (Organization for Economic Co-operation and Development) ka për qëllim vlerësimin e sistemit arsimor përmes testimit të njohurive dhe aftësive të nxënësve 15 vjeçarë, testim ky që zhvillohet çdo 3 vjet. Nxënësit vlerësohen për shkathtësistë e tyre në matematikë, shkencë dhe lexim. Në vitin 2015, 72 shtete nga mbarë bota morën pjesë në testim, pjesë e të cilit ishte edhe Kosova. Ky testim nxorri Kosovën si një ndër vendet me sistemin arsimor më të dobët në mesin e shteteve që morën pjesë.
Më specifikisht, mesatarja e rezultateve të performancës së nxënësve në Kosovë në këto tre fusha ishte një ndër më të ulëtat krahasuar me shtetet tjera pjesëmarrëse në testim. Mesatarja e njohurive të 15 vjeçarëve në fushën e shkencës dhe të matematikës e ranguan Kosovën në vendin 67 nga 69, përderisa sa i përket leximit u ranguam edhe më dobët, në vendin 68 nga 69.
Para pak ditësh, MASHT bëri thirrje që të mobilizohen të gjitha institucionet arsimore, përfshirë edhe nxënësit dhe prindërit, sepse po afrohet testimi i PISA-së që mbahet këtë vit, pjesë e së cilit testim është edhe Kosova. Thirrja për mobilizim më tingëlloi sikur ai zëri i arsyes që e thërret nxënësin të mësojë një natë para testit që e ka të nesërmën, përderisa nuk ka prekur libër me dorë gjithë gjysmëvjetorin.
Pa dashur të ndikoj në entuziazmin e ministrit Bytyqi rreth mobilizimit për testimin PISA që do të mbahet këtë vit, duhet ta kemi parasysh një fakt që lidhet me mënyrën dhe objektivat e testimit të PISA.
PISA vlerëson sistemin arsimor të 10 viteve të fundit, që do të thotë se rezultatet e PISA-së të testimit në vitin 2015 ku Kosova u rradhit në mesin e shteteve me performancën pothuajse më të dobët në secilën kategori, janë reflektim i sistemit arsimor që nga viti 2005. Domethënë janë reflektim i ndryshimeve të pa planifikuara dhe të pa testuara të qeverisjeve të ndryshme për një dekadë rresht. Rrjedhimisht, rezultatet e testit PISA të këtij viti do të reflektojnë sistemin arsimor të Kosovës që nga viti 2008 dhe nuk janë reflektim i të nxënit të nxënësve në 6 muaj para testimit.
Nëse reflektojmë pak prapa, që nga viti 2008 e deri më sot ka pasur shumë strategji për ndryshime dhe reforma në sistemin arsimor, shumë prej të cilave konsiderohen të dështuara. Në anën tjetër, rezultatet e reformës së fundit dhe mund të thuhet reformës më të madhe në sistemin e arsimit parauniversitar që ka filluar të aplikohet në vitin 2017, të bazuar në kompetenca dhe të nxënit për fusha kurrikulare (kurrikula bërthamë), e cila konsiderohet të jetë me standarde evropiane, do të jemi në gjendje t’i vërejmë vetëm në testimin e PISA-së të vitit 2027.
Përkundër kësaj, pjesëmarrja në PISA është indikator i përpjekjeve për përmirësim të sistemit arsimor, sepse raportet e këtij sistemi të vlërësimit ofrojnë reflektim të detajuar dhe konkret për secilin indikator dhe nxjerrin në pah mangësitë e sistemit të tanishëm, të cilat pastaj kërkojnë strategji të veçantë për përmirësim. Për shembull, nga raporti i fundit i PISA-së del që numri i kompjuterëve në dispozicion për nxënës në shkolla është shumë i vogël në krahasim me shtetet e tjera pjesëmarrëse në testim (vendi 66 nga 69). Njëjtë ulët është vlerësuar përqindja e mësimdhënësve që kanë marrë pjesë në programe të zhvillimit profesional për mësimdhënës (61 nga 69).
Raporti nxjerr në pah informata mjaft interesante, për të cilat shumë shpesh kemi spekuluar në biseda jo-formale me miq ose në rrjete sociale. Për shembull, raporti nxënës – mësimdhënës është rradhitur mjaft lartë në PISA (vendi 8 nga 69), që do të thotë se spekulimi se mësimdhënësit janë të mbingarkuar, nuk qëndron.
Në anën tjetër, edhe pse faktori ekonomik konsiderohet të jetë një ndër faktorët më të rëndësishëm kur është fjala për performancën akademike, lajmi i keq për politikbërësit dhe ne qytetarët që provojmë t’i arsyetojmë dështimet tona me faktin që jemi vend i varfër, është që PISA vlerëson se faktori socio-ekonomik në Kosovë shumë pak e ndikon performancën e nxënësve në fushën e shkencës.
Shembull konkret që jo-domosdoshmërisht faktori ekonomik është faktor kryesor është shembulli i Singaporit. Siç raporton BBC UK, Singapori, shtet aziatik, pas pavarësimit në vitin 1965 u përball me krizë të tmerrshme të papunësisë dhe të strehimit. Megjithatë, deri në fund të viteve 1960, Singapori zhvilloi strategji të fokusuara, njëra prej së cilave ishte edhe fuqizimi dhe prioritizimi i sistemit publik arsimor. Singapori, deri në vitin 1990, jo vetëm që ka arritur të pozicionohet në PISA në mesin e shteteve që qëndrojnë më së larti, por është ranguar edhe në mesin e shteteve më me prosperitet në botë, vend me ekonomi shumë të zhvilluar me tregti të lirë dhe vendi me bruto prodhim të brendshëm më të lartë për kokë banori në Azi, kryesisht falë investimit në arsim.
Fokusi kryesor i reformës në Singapor thuhet të ketë qenë investimi në mësimdhënës duke i bërë tërheqëse pozitat e mësimdhënësve për të tërhequr kuadro sa më të mira dhe pastaj duke vazhduar me ngritjen e kritereve të rekrutimit të mësimdhënësve. Në Singapor, si mësimdhënës përzgjedhesh vetëm nëse je në mesin e 5% të të diplomuarve më të mirë.
Pas procesit të rekrutimit, secili mësimdhënës është i obliguar t’i nështrohet trajnimeve nga Instituti kombëtar i edukimit në Singapor. Në vendet si Finlanda dhe Singapori, është privilegj të jesh mësimdhënës. Është titull ekuivalent me mjek.
Atëherë ku qëndron problemi në rastin e Kosovës? Ne si vend, kemi pasur reforma të panumërta viteve të fundit. Raporti nxënës-mësimdhënës vlerësohet ta kemi mjaft të favorshëm, e megjithatë në PISA jemi vendi që më së paku kemi investuar në zhvillimin profesional të mësimdhënësve (vendi 61 prej 69). Kjo do të thotë që reformat janë nxjerrë në letër, mirëpo a janë komunikuar? A janë aplikuar?
Tani, z. ministër, ju sigurisht jeni të vetëdijshëm që vendimet tuaja ndikojnë direkt jo vetëm në edukimin e popullatës por kanë ndikim direkt në zhvillimin e tërë vendit, si dhe në reputacionin e vendit para botës.
Vendimet ad-hoc e impulsive, pa i menduar pasojat dhe pa asnjë plan mbështetës siç ishte vendimi i përjashtimit të bordit të Agjencisë Kosovare të Akreditimit e që rezultoi me përjashtimin e Kosovës nga EQAR (European Quality Assurance Register for Higher Education) janë duke na kushtuar dhe do të kenë pasoja serioze në të ardhmen.
Singapori nuk i ka përmirësuar rezultatet në PISA duke i mobilizuar mësimdhënësit 6 muaj para testimit, e as duke shtuar ditë pushimi pse temperaturat kanë rënë nën zero gradë ose duke reduktuar orë mësimi për shkak të festave, e bile as duke bërë reforma sipas dëshirave dhe preferencave individuale ose partiake. Ata e bënë prioritet arsimin publik duke investuar në të dhe punuan në një strategji të vetme, afatgjate, në mënyrë konsistente, me dekada. Plani dhe objektivat ishin të qarta për ta.
Tani pyetja ime është: a mund ta ndjekim edhe ne shembullin e Singaporit? Menjëherë pas pavarësisë në vitin 1965 ata ishin në pozitë pothuajse të njëjtë sikur Kosova që ishte pas pavarësisë së saj (me papunësi të lartë, krizë të thellë ekonomike dhe nivel të lartë të korrupsionit). Sikurse Singapori, a mund të fokusohemi dhe të punojmë në mënyrë konsistente në një strategji të vetme për arsimin? Prioritete dhe reforma në letër kemi pasur mjaft. Mbase tani është koha të fokusohemi në njerëzit që duhet t’i aplikojnë ato reforma – mësimdhënësit. T’i motivojmë, t’i përkrahim, por edhe t’i mbikëqyrim dhe të sigurohemi që vetëm më të mirët të kenë vend aty. Të sigurohemi që i kanë kuptuar reformat dhe që po i zbatojnë ato me përpikëri. Me këtë matematikë, besoj se do të mburremi me rezultatet e Kosovës në PISA 2027.
Nga perspektiva e prindit të brengosur.