Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Pjesëmarrja serbe në Zgjedhjet Komunale të Kosovës 2017: Një parti që t’i përfaqësojë të gjithë

Zgjedhjet që u mbajtën më 22 tetor 2017, ishin zgjedhjet e dyta për kryetarë të komunave dhe për kuvendet komunale në të gjitha komunat e Kosovës, që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës më 19 prill 2013. Raundi i dytë i zgjedhjeve u zhvillua më 19 nëntor, në 19 nga 38 komunat në Kosovë, përfshirë këtu një komunë me shumicë serbe (Klokoti). Në komunën e Parteshit, zgjedhjet u përsëritën në po të njëjtën ditë për shkak të vendimit të mëparshëm të KQZ-së për anulimin e rezultateve të raundit të parë si pasojë e parregullsive në zgjedhje. Zgjedhjet për kryetarët e komunave dhe ato për kuvendet komunale u mbajtën pak pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, që qenë mbajtur në qershor të vitit 2017 dhe vetëm disa javë pas formimit të koalicionit qeverisës, që përfshinte edhe subjektin më të madh politik nga komuniteti serb – Listën Serbe.

Rezultati erdhi pa befasi të mëdha, pasi që kandidatët për kryetarë të komunave nga Lista Serbe fituan në 9 nga 10 komuna në raundin e parë të zgjedhjeve. Pas zgjedhjeve të përsëritura në Partesh dhe pas transferimit kolektiv të përfaqësuesve të Iniciativës Qytetare Kllokot -Verbovc në Listën Serbe, kjo parti politike fitoi në të gjitha (10) komunat me shumicë serbe, si në zgjedhjet për kryetarë të komunave, ashtu edhe në zgjedhjet për këshilltarë në kuvendet komunale. Lista Serbe, në mënyrë të pavarur, fitoi rreth 70% të totalit të votave në dhjetë komunat me shumicë serbe. Në këtë mënyrë, lista Srpska çimentoi pozitën e saj si partia më e madhe e serbëve të Kosovës, dhe zgjedhjet në të njëjtën kohë përfaqësonin “vdekjen simbolike” të opozitës. Pak kohë pas kësaj, më 16 janar 2018, para selisë së partisë në Mitrovicën e Veriut u vra kreu i shquar i opozitës nga CI SDP, Oliver Ivanoviq, një rast i vrasjes që deri më sot ende nuk është zgjidhur.

Pjesëmarrja në zgjedhje në komunat me shumicë serbe në vitin 2017 ishte në një nivel shumë më të lartë se në zgjedhjet lokale të vitit 2013. Pjesëmarrja e përgjithshme në zgjedhje në 10 komunat me shumicë serbe ishte rreth 43% dhe përputhej me pjesëmarrjen mesatare në zgjedhje të pjesës tjetër të Kosovës. Pjesëmarrja më e madhe në zgjedhje sesa në vitin 2013 ishte rezultat i një numri dukshëm më të madh të qytetarëve që votuan në katër komunat në veri të Kosovës. Arsyeja për këtë mund të shihet në ndikimin e qëndrimit të qartë të Beogradit dhe thirrjet e bëra për votim, si dhe në mobilizimin e përgjithshëm të Listës Serbe, për të ndikuar mbi qytetarët që ata të votojnë. Në total, në veri të Kosovës votuan rreth 25,000 votues, ose rreth 43% të votuesve të regjistruar. Ky rezultat është një shenjë se integrimi institucional i serbëve të Kosovës, i parashikuar me Marrëveshjen e Brukselit, është përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme. Për dallim nga zgjedhjet e vitit 2013, kur vetëm 13,000 votues në veri e shfrytëzuan të drejtën e tyre të votimit, për shkak të thirrjes për bojkot, tani numri ishte dukshëm më i lartë.

Në përgjithësi, dita e zgjedhjeve kaloi në një atmosferë paqësore, gjë që paraqet një përmirësim në krahasim me zgjedhjet e vitit 2013, por është e dukshme se në zgjedhjet e mëparshme lokale, pluralizmi politik ishte më i theksuar. Në krahasim me ciklin e mëparshëm të zgjedhjeve në gjashtë komunat me shumicë serbe në jug të Kosovës, një numër më i vogël i subjekteve politike morën pjesë në këto zgjedhje. Për dallim nga zgjedhjet lokale të vitit 2009 dhe ato të vitit 2013, kur partitë politike të etabluara, si, Partia e Pavarur Liberale (SLS) dhe Partia Demokratike Progresive (PDS) kishin mbështetje të konsiderueshme nga qytetarët dhe kandidatët për kryetarë të komunave në të gjitha komunat, në zgjedhjet e vitit 2017, SLS-ja nuk kishte kandidatë për kryetarë në asnjërën prej komunave, dhe PDS-ja kishte një kandidat vetëm në Ranillug. Deri në vitin 2013, SLS-ja ishte partia kryesore në të gjitha (gjashtë) komunat me shumicë serbe në jug të Kosovës. Në komunën e Shtërpcës, kandidati i Listës Serbe, Bratislav Nikoliq nuk kishte kundërshtar nga komuniteti serb.

Është me rëndësi të theksohet se procesi zgjedhor dhe fushata parazgjedhore në zonat me shumicë serbe ishin dukshëm më ndryshe se ato në komunat e tjera. Atmosfera zgjedhore në komunat me shumicë serbe u karakterizua nga presionet mbi kandidatët politikë që të tërhiqeshin nga procesi zgjedhor dhe konkurrenca e kufizuar, që minuan parimet bazë të procesit demokratik në ato treva. Lista Serbe ishte favorite e qartë për fitoren në zgjedhje në të gjitha komunat me shumicë serbe. Duke pasur parasysh se ajo u mbështet nga Beogradi dhe e fuqizuar nga burimet që e mundësonin atë të zhvillonte një fushatë mbizotëruese, ishte e vështirë të pritej që dikush do ta rrezikonte epërsinë e saj.

Ka pasur disa raste të frikësimit të votuesve dhe të kandidatëve, si dhe raste të abuzimit me resurse publike. Disa kandidatë që nuk ishin të Listës Serbe u tërhoqën nga gara zgjedhore; dyshohet se kjo kishte ndodhur si pasojë e frikësimit. Para fillimit të vetë fushatës zgjedhore, në kuadër të disa incidenteve, dy vetura të kandidatëve të njohur të opozitës politike për kryetarë të komunave ishin djegur. Burimet e medias thonë se institucionet që funksionojnë në sistemin e Serbisë kanë marrë pjesë në ushtrimin e presionit ndaj kandidatëve që nuk janë në kuadër të Listës Serbe në disa komuna me shumicë serbe. Raste të tilla kanë rezultuar në ngjarje të tilla që disa personave u është ndërprerë punësimi në rrethana të paqarta. Raste të caktuara të frikësimit të kandidatëve rrallë raportohen. Atmosfera në fushatë zgjedhore ishte veçanërisht e tensionuar në veri, me incidente të shpeshta të dhunshme ku përfshiheshin konflikte fizike ndërmjet mbështetësve të partive rivale, Listës Serbe dhe PKS në Leposaviq.

Vetëm Lista Serbe si partia më e madhe politike dhe e vetmja me mbështetje nga Beogradi kishte resurset për të organizuar mitingje dhe tubime të mëdha me qytetarë në të gjitha vendet me numër më të madh banorësh, domethënë gati në të gjitha komunat me shumicë serbe. Disa subjekte politike, përfshirë IQ SDP Oliver Ivanoviqit të ndjerë, u përmbajtën nga organizimi i tubimeve më të mëdha, për të parandaluar ndonjë presion ndaj kandidatëve dhe mbështetësve të tyre. Disa lista u ankuan (IQ SDP, Për Zve?anin Tonë, PKS) se atyre u ishte ndaluar të reklamonin në media të caktuara, ata pretendonin se ato media ishin nën ndikimin e Listës Serbe. Punësimi në shërbimet publike u rrit dukshëm dhe në mënyrë të konsiderueshme, si në institucionet e sistemit të Kosovës, ashtu dhe në ato që veprojnë sipas legjislacionit të Serbisë.

Ngritja e Listës Serbe është e kuptueshme, por në asnjë mënyrë e justifikueshme. Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013, Beogradi zyrtar është zotuar të bëjë atë që duhet për të siguruar zbatimin e marrëveshjeve dhe për ta bërë këtë u formua Lista Serbe. Logjika prapa formimit të një opsioni politik që do ta përfaqësonte të gjithë komunitetin serb në Kosovë ishte që të sigurohej një proces i papenguar i integrimit, pa mundësinë që të ngriteshin zërat e brengosur të njerëzve në nivel lokal. Megjithatë, Lista e Serbe ishte e pamjaftueshme, prandaj gjatë rrugës duhej të përdoreshin edhe mekanizma të tjerë – në njërën anë mbështetja bujare nga Beogradi zyrtar në fushatën zgjedhore dhe në anën tjetër elementët gri të shtrëngimit të votuesve dhe të kundërshtarëve politikë.

—-

Ky shkrim mbështetet nga D4D, si pjesë e projektit ‘Avancimi i proceseve demokratike’ financuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.