Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Po kundërmoni shqype!

Në gusht 2015, mbi 70.000 qytetarë ishin mbledhur në sheshin e martirëve në Bejrut me një slogan të vetëm ‘Po kundërmoni’. Po ju vjen era, ishte slogani i qytetarëve të Libanit kundër elitave të korruptuara politike dhe mosfunksionimit të sistemit politik. Lëvizja kishte fituar momentumin e saj politik dhe kishte mobilizuar një numër të konsideruar të qytetarëve libanezë.

Kosova ka nevojë për një Lëvizje të Re Shoqërore. Fjala vjen, në Kosovë nuk ka një protestë masive për një kauzë shoqërore. Deri tani, sheshet e qyteteve të Kosovës, përfshirë sheshin e Prishtinës, nuk i kanë bërë ‘konak’ asnjë proteste masive kundër korrupsionit. Kundër krimit të organizuara. Drejtësisë selektive. E të tjera. Nëse ka pasur protesta masive ato çdoherë kanë qenë protesta për kauza nacionale. Ka një kohë që lidershipi politik në Kosovë kundërmon nga korrupsioni. Prandaj, a nuk vlen i njëjti slogan për liderët politik në Kosovë: po kundërmoni shqype! Në Kosovë ka nevojë për një lëvizje antikundërmuese që fillon me lëvizë shtetin drejt funksionimit, demokracinë drejt konsolidimit dhe ekonominë drejt zhvillimit.

Pse një Lëvizje e Re Shoqërore? Gjatë viteve 90-ta Kosova kishte organizuar një lëvizje paqësore. Forca gravituese e kësaj Lëvizjeje rrotullohej rreth Lidhjes Demokratike të Kosovës, kurse një rrjet i gjerë i organizatave të shoqërisë civile, përfshirë këtu edhe pjesën dërrmuese të partive politike të asaj kohe silleshin rreth një projekti nacional për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe çlirimin e Kosovës nga represioni serb. Lëvizja Kosovare kishte ndërtuar një rrjet të gjerë institucionesh, përfshirë këtu arsimin si shtyllë e rezistencës masive, shërbimet shëndetësore, medie, etj. Megjithatë, tendenca e lëvizjes ishte që rezistenca të institucionalizohej në të ashtuquajturat institucione paralele dhe shtet paralel virtual. Kjo ishte kohë e një pluralizimi të similuar, duke e marrë parasysh faktin se forca dominuese politike e kësaj kohe ishte LDK-ja, kurse partitë tjera silleshin rreth këtij projekti të LDK-së.  Përkundër shfaqjes së këtij ‘pluralizmi të simuluar’, si një lëvizje e përgjithshme kombëtare shqiptare, Historiani Oliver Schmitt konkludon se ‘mes viteve 1992-1995, LDK-ja sundoi në shoqërinë kosovare pothuaj e pasfiduar’ duke i lënë shumicën e partive të tjera në hije.

Pas vitit 1999, Kosova futet në një ‘pluralizëm të polarizuar’. Ishin regjistruar një numër i madh i partive politike. Përkundër forcës ende dominuese të LDK-së në terrenin politik, repertuari i partive politike që e konsideronin veten trashigimtarë të luftës së UÇK-së dhe atyre që kishin ndjekur një qasje paqësore për çlirimin e Kosovës kishte arritur zenitin. Partitë politike i konsideronin kundërshtarët politik armiq politik.  Gara politike zhvillohej me një ashpërsi retorike dhe identifikimi i ndërsjelltë i partive politike me kategori politike schmittiane ‘mik-armik’ ishte shndërruar në një diskurs thuajse ‘zyrtar’ dhe ‘normal’ në përditshmërinë politike në Kosovë. Në një ambient politik të tillë ku partitë politike e trajtonin njëra-tjerën si armike, mundësia e demokratizimit të brendshëm të partive politike në Kosovë dhe adresimi i problemeve kolektive ishte jashtë çdo diskutimi. Carl Schmitt, një jurist dhe filozof me nam gjerman, vëren se për të qenë armik politik nuk do të thotë të jesh domosdo moralisht i lig apo estetikisht i shëmtuar, ekonomikisht i fuqishëm e kështu me radhë.  Armik është ai që është ‘ekzistencialisht i ndryshën dhe i huaj dhe që në raste ekstreme konfliktet me të janë të mundshme’.

Pas zgjedhjeve të 2004 dhe 2007, së pari LDK dhe AAK, së dyti, PDK dhe LDK, kishin ndërtuar një koalicion të madh qeverisës në Kosovë. Këto koalicione të mëdha, në një formë ose tjetër, kishin ‘zbutur’ repertuarin e gjuhës armiqësore të partive politike. Kosova ishte futur në një ‘pluralizëm të moderuar’. Zgjedhjet e vitit 2014 e kishin riprodhuar të njëjtin diskurs përjashtues politik, por jo të ngjashëm në tonë dhe përmasë si në Kosovën e pasluftës së 1999. Tashmë kundërshtarët politikë nuk e konsiderohenin njëri-tjetrin si armiq apo tradhtarë, por si hajna. Njerëz të korruptuar. Derisa në Kosovën e pas 1999, PDK, si një parti e sapothemeluar kishte monopolizuar vlerat ‘puritane’ kombëtare, për të ‘gozhduar’ kundërshtarët e saj politikë, madje duke i vënë në diskutim orientimet kombëtarizuese të tyre, në Kosovën e pas 2014, kundërshtarët politik të PDK-së, përfshirë këtu LDK, AAK, VV, dhe Nisma, ‘gozhdonin’ PDK-në, me diskursin e antikorrupsionit.

Përkundër diskursit antipdkist të VLAN, Gjykata Kushtetuese me një vendim të saj kishte vlerësuar të drejtën e PDK-së, si parti fituese e zgjedhjeve, për të formuar qeverinë. Në njërën anë, sot ballafaqohemi me një koalicion mes dy partive të mëdha PDK dhe LDK, që potencialisht mund të vendosin për një regjistër të gjerë të çështjeve publike pa asnjë pengesë procedurale, vendime që përmbajtësisht mund të rezultojnë të gabuara për interesat kolektive. Në anën tjetër, përballë këtij koalicion të madh, VV, AAK dhe Nisma, duke i problematizuar vetëm demarkacionin dhe Asociacionin e Komunave Serbe, nuk po e ndihmojnë mirëqeverisjen në vend. As duke e monitoruar qeverinë. As duke e informuar publikun dhe mbajtur qeverinë përgjegjëse për politikat publike. Dhe as duke ofruar politika publike alternative për problemet e interesit kolektiv. Po aq sa është joparimor, joidelogjik dhe joprogramatik koalicioni qeverisës PDK dhe LDK, po aq joparimor, joidelogjik dhe joprogramatik mbetet koalicioni i partive opozitare kundrejt kësaj qeverie.

Shtatë vjet pas pavarësisë, pesëmbëdhjetë vjet pas administrimit ndërkombëtar të misioneve të huaja (UNMIK, EULEX, ICO), njëzetepesë vjet pas organizimit të rezistencës civile në Kosovë, Kosova ka nevojë urgjente për një Lëvizje të Re Shoqërore. Asnjë parti e vetme politike nuk do të mund të organizonte veprime të tilla kolektive dhe do të mund të ofronte alternativa ndaj problemeve kolektive në Kosovë. Të gjitha partitë politike në Kosovë kanë pasur mundësinë që t’i adresojnë këto probleme kolektive që nga viti 1999. Shumica kanë qeverisur me Kosovën në nivel qendëror përmes Koalicioneve të Mëdha. Përjashto këtu Lëvizjen Vetëvendosje. Kjo e fundit ka humbur momentumin politik për ta drejtuar një Lëvizje të Re Shoqërore, për faktin se VV filloi si rrjet, në mes u bë organizatë, dhe përfundoi si subjekt politik/parti politike. Siç thotë William Gamson, ‘kur organizimet, përfshirë organizimet e lëvizjeve shoqërore, byrokratizohen, dëshira për mbijetesën e organizimit vjen dhe i dominon objektivat e deklaruara kolektive’. Kjo është arsyeja pse potencialisht një Lëvizje e Re Shoqërore duhet të organizohet si tip Rrjeti dhe jo si tip Organizate.

Por, çfarë janë Lëvizjet Shoqërore? Debati shkollar për lëvizjet shoqërore është i pafund. Donatella Della Porta, duke i studiuar mes tjerash depërtimet teorike të Mario Diani-t, vë re se lëvizjet shoqërore janë procese të dallueshme shoqërore përmes së cilave aktorët organizojnë veprimet e tyre kolektive. Tri karakteristika të këtyre veprimeve kolektive i bëjnë të dallueshëm lëvizjet shoqërore prej organizimeve të tjera. Këto janë: 1) aktorët e lëvizjes janë të përfshirë në një marrëdhënie konfliktuale me kundërshtarët e tyre të definuar qartësisht; 2) lidhen përmes rrjeteve të denduara informale dhe 3) ndajnë një identitet të dallueshëm kolektiv.

Sipas Della Porta, së pari, veprimet kolektive konfliktuale nuk nënkuptojnë dhunë, por marrëdhënie kundërshtuese mes aktorëve. Së dyti, ajo që i dallon lëvizjet shoqërore prej veprimeve të tjera kolektive janë rrjetet e denduara informale, në të cilat rrjete lëvizja merrë frymë. Asnjë organizatë nuk mund ta përfaqësojë lëvizjen si tërësi. Siç thotë Della Porta, ne mund të flasim për ekzistencën e një lëvizjeje shoqërore atëherë kur aktorët, qoftë individët apo aktorë të organizuar, ruajnë pavarësinë e tyre, por angazhohen në ndjekjen e qëllimeve të përbashkëta. Kjo nënkupton koordinim dhe negociim të vazhdueshëm të aktorëve të përfshirë në lëvizje për strategjinë më efikase dhe më efektive.  Së treti, kur flitet për identitetin kolektiv të lëvizjes, nuk është fjala domosdo për një identitet kolektiv etnik. Identiteti kolektiv krijohet nga kauza(t) kolektive. Për Della Porta, lëvizjet shoqërore janë më shumë se shuma e protestave, apo kampanjave të vecanta. Për Della Porta, mund të flasim për lëvizje shoqërore atëherë kur veprimet kolektive shkojnë përtej iniciativave të veçanta, të cilat mundësohen nga aktorët që përfshihen në veprime kolekteve. Identiteti kolektiv zhvillohet së bashku me ndërmarrjen e veprimeve kolektive.

Kosova ka nevojë për ndryshime sistematike politike. Një lëvizje që transformon në mënyrë inkrementale dhe jo revolucionare logjikën llogaridhënëse të institucioneve politike, e bën qytetarin pronar të shtetit, dhe adreson zhvillimin ekonomik. Asnjë protestë e vetme nuk mund t’i adresojë këto ndryshime. Asnjë organizatë e vetme e shoqërisë civile. Asnjë parti politike. Asnjë intelektual i vetëm. Asnjë shoqatë e artistëve. Asnjë organizatë studentore. Asnjë sindikatë e punëtorëve. Asnjë asociacion i gazetarëve. Asnjë institucion, qoftë ky Universitet apo Akademi. Asnjë organizatë ndërkombëtare. Mision i huaj civilizues. Ndryshimet rrënjësore politike bëhen nga veprime kolektive të të gjithë aktorëve që planifikojnë të jetojnë në Kosovë. Në një shoqëri të lirë dhe të drejtë. Të mundësive të barabarta. Që qendërsynim ka të mirën e përbashkët.

Prandaj, potencialisht, një Lëvizje e Re Shoqërore në Kosovë do të duhej t’i përfshinte të gjithë aktorët e mësipërm në definimin e strategjisë më të mirë për t’i adresuar kauzat kolektive të Kosovës. Këto nuk janë dhe nuk mund të jenë kauza individuale. Nuk mund të adresohen nga një grup ekspertësh ose teknokratësh. Nuk janë dhe nuk mund të adresohen as nga një organizatë, as më pak nga një parti politike. Masivizimi i një lëvizjeje të tillë, dhe diversifikimi i burimeve potenciale të saj, do ta largonte atë nga përdorimi strategjik i dhunës paçka se qeveria nuk do të kishte shkas që ta shtypte ose pamundësonte veprimin e saj kolektiv. Një lëvizje e tillë jashtëinstitucionale, me shumë udhëheqës, pa byrokraci dhe hierarki rigjide, do të mund të kanalizonte potencialisht në njëfarë mase energjinë e të gjithë atyre qytetarëve të papërfaqësuar, ose gjysmë të përfaqësuar dhe do të mund t’i subjektizonte ata si aktorë politikë në Kosovë. Një lëvizje e tillë nuk duhet të kundërmojë ndasi, por t’ofrojë ide, veprim, energji dhe mobilizim për veprim kolektiv.

 

___________

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.