Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Politika si pasion dhe anim

Si përpjekje ose luftë simbolike për pushtet, domethënë për të fituar përkrahje e vota që sjell pushtet, politika zhvillohet edhe në sferën e emocioneve. Politika është pasion e zjarr që synon të ndezë emocionet dhe të çojë peshë zemrat duke përdorë sllogane, demagogji e propagandë për të siguruar animin e qytetarëve. Dhe duhet të pranohet si e tillë.

Politika jeton në dy regjistra: në emocion dhe arsye, ose me thënë ndryshe, në zemër e mendje. Ajo është gufim, polarizim e mosmarrëveshe (dissensus), në njërën anë, dhe reflektim, diskutim, përafrim e marrëveshje (konsensus), në anën tjetër. Herë pas herë këto dy regjistra, i përzihen njëri-tjetrit dhe ndërveprojnë, nganjëherë më shumë, e nganjëherë më pak, marrin nga njëra-tjetra dhe i japin njëra-tjetrës. Ama, dallimi është i qartë. Politika është pasion, zjarr, ngazëllim, anim, sharje, propagandë, populizëm. Pa këto, politika e humb gjakun gufues që i shtyn njerëzit të marrin qëndrime politike dhe të angazhohen në veprime politike, çfarëdo qofshin ato, që nga votimi deri të format më aktive të pjesëmarrjes qytetare. Nuk reduktohet përjetimi politik në veprim racional, sado që ai është pjesë e rëndësishme e vetëdijes politike.

Si pasojë e zhvillimeve politike të kohëve të fundit që nxitën pretendimet për ftohje të marrëdhënieve me administratën amerikane dhe rezultuan me votën e mosbesimit ndaj qeverisë në pikun e luftës shtetërore kundër pandemisë së koronavirusit, shumëkush u kaplua nga zjarrmi e pasioni politik, duke shfry hidhërimin që na e nxorën politikanët. Shumë ma tepër se sa e qëndrimeve të ftohta dhe thirjeve të baraspeshuara për fajin e përbashkët, tani është koha e pasionit dhe animit. Është e kotë të frenohet emocioni e animi, kur për gjysmën e qytetarëve u rrëzua qeveria që ktheu shpresën në drejtësi e sundimin të ligjit, ndërsa për gjysmën tjetër, u rrëzua qeveria e udhëhequr nga politikani që po na prish marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Andaj, është shumë e natyrshme që beteja politike këto ditë të zhvillohet në frontin e emocionit për të joshur zemrat e qytetarëve dhe votuesve nga njëri kamp në fushëbetejën politike.

Për njërën palë, këtu po rroken të pabarabartët, zullumqarët dhe viktimat, mujsharët e vegjëlia: “Klani pronto” në njërën anë dhe të gjithë të tjerët në anën tjetër që për fajt të “Klanit” nuk kanë as punë, as shkollë, as shtëpi, as siguri, as shëndet, as gëzim e as të ardhme në këtë vend. Si e tillë, është situatë e cila thëret shoqërinë qytetare të rreshtohet në njërën nga dy anët e shoqërisë politike: me shtypësit ose me ata të cilëve ua besuam detyrën për t’i dhënë fund shtypjes. Të parët e kanë dëshmuar se sa kanë potencial për shkatërrim e krim, ndërsa të dytët e kanë rastin për t’i dhënë fund krimit e shkatërrimit. A mund të ketë dilemë në këtë për ata që mendojnë kështu?!

Për palën tjetër, Kryeministri (tashmë i shkarkuar) Albin Kurti është antiamerikan ose, sipas një qëndrimi më të matur, njeriu që po e refuzon ofertën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shtetit mik, për të arritur marrëveshje me Serbinë. Atij nuk mund t’i besohet udhëheqja e shtetit, pasi që ka kundërshtuar të gjitha zhvillimet që e kanë bërë Kosovën shtet dhe të pavarur: dialogun dhe negociatat për pavarësi në Vjenë, Planin e Ahtisarit që vuri bazat e shtetit të pranuar të Kosovës, Kushtetutën e Republikës, simbolet e saj dhe përkrahësin e garantuesin e shtetësisë: SHBA-të. Si alternativë, ai luan me kartën populiste të utopisë së bashkimit kombëtar si formë e eskapizmit ose e demogogjisë populiste. Për më tepër, Albin Kurti është lider me tendenca autoritare që synon dominim dhe që nuk mund të tejkalojë ambiciet e tij dominuese, siç pritet prej një kryetari të qeverisë.

Përtej gjykimeve se cilit politikan dhe cilës parti i bie faji që mbaruam në këtë gjendje, jam i vetëdijshëm se kjo është një situatë e pështjelluar dhe asnjëra parti nuk mund t’i lajë duart e përlyera nga shtyrjet politike. Sidoqoftë, tash jemi në një situatë të polarizuar në pakthim. Është një situatë në të cilën shumica e pjesëtarëve të publikut e ka gati të pamundshme të peshojnë gjakftohtë dhe racionalisht se si ndodhi dhe kujt i bie përgjegjësia. Shumëkush nuk do të lodhet me gjetjen e të vërtetës në këtë situatë; kush e ka mirë, e kush keq, kush ka të drejtë, e kush jo. Kur konfrontohen të kundërtat dhe të papajtueshmet, nuk është situatë e volitshme për të gjetë të vërtetën objektive. Puna është se në anën e kujt je: të shtypësve a të shtypunve, të antiamerikanëve a proamerikanëve. Këtu qëndron e vërteta, në zgjedhjen që bën. Në raste të tilla, nuk mundesh pa marrë anë.

Mundesh mos me qenë anëtar i ndonjë partie ose mos me i shprehë botërisht qëndrimet politike, por nuk mundesh me pasë qëndrim të paanshëm në politikë. S’ka mundësi, sepse, edhe nëse do të qëndrosh i paanshëm, politika të prek ty si si punëtor, si i papunë, si student, si prind, si burrë, si grua, si i ri, si i moshuar, si i shkolluar, si i pashkolluar, si i kamur, si i skamur, si arsimtar, si profesionist, si teknik, si intelektual, si artist, si punëtor dhe si qyshdo që jeton e fiton për jetesë në organizatën politike që e quajmë shtet.

Veçse, ndikim i politikës nuk është i njëtrajtshëm tek të gjithë njerëzit. Një politikë e caktuar ndikon ndryshe tek ti dhe ndryshe tek tjetri, në varësi prej pozitës në shoqëri. Madje, ndoshta në masë më të vogël, edhe ato politika që thuhet se janë në interes të përgjithshëm ose publik, bie fjala, ato që kanë të bëjnë me shëndetësinë, arsimin, sigurinë, infrastrukturën, etj., ndikojnë jonjëjtë tek qytetarët dhe janë në interes më të madh për shtresa e grupe të caktuara dhe në interes më to vogël për grupe e shtresa të tjera të shoqërisë. Vendime të caktuara politike e përcaktojnë cilësinë e jetës jonjëtrajtshëm: dikuj ia bëjnë jetën të lehtë e të dashur, e dikuj tjetër, ferr. Nganjëherë, ato e vënë në lojë jetën tënde dhe mund të të kushtojnë me jetë (është ironike se “Lojë jete” titullohet projekti i filmit që qeveria e kaluar e kishte sponsorizuar nga buxheti rezervë i shtetit: dikush ia ka pa hajrin atij vendimi politik, por dikujt të shtrirë në spital, kjo mundet t’i ketë kushtuar me jetë. Shihni rreth vetes dhe do të gjeni shumë shembuj. Është si në atë proverbën e gotës gjysmë të mbushur, a gjysmë të zbrazur, për të cilën pata argumentuar se vlerësimimi yt për gotën gjysëm të mbushur a gjysëm të zbrazur, varet prej pozitës tënde në gotë dhe jo prej pikëpamjes optimiste a pesimiste dhe broçkullave të tilla ideologjike.

Andaj, për aq sa politika ka të bëjë me interesin, ndërkaq interesat janë të ndryshëm dhe shpeshherë të papajtueshëm, politika është anim, domethënë të anosh kah interesi yt ose i grupit tënd. Mirëpo, gjithashtu, politika është art që na mundëson të arrijmë një baraspeshim, sado të brishtë dhe të përkohshëm, të interesave të papajtueshme, ose na jep iluzionin e baraspeshimit të tyre, pa ia nxjerrë sytë njëri-tjetrit. Shprehjet emocionale, të zjarrta dhe pasionante (me një fjalë, irracionale) të animeve politike nuk janë pa meritë: ato përbëjnë shfryerje të kontrolluar të pasionit në fusha të luftës simbolike ku garancitë kushtetuese dhe ligjore nuk lejojnë që pasioni politik të shpërthejë në luftë reale të përgjakur.

Natyrisht, asgjë nga kjo që thashë nuk nënkupton se politika e përjashton reflektimin e ftohtë dhe pa ngarkesa emocionale që turbullojnë mendjen dhe pengojnë mendimin, e as që politika e përjashton dialogun e arsyeshëm që mund të rezultojnë në konsensus racional. Loja politike zhvillohet në këta dy regjistra: të pasionit dhe të arsyes; herë mbizotëron logjika e njërit regjistër, herë logjike e regjistrit tjetër, varësisht nga situata. Kështu është. Kështu duhet ta pranojmë. Pa panik. Por, me kujdes.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.